Le të supozojmë se ky argument është i vërtetë, se ky zinxhir i madh shkaqesh ka një fillim, atëherë duhet të pranojmë se të gjitha vrasjet, përdhunimet, fatkeqësitë natyrore, luftërat, varfëria, uria, vuajtjet dhe mizoritë janë pasojë e këtij shkaku të parë. Ky shkaku i parë që është një qënie me inteligjencë dhe urtësi infinite është hallka e parë që gjeneroi trupin e zinxhirit që është vazhdimisht duke u rritur. Hallka e parë është e vetmja që ka vullnet të lirë sepse pasojat që sjell ndodhin pa ndonjë shkak, sepse gjersa është shkaku i parë i pashkaktuar presupozon që nuk ka hallkë tjetër para hallkës fillestare, përndryshe nuk do quhej ‘Hallka e parë’ ose ‘Shkaku i parë’. Njeriu nuk ka vullnet të lirë sepse është pjesë e bashkësisë së gjeneruar nga ‘Shkaku i parë’, çdo gjë që bëjmë është si pasojë e shkaqeve të rrethinës, vullnet i lirë është vetëm kur bëjmë diçka pa shkak. A mund të mendojë dikush të bëjë diçka pa shkak? Është e pamundur, sepse njeriu lind pa eksperiencë dhe të gjithë vendimet që merr janë si pasojë e eksperiencës së fituar, por edhe sikur njeriu të lindte me eksperiencë, prapëseprapë, këtë eksperiencë diku duhet ta ketë fituar, njeriu nuk mund të krijojë eksperiencë, ai vetëm e absorbon nga rrethina.