Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 11
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    KLD: Qeveria kërkon të kontrollojë institucionin tonë

    Është thelluar ndarja dhe përplasja midis qeverisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë pas vendimit që ky i fundit mori për rrëzimin e kërkesës së ministrit Naço, për shkarkimin nga detyra të gjykatësit Gjin Gjoni.

    Gjatë një konference për mediat ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka deklaruar se vendimi i KLD-së ka skandalizuar opinionin publik dhe se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është kthyer në një rrjet ku gjyqtarët mbrojnë njëri-tjetrin. Ai është shprehur se qeveria nuk mund të bashkëpunojë me këtë Këshill dhe theksoj se i takon deputetëve të Kuvendit të vendosin se çfarë do të bëjnë me anëtarët e KLD-së.

    “Shfajësimi që ky Këshill i dha zyrtarëve që skandalizuan mbarë opinionin publik është fakt më i fortë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është kthyer në një rrjet ku gjyqtarët mbrojnë njëri-tjetrin. Vendimmarrja e djeshme flagrante e KLD-së, shpreh dhe njëherë bindjen se qeveria nuk mund të bashkëpunojë me këtë Këshill. Tashmë u takon deputetëve të Kuvendit, të zgjedhur nga vota e popullit të vendosin se çfarë do të bëjnë me anëtarët e KLD-së. Do të mbyllin sytë apo do të ndahen përfundimisht nga kjo vendimmarrje skandaloze.”

    “Gjyqtarët janë bërë si ‘Sude’, duke fshehur pasuritë. Numri im si ministër i drejtësisë është i hapur për të gjithë. Ftoj qytetarët të denoncojnë”, ka thënë Naço.

    Ndërkohë që qeveria shqiptare nëpërmjet ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, njëkohësisht Koordinatorit Kombëtar në Luftën Kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi, ka dhënë mbështetjen e saj për deklaratën e ministrit Naço.

    KLD: Qeveria synon të kontrolloj politikisht institucionin.

    Këshilli i Lartë i Drejtësisë nëpërmjet zëdhënësit të KLD-së, Elis Kuçi, ka hedhur poshtë deklaratën e ministrit Naço, duke thënë se ministri i Drejtësisë bëri agjitacion e propagandë duke dhënë publikisht vendim fajësie për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe të gjithë gjyqtarët e këtij vendi, me justifikimin e luftës kundër korrupsionit. Sipas KLD-së, e gjithë kjo fushatë denigrimi fsheh në vetvete qëllimin për të kontrolluar politikisht çdo institucion dhe çdo individ që ka sot një detyrë publike.

    “Sot, Ministri i Drejtësisë bëri agjitacion e propagandë duke dhënë publikisht vendim fajësie për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe të gjithë gjyqtarët e këtij vendi, me justifikimin e luftës kundër korrupsionit. Stili i tij propagandistik do t’i bënte zili edhe ish-byrosë politike të Partisë së Punës së Shqipërisë.E vetmja gjë qesharake në seancën e djeshme plenare të KLD, ishte në fakt performanca e Ministrit të Drejtësisë, i cili nuk arriti dot të provonte faktet e pretenduara ndaj gjyqtarëve në procedim disiplinor si dhe përmbushjen e kushteve ligjore për shkarkimin e tyre nga detyra. Ministri gënjeu publikisht për rrethanat dhe faktet e cështjeve të trajtuara dje në Këshill, Ministri gënjeu publikisht kur tha se kishte paraqitur prova për fajësinë e gjyqtarëve në seancën e djeshme të KLD. Ministri gënjeu publikisht kur tha se nuk ka transparencë në KLD pasi nuk mbahen procesverbalet e mbledhjeve. Ministri gënjeu publikisht edhe kur tha se ka marrë mendim nga Komisioni i Venecias për ndërhyrjet antikushtetuese në ligjin për KLD.” – ka deklaruar zëdhënësi i KLD-së.

    “Sqarojmë opinionin publik se e gjithë kjo fushatë denigrimi ndaj institucionit kushtetues të KLD, e mirëllogaritur dhe e nisur prej kohësh, është një farsë tragjikomike e cila fsheh në vetvete qëllimin për të kontrolluar politikisht çdo institucion dhe çdo individ që ka sot një detyrë publike. KLD i bën thirrje qeverisë të ndalojë sulmet politike publike dhe të lejojë gjyqësorin të zhvillojë i pandikuar proceset gjyqësore ndaj eksponentëve politikë të mazhorancës”, tha Kuçi.

    MAPO

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: KLD: Qeveria kërkon të kontrollojë institucionin tonë

    PS: Mbështesim kërkesën për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Parlamenti do të ndërhyjë

    Partia Socialiste ka deklaruar sot mbështetjen e saj për kërkesën e bërë nga ministri i Drejtësisë Nasip Naço (i LSI-së) për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, dhe ka deklaruar se Parlamenti do të ndërhyjë për të ndryshuar situatën në KLD. Sipas Klosit, KLD po mbron zullumet e sektit e gjyqtarëve të korruptuar.

    Deputeti i PS-së Blendi Klosi tha se “Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë të skandalizuar nga vendimmarrja e njëpasnjëshme e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që arriti kulmin ditën e hënë kur ndaj gjyqtarëve me probleme flagrante në deklarimin e pasurisë, vendosi të mos merrte asnjë masë e të mos fillonte asnjë hetim. Akoma më i turpshëm ishte reagimi i KLD pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë.Një reagim që përforcoi edhe njëherë akuzën tonë se sistemi i drejtësisë po kthehet çdo ditë e më shumë në një rrjet ku bëjnë pjesë gjyqtarë kryekëput të korruptuar, që nuk punojnë për të vendosur drejtësi, por punojnë vetëm e vetëm për tu pasuruar vetë në kurriz të shqiptarëve.Një rrjet gjyqtarësh të korruptuar që po kthehen në një sekt, që bëjnë gjithçka për të mbrojtur e shpëtuar njëri-tjetrin nga zullumet korruptive ku janë zhytur. Që sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk funksionon, këtë e di sot i madh e i vogël”.

    Ai shtoi se “ishte kjo arsyeja pse një vit më parë shqiptarët votuan Koalicionin për Shqipërinë Europiane” dhe do të jetë kjo arsyeja “pse kjo maxhorancë është e vendosur që drejtësia në Shqipëri të vihet në lëvizje dhe shumë shpejt shqiptarëve tu kthehet besimi tek drejtësia”.

    Klosi deklaroi se “Partia Socialiste mbështet deklaratën e djeshme të Ministrit të Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare për të kërkuar ndërhyrjen e Parlamentit. Përfaqësuesit e popullit kanë detyrimin ligjor dhe moral të shprehen dhe të distancohen nga ata përfaqësues në Këshillin e Lartë të Drejtësisë që janë zgjedhur aty nga Parlamenti për të përfaqësuar Parlamentin, por që çdo ditë e më shumë po bëhen palë me korrupsionin dhe me të korruptuarit.”

    MAPO

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: KLD: Qeveria kërkon të kontrollojë institucionin tonë

    Çefa: I shokuar nga kërkesa e Naços, KLD do të ankohet tek ndërkombëtarët

    Zëvendëskryetari i KLD-së, Elvis Çefa, tha sot se ka mbetur i shokuar nga kërkesa e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për shkarkimin e tij dhe shtoi se KLD do ti drejtohet ndërkombëtarëve për ”ndihmë”. I pyetur nga media tai komentoi mbi situatën e konfliktit mes ministrisë dhe KLD-së.

    Një ditë pas deklaratës të Ministrit të Drejtësisë lidhur me reformimin e KLD-së dhe mendimi për të larguar tre anëtarëve e saj nga KLD. Kush është opinioni i juaj?

    Në fakt opinioni im dhe në përgjegjësi edhe ai i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u pasqyrua dje nëpërmjet konferencës për shtyp. Në fakt jemi të shokuar nga deklaratat thellësisht politike të Ministrit të Drejtësisë. Unë personalisht e prisja një reagim të tillë, pas paaftësisë të theksuar të Ministrit për të provuar ligjërisht pretendimet e tij para Këshillit, sigurisht edhe atij do t’i duhej një justifikim përballë eprorëve të tij. Justifikim më të mirë se sulmi që të gjithë e pamë, sulm i paprecedent në fakt ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të gjithë sistemit të drejtësisë, i cili u quajt “Sude” nga Ministri i Drejtësisë pa asnjë përjashtim, e vërtetoi mësëmiri këtë. Ata që janë të paaftë të provojnë sipas ligjit fajësinë dhe përgjegjësinë e dikujt tjetër, për fat të keq kanë aftësinë shumë të mirë që përballë publikut të shpifin pa asnjë lloj skrupulli.

    Zoti Çefa, a i ka kërkuar qeveria parlamentit të marri masa ndaj Jush personalisht që jeni zgjedhur nga Kuvendi në KLD?

    Kjo sigurisht që është një çështje teknike, një çështje e përcaktuar në Kushtetutë. Unë absolutisht e ritheksoj faktin që jam së pari krenar që prej disa vitesh tashmë, kam drejtuar administratën e KLD-së dhe kam punuar në krahun e Presidentit Nishani, kemi bërë dhe do bëjmë mjaft gjëra të mira. Nuk mund të konceptoj, në formimin tim si jurist, ndërhyrjen e parlamentit në zbatim të thirrjes për ndihmë të bërë nga ministri dhe faktorë të tjerë. Por gjithashtu nuk do të rrimë në asnjë moment në pritje të një fati të paparashikuar në ligj për ne, por do të vazhdojmë të bëjmë me përgjegjësi, ashtu sikundër e kemi bërë deri më sot, detyrën.

    Ju keni thënë se do i drejtoheni institucioneve ndërkombëtare?

    Është një vendim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pra, duke parë me shumë shqetësim që për fat të keq reforma në sistemin e drejtësisë nuk sjell asnjë të re, por përkundrazi fillon me shkatërrimin e institucioneve kyçe që rregullojnë dhe garantojnë pavarësinë e sistemit. I shqetësuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që pikërisht këto shqetësime t’ia bëjë me dije edhe faktorit ndërkombëtar, të cilët për fat, kanë investuar miliona euro në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sigurisht faktori ndërkombëtar do të jetë minimalisht i interesuar për investimet e tij në Shqipëri.

    MAPO

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e CRO
    Anëtarësuar
    29-12-2013
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    305

    Për: KLD: Qeveria kërkon të kontrollojë institucionin tonë

    Keta te PS duan te instalojne nje diktature te re.
    Gjyqesori sado i korruptuar qe te jete nuk mund te pastrohet nga gelbaza te erreta si anetaret e PS-LSI.
    Pastrimi, jo vetem i gjyqesorit por i cdo institucioni tjeter, vjen vetem me shkalle graduale...

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e CRO
    Anëtarësuar
    29-12-2013
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    305

    Post Për: KLD: Qeveria kërkon të kontrollojë institucionin tonë

    Mbi kete teme dhe mbi tentativat anti-demokratike te maxhorances PS-LSI per te uzurpuar institucionet e pavarura dhe per te prishur balancen e pushteteve, aq e nevojshme ne demokraci, shkruan sot edhe gazetari i mirenjohur Armand Shkullaku tek MAPO.al:

    Beteja e sajuar për drejtësinë
    nga Armand Shkullaku {10/07/2014}

    Sistemi i drejtësisë në Shqipëri rrezikon të degradojë akoma edhe më shumë pas konfliktit të fundit mes qeverisë dhe Këshillit të Lartë të Armand-ShkullakuDrejtësisë. Në këtë betejë të re, ku nëpërmjet figurës së ministrit Nasip Naço, ekzekutivi kërkon t’u paraqitet shqiptarëve si heroi që po i shpëton nga e keqja e madhe, është fare e qartë se bëhet fjalë për një përpjekje banale për ta marrë nën kontroll dhe jo për ta reformuar gjyqësorin. “Përpjekja e ministrit Naço për të luftuar korrupsionin ka marrë një shuplakë nga KLD”, ishte një deklaratë e përfaqësuesve të qeverisë që i jep edhe nota qesharake gjithë kësaj historie. Nevoja e mazhorancës për të marrë nën kontroll gjyqësorin dhe mënyra butaforike që ka zgjedhur për ta kamufluar këtë tentativë, e bëjnë edhe më të pabesueshme të ashtuquajturën betejë kundër korrupsionit në drejtësi.

    Kur dëgjon ministrin Naço që flet për KLD e gjyqësorin e korruptuar, për fenomenin “Sude”, për apelin ndaj Parlamentit që të ndërhyjë si forcë e jashtëzakonshme etj., etj, nuk mund të mos bësh pyetjen se, a ishte po ky ministër (atëbotë pjesë e qeverisë Berisha) që lartësoi pavarësinë e gjyqësorit shqiptar, kur i dha pafajësi Ilir Metës në rastin e “videopërgjimit Prifti”? Loja politike me drejtësinë është më se e kuptueshme, jo vetëm nga personat që kanë marrë përsipër ta luajnë atë, por edhe nga mënyra se si kanë zgjedhur ta bëjnë. Nën mbulesën e shqetësimit ndërkombëtar për funksionimin e gjyqësorit në Shqipëri, mazhoranca ka nisur një sulm aspak parimor që vetëm reformës nuk i afrohet. Nuk ndodh në asnjë vend normal që ministri i Drejtësisë të flasë me atë gjuhë për drejtësinë e vendit të tij. Një gjë e tillë krijon tek qytetarët ndjenjën e kaosit ku shteti i kundërvihet shtetit dhe çon drejt zhgënjimit të parikuperueshëm se në Shqipëri gjithçka është në funksion të interesave të ngushta të një grupi njerëzish. Pa dyshim që drejtësia është më shumë se problematike, se gjyqtarët dhe prokurorët e kanë rrënuar edhe vetë imazhin e tyre, herë duke u vënë në shërbim të pushtetit e herë të parasë. Por gjendja nuk mund të përmirësohet duke sulmuar drejtësinë nga pozita politike, por duke nisur një reformë serioze pa qenë nevoja për të prodhuar show mediatik. Presionet me zë të lartë, akuzat bombastike, përdorimi i individëve që rrallë mbajnë përgjegjësi për ato që thonë, duket se po kombinohen për të justifikuar në sytë e publikut ndërhyrjen e paprinciptë të qeverisë në pushtetin gjyqësor. Fjalia “përpjekja e ministrit Naço për të luftuar korrupsionin” edhe vetë kryeministrit Rama mund t’i shkaktojë të qeshura të forta, por atij i duhet të shpikë një çështje si mjet për ta çuar deri në fund presionin ndaj KLD-së dhe gjyqësorit në përgjithësi.

    Mazhoranca i ka të gjitha mekanizmat ligjorë për të provuar akuzat e saj, prokuroria po heton për disa gjyqtarë, kontrollet dhe survejimet e ligjshme mund të intensifikohen dhe ky do të ishte vërtet presioni i duhur mbi individët e korruptuar. Nga ana tjetër ndryshime ligjore mund të propozohen, duke kërkuar pse jo edhe konsensusin e opozitës, për të parandaluar në të ardhmen devijimet e sistemit të drejtësisë nga ligji dhe një kontroll më efikas ndaj tij. Qeveria po ashtu mund të kish zgjedhur dikë, një personalitet me integritet të lartë dhe figurë të pastër, të pranuar si të tillë nga të gjithë, i cili mund të drejtonte një program të caktuar, të mbështetur edhe nga BE dhe transparent për këdo, ku do të ndërmerreshin hapat konkretë për reformën në drejtësi. Mirëpo në thelb të betejës së qeverisë dhe ministrit Naço me KLD nuk qëndron reformimi i drejtësisë, por nënshtrimi dhe vënia në përdorim nga pushteti i ri. Pa mbaruar ende fjalimin ministri Naço, Partia Socialiste nxitoi të kërkojë ndërhyrjen e Parlamentit, pa u shqetësuar nëse kjo bie në kundërshtim me ligjin. Prandaj më shumë se sa argumentime ligjore dhe strategji të menduara, do të dëgjojmë akuza për miliona, udhëtime me avionë, vila dhe makina. Një refren i vjetër që përsëritet sa herë që pushteti politik do të shkelë pushtetet e tjera.

    Pavarësisht gjithë zhurmës së krijuar për të hutuar qytetarët, ky është qëllimi i qartë i qeverisë Rama. Në këtë dilemë mes gjendjes së rëndë ku ndodhet drejtësia shqiptare dhe tentativës për ta vënë atë nën kontroll politik, më mirë do të ishte e para. Një mazhorancë që ka vullnet vetëm për t’i shërbyer vetvetes, do ta lëndonte edhe më keq një pushtet tjetër që mezi mbahet në këmbë. Aq më tepër kur këtë mundohet ta kamuflojë si një betejë në të mirë të vendit dhe qytetarëve. Ministri i Drejtësisë, për fat të keq, nuk bind aspak për këtë. Edhe kur del e flet nga selia e Kryeministrit.
    Mapo.al

  6. Anetarët më poshtë kanë falenderuar CRO për postimin:

    Do Not Tread On (11-07-2014)

  7. #6
    i/e regjistruar Maska e CRO
    Anëtarësuar
    29-12-2013
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    305

    Post Qeveria Rama dhe sulmet mbi pushtetet e pavarura

    Nje shkrim tjeter, i analistit dhe ekonomistit te mirenjohur Artan Hoxha; si gjithnje me argumente dhe me fakte na tregon per tentativat meskine te maxhorances PS-LSI per te kapur ne menyre antiligjore pushtetet e pavarura, si ai i drejtesise, per me teper duke shkelur edhe Kushtetuten.

    Dy silura kundër KLD
    nga Artan-Hoxha

    DY PROJEKTLIGJE KUNDER KLD
    Ofensiva me front të gjerë e supermaxhorancës për vënien nën diktat të institucioneve që nuk janë në varësinë e drejtpërdrejtë të Qeverisë dhe Kuvendit, ka objektiv kryesor sistemin e drejtësisë.
    Kundër Drejtësisë supermaxhoranca nisi që në fillim një fushatë denigruese, kombinuar me presione të hapura e nën rrogoz, ndërsa po ndërmerr nisma ligjore përmes të cilave, duke u kuturisur thellë në zonën e antikushtetutshmërisë së sigurt apo shumë të mundshme, synon të arrijë maksimumin e arritshëm pa ndryshime në Kushtetutë, për të cilën nuk i ka votat.
    Pasi vuri nën diktat të plotë administratën dhe inspektoratet, pasi politizoi thellësisht Policinë e pasi u tregoi gjykatave se vendimet e tyre nuk i konsideron kur i ka kundër, Qeveria po tenton që përmes ligjeve të reja mbi rendin dhe Policinë të marrë kompetencat e Prokurorisë dhe përmes së ashtuquajturës reformë e Drejtësisë t’i vërë gjykatat nën diktat.
    Në këtë vazhdë, në Kuvend presin për t’u diskutuar dy projektligje – de jure propozim i një grupi deputetësh supermaxhoritarë. Njëri nga projektligjet ndërhyn drejtpërdrejt në ligjin organik të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), ndërsa tjetri ndërhyn në ligjin për Shkollën e Magjistraturës (SHM).

    NDERHYRJET NE LIGJIN PER KLD
    Çdokush që do të lexonte relacionin shpjegues të mbushur me akuza mbi bëmat e KLD, do të priste edhe një rrëzim në total të këtij modeli, edhe propozimin e një modeli krejtësisht të ri. Në fakt, në ligjin e KLD propozohen disa ndërhyrje, në dukje të vogla, por, si për të vërtetuar se te detajet fshihet dreqi dhe i biri, të paktën tri prej tyre janë tejet të rrezikshme.
    Ndërhyrja e parë është kërcënim i drejtpërdrejtë për gjyqtarët. Dy ndërhyrjet e tjera janë kërcënime për anëtarët e KLD, veçanërisht ata të emëruar nga Kuvendi, duke lënë të kuptohet se anëtarët e emëruar në legjislaturën e kaluar i pret një shkarkim i shpejtë dhe të emëruarit e ardhshëm janë të paralajmëruar se mund të shkarkohen lehtësisht e në çdo moment për çdo përdredhje a mosbindje.

    KERCENIMI I GJYQTAREVE ME PEZULLIM
    Projektligji propozon që “në rastin kur është regjistruar një procedim penal ndaj një gjyqtari, KLD vendos pezullimin e gjyqtarit nga detyra derisa të merret vendimi gjyqësor i formës së prerë”.
    Pezullimi nga detyra është një masë ndaluese, brenda kategorisë së masave siguruese, e parashikuar nga Kodi Procedurës Penale (KPP), për të cilën merr vendim gjykata rast-për-rast kur vlerësohet se vazhdimi i detyrës do të rrezikonte marrjen ose sigurinë e provave apo kryerjen e një krimi të njëjtë a më të rëndë nga personi nën procedim penal. Kjo masë zbatohet vetëm kur procedohet për vepra penale që kanë kufi maksimal dënimi më shumë se një vit dhe nuk zbatohet për personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral.
    Ligji për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor (OPGJ) në nenin 29 parashikon që procedimi penal për gjyqtarin fillon vetëm pasi merret autorizimi nga KLD, bazuar në bindjen e krijuar mbi fakte dhe rrethana e të shprehur me votë. Dhënia e autorizimit nënkupton edhe pezullimin e gjyqtarit derisa të merret vendimi gjyqësor i formës së prerë. Sipas parimeve të shëndosha kushtetuese të balancës dhe kontrollit, kërkesa e prokurorisë vlerësohet nga një organ tjetër.
    Ndryshimet kushtetuese në shtator 2012 përcaktuan se nisja e procedimit penal për shumë kategori zyrtarësh, përfshirë gjyqtarët, nuk kërkon më autorizim nga një organ tjetër, por është vetëm në vlerësimin e prokurorisë. Për këtë shkak, lidhur me pezullimin e gjyqtarit, si masë ndalimi/sigurie në kuptim të KPP, mund të mbahen dy qëndrime diametralisht të kundërta – njëri që ia lë pezullimin ekskluzivisht gjykatës dhe tjetri që pezullimin e konsideron automatikisht të aplikueshëm.
    Nismëtarët e ndërhyrjes në ligjin e KLD kanë zgjedhur qëndrimin e dytë. Naivëve të dashuruar me Drejtësinë e kulluar ndërhyrja do t’u duket zgjidhja e artë. Meqë iu duket kështu, le të kërkojnë edhe pezullimin automatik të ministrave, deputetëve e zyrtarëve të tjerë të këtij shteti me të filluar ndaj tyre një procedim penal, pse jo, edhe masat e tjera të sigurisë, e kështu ta çojmë për dreq këtë shtet.
    Fare për dreq, pasi pezullimi automatik jo vetëm nuk ndihmon, por mund të keqpërdoret lehtësisht nga kushdo me pushtet për të influencuar e diktuar për keq Drejtësinë, e cila, edhe me këto garanci të derisotme, është nën presion dhe shpesh influencohet a përkulet.
    Nëse miratohet pezullimi automatik, qoftë në ligjin për KLD (dhe/ose në ligjin për OPGJ), pezullimi i gjyqtarit do të ndodhë pa vendim gjykate, pa vendim real të KLD, por automatikisht e sa herë që prokuroria do të regjistronte një procedim penal për një gjyqtar të shkallës së parë apo të apelit. Gjyqtarët do të ishin kategoria e parë e zyrtarëve mbi të cilët do të zbatohej automatikisht pezullimi.
    Për rrjedhojë, nesër mund të ndodhë në plot raste që ndaj një gjykatësi, që po gjykon një çështje të caktuar e nuk i bindet palës së interesuar për favorizim, të nisë qëllimisht, pa baza apo me baza shumë të dobëta, një procedim penal sa për ta hequr qafe gjyqtarin nga çështja tjetër në fjalë. Një instrument i këtillë do të ishte i rrezikshëm qoftë edhe si mundësi për t’u përdorur abuzivisht, e jo më nëse do të aplikohej abuzivisht mbi gjyqtarët.

    PARAPERGATITJE PER SHKARKIMIN E ANETAREVE TE KLD
    Në nenin 7/1 të ligjit për KLD shtohet një fjali që përcakton se: “f) Anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi shkarkohen për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve”, ndërsa heqja e paragrafit 2 të nenit 10 lë të kuptohet se konstatimi dhe vlerësimi i shkeljes për anëtarët e emëruar nga Kuvendi do të bëhet nga vetë Kuvendi bashkë me vendimin e ndërprerjes së mandatit, dhe jo më nga KLD.
    Neni 7 i ligjit të KLD i ka trajtuar shterueshëm të gjitha rastet e nevojshme të ndërprerjes para afatit pesëvjeçar të mandatit të anëtarit të KLD. Shtimi i fjalisë së mësipërme krijon një situatë papërcaktueshmërie totale ligjore dhe pra, mundësi shumë të gjerë për abuzim nga Kuvendi ndaj anëtarëve të KLD, institucion të cilit Kushtetuta i dedikon gjashtë paragrafë dhe e përcakton jo vetëm si menaxhues të karrierës së gjyqtarëve, por edhe mbrojtës e garantues të integritetit të tyre nga sulmet dhe kërcënimet nga pushtetet e tjera, veçanërisht nga Qeveria.

    NDERHYRJA NE LIGJIN PER SHKOLLEN E MAGJISTRATURES
    Qëllimi i ndërhyrjes është evident – Shkolla e Magjistraturës (SHM) nuk duhet të jetë më në varësi të KLD. Ndërhyrjet ligjore në disa drejtime, nëse miratohen, e dobësojnë shumë lidhjen mes KLD dhe SHM, ndërsa shtojnë lidhjet dhe influencat e drejtpërdrejta apo të tërthorta të Qeverisë në SHM.
    Për me tepër, mandati i drejtorit aktual, anëtarëve të këshillit drejtues dhe pedagogjik e deri te stafi pedagogjik ndërpritet para kohe nëse nuk plotësohen kriteret e reja të imponuara nga kjo ndërhyrje me arsyetime qartazi abuzive, duke përbërë një rast të rëndë antikushtetutshmërie. Efekti prapaveprues është kaq qartazi abuziv, sa edhe vetë autorët nuk kanë mundur ta kamuflojnë dhe rreken ta justifikojnë pa qullosur gjë.
    Kjo shkollë, ndonëse aktualisht ka 27 studentë, e pak ka për të pasur në vite e ardhshme, ka pozicion kyç pasi nga këtu fillon karriera e gjyqtarëve. Ndaj diktati mbi këtë shkollë është shumë i rëndësishëm për suksesin afatgjatë të ofensivës së supermaxhorancës.

    LEVIZNI SA ESHTE ENDE FILLIMI
    Supermaxhoranca nuk do t’ia dijë që KLD, nën drejtimin e Presidentit Nishani, në më pak se dy vite ka arritur të plotësojë një pjesë të mirë të çështjeve të lëna zvarrë nga drejtuesit e mëparshëm, as që KLD ka përmirësuar ndjeshëm metodikën dhe kriteret e karrierës së gjyqtarëve, as që në një kohë rekord u mundësua fillimi i punës së gjykatave administrative që ish-opozita i pengoi katër vite rresht, as që gjatë këtyre dy viteve KLD ka vendosur shumë më shumë dënime administrative mbi gjyqtarët që kanë bërë shkelje. Supermaxhorancës i intereson pushtimi i gjykatave.
    Kjo nuk është as shpikje, as zbulim, as ves vetëm i kësaj maxhorance, dhe s’ka si të jetë ndryshe. Dy ndërhyrjet e propozuara ligjore – si dy silurë kundër anijes së drejtësisë – janë vetëm vazhdimi i ofensivës së supermaxhorancës. Ndërhyrjet të tjera edhe më të rrezikshme fillojnë në shtator.
    Kushdo që sot sinqerisht ankohet për Drejtësi të korruptuar dhe po sinqerisht shpreson te reformat e supermaxhorancës, i them sinqerisht të përgatitet që, pas suksesit të kësaj ofensive, do të ketë në kurriz një Drejtësi edhe më shumë të politizuar, edhe më shumë të korruptuar, edhe mashë e një klani të ngushtë në majat e pushtetit ekzekutiv për interesat e të cilit drejtësia e rilindur nuk do të kursejë askënd, as ata që do t’i votojnë ligjet e kësaj pseudoreforme, nëse lëvizin pak nga rreshti apo kur klanit do t’i duhet ndonjë kokë turku.
    Ftillohuni sa s’është vonë. Lëvizni sa është ende fillimi.

    Panorama.com.al

  8. #7
    i/e regjistruar Maska e CRO
    Anëtarësuar
    29-12-2013
    Vendndodhja
    Tiranë
    Postime
    305

    Për: Qeveria Rama dhe sulmet mbi pushtetet e pavarura

    Thote Artan Hoxha:

    Kushdo që sot sinqerisht ankohet për Drejtësi të korruptuar dhe po sinqerisht shpreson te reformat e supermaxhorancës, i them sinqerisht të përgatitet që, pas suksesit të kësaj ofensive, do të ketë në kurriz një Drejtësi edhe më shumë të politizuar, edhe më shumë të korruptuar, edhe mashë e një klani të ngushtë në majat e pushtetit ekzekutiv për interesat e të cilit drejtësia e rilindur nuk do të kursejë askënd, as ata që do t’i votojnë ligjet e kësaj pseudoreforme, nëse lëvizin pak nga rreshti apo kur klanit do t’i duhet ndonjë kokë turku.
    Ftillohuni sa s’është vonë. Lëvizni sa është ende fillimi.
    Natyrisht qe ato qe shkruan analisti i mirenjohur mund te lexohen dhe kuptohen vetem nga njerezit me arsye dhe logjike, qe jane te afte te mendojne me mendjen e tyre. Per militantet, qe duhet thene se ne Shqiperi nuk jane pak, cdo lloj argumenti apo arsyetimi eshte i kote. Eshte thene e sterthene: militantet edhe bar hane, vetem Partia te jete mire.

  9. #8
    i/e regjistruar Maska e Cerebro
    Anëtarësuar
    11-07-2014
    Postime
    125

    Për: Qeveria Rama dhe sulmet mbi pushtetet e pavarura

    Po nxjerrë këtë pjesë nga artikulli mjaft i mirë i Armand Shkullakut, për të dhënë mendimin tim.
    Nga ana tjetër ndryshime ligjore mund të propozohen, duke kërkuar pse jo edhe konsensusin e opozitës, për të parandaluar në të ardhmen devijimet e sistemit të drejtësisë nga ligji dhe një kontroll më efikas ndaj tij. Qeveria po ashtu mund të kish zgjedhur dikë, një personalitet me integritet të lartë dhe figurë të pastër, të pranuar si të tillë nga të gjithë, i cili mund të drejtonte një program të caktuar, të mbështetur edhe nga BE dhe transparent për këdo, ku do të ndërmerreshin hapat konkretë për reformën në drejtësi. Mirëpo në thelb të betejës së qeverisë dhe ministrit Naço me KLD nuk qëndron reformimi i drejtësisë, por nënshtrimi dhe vënia në përdorim nga pushteti i ri. (Armand Shkullaku)
    I ka rënë pikës, si i thonë llafit.
    Të bësh reformë do të thotë se ka një problem diku. Dhe për këtë biem dakord të gjithë. Më pas identifikohen zgjidhjet e mundshme të problemit, dhe debatohen. Reformat kështu bëhen. Dhe në fund, nëse konsiderohet gjithshka merret një vendim, me mirëkuptim dhe dukre repsktuar të gjitha mendimet.
    Siç e thotë edhe Shkullaku, Qeveria PS-LSI nuk ka ndërmend të bëjë reforma, por të bëjë luftë kundër pavarësisë së një institucioni. Dihet që një pjesë e mirë e anëtarëve të maxhorancës janë kriminelë dhe vënia e Gjyqësorit nën kthetrat e kriminelëve që gjenden me shumicë në Qeveri vetëm sa do ta përkeqësoj gjendjen dhe do t'i bëjë të imunizuar. Pra, nëse qeveria e korruptuar kap gjyqësorin do të na mbysin kriminelët, trafikantët dhe vrasësit me pagesë me keq se sa na kanë mbytyr tash pas një viti.

  10. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Cerebro për postimin:

    Do Not Tread On (11-07-2014)

  11. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: KLD: Qeveria kërkon të kontrollojë institucionin tonë

    Problemi yne eshte se kemi nje kryeminister qe eshte njeri budalla, ne kuptimin e mirefillte te fjales budalla. Por ne mendjen e tij, Edi Rama, nuk njeh burre me te zgjuar se vetja, budallenjte jemi ne, shqiptaret qe e zgjodhem ate kryeminister duke i dhene voten. Une do ti zija shkurt budalleqet e Rames:

    1. Sipas Kushtetutes se Shqiperise (dokument qe Rama as nuk e ka lexuar ndonjehere ne jeten e tij) gjyqesori eshte pushtet i pavarur dhe koka e ketij sistemi eshte presidenti i vendit, jo kryeministri i vendit. Idiotesia e dashakeqesia e Rames del hapur kur ben deklarata mediatike per "reforma ne drejtesi" kur as Kuvendi i Shqiperise (pushteti ligjvenes), as Kryeministria nuk mund te nderhyjne dot e te bejne "reforma" ne sistemin e drejtesise. Kushtetuta e ndalon kete gje. Edhe roli i presidentit eshte kufizuar, ai ka vetem perfaqesimin ne KLD dhe emerimin e vendeve boshe neper gjykata. Por pervec ketyre, as presidenti nuk mund te fusi dot hundet ne punet e sistemit te drejtesise.

    2. Kur themi qe pushteti i drejtesise eshte i pavarur, do te thote qe ky pushtet jo vetem nuk mund te preket nga pushtetet e tjera, por ka edhe fuqine ligjore qe te vetereformohet. Institucione si KLD apo Gjykata Kushtetuese, ekzistojne per te administruar sistemin, per te korrigjuar e reformuar ate, e per te udhezuar ate kur ka keqkuptime ne gjykime apo interpretime te ligjit. Dhe kur ka gjykates qe shkelin ligjin, kur ka njerez te korruptuar ne sistem, KLD apo vetem segmente te gjyqesorit kane pushtetin qe jo vetem te marrin masa disiplinore ndaj gjyqtareve, por edhe te shkojne e denoncojne ate shkelje te ligjit ne Prokurori. Eshte prokuroria qe heton e nxjerr gjykatesit e korruptuar para drejtesise, jo kryeministri i vendit, jo kryetari i parlamentit, jo presidenti.

    3. Rama nuk ka respekt as per ligjin, as per kushtetuten, as per institucionet e pavarura. Rames nuk i behet vone as per korrupsionin e sistemit, objektivi dhe qellimi i tij eshte kontrolli dhe uzurpimi i te gjitha institucioneve te vendit qofshin keto presidenca, ushtria, prokuroria, shish, kqz, kld, apo te gjitha gjykatat e vendit. Dhe ky nuk eshte jo vetem nje akt antikushtetues, ky eshte nje puc i hapur anti-demokratik per kthimin e Shqiperise ne diktature. Ne cdo vend te botes se qyteteruar, nese nje kryeminister apo kreu i nje institucioni do te nderrmerte nje puc te tille qe permbys rendin demokratik kushtetues te vendit, do ta gjente veten nen sulmin e ushtrise, shish, presidences e gjithe institucioneve te tjera te pavarura, detyra e te cilave eshte te ruajne vendin jo vetem nga kercenimi i jashtem, por edhe i brendshem. Rendi kushtetues ne vend duhet ruajtur me cdo cmim, pasi eshte kjo kushtetute planimetria e shtyllave te demokracise shqiptare. Po u prishen e rrezuan ato, nuk ka me demokraci ne Shqiperi, vendi kthehet ne diktature. Ashtu sic eshte edhe detyra e gjithe qytetareve demokrate qe e duan lirine dhe sundimin e ligjit demokratik ne vend, qe te ngrejne zerin dhe te mbrojne me cdo cmim lirine dhe demokracine e tyre.

    4. Gjykatat e Prokuroria duhen uzurpuar me cdo cmim, pasi PS eshte kthyer ne stanin e krimineleve dhe mafiozeve qe Rama i ka bere deputete. Dhe keta nuk e bejne dot gjumin rehat naten per aq kohe sa ka prokurori e gjykata te pavarura, qe kercenojne lirine dhe interesat e bizneseve te tyre te felliqura.

    Nese Rama do te ishte sot kryeminister i Frances apo Gjermanise, ai do ta gjente veten te varur me koken poshte ne nje nga urat e lumit Sene ne Paris, pasi ai eshte fati i te gjithe diktatoreve qe nuk respektojne lirine dhe rendin kushtetues te shoqerise. Shoqeria shqiptare ende nuk e ka arritur te formoje ate tradite demokratike ne ndergjegjen e vete si popull, dhe prandaj prodhon sharlatane si Edi Rama.

    Sot Edi Rama eshte edhe kryetar i PS, edhe deputet, edhe kryeminister, edhe komandant i ushtrise, edhe kryeprokuror, edhe gjykates. Kete deshi tu thosh nje vit me pare kur ju fliste per "RILINDJE", qe domethene, ai eshte rilindasi dhe ju jeni "populli i rrenuar".

    Zoti ju ruajt o shqiptare nga budallai ne krye te shtetit!

    Albo

  12. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    Do Not Tread On (11-07-2014)

  13. #10

    Për: KLD: Qeveria kërkon të kontrollojë institucionin tonë

    Pas bllofit te Mimi Kodhelit - ministrja qe e coi ushtrine te pastronte rruget - me dosjet qe gjoja do tregonin ish-zyrtaret e korruptuar, keta nuk kane me goje te flasin per korrupsion dhe drejtesi.
    Do flasi Edi Rama per drejtesi, ky person i shpifuur qe organizoi 21 janarin, dhe qe per vete u fsheh si mi tek kullat e Fidelit? Ky njeri nuk ka as moral familjar e jo me te kete moral politik! Ky vetem propagande di te beje...
    Kot qe presim zhvillim me kete lloj injoranti! Ky vetem te lyej pallate di.

  14. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Do Not Tread On për postimin:

    skender76 (11-07-2014)

  15. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: KLD: Qeveria kërkon të kontrollojë institucionin tonë

    Ligjet, PS kryqëzon KLD-në, reforma në drejtësi pas territoriales

    TIRANË Asnjë prej deputetëve të mazhorancës dje në komisionin e Ligjeve nuk shprehu dyshime mbi domosdoshmërinë e reformimit tëKomisioni-i-Ligjeve-Ilir-Rusmali-Fatmir-Xhafa Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Drafti për KLD-në i diskutuar dje në parim nga anëtarët e komisionit të Ligjeve është vetëm hapi i parë në këtë drejtim. Kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se drafti i propozuar nga dhjetë deputetë të mazhorancës bën vetëm disa rregullime, andaj nuk duhet kuptuar si reformë në drejtësi, pasi, sipas tij, ajo do të jetë shumë më e gjerë. ”…Kemi thënë që shumë shpejt në kuvend do të ketë një komision të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi që do të synojë të realizojë një proces reforme gjithëpërfshirëse dhe që do të adresojë jo dy-tri ndërhyrje, por një ndërhyrje thelbësore në mënyrën se si sot funksionon sistemi i drejtësisë… Kjo nuk është reformë në drejtësi, sepse po të ishte sot, do të flisnim ndryshe edhe për KLD-në, për ta riparë thelbësisht rolin e saj, përbërjen, mënyrën se si formohet KLD-ja, për mënyrën se si vepron KLD-ja në raport me interesat e qytetarëve dhe me vetë interesat e gjyqësorit”, – tha dje Xhafaj. Edhe deputeti tjetër i PS-së, Pandeli Majko sqaroi se me këtë projektligj mazhoranca nuk po bën as më pak e as më shumë veçse po i kërkon KLD-së që të respektojë rregullat që vetë ajo ka miratuar. Ai i parapriu edhe një pike të nxehtë që ka ngjallur që tani debate nga opozita lidhur me shkarkimin e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi dhe atyre nga Konferenca Gjyqësore në rastet kur shkelin Kushtetutën dhe ligjin. “Unë e kuptoj që mund të ketë trajtime të mënyrave të ndryshme, sikur parlamenti po ndërhyn në debatin e nxehtë mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por nuk besoj se mund të ketë dikush sot që të na thotë që këtu janë dy fjali të gabuara sepse ndryshe i bie të themi që anëtarët e zgjedhur të Kuvendit mund të bëjnë edhe shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit”, – shtoi Majko.

    Gjyqtarët kundër KLD?

    Por, të pakënaqur me punën e KLD-së nuk janë vetëm deputetët e mazhorancës. “…Nga vetë gjyqtarët kemi patur me dhjetëra e-maile ku shprehen të pakënaqur me mënyrën sesi ka proceduar e funksionuar KLD-ja. Jo të gjithë janë të korruptuar dhe të paaftë. Ka mjaft gjyqtarë që nuk janë pajtuar me atë që ndodh. Ka disa performime të disa pikave të rregulloreve që me ligj e detyrojnë të zbatojë ato që ka miratuar vetë. Është një ligj që kërkon 3/5-at. Ka patur promovime brenda mandatit dhe me hile. Me ndryshimet i mbyllim derën një herë e mirë këtyre problematikave. Jemi në të njëjtin mendim edhe për një pjesë të rekomandimeve që na kanë ardhur nga vetë gjyqtarët. Ligji i KLD-së është i vetmi që nuk parashikon qartë rastet e shkarkimit të anëtarëve”, – tha deputeti i PS-së, Armando Subashi. Sipas tij, dispozita aktuale për KLD-në nuk i përgjigjet as ndryshimeve kushtetuese që u bënë kohë më parë lidhur me kufizimin e imunitetit. “…Të kesh sot në dispozitë faktin, se që të ndiqet penalisht një anëtar KLD-je duhet të merret leje tek KLD-ja, sigurisht që është e papranueshme për të gjithë ne dhe nuk mund të qëndrojë më. Padyshim ky rregull ligjor duhet bërë dhe duhet bërë në përputhje me Kushtetutën”, shtoi ai.

    Ndoka në komision

    Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka bojkotuar pa afat punimet parlamentare.


    Por ky vendim nuk përfshin partitë aleate të saj. Nard Ndoka u bë pjesë e komisionit të Ligjeve pikërisht në momentin kur anëtarët e mazhorancës filluan diskutimin e projektligjit për KLD-në. Gjatë fjalës së tij, Ndoka kërkoi shtyrjen e draftit me argumentin se nuk ishin të pranishëm deputetët e PD-së për shkak të vendimit për bojkot. “Po i presim dhe dje u bëmë prapë thirrje që të vijnë. Epo ne nuk jemi këtu për të pritur opozitën. Ne jemi këtu sepse kemi marrë votën e njerëzve të drejtojmë dhe të udhëheqim…”, – replikoi deputeti i PS-së, Bashkim Fino. Nard Ndoka ishte i vetmi që votoi dje kundër projektligjit në parim pasi në këndvështrimin e tij, ndryshimet në draftin e ri cenonin pavarësinë e KLD-së.



    Drafti për KLD-në: Kush shkel ligjin shkarkohet

    TIRANË Projektligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë është hartuar nga një grup deputetësh të majtë si Spartak Braho, Vexhi Muçmata, Vasilika Hysi, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Petrit Vasili, Pirro Lutaj etj.. Në këtë projektligj nismëtarët parashikojnë që të fusin shkarkimin e anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga Kuvendi dhe Konferenca Gjyqësore, për shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit. Në draft parashikohen gjithashtu ndërhyrje për të shmangur situatat e ngjashme si në rastin e Gjin Gjonit. Tashmë propozohet se kur është regjistruar procedimi penal ndaj një gjyqtari, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos pezullimin e gjyqtarit nga detyra derisa të merret vendim gjyqësor i formës së prerë. Ndërkohë që, në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzon masën disiplinore të propozuar nga ministri, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të vendosë një masë disiplinore më të lehtë. Deputetët propozues janë gjithashtu të mendimit se anëtarët e KLD-së, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore, nuk mund të transferohen apo të ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Sa i përket emërimit të kryetarëve të gjykatave, nisma në fjalë parashikon që vendi vakant për pozicionin e kryetarit të gjykatës shpallet si i tillë 3 (tre) muaj përpara përfundimit të mandatit katërvjeçar të kryetarit të gjykatës.



    Halimi: Drafti për KLD-në nuk i ngjan asnjë modeli të BE

    TIRANË Partia Demokratike e bëri oponencën e saj nga zyrat e selisë, për draftin e ri për KLD-në që po diskutohej në Kuvend. Deklarata e deputetit të PD-së, Eduard Halimi e bërë pak minuta para së të fillonte mbledhja e komisionit të Ligjeve solli edhe reagimin në distancë të kryetarit të këtij komisioni, Fatmir Xhafaj. “Në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, jashtë programit dhe kalendarit të punimeve, pa diskutuar me opozitën e vendit dhe aktorët e sistemit të drejtësisë, Edi Rama dhe Ilir Meta, me ngut dhe në errësirë kërkojnë të miratojnë një paketë ligjesh për Drejtësinë. Në mënyrë të paprecedentë Rama dhe Meta kanë firmosur draftin e një pakete ligjore që instalon edhe formalisht oligarkinë Rama-Meta. Kjo paketë nuk është diskutuar asnjë minutë publikisht me asnjë nga aktorët e drejtësisë; nuk është diskutuar asnjë minutë me asnjë nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë reformat në drejtësi; nuk është diskutuar asnjë minutë me Komisionin e Venecias, të cilit nuk i është kërkuar vlerësim për asnjë nga këto projektligje; nuk ka asnjë gjë të përbashkët me asnjë nga modelet e funksionimit të drejtësisë me vendet e BE…”, – tha dhe Halimi. Por kryetari i komisionit të Ligjeve deklaroi se drafti për KLD-në është përfshirë në kalendarin e punimeve të miratuar edhe nga opozita. Xhafaj tha gjithashtu se për përmbajtjen e këtij drafti është kërkuar mendimi i KLD-së, Konferencës Gjyqësore, OSBE-së, delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë…etj. Ai sqaroi gjithashtu se komisionit të Venecias i drejtohemi sa herë që ka ndryshime në Kushtetutë si dhe replikoi me deklaratën se një model i tillë nuk është i ngjashëm me asnjë të BE-së. “…Më gjeni do një model KLD-je që del dhe thotë gjyqtari që po mi falën 50 mijë euro sepse ne jemi gjyqtarë dhe na duhen edhe veshmbathje… Gjyqtari i Republikës së një shteti se paska problem që i paskan falur 50 mijë euro apo se 2 milion euro nuk i justifikon dot. A ka model të tillë që mund të gjendet në ndonjë vend anëtar të BE-së apo gjithë planetit…?”, – tha Xhafaj.


    MAPO

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •