PD: Do rishikojmë qëndrimin ndaj Kuvendit, Basha: Protestat do të vijojnë
TIRANË Në dy deklarata zyrtare brenda pak orësh, Partia Demokratike ka përcjellë dje qëndrimin se do të rishikojë pozicionin e saj ndaj Kuvendit pas shkarkimit të kreut të ILDKP-së, Zana Xhuka, si dhe i ka kërkuar qeverisë që jo vetëm të heqë dorë nga projektligji “Për statusin e Nëpunësit civil”, por edhe të sigurojë konsensusin me opozitën në të gjitha hallkat e procesit të draftimit dhe votimit në sallën e Kuvendit të reformës territorialo-administrative. Përmes një deklarate zyrtare, kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka deklaroi dje se shkarkimi nga mazhoranca i Zana Xhukës në krye të ILDKP-së shënon një rast të paprecedentë, që një legjislaturë e ardhshme të hedhë poshtë vendimet që ka marrë Parlamenti paraardhës. “…Me atë që ndodhi dje në Parlament, mund të presim që kjo mazhorancë të hedhë në tokë e të rrëzojë të gjithë shtetin. Pasi me ato “argumente” që ata përdorën dje, duhet që të fillojnë e të shkarkojnë të gjithë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, gjykatësit e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, Shefin e Shërbimit Informativ, Presidentin e Republikës dhe çdo institucion tjetër kushtetues apo të pavarur që ka votuar Parlamenti i kaluar. Në këto kushte, kur kjo mazhorancë po e bën Parlamentin shqiptar të paqenë, në këto kushte kur opozita dhe populli shqiptar injorohen dhe përbuzen në këtë mënyrë, me arrogancë nga kjo mazhorancë, në emër të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, unë deklaroj se Grupi Parlamentar i PD-së do të rishohë qëndrimin e tij ndaj Parlamentit shqiptar”, – tha dje Paloka. Në një tjetër deklaratë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha i ka kërkuar kryeministrit Rama që të tërheqë projektligjin që ka hartuar për Nëpunësin civil, të zbatojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të pushojë luftën ndaj institucioneve të pavarura, të pranojë në rrugë institucionale konsensusin politik me opozitën në të gjitha hallkat e procesit të draftimit dhe votimit në sallën e Kuvendit të reformës territorialo-administrative, si dhe të ulen e të përcaktojnë bashkë me opozitën një plan të detajuar masash në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE në muajin qershor. Duke iu referuar protestës së dy ditëve më parë, Basha deklaroi se shqiptarët folën, andaj qeveria duhet të punojë. “Shqipëria në protestë’ ngriti dje në Tiranë një barrikadë vendimtare kundër mashtrimit, në mbrojtje të demokracisë, besimit dhe shpresës për të ecur përpara. Një pol i ri politik lindi dje, një lidhje e ngushtë, një aleancë e re midis opozitës politike, rinisë së lirë dhe njerëzve të lirë, përballë shumicës parlamentare të votave të blera dhe të përftuara përmes mashtrimeve elektorale, kundër qeverisë më konfliktuale, më arrogante dhe më të papërgjegjshme të njëzet e tre vjetëve të fundit. Nga dita e djeshme, kjo qeveri duhet t’i bëjë llogaritë me sheshin, me marshimin, me protestën popullore, me polin e ri të demokracisë pjesëmarrëse në vend”, – tha dje Basha. Ai theksoi se protestat do të vijojnë dhe se marshimi i dy ditëve më parë ka përcaktuar veçse shtratin e saj.
N.Perndoj
MAPO
Krijoni Kontakt