Numri i të vdekurve nga shpërthimi në një minierë arrin të paktën 201. Disa qindra minatorë kishin mbetur gjatë ditës të bllokuar në galeri. Qeveria ka marrë të gjitha masat për të shpëtuar jetën e minatorëve të tjerë.

Gjatë një shpërthimi të fuqishëm zjarri në brëndësi të një miniere qymyrguri në perëndim të Turqisë, sipas të dhënave më të fundit të qeverisë, kanë humbur jetën të paktën 201 minatorë dhe rreth 80 të tjerë janë plagosur, disa prej të cilëve në rrezik jete. Por numri i viktimave mund të rritet ende, tha ministri i Energjisë, Tarnez Yildiz të mërkurën (14.05.2014) në mëngjes.

Disa qindra nga gjithsej rreth 790 minatorë u bllokuan gjatë ditës së martë në galeritë nëntokësore, shumë prej tyre mundën të dalin dhe të shpëtojnë jetën. Përfaqësuesit e sindikatës thanë se shpërthimi në minierën, që ndodhet në qytetin Soma, në provincën e Manisas u dëgjua gjatë ndryshimit të turneve dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që pati pasiguri për numrin e minatorëve të mbetur brenda minierës. Nga hetimet e para të kësaj tragjedie mendohet se një nga shkaqet kryesore të shpërthimit ka qenë një defekt në rrjetin elektrik.

Presidenti turk Abdullah Gyl urdhëroi guvernatorin rajonal për të venë në dispozicion të gjitha mjetet për shpëtimin e minatorëve. Ndërsa kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe nënvizoi se ekipet e shpëtimit do të bëjnë gjithçka të mundur për të shpëtuar minatorët e bllokuar, që mendohet se ndodhen 4 km larg hyrjes së minierës.

Një prej zyrtarëve lokale tha se tymi i dendur po pengon përpjekjet e ekipeve të shpëtimit. Aksidentet në minierat e Turqisë me pasoja vdekjeprurëse janë të shpeshta për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë. Në vitin 1992 nga shpërthimi i gazit në një minierë në provincën Zonguldak humbën jetën 263 vetë.

DW