Dhimbjet menstruale dëmtojnë inteligjencën e femrave



BRITANI-Dhimbjet gjatë ciklit menstrual janë një problem i zakonshëm për shumë femra dhe shkaktojnë parehati, përzierje dhe të vjella. Kërkimet e fundit tregojnë se ato mund t’i bëjnë femrat më pak inteligjente. Kërkuesit britanikë kanë zbuluar se dhimbja ul performancën kognitive (mendore).

Shkencëtarët në Universitetin e Bathit gjetën se femrat që kanë dhimbje gjatë ciklit performonin më dobët në detyra kompjuterike, për shkak të problemeve me vëmendjen.

“Dhimbja është një eksperiencë shumë e zakonshme dhe mund të ketë një efekt dëmtues në jetën tonë të përditshme. Kërkimi ynë pa sesi dhimbja e zakonshme, e përjetuar nga gratë çdo muaj, ndikon në aftësinë e tyre për të kryer detyra komplekse. Ne pamë sesi efektet e dhimbjes shkojnë përtej eksperiencave sensore, duke ndikuar mënyrën sesi ne mendojmë dhe ndihemi”, tha autori kryesor i studimit.

Kërkuesit gjetën se dhimbja gjatë ciklit e ulte performancën e përgjithshme në detyra të ndryshme, që iu dhanë femrave pjesëmarrëse.

Dhimbja gjatë ciklit, e njohur si dismenorrhea, është një problem që prek më tepër se 40% të grave. Simptomat mund të përfshijnë dhimbjen, të përzierat dhe ngërçet dhe raportohen si të ashpra nga më tepër se 15% të grave.

(a.n/BalkanWeb)