Kremi zbardhues: Moda e re që i bën keq shëndetit

7 Mars 2014 | : Ndryshe | Autor: Gazeta Shqip

Nga Italia vjen alarmi për përbërjen e kremrave zbardhues! Mungesa e cilësisë së tyre mund të sjellë shumë rreziqe sidomos për shëndetin e femrave! Bëni kujdes gjatë blerjes së tyre, duke u informuar sa më shumë për këto produkte




Oskar Uajld (Oscar Wilde) shkruante: “Moda është një gjë krejtësisht e shëmtuar, që duhet të ndryshohet çdo gjashtë muaj”. E vështirë të mos jesh dakord me këtë shkrimtar të madh anglez! Nëse deri në vitet ‘80 “tipi perfekt” ishte ai me lëkurë të nxirë, në fillim të shekullit XXI kthehet në modë e bardha, e tejdukshmja, e zbehta. Natyrisht bashkë me këtë modë erdhën edhe substancat zbardhuese që, nëse në shekullin e tetëmbëdhjetë ishin thjesht kremra ose pluhura, sot janë thuajse ilaçe, shpesh jo me standarde.

Alarmi nga Italia

Agjencia italiane e ilaçeve (AIFA) paralajmëron kundër këtyre substancave që në tërësinë e tyre nuk janë të rrezikshme, por veç e veç, duhet të studiohen dhe të kuptohen. Dhe nëse shumë nga ato janë produkte dermatologjikisht të testuara, ekzistojnë edhe ato me bazë merkuri (shumë toksike) dhe ato me kortizon, që janë shumë të rrezikshme nëse nuk përdoren me kriter. Kështu që bëni kujdes me klobetasolin dhe betametasonin (esenca kremrash zbardhues), pavarësisht se janë të autorizuar për përdorim. Përdorimi jo i duhur ose i tepruar i tyre është një kërcënim për lëkurën e fytyrës tuaj.

Ilaçe ilegale që shiten si kozmetike

Gjatë disa kontrolleve të kryera nga zyrat e doganave në Itali, është zbuluar në fakt se disa produkte zbardhuese futen në mënyrë ilegale dhe më pas “maskohen” si produkte kozmetike e që shiten edhe nëpër markete, pa asnjë kontroll. Nëse një person i “nënshtrohet” një trajtimi nga këto produkte, atëherë (në rastin më të mirë) ai është i ekspozuar ndaj alergjive, ndërkohë që absorbimi i tejzgjatur me kalimin e kohës mund të ketë pasoja të tilla si diabet, presion të lartë gjaku ose mosfunksionim të boshtit Hipotalamus-Hipofizë-veshka. “Numri i përhapjes së këtyre produkteve te gratë është i befasues. Sipas të dhënave të një studimi të Institutit të Shëndetit, 40 për qind e grave nën 35 vjeç dhe 36 për qind e atyre mbi këtë moshë përdor rregullisht kremra zbardhues, kryesisht për fytyrën, por edhe për të gjithë trupin. Në fakt marrja e një asistence sociale është më e lehtë se sa gjetja e një pune për këto gra, ndaj ky është dhe motivi kryesor që i çon ato të përdorin (pa dijeni) kremra me çmime të lira dhe të pasura me substanca toksike që i bëjnë shumë keq lëkurës dhe të gjithë organizmit”, ka thënë Domeniko Di Xhorxho (Domenico Di Giorgio), drejtori i AIFA. Me pak fjalë, është e këshillueshme të harxhoni më shumë kohë për të lexuar përbërjen e atyre çka blini: ndoshta do të bëheni vonë për diku, por do të jeni më të sigurta…!

Kremrat zbardhues, cilat janë rreziqet dhe efektet anësore?

Rreziqet varen nga përbërësit që aplikohen në lëkurë, nga përqendrimi mbi atë zonë të lëkurës dhe nga kohëzgjatja e përdorimit.

Hydrokinoni

Hydrokinoni është një agjent efektiv në zbardhjen e lëkurës. Ai nuk është më në dispozicion në disa pjesë të botës për shkak të efekteve të dëmshme që shkakton përdorimi afatgjatë i tij. Përqendrimi i rekomanduar për kremrat në shitje është 2%, por ai mund të përdoret deri në përqendrim 4% kur përshkruhet nga një dermatolog. Duhet të përdoret çdo ditë për jo më shumë se 6 muaj. Efekti i tij fillestar i frenimit të pigmentimit humbet me aplikimin e zgjatur të tij dhe ekspozimin në diell.

Retinoidet

Tretinoina është retinoid kryesor që është përdorur në produktet e zbardhjes së lëkurës. Ajo hollon lëkurën, duke rritur depërtimin e lëndëve vepruese dhe si rrjedhojë ka një efekt të drejtpërdrejtë në reduktimin e hiperpigmentimit. Nuk duhet përdorur në shtatzëni dhe në disa raste mund të jetë mjaft irrituese dhe te shkaktojë pezmatim të lëkurës.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/0...keq-shendetit/