INTERVISTA/ Flet Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Anëtar i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe

Anëtar i Komitetit Shqiptar për “Atlas Linguarum Europae” (ALE)


- Ja roli i Ismail Qemalit në ruajtjen e gjuhës shqipe

- Shqipëri-Kosovë “Një komb-një gjuhë letrare”, e formuluar nga akademiku kosovar, Ali Hadri

- Qeveria e re e Kosovës, në të gjitha botimet u është përmbajtur me kujdes normave të shqipes së përbashkët

- Gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja si lëndë më vete në shkollat e mesme

- Jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët

- Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë

- Folësit më të mirë të radios e të televizioneve mbeten mësuesit real të shqipes


Albert ZHOLI

Tranzicioni i tejzgjatur shqiptar ka ndikuar jo vetëm në politikë, ekonomi, karakter, por edhe në huazimet gjuhësore.
Tendencat e huaja gjithnjë kanë bërë vend në territorin shqiptar. Duke qenë një vend i vogël, strategjik, gjithnjë të huajt kanë plaçkitur kulturë dhe kanë lënë zakone të mbrapshta dhe një mënyrë të shprehuri që thellë- thellë, nuk i përket rrënjëve tona. Kosova ka jetuar gjithnjë nën represionin serb dhe si e tillë, është munduar ta ruajë gjuhën e saj shqipe në thelbin e saj, duke ruajtur të folurën më të kulluar që i përket gegërishtes së vjetër Nëse padashur do hysh në mënyrën se si të rinjtë përshëndeten, patjetër që do keqkuptohesh me fjalët e tyre. Por ndërsa lojërat e moshës bëjnë të vetat, përdorimi i fjalëve të huaja ka zaptuar shtresën e lartë të shoqërisë. Elita, fut këtu dhe politikanët, ose përdorin një gjuhë të pakuptueshme ku frazat dhe terminologjitë mbizotërojnë, ose bien kryekëput në hulli mendimesh, që i çojnë dhe të tjerët në qorrsokak. Duke sjellë një hendek të madh mes politikës së tyre të pakuptueshme dhe popullit të thjeshtë. Karakteristikë e Parlamentit shqiptar është përdorimi pa fund i frazeologjisë së rënduar me sofizma . Por ndodh një fenomen i çuditshëm. Kur sherret janë pikante dhe ndoshta nga më të vështirat, pra në momentet më delikate të karriges së tyre funksionare, me shumë dashuri politikanët i kthehen gjuhës së popullit duke i nxjerrë dhe me tepri nga bagazhi i tyre . Problemet e gjuhës shqipe sot janë të shumta, por kryesore mbetet ruajtja e gjuhës standarde midis dy vendeve Shqipëri-Kosovë.

Gjuha shqipe si simbol përbashkues dhe tregues i njësisë etnike dhe kombëtare të shqiptarëve a po ruhet me fanatizëm?

Jam i bindur se të gjithë e kemi ndier dhe e përjetojmë, jo pa shqetësim, rënien e kujdesit ndaj gjuhës shqipe dhe plojën e prurjeve të pamira e të pafalshme të fjalëve të papërshtatshme, jo vetëm të huaja, kur janë edhe të panevojshme, por sidomos të një fryme të pakrehur, shpesh edhe dukshëm të pagdhendur e të pahijshme, që nuk po na ndahet as në të shkruar, as në të folur. Ka ardhur koha të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të të gjitha institucioneve që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është sot shenjë e tregues kulture. Gjuha letrare është një synim i përhershëm i njeriut tonë, sidomos i të rinjve të shkolluar e të profilizuar thellë e ethshëm në shkencën, artin e dijet bashkëkohore, prandaj edhe përbën një dukuri reale e që nuk është as thjesht punë gjuhësie, as thjesht objekt kundrimi vetëm për gjuhëtarët.

Cili është dhe si ka qenë roli i shtetit shqiptar në ruajtjen e gjuhës?

Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që për herë të parë sot, por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend edhe një herë se, këtu e 101 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë: “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit. Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”[1] Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit”[2].

Përse i rikthekson këto shqetësime?

Mendova t’i ritheksoj këto vlerësime për gjuhën shqipe në administratën publike dhe, enkas, për kujdesin që duhet të tregojë ndaj saj shteti (në rastin tonë: shtetet) dhe institucionet në krejt hapësirat shqiptare ballkanike, pikërisht pse po flitet për shtetin Kosovës, i cili, ndërkaq, ndonëse është ”shteti më i ri i Evropës”, për fatin e bardhë të atij shteti dhe të popullit shqiptar të Kosovës, qysh nga viti 1968 me Konsultën e Prishtinës, pastaj me pjesëmarrjen e gjerë e të shënueshme të përfaqësuesve të intelektualëve të Kosovës në Kongresin e Drejtshkrmit të Gjuhës Shqipe dhe në të gjitha konferencat shkencore madhore në përkujtim të atyre dy ngjarjeve të rëndësishme shkencore e kombëtare, zbatimi i shqipes së njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese edhe në Kosovën e kohës e të kushteve të atëhershme, ka qenë si të thuash “autostrada” e përbashkësisë shprehëse të dyja pjesëve të kombit shqiptar dhe, sot, duke përfituar nga volia, po lejohem të përmend me gjithë poninë dhe nderimin që i takon togfjalëshin gordian “Një komb-një gjuhë letrare”, të formuluar nga akademiku kosovar, i ndjeri dhe i shquari, Ali Hadri, në artikullin e tij programatik të prillit 1968. Ai artikull dhe sidomos ajo ide e madhe e përbashkimit shpirtëror, kulturor e gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dorëmbarë e frymëgjatë, prandaj edhe në mjediset e botimet shkencore të gjuhëtarëve është pohuar se “pa Konsultën e Prishtinës nuk do ta kishim pasur Kongresin e Drejtshkrimit”. Rasti sotëm e lyp që të pohojmë e ta lëvdojmë lart pikërisht rolin e madh dhe ndihmesën themelore që kanë dhënë forcat intelektuale të Kosovës, gjuhëtarët, gazetarët, shkrimtarët, arsimtarët dhe veprimtarët kulturorë për zbatimin në ballë të gjerë e pa asnjë mëdyshje të drejtshkrimit të njësuar dhe të përudhjes së shqipes letrare të përbashkët e të standardizuar njësoj si në Shqipëri, po me atë moto kombëtare që kishte nisur qysh në Konsultën e Prishtinës.

Po qeveria kosovare sa e zbaton drejtshkrimin e njësuar?

Kemi vënë re me kënaqësi se, edhe Qeveria e re e Kosovës, në të gjitha botimet dhe në krejt praktikën shkrimore zyrtare u është përmbajtur me mjaft kujdes normave të shqipes së përbashkët dhe mund të thuhet se,për sa i përket shqipes standarde, të dyja anët ecin krahas e paralelisht, duke shënuar ngjashëm edhe mbërritje të lakmueshme, po edhe ndonjë të metë të rritjes e që shpresojmë e besojmë të jenë, si këndej ashtu edhe andej, në të anët kalimtare e të kapërcyeshme.

Kush e dëmton gjuhën shqipe?

Shqipja dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë, nga programet shkollore të pamira e ku, për fat të keq, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Ka pasur një rendje të natyrshme pas gjuhëve të huaja. Kjo është punë shumë e mirë. Hyrja në Evropë nuk bëhet pa njohur gjuhët e mëdha të komunikimit, sidomos anglishten, frëngjishten etj. Mirëpo, të mësosh dhe të vlerësosh gjuhët e huaja, nuk do të thotë aspak të mos vlerësosh (e aq më pak të nënvlerësosh) gjuhën tënde?! Tashti kemi shumë njerëz që i dinë mirë, (ndoshta edhe sa s’ka ku të vejë më mirë), gjuhët e huaja. Kjo duhet vetëm të na gëzojë. Por, kemi pak, shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën shqipe, që mund ta shkruajnë e ta flasin bukur e pa gabime. Shikoni si flasin e shkruajnë sot pushtetarët, zyrtarët dhe gazetarët tanë! Plot fjalë të huaja të panevojshme, plot shtampa gjuhësh të huaja, të pamira e kundër natyrës së shqipes, me dukuri që tregojnë mosnjohje të plotë jo vetëm të gjuhës së njësuar (standarde), po edhe me elemente të çoroditjes së sintaksës. Pra, nuk dimë të flasim e të shkruajmë shqipen, gjuhën tonë amtare, ndërsa mëtojmë (dhe arrijmë përherë e më shumë) të flasim dhe të shkruajmë jo pak gjuhë të tjera.

Cilat janë detyrat tona si komb për gjuhën shqipe?

Po theksoj se gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.

Mendimi juaj për gjuhën shqipe të njësuar e të përbashkët?

Pohova dhe ritheksoj se jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si mbërritje me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem ithtar i thënies urtake të At Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhe g-juhën” duke iu përshtatur rrethanave dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehjes, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde,por edhe mund të mbetën jashtë saj.

A e prishin gjuhën prurjet nga krahinat?

Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes. Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.

Mendoj se folësit më të mirë të radiove e të televizioneve shqiptare, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë e kudo që emteohet në gjuhën shqipe, janë jo vetëm gazetarë, por edhe mësues të shqipes. Dikur thuhej me të drejtë shprehja latine “Verba volant, scripta manent” (Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet). Kjo thënie urtake mbetet me vlerë edhe për kohën tonë, porse qëkur kanë ardhur në “pushtet” mediat pamore-dëgjimore (radioja dhe televizioni, magnetofoni, videokaseta, disqet e incizuara etj.) as fjala e folur “nuk fluturon”, por mbetet e fiksohet njësoj, madje edhe më shpejt sesa fjala e shkruar. Sot, bariu i Korabit dhe bujku i Konispolit, marrin në kohë reale dhe me të njëjtën formë gjuhësore të njëjtin informacion si Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë, si presidentja e Kosovës në Prishtinë, si të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në mbarë hapësirat që përçohen nga valët e drejtpërdrejta ose satelitore të radiove e të televizioneve shqiptare. Po japim vetëm një shembull domethënës: një i huaj nga Suedia, Ul Mar Kuik, i mirënjohur si përkthyes nga shqipja në suedisht, autor i shumë artikujve për Shqipërinë e shqiptarët dhe i një Antologjie të letërsisë shqiptare për mjedisin suedez, e ka mësuar shqipen shumë vjet më parë duke dëgjuar Radio-Kukësin. (Ashtu siç e kanë mësuar italishten shumë shqiptarë, duke dëgjuar programet e RAI-t). Këtë fakt kemi pasur parasysh kur kemi pohuar se folësit më të mirë të radios e të televizioneve shqiptare kanë qenë e mbeten jo vetëm gazetarë, por edhe mësues të shqipes, modeldhënës të shqiptimit, intonacionit, diksionit dhe përgjithësisht të të folurit bukur të shqipes.