INTERVISTA/ Flet ish -Komisari i Brigadës Pali Nito: Ju tregoj kur dhe përse u krijuan brigadat sulmuese


- Brigadat sulmuese kompletoheshin një qind për qind me rezervistë

- Komanda e njësive sulmuese ishte në Tiranë me komandant gjeneral Leitnant Arif Hasko

- Krijimi i Brigadës u pasua nga Letra e Hapur e KQ të PPSH

-“Batalioni sulmues në kalimin e lumit Vjosa” u ndoq nga Beqir Balluku, Petrit Dume

-Kemi realizuar tri stërvitje të mëdha “Shpiragu”, “Vjosa” dhe “Semani”

-Takimi i parë me Mehmet Shehun në Mars të vitit 1961 në Kino-Klubin e Bazës së Pashalimanit

-Mehmet Shehu: Nuk jam bërë akoma të më japësh dorën

-Mehmeti: “Ato dëngla thuaja ndonjë tjetri, po jo mua”

-Mehmeti kishte një kujtesë fenomenale



Albert ZHOLI

Pse filloi dhe kur filloi krijimi i Brigadave Sulmuese?

Brigadat Sulmuese, si trashëgimtare dhe vijuese të denja të brigadave partizane të Ushtrisë NÇl, u krijuan si nevojë dhe domosdoshmëri për forcimin dhe modernizimin e mëtejshëm të forcave tona të armatosura në mbrojtje të kufijve të shtetit tonë të pavarur e sovranë. Brigadat Sulmuese kompletoheshin një qind për qind me rezervistë. Ato u krijuan nga fundi i vitit 1965 dhe fillimi i vitit 1966 në shumë rrethe të vendit si: Fier, Ballsh, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Skrapar, Berat, Elbasan, Tiranë, Shkodër, Tropojë, Kukës e Peshkopi, pra me një shtrirje gjeografike në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ku ishte Komanda e këtyre njësive dhe kush ishte komandant i tyre?

Komanda e njësive sulmuese ishte në Tiranë me komandant gjeneral Leitnant Arif Hasko, një kuadër me merita dhe kontribute të shquara lufte dhe që mbas Çlirimit, kishte kryer detyra të rëndësishme në ushtri si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Komandant i mbrojtjes kundërajrore, zëvendës i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore për Prapavijë, Komandant i Paradës së vitit 1954 me rastin e 10-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

Arif Hasko ishte një nga ikonat e shtatmadhorisë shqiptare, një gjeneral erudit dhe organizator i shquar, punëtor i palodhur e me autoritet të admirueshëm në ushtri por që fatkeqësisht nuk i shpëtoi dot censurës dhe goditjes së regjimit të kohës. Unë që kam patur rastin dhe fatin që të kontaktojë me të për probleme pune, ruaj për të kujtimin e konsideratën më të lartë, por si unë ka me qindra e qindra ushtarakë të tjerë.

Po Shef i stërvitjes në Komandën e Forcave Sulmuese kush ishte?

Shefi i stërvitjes në Komandën e Forcave Sulmuese ishte nënkolonel Vangjel Nasto, një kuadër tepër punëtor e që ishte tepër i apasinuar mbas stërvitjes, nuk e teproj aspak ta them, ishte një ushtarak i fantaksur, ku mendja dhe gjithë qenia e tij mendore, fizike e shpirtërore punonte vetëm për stërvitjen dhe gatishmërinë luftarake të njësive dhe reparteve sulmuese.

Por, në këtë dosier, unë do të ndalem kryesisht në krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese (Br.I S) Fier. Komandantë Brigade u emërua N/kolonel Ahmet Sula, Komisar Major Çufe Hysi, shef shtabi N/kolonel Ilo Trebicka, Shef prapavije Major Andrea Çyreku, Shef Ndërlidhje Feqo Armeni, Shef artilerie Jashar Hysi, me punët daktilografike e të sekretarisë Njazi Arapi. Brigada ishte e pajisur me armatim të lehtë: Pistoleta “TT” model 54, pushkë automatike “Simonov” dhe automatik kallashnikov model 56; mitraloza Dektariov model 56, Flakëhedhës të lehtë, mortaja 60 m/m dhe 82 m/m, granatahedhës të lehtë kundërtank 40 m/m dhe topa kundërtanke 75 m/m, kryesisht armë të lehta dhe të reja por me fuqi të lartë zjarri. Brigada përbëhej nga 3 batalione sulmuese, dy prej tyre të dislokuar në Cakran dhe një në qytezën e Roskovecit si dhe nga një grup artilerie dhe disa nënreparte autonome të shtabit të Brigadës.

Komandanti i Brigadës Ahmet Sula, kishte qenë partizan, mbas çlirimit të vendit, vazhdoi studimet në Akademinë Uçelishte në Bashkim Sovjetik. Ishte oficer karriere i tipit rusë dhe me aftësi të shkëlqyera organizuese, drejtuese e komanduese. Ishte me sqime në veshje dhe paraqitje, i pamëshirshëm e tepër autoritar por jo sa duhet i lidhur me stërvitjen e me masën e kuadrove e të ushtarëve. Ndërsa komisari i Brigadës Çufe Hysi, ishte një kuadër masovik dhe i përkushtuar maksimalisht në edukimin e efektivave për domosdoshmërinë e realizimit të objektivave të përgatitjes e të gatishmërisë luftarake. Brigada kompletohej organikisht me kontingjente të përzgjedhura nga ana biografike politike, nga ana fizike dhe nga mosha ku ushtarët nuk lejohej të kalonin moshën 35 vjeç, ndërsa kuadrot e trupës të mos e kalonin moshën 40 vjeç.

Cila ishte situata politike në vend kur u krijua Brigada?

Në retrospektivë kujtoj se Brigada u krijua në një situatë të stuhishme politike e revolucionare që koinçidoi me masat për revolucionarizimin e jetës në vend që u pasua nga Letra e Hapur e KQ të PPSH drejtuar masave të gjera punonjëse, heqja e gradave, rivendosja e Komiteteve të Partisë si dhe rivendosja e funksionit të Komisarit politik në ushtri.

Cilat ishin detyrat kryesore të forcave sulmuese?

Forcat sulmuese kishin si detyrë kryesore veprimet dhe goditjet luftarake në prapavijat e armikut. Ato përgatiteshin e vepronin sipas parimit “godit si rrufeja dhe zhduku si era”. Forcat sulmuese organizonin prita dhe godisnin me zjarr të befasishëm kolona dhe autokolona të armikut. Sulmonin me zjarr vdekjeprurës komandat dhe shtabet e armikut, pozicionet e zjarrit të artilerisë e të mortajave, pozicionet e zjarrit të artilerisë kundërajrore, qendrat dhe instalimet e ndërlidhjes, depot e armatimit e të municioneve, depot ushqimore, të veshmbathjes e të karburanteve; godisnin nyjet automobilistike e hekurudhore, kapnin dhe mbanin nën kontroll qafa dhe lartësi dominuese dhe godisnin në befasi duke ja bërë jetën të padurueshme armikut imagjinar.

Cilin mësim tregues do të veçoje?

Më duhet të theksoj me kënaqësi dhe krenari të ligjshme, se Brigada realizoi me sukses një aktivitet të gjerë e të pasur stërvitor ku do të veçoja mësimin tregues me temën: “Batalioni sulmues në kalimin e kumit Vjosa me mjete rrethanore e të bëra vetë” që u demonstrua me sukses para Komandave të Brigadave, Korpuseve, Ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Petrit Dume, Drejtorit Politik Hito Çako ku morëm vlerësime, përgëzime e falënderime të merituara nga udhëheqja e ushtrisë.

Kur dhe si e ke takuar Mehmet Shehun?

Brigada i kreu me sukses detyrat e veta funksionale në stërvitjet e shtabit, ato komanda shtabi që kulmuan në stërvitjet e mëdha me trupa të emërtuara “Shpiragu”, “Vjosa” dhe “Semani”. Në këto stërvitje, pata fatin dhe privilegjin që të takoja Kryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes Mehmet Shehu. Për këtë,një ditë përpara, në një mbasdite të bezdisshme zagushie, fund gushti 1974, vjen e më takon Hito Çakua i sapo emëruar në detyrën e zëvendës ministrit të Mbrojtjes, i cili mbasi më dha disa detyra në ikje e sipër, më tha: “Shiko, se nesër vjen për të parë dinamikën e zhvillimit të stërvitjes këtu në pikën e vrojtimit, vetë Mehmet Shehu i shoqëruar edhe nga udhëheqës të tjerë, prandaj përgatitu ti paraqitësh forcën e t’i raportosh për gjithçka që Ai mund t’ju pyes. Kjo ishte një surprizë sa e befasishme aq edhe e pakëndshme për mua. Ky njoftim më vuri në mendim dhe më krijoi një gjendje të lartë emocionale dhe psikologjike. Kjo sepse kisha dëgjuar që Mehmet Shehu ishte natyra e vrazhdë dhe i rreptë, tepër kërkues e që të bërtiste e të telendiste për hiçgjë.

Po më parë nuk kishe pasur asnjë takim?

Kryeministrin, pata rastin ta shihja dhe dëgjoja në distancë në takimin që ai pati në Mars të vitit 1961 në Kino-Klubin e Bazës së Pashalimanit me marinarët shqiptarë dhe ata rus. Ai na foli për punimet e Kongresit të Katërt të Partisë, kritikoi revizionizmin titist dhe u ndal veçanërisht në problemet e Bazës. Pra, ky ishte një takim në të tjera kushte e rrethana pasi në këtë rast, Unë isha thjesht dëgjues dhe dëgjoja i qetë e me shumë vëmendje. Mehmet Shehun, veç këtij rasti e kam takuar edhe tri herë. Në stërvitjen e Semanit për gati 30 minuta, një herë në Shtator të vitit 1974 në kinemanë e Shkollës së Bashkuar të oficerëve ku Ai foli para kuadrove mbi veprimtarinë armiqësore në ushtri dhe takimin e fundit e pata me Të, në paradën e madhe ushtarake në Nëntor të vitit 1974 me rastin e 30 vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Por takime mbresëlënëse kanë qenë i dyti dhe i fundit. Por le të rikthehemi te takimi në stërvitjen e Fierit në pikën e vrojtimit të batalionit në kodrat e Zharrëzes. Aty nga ora 9 pa një çerek, dhanë ballë autoveturat ushtarake që shoqëronin Kryeministrin që linin një pluhur të madh. Fillova të pastroja zërin dhe sapo Kryeministri dhe Ata që e shoqëronin u afruan rreth 30 metra, dhashë komandën duke shqiptuar me zë të lartë dhe i fiksuar formulën e paraqitjes. Nuk e fsheh aspak,isha në pikën më kulmore emocionale dhe nuk di se si ia paraqita forcën, mirë apo keq, por përderisa Mehmeti nuk tha as mirë e as keq, them se ishte një paraqitje force e pranueshme dhe modeste. Me vete thashë se prova e parë kaloi me sukses. Mehmeti shoqërohej nga Shefqet Peçi, Kadri Hazbiu dhe disa oficerë madhorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Duke e shoqëruar për në pikën e vrojtimit, Kryeministri më pyeti shumë thjeshtë dhe natyrshëm: “po mirë o Komisar, po Komandantin ku e ke?” – iu përgjigja se është shtruar në spital. Ndërsa Ai, jo pa ironi, m’u përgjigj: “Aha, pse s’thua që qenka trembur nga Lufta”.Kjo ishte batuta e parë që vijoi edhe me të tjera dhe me vete thashë: qenka me të mirat dhe nuk e kuptoja sepse e quanin atë kaq të rreptë e të egër. Duke vëzhguar së bashku dinamikën e zhvillimit të stërvitjes, ndodhi që një vullnetar që bënte qitje nga trasheja, iu bllokua pushka dhe unë tentova të hyja në trashe e të eliminoja bllokimin e pushkës, por për çudi Ai nuk më lejoi dhe u fut vetë në transhe dhe eliminoi defektin. Në momentin kur Ai tentoi të dilte nga transheja unë i zgjata dorën për ta ndihmuar por Ai lëshoi batutën e Radhës duke më thënë: “Nuk jam bërë akoma të më japësh dorën, por herë tjetër shkallët e transhesë mos më bëjë kaq të rralla”.

A pati kritika për stërvitjen?

Në përfundim të dinamikës së zhvillimit të stërvitjes Ai në formë kritike m’u drejtua: “Gjithsesi komisar, batalionin nuk munde ta nxjerrësh nga rrethimi, Lenini ka thënë: “Se çdo rrethim e ka një të çarë. Unë si për t’u justifikuar i thashë si kundër e patë edhe vetë ne, tentuam me goditje artilerie të krijonim perde tymi e shtigje daljeje. Pastaj, edhe planmetodika e projektuar dhe miratuar nga juve ashtu ishte parashikuar. Ai me një reagim paksa kritik, lëshoi batutën e fundit dhe mjaft të fortë, duke më thënë: “Ato dëngla thuaja ndonjë tjetri, po jo mua”. Unë iu përgjigja: si urdhëron dhe mora qëndrim gatitu.

Po takimi i fundit?

Takimi i radhës dhe i fundit, ishte ai i paradës. Në ora 9:oo para fillimit të Paradës, Mehmet Shehu kaloi në revistë kuadratet e oficerëve. Unë isha në kuadratin e oficerëve të Shkollës së Bashkuar dhe kur Ai ishte nja 3-4 hapa larg meje, m’i nguli sytë, m’u afrua fare pranë dhe më pyeti, në mos gabohem, ku jemi parë bashkë? Unë iu përgjigja në stërvitjen e Fierit, në Kodrat e Zharrëzes. Ai si për çudi për një çast mbylli paksa sytë si për t’i bërë thirrje kujtesës dhe me një shikim zhbirues pasi u mendua pak më tha: “Ah, po, ti je komisari”. Dhe unë mbeta i mahnitur nga kjo kujtesë e jashtëzakonshme e Kryeministrit Mehmet Shehu.

Në shkëputje e sipër prej meje Ai më pyeti: “Po dekoratat ku i ke? Unë në fakt kisha vetëm një dekoratë dhe jo pa ndrojtje iu përgjigja se këtë kam që shihni”. Ndërsa Mehmet Shehu me një shprehje befasuese po kaq edhe nervozuese, ma ktheu: “Pse këtë, vetëm këtë? Po,- i thashë, vetëm këtë kam merituar se edhe dhjetë po të kisha, do t’i vija. Ai me shaka ma ktheu: dhjetë janë ca si shumë për moshën tënde dhe të vrasin gjoksin! Shoqëruesit e tij, por edhe shokët, u gajasën së qeshuri. Dhe në çast Ai iu drejtua komandantit të paradës Bejdo Isufi: Kështu nuk e keni mirë, oficeri duhet të dekorohet një herë në pesë vjet.

Kështu përfunduan këto dy takime mbresëlënëse e të paharrueshme për mua.

Si ishte morali i efektivave?

Më duhet të theksoi se Brigada kishte kuadro që e respektonin, e donin dhe i përkushtoheshin me mish e me shpirt stërvitjes dhe realizimit të objektivave, ata ishin ambicioz e kërkues ndaj vetes dhe shokëve, këmbëngulës e novatorë në kërkimin, gjetjen dhe aplikimin e metodave të reja të stërvitjes. Duke qenë se shërbeva 10 vjet në këtë njësi e në vitin 1975, më emëruan Komisar Brigade. Kam të drejtën dhe detyrimin moral, të veçoj e të flas me superlativa për disa kuadro që dalloheshin për përgatitje të lartë ushtarake si: Bashkim Qeli që ishte një njohës i mirë i stërvitjes së vogël, ku gjatë mbledhjeve mësimore teorike teknike në çdo raste ku hasej vështirësi pyetej dhe jepte përgjigje Bashkimi, Ai ishte një ekspert i stërvitjes së vogël. Për këto përgatitje të lartë ushtarake, Ai u emërua Shef i Shtabit të Brigadës, më pas vazhdoi studimet në akademinë ushtarake “Mehmet Shehu”, shërbeu si pedagog në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve e më pas, në Akademine e Shtabit të Përgjithshëm por që reforma drastike ushtarake ia ndërpreu avancimin e mëtejshëm të karrierës. Po kështu kujtoj Vasil Ngjeliun që ishte një njohës i mirë i veprimeve sulmuese. Kujtoj kuadrin Petrit Maman Hasani që dallohej për punë grafike në hartë ku të gjitha punimet e hartave kalonin në duart e tij e që kishte një dorë stampë e për t’u patur zili.

Respekt, adhurim dhe mirënjohje të thellë për gjithë ish- kuadrot dhe efektivat e ish- Brigadës Sulmuese që punuan me impenjim maksimal në realizimin me sukses të objektivave të stërvitjes e të gatishmërisë luftarake.


Historiku i Forcave të Armatosura

Forca më e madhe me një skemë organizative të qëndrueshme dhe shumë eficente, me formacione sulmuese të disiplinuara, me një ngritje numerike progresive dhe me një Shtab te Përgjithshëm ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional Çlirimtare. Kjo ushtri krijoi 24 Brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata afërsisht me 45 000 luftëtarë dhe konsiderohet më e suksesshmja e ushtrive të pas 1912-s. Në Nëntor 1944 bashkë me forcat territoriale ajo arriti deri 70 000 vetë. Kjo shifër përfaqësonte 7% të popullsisë të Shqipërisë në atë periudhë. Pas çlirimit te vendit ajo ju nënshtrua një procesi reduktimi e riorganizim. Më 9 korrik 1945 ajo mori emrin Ushtria Kombëtare dhe numri i saj u reduktua në 40 000, në Dhjetor në 35 000 ndërsa në 1948 ky numër ra në 27 000 ushtarakë aktiv. Në të njëjtën kohë ajo filloi transformimin në një ushtri të rregullt të kohës së paqes. Struktura organizative e saj përbëhej nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, FT, FD, FA, FR dhe ato Territoriale. Në vitin 1951, ushtria krijoi për herë të parë aviacionin ushtarak, në vitin 1953 armën e Kimisë, shërbimin e Komunikimit, Zbulimin etj. FD, tanket, artileria, transporti, logjistika dhe disa shërbime të tjera u riorganizuan. Shqipëria ishte anëtare e Traktatit te Varshavës nga vitet 1950 deri 1968. Ushtria shqiptare u pajis me armatim dhe teknikë nga Bashkimi Sovjetik. Kjo periudhë shënoi fillimet e stërvitjeve të mëdha, siç ishte ajo e vitit 1950. Në vitin 1966 sipas udhëzimeve të PPSH me qëllimin e bërjes së ushtrisë më pak të kushtueshme dhe të lidhur me popullin për mos lejimin e krijimit të Kastës Ushtarake, u realizua nxjerrja e ushtrisë nga kazermat, heqja e sistemit të gradave dhe shpërndarja e saj në çdo pjesë të territorit të vendit. Komisari politik u vendos për të përfaqësuar vijën e partisë në komandat e të gjitha niveleve të Forcave të Armatosura. Gjate periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitet 70 dhe 80, Forcat e Armatosura patën një rritje të madhe numerike duke arritur shifrën 61 000 forca aktive, dhe 260,000 rezerviste dhe një numër i madh i Forcave Vullnetare. Ato u riorganizuan disa herë në njësi të përmasave dhe formave joeficente. Në fund të viteve 80 kishte 22 divizione që përbënin 3 fronte. Bazuar në konceptin e mbrojtjes pëllëmbë për pëllëmbë Ushtria u shpërnda në 2200 pika në të gjithë vendin dhe fortifikimi u kthye në qëllim më vete. Për herë të parë në historinë ushtarake botërore, shkollat e lira ushtarake filluan në Shqipëri.