http://www.ama-news.al/2014/02/beris...ldive-arminen/
Nuk përbën për askënd habi fryrja dhe ekzagjerimi i shifrave në tubimet dhe protestat që bëhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Dreqi ta hajë, tani që kemi “dhe google map”, llogaritja e perimetrit të protestuesve me dendësinë mesatare të protestuesve për metër katrorë mund të nxjerrë lehtësisht numrin e pjesëmarrësve, por ja që nuk është e thënë. 150 mijë protestues këndonte dje Berisha në Facebook-un e tij. I rrumbullakosin gjithnjë shifrat, 100 mijë, 200 mijë, 150 mijë, jemi mësuar tashmë. E vërteta është se i gjithë perimetri ku ishin shtrirë protestuesit e djeshëm nuk i kalonte 3 mijë e 500 metra katrorë.
Por le t’i bëjmë hesapet si demokratë. Le ta marrim perimetrin pak më të gjerë, jo 3.500 por 3.700 metra katrorë. Në një metër katrorë, maksimalisht qëndrojnë 4 persona. Vazhdojmë t’i bëjmë hesapet si demokratë dhe të presupozojmë se në të gjithë perimetrin e protestës dendësia e personave ka qenë maksimale. Rezultati mesatar del diku tek 12 mijë protestues. Duke hequr dorë nga përllogaritja optimale, me laps e kalem, del me garanci aritmetikore se janë më pak se 10 mijë. Pra në një farë mënyre, prezencën dhe pjesëmarrjen e djeshme në miting Berisha e ka 15 fishuar. A duhet të habitemi dhe nga kjo fryrje shifrash? Kur mendon se ekzagjerimi është bërë nga i njëti person që pak kohë më parë krahasonte rritjen ekonomike të Shqipërisë me atë të Gjermanisë, gabimi me 15-fish, ose gabimi me 1.500% duket lule.
Por sidoqoftë sheshi nuk ishte bosh dhe në thelb ata 5 apo 6 mijë persona që qarkulluan dje gjatë mitingut janë tregues se PD-ja e pas 23 Qershorit, gjeti forcën për të treguar se mundet të mbledhë në shesh më shumë protestues se Altin Goxhaj. Në njëfarë mënyre, protesta e djeshme ishte një lloj prove historike se deri në muajin shkurt 2014 Partia Demokratike nuk ishte shndërruar ende në një OJF. Në fakt, kemi të bëjmë me një provë që PD-ja kishte nevojë t’ia demonstronte vetes së saj më shumë se sa qeverisë. Më së shumti njerëzit që ndodheshin në atë shesh janë ose simpatizantë zakoni të PD-së, nga ata më të ethshmit e saj, militantët safi, ose njerëz që realisht janë në hall dhe përballen me probleme ekonomike dhe që gjejnë rastin të protestojnë duke e parë këtë nismë të PD-së si një rast që u leverdis për të thënë të vetën. Kjo kategori protestuesish është dhe më delikatja dhe që natyrisht duhet të bëjë të reflektojë çdokënd, aq më tepër qeverinë, ndaj së cilës drejtohej protesta. Vetëm se…ka një problem.
Shkëlzen Berisha dhe Armina Mevlani janë parë dje në biznes klas në kthim nga ishujt Maldive
Nëse dje zyrtarisht Berisha e konsideronte këtë protestë si një protestë kundër mashtrimit qeveritar ndaj qytetarëve dhe gjendjes së vështirë që sipas tij qeveria e re ka krijuar në vend, varfërisë etj, nga vetë familja biologjike e organizatorit të protestës vjen një përgënjështrim tronditës. Shkëlzen Berisha kthehej dje drejt Europës, së bashku me të dashurën e tij pas një jave intensive relaksi në ishujt Maldive. Nuk po i hyjmë hesapeve të biletave të këtij udhëtimi që shkojnë në 5 mijë euro në klasin biznes, shtuar këtu dhe kostot e hoteleve me 5 yje, etj. Këto do ishin thjesht detaje plotësuese të një kamje tashmë të ditur të familjes së Berishës.
Thelbi i kontrastit qëndron në dy aspekte të tjera: Së pari është tregues i faktit se protestën në emër të varfërisë dhe drejtësisë shoqërore po e udhëheq një familje Oligarke. Kjo është diçka që nuk ‘ngjit’ dhe stonon kaq shumë sa që nuk bind as vetë Xenin, i cili në javën e fundit është shungulluar në diell…në Maldivet e ëmbla. Së dyti, kontrasti mes Xenit në Maldive dhe babit të Xenit në shesh, është tregues i faktit se “Oligarkia Berisha” , jo vetëm që po i gëzohet pushimeve dhe shlodhjeve të shtrenjta në ishuj ekzotikë, por këtë luks të siguruar nga varfërimi i shqiptarëve në 8 vitet e fundit, jo vetëm që po e gëzon, por po e gëzon duke qenë e bindur se një pjesë të kamjes së krijuar në 8 vite mund edhe ta financojnë për të ndezur protestat që bëhen në emër të luftës kundër varfërisë apo papunësisë.
Me siguri që është një kontrast i fortë, një ironi e hidhur e shoqërisë dhe momentit historisë ku jetojmë kjo e familjes oligarke që pasi i varfëroi shqiptarët tani po i mobilizon dhe po i financon në protesta kundër varfërisë. Por nuk duhet të habisë kërrkënd. Psikanaliza dhe psikologjia e shpjegon shumë mirë se është në natyrën njerëzore, çdo kriminel që i bën bisht ndëshkimit, nis dhe beson më tepër në efiçencën e krimit. Ndaj dhe s’duhet të habitemi, sikur ca javë më vonë, po prapë babi i Xenit, të organizojë edhe ndonjë protestë për “Gërdecin”, për sa kohë janë të pandëshkuar e kanë luksin që edhe të bëjnë pallë me fitimet e paligjshme në ishujt ekzotikë por edhe të bëjnë protesta në Tiranë. Për këtë nuk i bëjmë dot fajtorë, nuk është në dorën e tyre ndëshkimi.
Krijoni Kontakt