Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,325
    Postimet në Bllog
    17

    Historiku i Sazeve të Përmetit

    Përmeti dhe sazet e tij, një histori e shkurtër

    Nga Akademik Vasil S. Tole

    Emri:  sazet.jpg

Shikime: 19301

Madhësia:  61.8 KB
    Përmeti klasifikohet ndër qytetet më të rëndësishme përsa i përket formimit të muzikës popullore qytetare jugore me anë të veprimtarisë dhe ndihmesës së sazeve. Përmeti shtrihet në bregun e majtë të luginës së Vjosës, rrëzë malit të Dhëmbelit. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u bë një qendër e rëndësishme kulturore e patriotike. Të lidhur ngushtë në pikëpamje gjeografike me Leskovikun, mes tyre u ngjiz edhe një nga bashkëpunimet më frytdhënëse përsa i përket kristalizimit dhe formimit të portretit të sazeve muzikore iso-polifonike. Ndër sazexhinjtë më të shquar të kësaj periudhe janë ata të përqendruar fillimisht pranë sazeve të Usta Medi Përmetit (rreth 1910-1930) dhe më pas ato të Vangjel Leskovikut (rreth 1930-1940) dhe Gaqo Lenës.

    Usta Mediu krijoi tipin e kabasë së shtruar e të hequr rëndë. Ky tip i ri i kabasë formoi atë që sot njihet si Kabaja tradicionale e Përmetit. Kjo nënkuptonte një kaba tradicionale përsa i përket orientimit por ishte disi larg virtuozizmit të lojës në gërnetë që vinte nga tradita e Leskovikut dhe kjo për disa arsye. Ai kaloi në interpretimin në gërnetë prej fyellit të shtruar të Përmetit, madje veçoria interpretuese e tij, ashtu si dhe e Cilo Qorrit të Korçës është e lidhur pazgjidhshmërisht me këtë binjakëzim të këtyre veglave në një interpret të vetëm. Kjo solli për pasojë “tretjen” dhe përcjelljen e veçorive dhe të repertorit të këtyre veglave popullore edhe në muzikën që ata interpretonin dhe krijonin njëkohësisht me vegla si klarineta. Tipin e kabasë së Mediut, Usta Laveri e ngriti në art në gjuhën e tij muzikore instrumentale.

    Vangjel Leskovikun ishte ndjekës i traditës të interpretimeve virtuoze në gërnetë, të nisur nga Selim Leskoviku. Duke ndjekur këtë rrugë, ai krijoi dhe i dha jetë edhe kabasë që mban emrin e tij. Interpretimet e tij shkëlqejnë nga gjenialiteti i perceptimit të fakturës. Nga çdo pikëpamje, Vangjel Leskoviku ishte një reformator i stilit të quajtur “vënçe” në gërnetë. Ai synoi dinamizimin e lojës së gërnetës nëpërmjet shfrytëzimit të mundësive të pathëna deri më atëherë. Sazet e këtyre mjeshtrave (kur vetë luajnë në vegla dhe vetë këndojnë), respektuan gjithashtu edhe formulën e interpretimit të isos, duke bërë krahas rolit instrumental-shoqërues në këngë, edhe atë të grupit të isos (i cili de facto mungon), iso shoqëruese me vegla dhe me zë. Ata e vendosën iso-tonikën orientuese për të gjithë instrumentet e Sazeve (dhe për vetë këngëtarët) në të njëjtat lartësira intonative që veshi muzikor popullor i kishte përzgjedhur prej qindra vjetësh për të kënduar. Sot provohet se lartësitë më të pëlqyera të të bërit të isos, për këngët e burrave me Saze janë: fa, sol, la b dhe si b, dhe për zërat e grave: si b, do, dhe re. Ishin po këto saze që nga këngët iso-polifonike labe më të njohura realizuan tipat homologe të muzikës me Saze , tashmë të titulluara “labiko” ose “labikoçe”, që nënkupton një këngë labe “të zbutur”, ndërkohë që këngët popullore iso-polifonike të qyteteve toske ishin krijuar më herët si rezultat i zhvillimeve të përshpejtuara urbane të tyre etj.

    Usta Mediu dhe Vangjeli lanë një ndikim themelor në sazet e Usta Laverit dhe muzikën popullore përmetare të pas viteve 1940. Meritë e tyre është se në këngët popullore që shoqëroheshin me saze, ata krijuan edhe “pavarësinë” relative melodike të linjave të përcjelljes me vegla nga linja e këngëtarëve. Ndërtimi më i preferuar për sazet ka qenë 1 gërnetë, 1 qemane dhe 2 llauta. Defi nuk ka qenë përdorur në formacionet e para të sazeve, si në Përmet ashtu edhe në Leskovik. Si pjesë të kulturës muzikore me saze të Përmetit, do të përfshinim edhe Sazet e njohura me emrin: Sazet e Radio Tiranës. Ideja për të realizuar një disk me muzikë popullore mblodhi në Tiranë, më 1939, formacionin e parë të Sazeve të drejtuara nga Usta Jonuzi i Lamçes, po nga Përmeti, me gërnetë. Formacioni i këtyre sazeve përbëhej edhe nga Hysen Ibrahimi, Nazif Mamaqi, Sabri Fehmiu, Sadik Azbiu (alias Çaçi) me violinë dhe këngëtar, Ali Myslymi (alias Mane Lela) me llahutë. Menjëherë pas formimit të Radio-Tiranës, duke filluar nga viti 1939 e në vazhdim, do të paraqiteshin me këtë emër në rubrikën –“Sazet e Radio-Tiranës: Valle e Këngë Popullore”. Në vitet 40-të, në zërin “Muzikë Popullore nga Sazet e Radios”, “ç’do të Mart, të Enjte dhe të Shtun, ora 18.30”, ato do të luanin gjithmonë direkt për spektatorin e tyre të shumtë, një repertor të larmishëm nga gjithë hapësira etnomuzikore shqiptare. Nga Sazet e Radios, shumë e njohur është edhe kënga “Do marr çiftenë do dal për gjah”, e kënduar nga përmetari tjetër Selim Asllani.

    Veç këtyre muziktarëve, në Përmet, deri në vitet 1940 zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe mjaft formacione të tjera sazesh të cilat nuk ishin larg nivelit dhe mjeshtërisë së të parëve. Përmendim sazet e Halit Përmetit, apo Haliti i Razos, si dhe ato të Usta Jonuzit. I konsideruar si më i talentuari i brezit të tij, Haliti shkëlqeu në interpretimet virtuoze në klarinetë të natyrës së Selim Asllan Leskovikut. Përveç formacionit të Sazeve me muzikë popullore, bashkëkohësit kujtojnë se ai interpretonte muzikë edhe pranë një orkestre të qytetit të përbërë nga klarineta, violina, mandolina dhe kitara. Vdiq tepër i ri në moshë.

    Emri:  permeti1.jpg

Shikime: 3690

Madhësia:  62.8 KB

    Sazet e Lulushit, klarinetistit virtuoz

    Lulushi-Nevruz Nure (lindur në Korçë më 23.03.1954), mbetet ende dhe kujtohet si një nga klarinetistët më virtuozë që i erdhën muzikës me saze pas viteve 70-të. U formua në një familje muzikantësh popullorë dhe që në vogëli luante në instrumente si fizarmonika dhe klarineta. Më pas, i përfshirë në “Ansamblin Skënderbeu” të qytetit të Korçës, Lulushi luajti pjesën më të madhe të muzikës popullore me vegla të Shqipërisë Juglindore. Lulushi, u dallua për një lojë virtuoze në gërnetë, kjo e shoqëruar me një ëmbëlsi të rrallë interpretimi, e cila buronte nga ndjesia e tij e lindur mbi tingullin popullor të gërnetës. Prej shumë vitesh në muzikën qytetare të Korçës, gërnetarët e shquar dalloheshin nga njëri tjetri, jo më shumë nga dallimet e repertorit që luanin, por nga veçoritë individuale që ata implementonin mbi strukturën e pjesëve të njohura popullore. Kështu, në shumë raste një gërnetaxhiu nga gjithë jeta e tij i kujtohej vetëm një veçori që e kishte vetëm ai, dhe që kjo e bënte të dallohej nga të tjerët. Pjesa tjetër mund të ishte më fatlume ose fatkeqe. Atyre më të mirëve vazhdojnë akoma edhe kësaj dite t’u luhen pjesët, duke i quajtur “sipas Jonuzit”, apo “ me gishtin e Qerimit” etj.

    Lulushi rreshtohet në majën e gërnetarëve që ka nxjerrë muzika popullore e Korçës. Përveç dhjetëra interpretimeve virtuoze që njihen tani si “…të gërnetës së Lulushit”, ai ka luajtur dhe ka lënë në fondin e artë të muzikës me saze atë që sot njihet si “Kabaja e Lulushit në Sol”, luajtur për herë të parë në FFK të Gjirokastrës,1983. Nuk ka realizuar ndonjë kasetë apo C.D. të plotë, por një pjesë e madhe e regjistrimeve të tij i janë bashkëngjitur repertorit muzikor të këngëtares Eli Fara. Megjithëse i ri në moshë, për Lulushin në popull thuhet se: “Është i madh si Çobani dhe Laveri”. Ka qenë tri herë laureat i Festivaleve Folklorike Kombetare në Gjirokastër duke filluar nga 1978, 1983, 1988. Nderohet me çmim të veçantë në Samsun të Turqisë më 1987, e po ashtu mjeshtër nderi në Prevezë-Greqi më 1984 dhe 1989. Sazet e tij përbëheshin nga 2 gërneta, 1 violinë, 1 fyell, 2 llauta, 1 fizarmonikë dhe 1 dajre. Vdiq në moshën 36-vjeçare më 23 prill 1990 nga një sëmundje e rëndë.

    Emri:  Laver-bariu.jpg

Shikime: 2960

Madhësia:  44.0 KB

    Sazet e Usta Laverit ose identiteti i këngës përmetare

    Formën, ashtu siç i njohim sot, ky formacion e mori pas viteve ’45 të shek. XX-të. Me nismën e Laver Bariut, u grumbulluan së bashku muziktarë në vegla dhe këngëtarë popullorë të cilët deri në atë kohë luanin të ndarë nëpër formacione të tjera ose që nuk kishin luajtur më përpara. Duhet thënë se ashtu si dhe për sazet e tjera, roli i drejtuesit të sazeve është vendimtar për to.Në jetën dhe personalitetin e Laver Bariut mund të shihet si në miniaturë i gjithë procesi i formimit të sazeve të Shqipërisë së Jugut.

    Usta Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj të vitit 1929. Djali i Bariut, këngëtarit popullor dhe interpretuesit në llahutë, tregoi që i vogël një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve apo edhe nga kallami i grurit etj. Pas largimit të familjes së tij në qytetin e Korçës në vitin 1935, Laverit iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muzikantë të shquar popullorë për kohën, si Islami në gajde, e veçanërisht Feim gajdexhiu, babai i shokut të tij të fëmijërisë, Skënderit. Rreth moshës 10- vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llahutën e të atit, Bariut, dhe siç tregon vetë Usta Laveri “Këndonja dhe shoqëronja veten me llahutë në Re”. Siç kujton ai vetë “…klarinetën e filloi në kohë të Italisë”. Babai i tij Bariu dëshironte që vëllanë e madh të Laverit, Mamanin ta bënte gërnetaxhi, dhe për këtë i blen të famshmit Cilo Qorri gërnetën e tij të vjetër. Fshehurazi të atit Laveri ushtrohet me gërnetën e të vëllait, i cili nuk u bë kurrë gërnetaxhi. Ndërkohë Laveri luante në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Shpejtësia dhe thjeshtësia e interpretimit të tij në gërnetë u ra në sy të tërëve, veçanërisht gërnetistit të njohur popullor në Korçë, Skëndo Kuqos. Rastësia bëri që Usta Hajdar Cangonji, gërnetist popullor nga Zvezda, me të cilin punonte nëpër dasma i ati i Laverit, e dëgjoi duke kënduar me llautë këngën popullore “Dorën mor çun dorën, më trete si dëborën”. Megjithëse i vogël në moshë, Laveri iu bashkëngjit sazeve të Hajdar Cangonjit, duke punuar nëpër dasma me “xhezban”. Ai kujton se dasma e parë ku ai interpretoi së bashku me Usta Hajdarin dhe me të atin, Bariun, ishte në Vithkuq. Me ta punoi vetëm një behar. Pas kësaj formoi së bashku me vëllezërit Sulo (rreth 35 vjeç) dhe Asllan (rreth 40) nga Konica një formacion tjetër të përbërë nga Suloja në klarinetë, Asllani me def dhe Usta Laveri me llautë, të cilët luanin muzikë popullore qytetare në qytetin e Korçës.

    Kthehet familjarisht në Përmet në fund të vitit 1944. Aty bën përpjekjet e para për të organizuar një grup me shokët e tij të fëmijërisë por atyre iu mungonin veglat muzikore. Shkon në Korçë dhe kthehet përsëri në Përmet më 1945 së bashku me gërnetën dhe me llautën e babait. Aty takon Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth 1 vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte. Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952. Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj më 1966 regjistron në Radio-Tirana veç të tjerash edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën. Këto saze kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si “Bilbilat e Përmetit”.

    Meritë kryesore e këtyre sazeve është se formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të Toskërisë: këngën popullore përmetare. Në fakt, deri më atëherë, për një pjesë të madhe të muzikës së qyteteve repertori qe i përbashkët. Shkëputja dhe kristalizimi i shumë këngëve dhe melodive që lidheshin kryesisht me ndihmesat e muzikantëve popullorë paraardhës nga Përmeti, solli që një pjesë të repertorit të dikurshëm ta “harronin” në favor të gdhendjes së identitetit të një pjese të tij. Kjo gjë u realizua nga këto saze në bashkëpunim të ngushtë me këngëtarët më të mirë që kishte qyteti i Përmetit si dhe ata që ende vinin nga tradita e muzikës fshatare dhe padyshim duke shfrytëzuar traditën pararendëse që kishin formuar sazet e Usta Mediut, Vangjelit, Gaqos, Halitit etj.

    Sazet kanë pësuar disa riorganizime strukturore të cilat kanë reflektuar para së gjithash orientimin artistik të krijuesit të tyre, Usta Laverit. Nga kjo pikëpamje është shumë e vështirë që të dallosh personalitetin e Usta Laverit si interpret (gërnetar e këngëtar) dhe krijues i shumë stilemave aq të njohura sot nga muzika popullore përmetare. Këtu përfshihen me dhjetëra hyrje këngësh, kaba, valle dhe mjaft riinterpretime të pjesëve të repertorit të vjetër të Sazeve të Përmetit. Usta Laveri ka qenë për gjithë këtë periudhë mësuesi më i mirë i shumë gërnetaxhinjve të tjerë popullorë të qytetit të Përmetit, por dhe të fshatrave, të cilët kanë mësuar prej tij abc-në e gërnetës popullore përmetare. Ai mund të cilësohet si i fundit prej Ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut.

    Në vitin 1951 ato përbëheshin nga një gërnetë, dy llauta, dy fizarmonika, për të ardhur në formacionin e tij të qëndrueshëm të vitit 1976 (e deri më sot), të përbërë nga gërneta, një llahutë, një fizarmonikë, def dhe violinë. Ato janë konceptuar edhe si saze klasike, pra që vetë interpretojnë në vegla dhe vetë këndojnë, por dhe si formacion shoqërues i këngëtarëve të tjerë popullorë. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1980. Regjistrimet kryesore muzikore i kanë pranë Radio-Tiranës dhe Televizionit Shqiptar dhe Institutit të Kulturës Popullore. Në Prill të vitit 1994 realizojnë CD me muzikë popullore, në bashkëpunim me një shoqëri angleze dhe CD-në tjetër e realizojnë në Greqi. Një tjetër CD me mbishkrimin “Laver Bariu dhe valle dasmash” është realizuar në Australi në vitin 1995 nga “Fezollari Productions AUSTRALIA”.

    Aktiviteti muzikor i këtyre sazeve mbyllet me vdekjen e Usta Laver Bariut me 26 janar 2014 në Përmet. Usta Laver Bariu u përcoll me kaba nga ish-nxënësit e tij gërnetarët Josif Shukallari, Aleks Xhelili dhe Sadik Zeqiri me saze dhe i nderuar nga mijëra qytetarë të Përmetit dhe dashamirës të muzikës së tij.

    vijon...
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,325
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Historiku i Sazeve të Përmetit

    Emri:  laver-bariu-etj.jpg

Shikime: 2761

Madhësia:  106.9 KB

    Familja Lela, një histori me klarinetë

    Të njohur me këtë emër brenda e jashtë Shqipërisë, ky formacion instrumental shënon rastin më domethënës të organizimit të formacionit të sazeve brenda një familjeje të vetme në gjysmën e dytë të shek.XX. Duke ringjallur traditën e dikurshme të këtyre organizimeve, sazet e familjes Lela janë njëkohësisht vazhdimi i zhvillimit të Sazeve shqiptare por njëkohësisht edhe një koncentrat i historisë së dikurshme të formimit të tyre. Origjina e tyre është nga Përmeti. Fillimet e origjinës muzikore të tyre lidhen me qytetin e Përmetit dhe veçanërisht me të atin e tyre Manen i cili ishte llahutar dhe këngëtar popullor. Është Mania (i cili këndonte që në moshën 10-12 vjeçare këngën popullore), që iu bashkëngjit sazeve të gërnetistit të shquar të njohur me emrin “Usta Jonuzi i Lamçes”, fillimisht si këngëtar e më pas si llautar. Me këtë formacion, si dhe me Sazet e Rizait me gërnetë dhe Metes me violinë ai punoi në periudhën 1924-1939, duke marrë pjesë kryesisht në dasma e panaire në Shqipëri. Me hapjen e Radio Tiranës me 1939, u bë oferta për realizimin e disa disqeve me muzikë popullore përmetare. Usta Jonuzi, që ndërkohë punonte në Tiranë, thërret edhe shokët e tij të sazeve të Permetit. Kështu, më 1940, familja Lela e përbërë edhe nga djemtë Çobani, Myslymi, Rizai,Bilali, Ahmeti dhe motra Xhanja shpërngulet në Tiranë. Me ardhjen në Tiranë fillon rrugën formacioni i ardhshëm i “Familjes Lela”.

    Në fakt strumbullari i vërtetë i “Sazeve të Familjes Lela” do të bëhej Çobani (1937-1 Janar 1995). Më 1945-46 fillon të ushtrohet me gërnetën që i bleu babai e më pas në mënyrë autodidakte si të gjithë gërnetaxhinjtë shqiptarë të Sazeve. Pjesa e parë që mësoi ishin “ca gishta” nga kabaja e “Selim Stambollit”, të cilën ia dëgjoi edhe Usta Jonuzi i Lamçes i cili i dha zemër. Rreth moshës 12-13 vjeç, i ati e merrte Çobanin me vete nëpër dasma dhe në kohën kur vëllai tjetër, Rizai, filloi fizarmonikën të tre bënë së bashku një grup, grup i cili është embrioni i “Sazeve të familjes Lela”. Punon për një kohë si gërnetaxhi në kafe “Parisi” pa u ndarë nga dasmat, ku për një pjesë të madhe të kohës punoi me violinistin e shquar tiranas Met Alia, dhe me muziktarin e bakllamasë Sotir Progri nga Leskoviku. Me formimin e Filarmonisë (1951) e më pas të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1957), merr pjesë në to e më pas në ansamblin “Tirana” (1978-1990), së bashku me vëllanë tjetër Fatmirin, me llautë.

    Emri:  permeti-qytet.jpg

Shikime: 2710

Madhësia:  127.8 KB
    Më 1990 të gjithë “Lelat” rigrupohen pranë “Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore” me këtë përbërje: Çobani me gërnetë e këngëtar, Myslymi gërnetë e dytë dhe këngëtar, Ahmeti me fizarmonikë dhe këngëtar, Fatmiri me llautë dhe këngëtar, Bilali me def dhe këngëtar, Shqiponja-këngëtare dhe Çeçoja me violinë. Regjistrimet muzikore të këtij formacioni janë pranë Radio dhe Televizionit Shqiptar, Institutit të Kulturës Popullore dhe shumë agjencive të huaja muzikore.

    Vlerësimet më të mëdha dhe turnetë më seriozë me muzikë popullore i ka bërë pas viteve ’90 në Francë, Belgjikë, Gjermani si dhe në Vendet e Ulta. Në turneun e vitit 1991 brenda muajve Maj-Qershor, familja Lela dha koncerte në Vandoeuvre, Berlin, Albi, Marseille, Angouleme, Poitiers, Tilburg, Bruxelles, Metz, Paris, Caen, Strasbourg, Trappes, Roanne, Amsterdam. Një vit më vonë, në periudhën Mars-Prill japin koncerte në Rennes, Abgers, Amiens, Mulhouse, Strasbourg, Sotteville les Rouen, Paris, Gand, Amsterdam, Hilversum, Echirolles, Oullins, Lorient, Glomel, Morlaix. Çobani ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare që janë zhvilluar në Gjirokastër, dhe me formacionin e “Familjes Lela” ka marrë pjesë edhe në “Takimin Kombëtar të Sazeve dhe Orkestrinave popullore të Shqipërisë së Jugut”, të zhvilluar në Korçë më 1994.

    Rëndësia e Sazeve të “Familjes Lela” dhe në veçanti e Çobanit është e shumanshme. Çobani ishte një nga gërnetaxhinjtë më virtuozë të gjithë Sazeve tona të Jugut, si dhe nga njohësit më të mirë të shumicës së veçorive stilistike të muzikës instrumentale e vokale të folklorit tonë. Ka shkuar pothuajse nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë me sazet, gjë që ka ndikuar tek Çobani për të njohur pothuajse të gjitha stilemat kryesore të muzikës popullore shqiptare, e për t’i pasqyruar ato në repertorin e tij. Çobani, me intuitën e tij të lindur, dëshmoi se muzika popullore zhvillohet dhe përsoset nëpërmjet proceseve të brendshme dhe pikërisht nëpërmjet njohjes së tyre interpreti bëhet pjesë e rëndësishme e përhapjes së vlerave qindravjeçare. Ndjeshmëria e tij e lartë emocionale është zhvilluar duke ruajtur të pastër “traditën e vjetër” siç shprehet vetë ai, duke iu kundërvënë të gjitha atyre ndikimeve të huaja, nisur nga ajo ç’ka ai besonte që e kishte të ngulitur shpirtërisht. Kur studiojmë muzikën që Çobani ka lënë, dëgjojmë si gërnetën e Jugut (në pjesët e tij të pëlqyera si “Kabanë myzeqare” apo “Çamçe-beratçe”, “Pogonishte” ), po ashtu edhe Shqipërinë e mesme. Për më tepër Çobani thirret edhe si një ndër themeluesit e traditës së “gërnetës tiranase”. Prof. Zadeja e ka quajtur Çobanin “…një vokabolar dhe reformues të vërtetë të kulturës sonë muzikore popullore”.

    MAPO
    27 maj 2014

  3. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    Sorkadhe_Kelcyre (29-05-2014)

  4. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,325
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Historiku i Sazeve të Përmetit

    Potpuri nga Sazet e Permetit:


  5. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    Sorkadhe_Kelcyre (29-05-2014)

  6. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,325
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Historiku i Sazeve të Përmetit

    Kabaja e Laver Bariut tek filmi "Gjeneral Gramafoni":


  7. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    Sorkadhe_Kelcyre (29-05-2014)

  8. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,325
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Historiku i Sazeve të Përmetit

    Josif Mitre dhe mjeshtri Laver Bariu:


Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •