Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    yells `aziz! light!` Maska e AsgjëSikurDielli
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    the black light
    Postime
    1,786

    Albanologë dhe linguistë të njohur shqiptar, e të huaj

    Eqerem Cabej

    Eqerem Cabej, nje jete kushtuar shkences


    Pas viteve 30 ne studimet historike ne fushe te shqipes, shfaqet nje linguist i ri, i formuar ne qendren universitare dhe shkencore te Vjenes, me interesa te shumanshme dhe me nje horizont te gjere, ai qe me vone do te ishte gjuhetari me i madh i shqipes, Eqerem Cabej. Fushat ku punoi u lodh e triumfoi "diplomati i Universitetit te Vjenes" jane te shumta si: studimet diakronike per prejardhjen e gjuhes shqipe, studimet ne fushe te fonetikes dhe gramatikes historike, te dialektologjise, per pastertine e gjuhes, studimet dhe pershtatjet ne fushe te folklorit shqiptar dhe marredheniet e tij me mitologjine e lashte ballkanase, etj. Te gjitha keto i japin permasa te gjera vepres se tij.


    Faza vendimtare qe e beri Cabejn adhurues deri ne fund te jetes se gjuhes shqipe, nis atehere kur fitoi "lirine" per te ndjekur degen qe ai pelqente. Dega e Gjuhesisene Fakultetin Filozofik te Universitetit te Vjenes ku ai studioi kishte nje tradite te vyer. Aty kishin punuar profesore te tille te shquar si sllavistet e njohur: F. Miklosic (Miklosich), Majer?Lypke (Meyer Lubke) etj. Ne kohen kur u regjistrua Cabej, ne ate Universitet punonin nder te tjere indoevropianiste dhe greciste te njohur si: P. Kretcmer(Kretschmer) apo albanologu i madh Nobert Jokli.


    Qe i ri, ne moshen 20?vjecare u vune re kerkesat serioze qe kish ai ne fushen e gjuhesise. Keshtu qe ne artikullin e pare te tij "Kunder pseudofilologeve" ai shprehet: "Kurkush nuk ka te drejte te shkruaje per gjuhen pa u marre vjet me radhe me studimin e vertete te saj! Kurkush! Se gjuha eshte sendi me i cmueshem i nje populli, dhe per popullin shqiptar eshte i vetmi thesar!..."


    Nxenes i me te madhes figure ne arenen nderkombetare qe u mor me ceshtjet e shqipes duke dhene nje kontribut te pazevendesueshem ne gjuhesine tone, Nobert Joklit, Cabej punoi duke arritur jo vetem te vihet perkrah tij per nga vlerat, por edhe me lart, duke rimarre ne dore pas vdekjes se profesorit te tij, pune qe ai s'arriti t'i perfundonte, sic eshte gatitja e nje fjalori te dyte etimologjik te gjuhes shqipe. Por edhe Cabej s'arriti te bente gje sa i takon fjalorit etimologjik, pasi vdekja e parakohshme ia nderpreu punen duke bere qe perpjekjet e tij te mbesin vetem studime etimologjike. Ashtu si edhe mesuesi i tij, ai ishte i mendimit se gjurmimi dhe studimi i historise se nje gjuhe, duhet pare ne lidhje te ngushte me historine e kultures, me rrethanat etnografike te vendit dhe te kultures se tij materiale. Kjo beri qe ai per studimet e tij te perdore metoden e "Fjaleve dhe sendeve". Pare nga ky aspekt ne vepren e tij "Gjurmime etimologjike te reja ne fushe te shqipes", ku ka bere edhe nje zgjerim dhe plotesim te horizonteve qe kishte hapur Jokli, ai shprehet: "Studimi etimologjik duhet te rroke jeten e fjaleve ne nje veshtrim me te hapet, me synimin qe te gjurmoje dhe ndjeke historine e tyre ne zhvillimin e saj ne hapesire dhe kohe... Ne gjurmimin etimologjik te leksikut ne pikepamje te metodes shtrohet kerkesa qe para cdo krahasimi te jashtem me gjuhet e tjera, te sqarohet njehere fusha gjuhesore e brendshmja".


    Ne lidhje me historine e gjuhes shqipe Cabej u mor si me historine edhe me parahistorine e saj. Kryesisht i kushtoi vemendje te vecante prejardhjes se kesaj gjuhe ballkanike. Nisur nga parimi "Te jemi objektive, por jo indiferente", ai hedh poshte argumente qe mohojne prejardhjen ilire te gjuhes sone, hedh poshte pseudoargumentet si edhe argumentimet "ex silentio". "Studiuesi i historise se gjuhes shqipe" nuk mund te qendronte indiferent ndaj autoreve te vjeter qe sjellin gjurmet e para te shkrimit te shqipes. Dhe eshte pikerisht Cabej ai qe solli ribotimin e vepres se Buzukut. Vlera e ketij ribotimi eshte e pallogaritshme pavaresisht veshtiresive qe ka hasur ai ne transkriptimin dhe transliterimin e saj.


    Nje nga meritat e Cabejt eshte zbatimi i nje metodologjie moderne ne fushe te studimeve. Vete H.Petersen, ne nje leter drejtuar vete atij, shkruan: "Eshte shume e gezueshme qe tashti nje shqiptar i lindur po e trajton gjuhen dhe historine e popullit te vet me zoterim te plote te metodave te zhvilluara ne Evropen Perendimore".


    Kontributi i madh qe ka dhene ne fushe te gjuhesise shqpe qe per te ishte "dashuria dhe tempulli i tij, por edhe mendimi dhe purgatori i tij" do kohe per t'u pershkruar.


    I madhi Kadare per Cabejn eshte shprehur: "Ai u mor tere jeten me nje nga permasat me te gjera, me madheshtore e misterioze te jetes sone, gjuhen. Ai punoi tere jeten me mund prej titani per gjuhen tone shqipe, ate gjuhe qe duke u pertypur si ushqim nga gojet e mendjet e dhjetera milione shqiptareve neper shekuj, duke i bashkuar ata dhe mendimet e tyre, mbajti gjalle unitetin e tyre e u mbajt gjalle prej tij. Te lidhura keshtu me kete materie te pavdekshme emri dhe vepra e E.Cabejt e kane te natyrshme, si nje cilesi te races, pavdekesine.

  2. #2
    _____________ Maska e ornament
    Anëtarësuar
    27-04-2002
    Postime
    872
    A kishte Çabej si te gjithe studiuesit e MEDHENJ nje teori te tijen, poqesepo cila eshte ajo?

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Shën Albani
    Anëtarësuar
    27-07-2002
    Postime
    899

    Albanologet

    ALBANOLOGU QË GJITHNJË SJELL BEFASI

    Bisedë me albanologun e njohur, Robert Elsin


    Bashkëbiseduesi ynë, Robert Elsi, është i lindur në Vankuver të Kanadasë, më 1950, kurse aktualisht jeton në Gjermani. Që nga viti 1979 ka filluar studimet në fushën e albanologjisë dhe deri më tash ka botuar rreth 15 vepra të rëndësishme nga kjo fushë.

    Në bisedë për “Zërin” albanologu i njohur kanadez, z. Robert Elsie, pos tjerash tha se në Kosovë ka filluar një botë e re, në mos tërësisht e re, për jetën kulturore dhe atë politike. Kosova është një vend i ri në Europë, i sapolindur, në një situatë krejt të re në jetën e shkrimtarëve, të cilët do ta pasqyrojnë në krijimtarinë e tyre.

    Zëri: Cili është mendimi juaj për organizimin e Seminarit si dhe për programin e ligjeratave?

    Elsi: Unë jam i kënaqur që Seminari zhvillohet prapë në Prishtinë, ku ka pasur një ndërprerje të gjatë. Sivjet është një fillim i ri për Seminarin, për organizatorët, për pjesëmarrësit. Edhe pse ka njëfarë traditë, kanë kaluar shumë vite që nga fillimi. Unë mendoj se seminari prapë ka arritur sukses, edhe pse numri i pjesëmarrjes është më i vogël në krahasim me seminaret e viteve ‘80. Por, është ky një hap i parë dhe herën tjetër do të vijnë njerëz më shumë, sigurisht.

    Zëri: A mund të thuhet se ky seminar është i standardeve shkencore të seminareve të kaluara?

    Elsi: Standardi është normal. Është ndoshta edhe më i lartë se herave të tjera, përveç se numri i pjesëmarrësve është më i vogël, veçmas nga vendet europiane, nga të cilat zakonisht vinin në numër më të madh.

    Zëri: Cili është mendimi juaj për programin e ligjeratave dhe për sesionin shkencor?

    Elsi: Unë mendoj që sesioni shkencor është tepër i ngarkuar, ka shumë ligjerata, kemi pak kohë dhe është vështirë të dëgjohen të gjitha. Është e natyrshme se me gjithë kufizimin kohor që u jepet ligjeruesve, prapë koha nuk mjafton dhe unë mendoj se ky sesion do të duhej të zgjaste tri ditë.

    Zëri: Me çka keni ardhur në këtë seminar?

    Elsi: Mendoj që kam një gjë shumë interesante, jo vetëm për shkencëtarët, por edhe për publikun e gjerë. Është fjala për inçizimin e parë të gjuhës shqipe, i cili është bërë nga profesor Norbert Jokl, albanolog i Vienës. Këtë inçizim e kam me vete dhe do ta paraqes në këtë sesion, si dhe për publikun e gjerë shqiptar, për hërë të parë në histori. Inçizimi i zërit është i vitit 1914.

    Zëri: Ju keni botuar “Historinë e letërsisë shqiptare”. Ç’gjëra të reja mund të presim nga kjo fushë?

    Elsi: Veprën “Historia e letërsisë shqiptare” e kam punuar në mes viteve 1988-1991, pra në kohën e transicionit dhe të përfundimit të diktaturës në Shqipëri dhe gjatë viteve të ndryshimeve të mëdha këtu në Kosovë. Kjo Histori e letërsisë përfshin letërsinë shqiptare që nga fillimet e deri në vitin 1990. Natyrisht, kanë kaluar 10 vjet dhe ka shumë për të thënë për letërsinë e sotme, por kjo do të ishte për një vepër tjetër, ose për një studim tjetër, ose vepër të vogël, të qartë rreth letërsisë së sotme, ndoshta duhet pritur disa vjet...

    Zëri: Si është pritur ky libër nga njerëzit e shkencës mbi letërsinë, meqë bëhet fjalë për një studiues të huaj?

    Elsi: Këtu nuk është puna për kombësinë e shkruesit. Unë kam dëgjuar fjalë të mira për librin tim dhe shumë pak kritikë. Është vështirë të bëhen krahasime mes librit tim dhe të atij që ka bërë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, i cili u botua në një diktaturë politike dhe kulturore që ka shtypur shkencëtarët dhe që nuk i ka lejuar të shkruajnë lirisht për letërsinë dhe kulturën, kështu që rezultati ishte mjaft i njëanshëm, i dobët, i kufizuar, nuk përmbush nevojat e lexuesit të sotëm. Dhe kështu lexuesi i sotëm ka në duar librin tim, nga i cili mund të mësojë. Nuk them se ky është libër i përkryer, por është e vërtetë se është i vetmi libër për historinë e letërsisë shqiptare që mund të lexohet sot.

    Zëri: Ju keni botuar edhe një libër “Evlia Çelebi në Shqipëri dhe vendet përreth...” Cilat probleme i trajton ky libër?

    Elsi: Ky libër është një përkthim anglisht i dorëshkrimit turk. Evlia Çelebi ishte një udhëtar turk i shek. XVII, i cili ka ardhur dy herë edhe në Shqipëri dhe një herë në Kosovë. Ai i përshkruan udhëtimet e tij me shumë hollësi, dhe për herë të parë kam përgatitur dorëshkrimin osmanisht bashkë me një turkolog nga SHBA dhe kam bërë një përkthim anglisht, të cilin e kemi botuar para tetë muajsh. Ky është një libër që jep shumë informacion për Shqipërinë, për kulturën shqiptare, për qytetet e Shqipërisë, p. sh. për xhamitë, kishat, rrugët, shkollat, njerëzit e Shqipërisë, besimin e shqiptarëve dhe pak për jetën intelektuale. Kush e lexon, do të habitet për kulturën e lartë që ka pasur në Shqipëri në shek. XVII. Kush lexon për Beratin apo për Elbasanin në udhëpërshkrimin e Evlia Çelebisë dhe shkon në këto qytete sot, do të habitet. Ky libër do të mund të përkthehet shqip, nëse gjindet një botues.

    Zëri: Kemi informacione se keni gjetur një histori shqiptare të shek. XIX. Çka është kjo histori?

    Elsie: Unë kisha dëgjuar për burimet për një histori të Shqipërisë. Nuk mbaj mend kur, por dëgjova se kishte një dorëshkrim në Stamboll. Dhe shkova në Stamboll para katër vitesh dhe hulumtova nëpër arkivat dhe në fund bisedova me drejtorin e një liceu francez për të dhe ai më tha se po ky lice kishte pasur arkiva për Shqipërinë dhe se këto ishin bartur në Paris. Më dha emrin e një prifti francez. Unë i dërgova një letër priftit francez, me të cilën i kërkova këtë vepër dhe, pas një viti e gjysmë, në shkurt të këtij viti, mora një letër, në të cilën më bënte me dije se ai, ndërsa hulumtonte në këto arkiva, ka gjetur një dorëshkrim të historisë së Shqipërisë. Unë menjëherë shkova në Paris dhe e gjeta dorëshkrimin, i cili tamam ishte histori e Shqipërisë, e shkruar nga një prift francez me emrin Zhan Klod Faverial. Dorëshkrimi ka 433 faqe që përfshin gjithë historinë e Shqipërisë që nga koha e lashtë deri në kohën e autorit, fundi i shek. XIX. Faveriali vdiq më 1893 dhe kishte mbaruar dorëshkrimin përafërsisht diku më 1889. Kështu, kjo histori e Shqipërisë është historia e parë e shkruar ndonjëherë në të gjitha gjuhët e botës, dhe është një vepër që ka rëndësi historike dhe kulturore për Shqipërinë. Këtë libër, së pari, do ta botoj frëngjisht, pastaj do të mund të përkthehet në gjuhën shqipe.

    Zëri: Çka mendoni për njohjen e letërsisë shqipe në botë?

    Elsi: Letërsia shqiptare është fare e panjohur. Ka shumë pak botime, shumë pak përkthime. Problemi nuk është te mungesa e vlerave letrare të letërsisë shqipe, por problemi është se mungojnë përkthyes. Nuk do të thotë që çdo vepër e letërsisë shqiptare ka vlerë, do të thosha se shumica madje nuk kanë vlerë, por midis tyre ka disa xhevahirë që meritojnë të përkthehen. Mirëpo, problemi eshtë që nuk ka përkthyes nga gjuha shqipe.

    Zëri: A keni ndonjë projekt të ri per hulumtime filologjike shqiptare?

    Elsi: Unë kam disa projekte, ndër të tjera edhe botimin e librit të Faverialit, pastaj memoaret e baron Nopçës, që i kam gjetur në një arkiv në Vienë. Memoaret e albanologut hungarez Franc Nopça do të botohen gjermanisht së pari, e pastaj, shpresoj, ndoshta edhe shqip, sepse janë me interes. Në tetor-nëntor të këtij viti do të botoj në Londër një vepër të madhe për besimin dhe kulturën popullore shqiptare, njëfarë fjalori, ku do të përfshij fenë shqiptare, vendet e shenjta, mitologjinë, figurat mitologjike, bestytnitë, kulturën popullore, siç janë zakonet e vdekjes, të lindjes etj. Kjo eshtë një vepër e madhe dhe unë jam i bindur se ka shumë gjëra që nuk janë botuar kurrë më parë, dhe do të jenë me interes.

    Zëri: Ndryshimet shkencore nuk kanë arritur për shkak të mungesës së metodave të reja shkencore, apo është mënyra e shkollimit pasojë e këtij niveli të pakënaqshëm?

    Elsi: Ndoshta të dyja. Ka mungesa në çdo drejtim. Dhe më duket se edhe shkencëtarët janë në dijeni për problemet që kanë. Por, do të kapërcehen, sepse tani për hërë të parë në historinë e Kosovës ky vend është i lirë dhe ka një qarkullim të lirë të njerëzve e të mendimeve. Gjithë bota ka ardhur në Prishtinë dhe kjo do t’i ketë pasojat e veta.

    Zëri: A keni ndonjë vlerësim për letërsinë e re shqipe të viteve ‘90?

    Elsi: Kam një ide. Unë i blej rregullisht të gjithë librat e rinj edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë. Disa nga ato janë kot, por gjej edhe gjëra të bukura në disa prej tyre. Nuk kam një ide të qartë të zhvillimit. Nuk mund të them se letërsia shqipe shkon në një drejtim të caktuar. Ajo është e shpërndarë dhe shkon në njëqind drejtime. Duhet të presim ca kohë që të japim një vlerësim më të saktë.

    Bisedoi: Adem Abazi.


    [Botuar në gazetën: Zëri, Prishtinë, e shtunë, 26 gusht 2000, f. 16]

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Shën Albani
    Anëtarësuar
    27-07-2002
    Postime
    899
    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, 1761,
    dhe lufta për krijimin e një alfabeti shqiptar

    nga
    Robert Elsie




    1. Letërsia e moçme shqiptare dhe problemi i alfabetit


    Ndër problemet e shumta për tu ballafaquar në krijimin e një letërsie shqiptare ishte edhe mungesa e një alfabeti të përbashkët në gjuhën shqipe1. Shqiptarët katolikë, kryesisht në veri të vendit, përdorën alfabetin latin, i cili u përputh mirë me nevojat e shtypshkronjave. Shqiptarët orthodoksë në jug përdorën alfabetin grek, me të cilin u krijua një sasi e kufizuar veprash2. Shqiptarët myslimanë preferuan për një kohë të gjatë alfabetin arab3, atë të Kur'anit. Përdorimi i këtyre alfabeteve tregonte një identifikim të qartë me një fe dhe me një kulturë të huaj, një identifikim i papranueshëm për shqiptarët e besimeve të tjera.
    Pa pajtim kulturor mbi çështjen e alfabetit, një letërsi kombëtare nuk mund të zhvillohej. Stagnacioni në letërsinë shqiptare në shekullin tetëmbëdhjetë rrjedh, të paktën pjesërisht, nga ky problem, i cili vazhdonte të ngacmonte intelektualët shqiptarë deri në shekullin njëzet.
    Gjatë përpjekjeve të para për të shkruar gjuhën shqipe, klerikët dhe intelektualët ishin në dijeni që të gjitha alfabetet ekzistuese ishin të huaj. Dinin gjithashtu që popujt fqinjë kishin alfabete të veta që ndihmuan në zhvillimin e shpejtë dhe në afirmimin e kulturave dhe të letërsive përkatëse. Grekët kishin një alfabet të vetë që nga fillimi, dhe sllavët ballkanas kishin zhvilluar dy sisteme origjinale: alfabeti glagolit dhe alfabeti kirilik të cilët lulëzuan në Ohër, më pak se njëqind kilometra nga Elbasani. Edhe pushtuesit osmanë sollën me vete një alfabet të ri, të cilin e kishin marrë nga fqinjët e tyre arabë dhe persianë.
    Me siguri ekzistonte një dëshirë tek intelektualët shqiptarë që kombi shqiptar të ketë një alfabet të vetë, dhe nuk është e rastit që kjo dëshirë për një alfabet origjinal shqiptar ishte më e theksuar në Shqipërine e Mesme. Një prift katolik në veri e kishte të qartë se duhej të shkruante në alfabetin latin. Kuptohet gjithashtu që një pop orthodoks nuk imagjinonte dot një alfabet tjetër përveç alfabetit grek. Banorët e Shqipërisë së Mesme në kufirin kulturor midis botës latine dhe botës bizantine, domosdo, ishin më të dezorientuar. Hyrja e Islamit në Shqipëri i solli një zgjedhje vetëm shqiptarëve të fesë islame.
    Ishte atëherë nga krishterët e Shqipërisë së Mesme që duhej të bënin përpjekjen e parë për krijimin e një alfabeti origjinal, dhe pikërisht nga ana e tyre u krijuan alfabetet e para origjinale në periudhën 1750-1850. Më i herët nga alfabetet origjinale, dhe në të njëtjën kohë, më i përshtatur nga të gjithë, ishte alfabeti i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve.


    2. Alfabeti origjinal më i vjetër dhe Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve (1761)


    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, i njohur deri tani thjesht si Anonimi i Elbasanit, është një dorëshkrim i vogël dhe i vetëm që ruhet në Arhivin e Shtetit në Tiranë dhe që është një përpjekje e pashoqe për ta zgjidhur problemin e alfabetit. Ky dorëshkrim 10 x 7 cm. me një rëndësi historike përmban 30 fletë në të cilat gjëndet teksti më i herët shqip i shkruar me një alfabet origjinal. Me përjashtimin e tekstit të shkurtër të Ungjillit të Pashkëve të shekullit pesëmbëdhjetë4, Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve është vepra më e vjetër e letërsisë orthodokse shqiptare dhe në të njëtjën kohë përkthimi i parë orthodoks i Biblës.
    59 faqet e përkthimeve biblike në Dorëshkrimin Elbasanas përmbajnë 6.113 fjalë të shkruara në një alfabet prej 40 gërmash: tridhjetë e pesë gërma të zakonshme dhe pesë gërma të rralla. Me gjithë se disa gërma të kujtojnë alfabetin grek, shumica e gërmave të këtij alfabetit duket të jenë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve dhe të alfabeteve të popujve fqinjë5.
    Alfabeti i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve i përshtatet mirë gjuhës shqipe. Mund të thuhet bile se ai i përshtatet më mirë se alfabeti shqip i sotëm. Me pak përjashtime, alfabeti i Elbasanit përdor një gërmë për çdo fonemë. Ka tre gërma për g (nga të cilat, dy gërma u përdorën vetëm për fjalë të huaja greke), dhe ndryshimi midis r dhe rr dhe midis l dhe ll bëhët me anë të një pike mbi gërmën përkatëse. Një pikë mbi d krijon nd. Në përgjithësi, sistemi grafik i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve është i qartë dhe i mirë-konceptuar nga krijuesi i tij.



    3. Alfabete të tjera origjinale shqiptare (1761-1844)


    Alfabeti i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve [1] nuk është i vetmi alfabet shqiptar origjinal i krijuar në Shqiperinë e Mesme ose të Jugut në gjysmën e dytë të shekullit tetëmbëdhjetë. Bile kemi të dhëna mbi një total prej shtatë alfabetesh origjinale shqiptare në këtë periudhë.
    Në kapakun e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve vetë gjëndet një vizatim dhe afër dymbëdhjetë fjalë, emra vetiakë siç duket, të shkruar me një alfabet [2] i cili ndryshon krejtësisht nga alfabeti i dorëshkrimit. Nuk është i deshifruar akoma, me gjithë se një përpjekje është bërë nga shkencëtari elbasanas Dhimitër Shuteriqi.
    Më i njohur se këta dy alfabete është i ashtuquajturi alfabeti i Todhrit [3], i krijuar nga njëfarë Todhri Haxhifilipi (1730-1805) nga Elbasani. Alfabeti i Todhrit u zbulua nga Johan Georg fon Hani (1811-1869), konsulli austriak në Janinë dhe babai i Albanologjisë. Në veprën e tij, Studime Albanologjike, Hani e botoi alfabetin që e cilësoi si alfabetin e moçem shqiptar nga koha e lashtë6. Ky alfabet u studiua nga Leopold Geitler (1847-1885) si dhe nga studiuesi slloven Rajko Nahtigal7 (1877-1958). Alfabeti i Todhrit8 është një sistem grafik i ndërlikuar prej 52 gërmash i cili u përdor në mënyrë sporadike në Elbasan që nga fundi i shekullit tetëmbëdhjetë. Nuk i përshtatet mirë gjuhës shqipe.
    Alfabeti i katërt është ai i të ashtuquajturit Kodeksit të Beratit [4]. Ky dorëshkrim prej 154 faqesh i cili ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës është vepra e të paktën dy shkrimtarëve dhe u hartua midis viteve 1764 dhe 1798. Dorëshkrimi lidhet me njëfarë Kostë Berati (ca. 1745-ca. 1825). Thuhet se Kostë Berati ishte pronari i dorëshkrimit nga viti 1764 deri në vitin 1822, me gjithë se nuk ka të dhëna që tregojnë se ishte ai autori. Kodeksi i Beratit përmban tekste të ndryshme greqisht dhe shqip9: tekste biblike dhe liturgjike orthodokse shqip në alfabetin grek, një poemë shqip prej 44 radhësh me titullin Zonja Shën Mëri përpara kryqësë, disa shënime fetare, dhe një kronikë greqisht të ngjarjeve të viteve 1764-1789. Në faqen 104 gjejmë dy radhë shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37 gërmash të ndikuara, siç thuhet, nga glagolishtja. Në faqen 106 autori jep një pasqyrë të alfabetit të tij. Edhe ky alfabet i përshtatet keq gjuhës shqipe.
    Nga Gjirokastra në jug, kemi disa të dhëna mbi një alfabet tjetër nga fundi i shekullit tetëmbëdhjetë ose nga fillimi i shekullit nëntëmbëdhejtë. Edhe alfabeti i Gjirokastrës [5], një sistem grafik prej 22 gërmash, u zbulua dhe u botua nga Hani. Hani shkruan: "Më në fund, një alfabet tjetër nga Shqipëria e Jugut duhet shënuar këtu, të cilin autori e zbuloi me ndihmen e Veso Beut, një kryetari gjirokastrit nga familja e Alisot Pashalides-ve. Si djalë, Veso Bej e mësoi alfabetin prej një hoxhe shqiptar si një alfabet sekret i trashëguar nga familja e tij dhe e përdorte vetë për letërkëmbim me farefisin e tij10."
    Një alfabet tjetër i shpikur në jugun e Shqipërisë është ai i Jan Vellarait11 (1771-1823), greqisht Ioannis Vilaras (Iôannês Bêlaras). Vellarai, djali i një mjeku, studioi mjekësi në Padovë në 1789 dhe banoi më vonë në Venedik. Në vitin 1801, u emërua mjeku i Veliut, birit të Ali Pasha Tepelenës (1741-1822). Jan Vellarai nuk ishte shqiptar. Ishte një poet grek i njohur dhe autor i shënimeve gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t'i mësuar shqip grekëve. Gjuhën shqipe e shkroi me një alfabet origjinal [6] prej 30 gërmash në bazë të latinishtes dhe të greqishtes. Dorëshkrimi ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit (supplément grec 251, f. 138-187). Në fund të shënimeve gjëndet edhe një letër në gjuhën shqipe e shkruar me këtë alfabet nga Vellarai vetë në fshatin Vokopolë me 30 tetor 1801.
    Alfabeti i fundit shqip i kësaj periudhe është ai i Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korça. Veqilharxhi shpiku një alfabet prej 33 gërmash [7] të cilën e botoi në një abetar shqip në vitin 1844. Në vitin tjetër, 1845, shtypi botimin e dytë të librezit me 48 faqe12 me titullin: Faré i ri abétor shqip per djélm nismetore. Jehona e këtij alfabeti, i cili i ngjan një lloj armenishtje kursive, ishte e pakët, duke qenë se autori vdiq një vit më vonë. Një problem tjetër që lindi në këtë kohë kur shtypshkronjat po përhapeshin edhe në Ballkan, lidhet me faktin se një alfabet i veçantë shkaktonte shpenzime të larta për botuesin, kështu që, me gjithë se alfabeti i Veqilharxhit ishte pak a shumë fonetik dhe asnjanës nga pikëpamja fetare, ai nuk pati sukses.
    Me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, përpjekjet për krijimin e një alfabeti origjinal filluan të merrnin fund, duke i lënë rrugën një lufte më realiste për të shkruar dhe për të botuar shqip me alfabetet latin, grek dhe arab. Një zgjidhje përfundimtare nuk u realizua para shekullit njëzet.
    Siç e pamë, kjo periudhë njëqindvjeçare nga 1750 deri në 1850 ishte një kohë shumëllojshmërie orthografike të habitshme në Shqipëri. Me të gjithë, gjuha shqipe u shkrua me dhjetë alfabete: shtatë alfabetet origjinale të lartëpërmendura si dhe adaptime të njohura të alfabeteve latin, grek dhe arab. Është për tu çuditur që kultura shqiptare arriti të afirmohej, bile të ketë mbijetuar me një skizofreni të tillë letrare.



    4. Historia, autori dhe gjuha e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve


    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve na vjen nga manastiri orthodoks i Shën Jon Vlladimirit, në fshatin Shijon të Elbasanit. Hyri në pronësinë e shkencëtarit elbasanas Lef Nosi para ose gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lef Nosi luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e Kongresit të Elbasanit në gusht të vitit 1909, gjatë të cilit u themelua Shkolla Normale. Më vonë u bë drejtor i kësaj shkolle dhe botoi një organ shtypi me emrin Tomorri nga 25 marsi 1910. Në vitet e qeverisë së përkohshme të Ismail Qemal bej Vlorës (1844-1919), ai punoi si Ministër i Postave. Në vitin 1919 u zgjodh anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës së Parisit, i drejtuar nga Msgr. Luigj Bumçi (1872-1945). Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nosi ishte kryetar i lëvizjes anti-komuniste Balli Kombëtar dhe në vitin 1943 u bë kryetar i kuvendit shqiptar dhe anëtar i Këshillit të Shtetit gjatë kohës së pushtimit gjerman. Pas pushtimit komunist, u dënua me vdejkje dhe u vra.
    Thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mid'hat bej Frashërit (1880-1949), një figure tjetër të qëndresës anti-komuniste. Të dy bibliotekat u bënë themelet e Bibliotekës Kombëtare të Tiranës ku dorëshkrimi ynë përfundoi në fillim. Me 9 janar 1949, gazeta Zëri i Popullit shpalli zbulimin e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve, të quajtur Anonimi i Elbasanit. Dorëshkrimi u transkribua dhe u botua fillimisht nga historiani Injac Zamputi13 dhe u trajtua në dy artikuj shkencorë nga Dhimitër Shuteriqi14 dhe nga Mahir Domi15.
    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve përmban 59 faqe tekstesh biblike, duke përfshirë përkthime (kryesisht nga Shën Mateu dhe Shën Gjoni) dhe prozë origjinale mbi mundimin e Krishtit. Në përgjithësi, dorëshkrimi len përshtypjen si të ishte një përpjekje fillestare e përkthimit të teksteve biblike, se një përkthim përfundimtar i Dhiatës së Re.
    Është spekuluar shumë mbi autorin e Dorëshkrimit Elbasanas. Të dhënat historike dhe gjuhësore që kemi në dispozicion na sjellin në përfundim se autori quhej Gregori i Durrësit (greqisht: Grêgorios ho Dyrrakhíu) , i njohur gjithashtu si Gregori i Voskopojës. Gregori ishte një prift orthodoks i cili u emërua Metropoliti i Durrësit në vitin 1768 dhe vdiq para majit të vitit 1772. Dihet se Gregori kreu përkthime të Dhiatës së Vjetër dhe të Dhiatës së Re me një alfabet që e shpiku vetë. Mendohet se Gregori erdhi në Voskopojë para vitit 1730. Mahir Domi mendon se ishte në Voskopojë që nga themelimi i shtypshkronjes në 1730 deri në vitin 1744 kur u themelua Akademia e Re16. Në vitin 1741 botoi veprën e parë 'Jeta e Shën Nikodemi' 17. Autori ynë duhet të mos ngatërrohet me një Gregor tjetër, Gregori Konstantinidhi ose Gregori Tipografos, i cili punonte edhe ai në Voskopojë në atë kohë.
    Në vitin 1744, Gregori ynë u zgjodh zëvendësrektori i Akademisë së Re dhe i botoi dy libra. Më vonë banoi në manastirin e lartëpërmendur të Shën Jon Vlladimirit (ca. 1746-1772), me gjithë se nuk ka gjurmë përkatëse mbi të atje. Metropolia e Durrësit e kishte selinë jo në Durrës vetë por në manastirtin e Shën Jon Vlladimirit, kështu që ka të ngjarë se Gregori jetoi dhe vdiq atje. Për Gregorin thuhet se ishte ndër personat më të kulturuar të kohës në Shqipërinë e Jugut. Për fat të keq ne dimë fare pak mbi të.
    Burimi më i mirë mbi Gregorin gjëndet në veprën Nea Hellas ê hellênikon theatron (Athens 1872) e shkrimtarit bashkëkohor grek Geôrgios Zabiras (1744-1804) i cili banonte në Budapesht. Në një shënim të vitit 1761, Zabiras thotë:

    "Gregori i Durrësit, nxënës i Ioannes Ch., shkroi akolluthinë e të shtatë shenjtorëve, d.m.th. Kiril, Klemens, Metodi, dhe Naum... e cila u botua në Voskopojë; [një traktat] mbi ditët, muajt, dhe vitet; një kanon uratash për Shën Naumin, shkrime të ndryshme; dhe përktheu Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re dhe i shkroi në shkronja shqipe që i shpiku vetë18."

    Për vitin 1767, Zabiras shton kështu:

    "Gregori, Metropoliti i Durrësit që në vitin 1767 ka vënë nënshkrimin si pjesëmarrës i një Sinodhi në Konstantinopol mbi martesat, shkroi disa shënime mbi kohën që i botoi në fund të një ekspozeje mbi epistolarët e Koridhaleut në vitin 1768 në Hallë të Saksonisë19."

    Një informatë tjetër që përputhet me shënimet e Zabiras-it është një letër që shkencëtari grek Joaqim Martiniani (Iôakeim Martinianos) ja dërgonte kolegut të tij shqiptar Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964). Në këtë letër shkruan:

    "Sidozot Kavalioti, po ashtu edhe akademikët e tjerë të Voskopojës, të cilët janë marrë edhe me gjuhën shqipe, kanë patur për mësonjës ierodhaskalin Gregor, i cili pasi dha mësim lart nga 30 vjet në Voskopojë, u zgjodh Metropolit i Durrësit më 1748 [sic]. Ky pat lënë shumë lëndë shqipe të pabotuar në manastirin e Shën Jon Vlladimirit të Elbasanit 20..."

    Kjo informatë mjafton, sipas mendimit tim, për ta pandehur Gregorin si autorin e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve. Megjithatë, Dhimitër Shuteriqi ka propozuar një autor tjetër. Në përpjekjen e tij për ta deshifruar tekstin në kapakun e dorëshkrimit me alfabetin tjetër të lartëpërmendur, Shuteriqi lexon emrat Theodoros Bogomilos dhe Papa Totasi. Duke qenë se puna shkencore e profesorit Shuteriqi kishte një ndikim të madh në Shqipëri, këta dy emra kanë hyrë në historinë e letërsisë shqiptare dhe u futën në tekstet mësimore shqiptare si fakte dhe jo si hipotezë. Edhe pse nuk ka të dhëna shkencore për ta kundërshtuar teorinë e Shuteriqit, nuk ka të dhëna në favor të kësaj teorie. Leximi i alfabetit në kapakun duhet shikuar si një tentativë dhe jo si një deshifrim përfundimtar.
    Po ta pranojmë autorsinë e Gregorit të Durrësit dhe saktësinë e të dhënave të Zabiras-it, atëherë mund ta datojmë Dorëshkrimin Elbasanas në vitin 1761. Gregori do të kishte jetuar në manastirin e Shën Jon Vlladimirit pesëmbëdhjetë vjet. Shtatë vjet pas përkthimit, do të ishte emëruar Metropolit i Durrësit (1768). Megjithatë, mundet se dorëshkrimi ynë ishte vetëm një përpjekje fillestare për një përkthim më të gjërë të Biblës të cilën nuk e kemi zbuluar akoma. Atëherë dorëshkrimi ynë do të ishtë akoma më i vjetër.
    Përpjekje të pavarura për ta datuar dorëshkrimin nga pikëpamja gjuhësore kanë qenë të vështira duke qenë se na mungojnë tekste krishtere nga kjo periudhë si krahasim. Por nuk ka të dhëna gjuhësore që flasin kundër mesit të shekullit tetëmbëdhjetë si periudha e hartimit të dorëshkrimit.
    Dialekti, ose më mirë nën-dialekti i dorëshkrimit, është një çështje tjetër kontradiktore. Është e qartë se përkthimet janë bërë në një dialekt geg jugor, si dialekti i Elbasanit, por përmbajnë edhe disa elemente të toskërishtes që nuk ekzistojnë në dialektin e sotëm të Elbasanit.
    Tiparet gege të dorëshkrimit shihen në mungesën e rotacizmit: urdhën, sëmunë, të lutuna, shkruam, pam, mbuluam, mbushun, ikun, në infinitivin me thanë, në kohën e ardhme kini me gjetun. Një tipar i dialektit të Elbasanit është fjala njëme (tani). Në anën tjetër shkruhet kudo në dorëshkrim është tosk dhe jo asht geg. Tiparet e tjera toske janë për shembull të jeç, të diç dhe nuku. Shuteriqi mori përzierjen e dialekteve si vërtetim i dialektit kalimtar të Shpatit. Për fat të keq, dimë fare pak mbi dialektet e Shqipërisë së Mesme para shekullit nëntëmbëdhjetë për të nxjerrë një përfundim të qartë. Megjithatë, mua më duket e vështirë të mund të caktohet një dialekt shqiptar që të përputhet me gjuhën e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve. Ka më shumë të ngjarë se teksti ynë u hartua, me ose pa dijeni, në një përzjerje dialektesh.
    Edhe nga pikëpamja gjuhësore, Gregori i Durrësit do të ishte i besueshëm si autor. I lindur dhe i rritur në Shqipërinë e Jugut (Berat dhe Voskopojë), ai duket të ketë kaluar pesëmbëdhjetë vjet në Elbasan para hartimit të dorëshkrimit. Ndoshta përpiqtej të shkruante në një gjuhë të përbashkët që ta kuptojnë shqiptarët nga krahinat e ndryshme.
    Një gjë bie në sy në Dorëshkrimin Elbasanas. Ka shumë pak fjalë të huaja. Mospërdorimi i fjalëve të huaja na sjell në përfundim në një anë se autori nuk pranonte islamizimin e plotë të vendit dhe në anën tjetër se donte të përdorte një gjuhë të pastër në alfabetin e tij origjinal. Në të gjithë dorëshkrimin ka vetëm tri fjalë latine dhe shtatë fjalë turke:

    Fjalët latine
    02.10 letërorëtë = shkrimtarë, < lat. litterator
    06.06 mort = mort, vdekja, < lat. mors, mortis
    19.10 letër = shkrim, < lat. littera
    Fjalët turke
    02.10 sarajet = pallatet, < turq. saray
    04.08 kabil = e mundur, < turq. kabil
    14.07 dushmanëvet = dushmanëve, armiqve, < turq. düşman
    28.09 sheher = qytet, < turq. şehir
    39.03 sahat = sahat, orë, < turq. saat
    44.14 paha = çmim, < turq. paha
    53.02 qorrit = qorr, i verbër, < turq. kör.

    Më e habitshme është se ky tekst i përkthyer nga greqishtja e Dhiatës së Re ka vetëm njëzet e një fjalë greke:

    Fjalët greke
    02.04 apostojtë = apostujt, < greq. apostolos
    02.09 upeshkëpintë = kryepeshkopët, < greq. episkopos
    02.17 mb[o]dhisnjënë = pengojnë, < greq. empodizô
    03.07 ergjand- = monedha argjendi. Një neologjizëm nga greq. argyria
    03.18 profitëvet = profetëve, < greq. profêtês
    04.01 nomi = ligji, < greq. nomos
    05.06 dhidhaskale = mësues, < greq. didaskalos
    07.15 parigori = ngushëllim, < greq. parêgoria
    13.11 dhaskali = mësues, < greq. daskalos
    16.18 kustodhit = rojet, < greq. kustôdia
    26.01 stadhion = stad, < greq. stadion
    29.02 iğemoni = igumeni, guvernatori, < greq. hêgemôn
    33.01 adhit = ferrit, < greq. haidu
    35.01 laust = popull, < greq. laos
    41.07 kranio = kafkë, < greq. kranion
    42.02 kalamt = kallam, shkop, < greq. kalamos
    43.09 angjelli = ëngjelli, < greq. aggelos
    44.13 korvanat = thesar, < greq. korban < hebreishtja
    46.19 χlamidhë = rrobë, < greq. khlamys, khlamydos
    48.01 kliron = short, < greq. klêros
    51.14 marturi = dëshmori, < greq. martyria.

    Duket qartë se, sipas mundësive, është shmangur terminologjia greke e Dhiatës së Re për të përdorur fjalë shqipe. Kjo përpjekje për të mos përdorur fjalë të huaja del akoma më qartë në faqen 28, radhën 9, ku autori shkruan fjalën e lartëpërmendur sheher dhe pastaj e zëvendëson me fjalën shqipe qutet.



    5. Përfundim


    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, pesëdhjetë ë nëntë faqe të teksteve biblike në një dialekt jugor të gegërishtes dhe në një alfabet origjinal, ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e kulturës shqiptare për disa arsye. Kjo vepër është shembulli më i herët i një alfabeti origjinal shqiptar, d.m.th. është përpjekja e parë për ta krijuar një sistem grafik të saktë për gjuhën shqipe. Gjithashtu, me perjashtim të tekstit të shkurtër të Ungjillit të Pashkëve, dorëshkrimi ynë është përkthimi i parë i rëndësishëm biblik nga greqishtja si dhe proza më e herët shqipe nga komuniteti orthodoks i Shqipërisë.
    Përpjekjet e shumta, pjesërisht anonime, në periudhën 1750-1850 për krijimin e një alfabeti origjinal për gjuhën shqipe në Shqipërine e Mesme na tregojnë se patriotizmi shqiptar ekzistonte shumë vjet para Rilindjes Kombëtare. Ka shumë të ngjarë se Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, ky visar i kulturës shqiptare të shekullit tetëmbëdhjetë, është vepra e Gregorit të Durrësit, një figure të madhe të kësaj periudhe e cila bëri shumë për afirmimin e kësaj kulture dhe e cila na jep një provë të qartë të këtij patriotizmi.



    6. Bibliografi


    BORGIA, Nilo
    Pericope evangelica in lingua albanese del secolo XIV da un manoscritto greco della Biblioteca Ambrosiana.
    (Tip. Italo-Orientale S. Nilo, Grottaferrata 1930) 35 f.
    DOMI, Mahir
    Rreth autorit dhe kohës së dorëshkrimit elbasanas me shqipërim copash të ungjillit.
    në: Konferenca e parë e Studimeve Albanologjike, f. 270-277. (Tiranë 1965)
    ELSIE, Robert
    Dictionary of Albanian literature.
    (Greenwood, Nju Jork & Uestport 1986) 170 f.
    - Albanian literature in Greek script. The eighteenth- and early nineteenth century Orthodox tradition in Albanian writing.
    në: Byzantine and Modern Greek Studies, Bërmingëm, 15 (1991), f. 20-34.
    - Albanian literature in the Moslem tradition. Eighteenth and early nineteenth century Albanian writing in Arabic script.
    në: Oriens, Journal of the International Society for Oriental Research, Laiden, 33 (1992), f. 287-306.
    GEITLER, Leopold
    Die albanesischen und slawischen Schriften.
    (Hölder, Vienë 1883) 188 f.
    GEÔRGIADÊS, Theofrastos
    Moschopolis.
    (Ekdosis syllogu pros diadosin tôn hellenikôn grammatôn, Athenë 1975) 176 f.
    GKATSOPULOS, Stauros Matth.
    Moschopolis.
    (Hidryma Boreioêpeirôtikôn Ereunôn, Janinë 1979) 108 f.
    GRÊGORIOS MOSKHOPOLITOS
    Akoluthia tôn hagiôn heptarithmôn, poiêtheisa para tu en hieromonakhois Grigoriu Moskhopolitu.
    (Voskopojë 1761)
    HAHN, Johann Georg von
    Albanesische Studien.
    (Friedrich Mauke, Jena 1854, ribotim Karavias, Athenë 1981)
    HETZER, Armin
    Der sogenannte Kodex von Berat. Teil 1.
    në: Balkan-Archiv, Neue Folge, Hamburg, 6 (1981), f. 125-195.
    - Griechisches in Südalbanien im Zeitalter der Aufklärung. Untersuchung zu der einem Priester namens Konstantin zugeschriebenen Berater Handschrift vom Ende des 18. Jahrhunderts.
    në: Münchner Zeitschrift für Balkankunde, Mynih, 4 (1981-82), f. 169-218.
    - Nachlese zu: Der sogenannte Kodex von Berat 1 (BA 6.125-195).
    në: Balkan-Archiv, Neue Folge, Hamburg, 7 (1982) f. 57-75.
    [= HETZER 1982a]
    - Der sogenannte Kodex von Berat. II. Untersuchungen zu einer anonymen griechisch-albanischen Handschrift vom Ende des 18. Jahrhunderts.
    në: Südost-Forschungen, Mynih, 41 (1982), f. 131-179
    [= HETZER 1982b]
    - Zur Textüberlieferung des albanischen Gedichts "Maria vor dem Kreuz" aus der einem gewissen Konstantin zugeschriebenen anonymen Berater Handschrift.
    në: Zeitschrift für Balkanologie, Berlin, 22 (1986), f. 11-36.
    - Armenier und Albaner.
    në: Balkan-Archiv, Neue Folge, Hamburg, 12 (1987), f. 29-148.
    - Maria vor dem Kreuz (Paristamenê tôi staurôi). Die Textüberlieferung eines Gedichts als Beispiel für das Einwirken des byzantinischen Erbes in Südalbanien (Toskëria) über Venedig und seine griechischen Territorien (Kreta und Heptanêsos) am Ende des 18. Jahrhunderts.
    në: Balcanica Posnaniensia. Acta et Studia IV. Adam Mickiewicz University Press, Poznan 1989, f. 275-287.
    HOXHA, Ibrahim D.
    Nëpër udhën e penës shqiptare. Nga historiku i ABC-së dhe i shkrimit shqip.
    (Libri shkollor, Tiranë 1986) 329 f.
    HYSA, Mahmud
    Krestomaci e letërsisë së vjetër shqiptare.
    (Enti i teksteve, Prishtinë 1987) 317 f.
    JANURA, Petro
    Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe.
    (Nova Makedonija, Shkup 1969) 128 f.
    JOCHALAS, Titos P. (= GIOCHALAS, Titos P.)
    Stoicheia hellêno-albanikês grammatikês kai hellêno-albanikoi dialogoi. Anekdoto ergo tu Iôannê Bêlara. Filologikê ekdosê apo ton autografo kôdika tês Ethnikês Bibliothêkês tôn Parisiôn. Institute for Balkan Studies.
    (Selanik 1985) 317 f.
    KODRA, Ziaudin
    Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe. Tekst për Kl. III-të të shkollave të mesme. Botim i dytë.
    (Tiranë 1954)
    LAMPROS, Spyridôn P.
    To Christos anestê albanisti.
    në: Neos Hellênomnêmôn. Trimêniaion periodikon syggramma, Athenë 3 (1906), f. 481-482.
    MARTINIANOS, Iôakeim
    Hê Moschopolis 1330-1930. Epimeleia Stylpônos P. Kyriakidu. Hetaireia Makedonikôn Spudôn. Makedonikê Bibliothêkê 21.
    (Selanikë 1957) 366 f.
    MICHALOPOULOS, Phanês
    Moschopolis. Hai Athênai tês Turkokratias 1500-1769.
    (Periêgêtikês Leschês, Athenë1941) 56 f.
    NAHTIGAL, Rajko
    O elbasanskem pismu in pismenstvu na njem.
    në: Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju, Beograd, 1 (1923), f. 160-195.
    NOSI, Lef
    Dhaskal Todhri.
    në: Kopështi letrar. E përkohëshme e përmuejshme, Elbasan, 1918, Nr. 1. f. 13-14; Nr. 2, f. 13; nr. 3, f. 8; Nr.4, f. 11; Nr. 5, f. 2.
    OSMANI, Tomor
    Histori e alfabetit të gjuhës shqipe.
    (Libri shkollor, Tirane 1987) 295 f.
    PEKMEZI, Georg
    Vorläufiger Bericht über das Studium des albanesischen Dialekts von Elbasan.
    në: Anzeiger der kaiserlichen Akademie der Wissenschaften. Philosophisch-historische Classe 38, Vienë 1901, 9, f. 39-64
    PETROTTA, Gaetano
    Popolo, lingua e letteratura albanese. 2a tiratura con aggiunte e correzioni.
    (Pontificia, Palermo 1932) 528 f.
    PEYFUSS, Max Demeter
    Die Akademie von Moschopolis und ihre Nachwirkungen im Geistesleben Südosteuropas.
    në: Studien zur Geschichte der Kulturbeziehungen in Mittel- und Osteuropa. Vëll. 3. Wissenschaftspolitik in Mittel- und Osteuropa. Berlin, 1976, f. 114-128
    - Voskopojë und Wien. Österreichisch-albanische Beziehungen um 1800.
    në: Albanien-Symposion 1984. Referate der Tagung "Albanien. Mit besonderer Berücksichtigung der Volkskunde, Geschichte und Sozialgeschichte" am 22. und 23. November 1984 im Ethnographischen Museum Schloß Kittsee (Burgenland). Kittseer Schriften zur Volkskunde. Veröffentlichungen des Ethnographischen Museums Schloß Kittsee. Heft 3. Botues: Klaus Beitl. Kittsee 1986, f. 117-132.
    - Die Druckerei von Moschopolis 1731-1769. Buchdruck und Heiligenverehrung im Erzbistum Achrida. Wiener Archiv für Geschichte des Slawentums und Osteuropas 13.
    (Böhlau, Vienë & Këln 1989) 256 f.
    POGONI, Bardhyl
    Albanian writing systems. Disertacion i pabotuar.
    (Indiana University 1967)
    - Some comments on the writing system of the oldest Albanian text: Meshari.
    në: Zeitschrift für Balkanologie 8, Berlin, (1971/1972), f. 118-122.
    QAFËZEZI, Ilo Mitkë
    Theodhor Kavalioti dhe Dhaskal Todri-Haxhifilipi.
    në: Përpjekja shqiptare, Tiranë, 1937, 11-12, f. 247-250.
    QOSJA, Rexhep
    Ëvetari (1845) i Naum Veqilharxhit. Dokument i rëndësishëm i Rilindjes kombëtare.
    në: Gjurmime albanologjike. Seria e shkencave filologjike, Prishtinë, 13 (1983), f. 217-274.
    RESSULI, Namik
    Abecea e dorëshkrimit beratas dhe abecea e Thodhër Haxhi Filipit.
    në: Leka, Shkodër, 10 (1938), f. 181-185.
    RROTA, Justin
    Per historín e alfabetit shqyp. Pasqyra e shembuj per shkolla të mjesme.
    (Shtypshkroja Françeskane, Shkodër 1936, ribotim Rilindja, Prishtinë 1968) 93 f.
    SHUTERIQI, Dhimitër
    Anonimi i Elbasanit. Shkrimi shqip në Elbasan në shekujt XVIII-XIX dhe Dhaskal Todhri.
    në: Buletin i Institutit të Shkencavet, Tiranë 1949, 1, f. 33-54.
    - Dhaskal Todhri.
    në: Buletin i Institutit të Shkencavet për Shkencat Shoqërore, Tiranë, 1954, 4, f. 35-55.
    - Shkrime të Dhaskal Todhri dhe të pasardhësve të tij elbasanas, shoqëruar me fjalorin e shkrimeve të Todhrit.
    në: Buletin për shkencat shoqërore, Tiranë 1959, 1, f. 165-198.
    - Dhaskal Todhri.
    në: Shuteriqi. Nëpër shekujt letrarë. Studime. (Naim Frashëri, Tiranë 1973), . 82-113.
    - Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850.
    (Akademia e Shkencave, Tiranë 1976) 316 f.
    - Alfabeti i vjetër origjinal i Gjirokastrës.
    në: Shuteriqi. Autorë dhe tekste. (Naim Frashëri, Tiranë 1977) f. 153-159.
    - Një alfabet origjinal në Gjirokastër.
    në: Studime filologjike, Tiranë, 3 (1979).
    - Alfabetet e veçanta të shqipes.
    në: Mësuesi, Tiranë, 26 XI 1980.
    - Grigor Voskopojari, i quajtur i Durrësit.
    në: Shuteriqi. Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera. (Naim Frashëri, Tiranë 1987) f. 103-126.
    SKENDERÊS, Kônstantinos Ch.
    Historia tês archaias kai synchronu Moschopoleôs.
    (I. Bartsos, Athinë 1928) 135 f.
    SKENDI, Stavro
    History of the Albanian alphabet. A case of complex cultural and political development.
    në: Südost-Forschungen, Mynih, 29 (1960), f. 263-284.
    (rebotim në: Balkan Cultural Studies, Nju Jork 1980)
    ZABIRAS, Geôrgios Iôannos
    Nea Hellas ê hellênikon theatron. Ekdothen ypo Geôrgiu P. Kremu. Anekdota syggrammata.
    (Typ. Efêmeridos tôn Syzêtêseôn, Athinë 1872, ribotim Athinë 1972) 561 f..
    ZAMPUTI, Injac
    Disa shënime rreth alfabetit të dorëshkrimit të Anonimit elbasanas.
    në: Buletin i Institutit të Shkencavet, Tiranë 1949, 1, f. 55-57.
    - Dorëshkrimi i Anonimit t'Elbasanit, Transliterim, transkriptim dhe koment.
    në: Buletin i Institutit të Shkencavet, Tiranë 1951. 3-4, f. 64-130.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Shën Albani
    Anëtarësuar
    27-07-2002
    Postime
    899
    Një vjedhje në Dubrovnik dhe dalja në skenë
    e gjuhës dhe e kulturës shqiptare



    nga
    Robert Elsie


    Bisedoni një herë me një shqiptar dhe ka shumë të ngjarë që ai t'ju tregojë se populli i tij është më i lashti. Bisedoni një herë me një shqiptar nga Kosova dhe është e sigurtë se ai do t'ju tregojë se populli i tij është më i lashti në Evropë dhe se që nga fillimi i historisë së botës nuk ka lëvizur fare nga toka e vet.
    Ç'është atëherë kjo lashtësi? Populli shqiptar, a është i lashtë? Pse jo. Populli grek, a është i lashtë? Me siguri. Po bullgarët? italianët? gjermanët? turqtë? rusët? kinezët? Dhe ç'është atëherë një popull i ri? Në fund del një absurditet, një krijim i homo balcanicus-it gjithmonë në konkurens me fqinjët. Unë nuk dua të prek sensibilitete të Ballkanit, por kam përshtypjen se është më e arsyeshme të mos përdorim fjalën lashtësi, dhe t'i kthehemi të dhënave gjuhësore dhe dokumentare.
    Është një fakt se nuk ka asnjë të dhënë historike ose arkeologjike të qartë që tregon se shqiptarët erdhën nga një vend tjetër. Kështu ka shumë të ngjarë që shqiptarët gjithmonë të kenë jetuar në pjesën jug-perëndimore të gadishullit ballkanik ku gjinden edhe sot. Por problemi, në fund të fundit, nuk është se 'ku ishin shqiptarët?' por 'kush ishin?' Kjo çështje e shumë-diskutuar, d.m.th. preardhja e popullit shqiptar, është jashtëzakonisht interesante, por nuk do të sqarohet përfundimisht kurrë.
    Nuk është qëllimi i kësaj kumtese për të trajtuar, edhe një herë, teoritë e ndryshme të gjenezës së popullit shqiptar. Vetëm një tendencë të përgjithshme desha ta theksoj. Gjatë historisë, shqiptarët ishin gjithmonë eklektikë, d.m.th. ata kishin një qëndrim të hapur ndaj botës. Dinin të merrnin, të asimilonin, dhe të përshtatnin elemente të shumtë. Ky qëndrim i hapur shihet më mirë në gjuhën shqipe, e cila është një përzjerje e habitshme elementesh. Zor të gjejsh një fjalë shqipe pa ndikim të huaj.
    Ne dimë kush është shqiptari sot. Është anëtar i një komuniteti gjuhësor me një identitet të qartë dhe të theksuar. Mirëpo kush ishte shqiptari para një mijë viteve ose para dy mijë viteve? Kjo është më e vështirë. T'i kthehemi fakteve konkrete. Në çfarë periudhë dolën shqiptarët si komunitet gjuhësor në skenë nga mjegulla e historisë?
    Në bazë të të dhënave që kemi në dispozicion, shqiptarët hynë në skenë të historisë së shkruar pasklasike në gjysmën e dytë të shekullit njëmbëdhjetë, dhe vetëm në këtë shekull mund të flasim me siguri mbi një popull shqiptar siç e njohim sot. Në Historinë e tij të shkruar në vitet 1079-1080, historiani bizantin Mihal Ataliates (Michael Attaleiates) flet për Albanoi si pjesëmarrësit e një kryengritjeje kundër Konstantinopolit në vitin 1043 si dhe për Arbanitai si një popull i princit të Durrësit. Njëkohësisht, afër vitit 1081, Gjon Skilices (Joannes Skylitzes), një historian tjetër bizantin, flet për Arbanites si ushtarë në trupat e mbledhura në Durrës nga Nikeforos Basilakios. Me përjashtim të veprës së gjeografit Ptolemeus nga periudha romake, këta janë rastet e para të përdorimit të shkruar të fjalës Alban-, Arban-. Populli shqiptar fillon të marrë një fizionomi dhe një identitet, edhe për popuj të tjerë.
    Ekzistenca e gjuhës shqipe përmendet për herë të parë në fund të shekullit trembëdhjetë dhe në fillim të shekullit katërmbëdhjetë. Bile brenda këtyre viteve, 1285 deri në 1332, ekzistenca e gjuhës shqipe përmendet katër herë1.
    Rasti më i herët, i vitit 1285, i takon jo Shqipërisë vetë por krahinës së Dubrovnikut ose të Ragusës ku jetonin mjaft shqiptarë. Në hetimet për një vjedhje në shtëpinë e Petro del Volcio nga Belena, njëfarë Matheus, biri i Markut prej Mençe, i cili ishte siç duket një dëshmitar i krimit, raportoi kështu latinisht: "Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca" (Dëgjova një zë duke thirrur në malësi në gjuhën albaneske)2.
    Rastin e dytë, njëzet e tre vjet më vonë, e gjejmë në një përshkrim të Shqipërisë nga një vepër anonime e quajtur Anonymi Descriptio Europae Orientalis (Përshkrim Anonim i Evropës Lindore). Kjo vepër mesjetare latine e vitit 1308 trajton vendet dhe viset e Evropës Lindore, veçanërisht vendet e gadishullit ballkanik. Mendohet se autori ishte një prift frëng i urdhërit dominikan i cili u dërgua nga kisha në Sërbi. Teksti i Anonymi Descriptio Europae Orientalis ekziston në disa dorëshkrime, si për shembull Ms. Lat 5515 dhe Ms. Lat. 14693 në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, Ms. 263 në Bibliotekën e qytetit Poatie (Poitiers) në Francë, dhe Cod. Lat. 66 në Bibliotekën Universitare të Laiden-it të Hollandës. Përshkrimi Anonim ka kapituj mbi viset e ndryshme të Greqisë bizantine, mbi Rashinë, Bullgarinë, Rutheninë, Ungarinë, Poloninë dhe Boheminë si dhe një kapitull mbi Shqipërinë, një përshkrim të rrallë të këtij vendi dhe të këtij populli në shekullin katërmbëdhjetë. Në këtë tekst thuhet se Shqipëria ka "banorë me të vërtetë luftëtarë të cilët janë harkëtarë dhe ushtarë me shtizë të shkëlqyeshëm... dhe të cilët nuk kanë qytete, kampe, fortifikime ose ferma, por që jetojnë në çadër dhe janë gjithmonë duke lëvizur nga një vend në tjetrin." Kapitulli mbi Shqipërinë mbaron duke theksuar, edhe këtu, ekzistencën e gjuhës shqipe: "Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus" (Shqiptarët e lartëpërmendur kanë një gjuhë të veçantë nga gjuha e latinëve, e grekëve dhe e sllavëve, kështu që nuk mund të komunikojnë fare me kombe të tjerë)3.
    Rasti i tretë ku gjuha shqipe përmendet, gjendet në një vepër të shkruar nga një shtegtar i krishterë në udhëtim për në Tokën e Shënjtë në vitin 1322. Veprat e shtegtarëve në rrugë për në Tokën e Shënjtë përbëjnë një burim kryesor informacioni mbi vendet e Mesdheut Lindor në gjysmën e parë të njëmijëvjeçarit të dytë. Në këtë rast, dy shtegtarë anglo-irlandez me emrat Symeon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që mund ti quajmë shqip Simon Simoni dhe Hugo Iluminatori, kaluan në Shqipëri në vitin 1322 dhe Simoni shkroi përshtypjet e tij në një lloj udhëpërshkrimi. Kjo vepër na jep një përshkrim mjaft të vlefshëm të bregdetit shqiptar në shekullin katërmbëdhjetë. Simon Simoni, një murg i urdhërit françeskan, u nis nga Klonmeli i Irlandës në pranverë të vitit 1322 me shokun e tij Hugo Iluminator. Ata kaluan në Londër, Kantërbëri, Dovër, Visant, Paris, Bonë, Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobbio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë, Vinçencë deri në Venedik. Nga Venediku udhëtuan me një anijë tregtare për në Tokën e Shënjtë duke qëndruar gjatë rrugës në Pulë, Zadar, Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Kefaloni dhe Kretë, para se të arrijnë në Aleksandri. Vepra e Simonit, e njohur si Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Rruga e Simon Simonit nga Irlanda deri në Tokën e Shënjtë) ruhet në Bibliotekën e Kolegjit Corpus Christi në Kembrixh të Anglisë. Duke udhëtuar në bregdetin shqiptar, Simoni shënoi ndër të tjerat: "Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens" (Shqipëria është një krahinë midis Sllavonisë dhe Romanisë, e cila ka një gjuhë të vetë). Për qytetin e Durrësit vazhdon kështu: "Inhabitatur enim Latinis, Grecis, Judeis perfidis, et barbaris Albanensibus" (Banohet kështu nga latinët, grekët, çifutët e pabesë dhe barbarët shqiptarë). Në trajtimin e qytetit të Dubrovnikut flet edhe për gjuhën e këtyre barbarëve, duke thënë: "In eadem dominantur Veneti, et ad eam confluunt Sclavi, Barbari, Paterini et alii scismatici negotiatores qui sunt gestu, habitu et lingua Latinis in omnibus difformes" (Në këtë [qytet] mbretërojnë venedikasit dhe qarkullojnë këtu edhe sllavë, barbarë, paterinë dhe tregtarë të tjerë skismatikë të cilët ndryshojnë krejt nga latinët në zakonet, veshjet dhe gjuhët e tyre)4.
    Rasti i fundit ku përmendet ekzistenca e gjuhës shqipe ndodhi në vitin 1332 në veprën e një murgu frëng të urdhërit dominikan me emrin Brokardi (Lat. Brocardus monacus). Në traktatin e tij latin, i quajtur Directorium ad passagium faciendum (Udhëzime për kapërcimin e detit), Brokardi shënon fjalinë tashmë të njohur në letërsinë shqiptare: "Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris" (Shqiptarët kanë një gjuhë tjetër krejt ndryshe nga latinishtja, megjithatë përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre). Kjo fjali u interpretua nga shkencëtarët shqiptarë si një dëshmi për ekzistencën e librave në gjuhën shqipe, por ka më shumë të ngjarë se Brokardi e kishte fjalën për gjuhën latine të përdorur në Shqipëri.
    Çfarë rëndësi u jepet këtyre katër rasteve që u shënuan brënda një periudhe prej dyzet e shtatë vitesh (1285-1332)? Ata tregojnë me qartësi se në atë kohë, për herë të parë, shqiptarët kishin dalë përfundimisht në skenë si komb me një gjuhë dhe me zakonet e veta. Çfarë kishte ndodhur?
    Që nga arritja e sllavëve në jug të gadishullit ballkanik dhe në Shqipëri deri në pushtimin turk në shekullin pesëmbëdhjetë, shqiptarët jetuan në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me fqinjët sllavë. Mund të flitet bile për një simbioz, një bashkëjetesë sllavo-shqiptare në shumë krahina të Shqipërisë.
    Gjatë gjithë kësaj kohe bashkëjetese, fiset nomade shqiptare po asimiloheshin nga sllavët. Një pjesë e popullsisë shqiptare qe asimiluar krejtësisht dhe një pjesë tjetër u tërhoq ngadalë ngadalë në tokën e mirëfilltë shqiptare, në malësi. Në Mesjetë, nuk kishte shumë banorë shqiptarë nëpër qytetet e bregdetit shqiptar. Banorët e Durrësit ishin kryesisht venedikas, grekë, çifutë dhe sllavë. Në Shkodër banonin venedikas dhe sllavë, dhe në Vlorë grekët bizantinë. Ashtu si indianët në Amerikën Veriore pas kolonizimit evropian, popullata shqiptare qe mënjanuar në vendin e vetë.
    Në fund të shekullit dhjetë, Perandoria e Madhe Bullgare u pushtua nga grekët e Bizantit, duke u dhënë fiseve shqiptare, po ta quajmë kështu, një mundësi për ta zgjeruar tokën. Gjatë shekujve njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë, shqiptarët filluan të lëviznin nga malësia, duke zënë vend në fushën bregdetare të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme. Në këtë periudhë u themelua shteti i parë shqiptar Arbanon i cili pati jetë prej vitit 1190 deri në vitin 1216. Në shekullin trembëdhjetë, shqiptarët u konsoliduan si komb dhe u zgjeruan ngadalë ngadalë në drejtim të jugut, duke marrë Shqipërinë e Jugut dhe Maqedoninë Perëndimore. Me kohë, zunë vend edhe në gjithë Greqinë. Me këtë zgjerim tokësor dhe me këtë konsolidim, kuptohet atëherë në këtë periudhë që shqiptarët nuk ishin më barbarë nomadë të rrallë të cilët bredhnin luginat e largëta të malësisë, por që kishin filluar të ishin të dukshëm si komb për popujt e tjerë.
    Në periudhën 1285-1332, siç e pamë, gjuha shqipe për herë të parë u bë një dukuri për shkrimtarët e huaj që kishin kontakt me pjesën jug-perëndimore të gadishullit ballkanik. Në shekullin pesëmbëdhjetë dolën dokumentat e para të shkruara në gjuhën shqipe: 1405, 1462, 1483, 1497, dhe kështu pas shumë shekujve në errësi, kultura dhe letërsia shqiptare filluan me në fund të lulëzojnë. Ironia e fatit për ne është se hapi i parë i daljës në skenë të gjuhës shqipe lidhet me një vjedhje. Sa material i bukur për një humorist!


    BIBLIOGRAFI

    AJETI, Idriz
    Contribution à l'étude de l'origine de quelques toponymes du Monténégro.
    në: Akten des Internationalen Albanologischen Kolloquiums Innsbruck 1972. Innsbrucker Beiträge zur Kulturwissenschaft, Sonderheft 41.
    (Insbruk 1977) f. 677-687.
    - Kontribut për studimin e disa toponimeve të Malit të Zi.
    in: AJETI, Studime gjuhësore në fushë të shqipes. vëll. 1.
    (Rilindja, Prishtinë 1982) f. 113-119.
    DUCELLIER, Alain
    La façade maritime de l'Albanie au moyen age. Durazzo et Valona du XIe au XVe siècle.
    (Institute for Balkan Studies, Selanik 1981) 702 f.
    ELSIE, Robert
    The Albanian lexicon of Arnold von Harff, 1497.
    në: Zeitschrift für Vergleichende Sprachforschung, Gëtingen, 97 (1984), f. 113-122.
    - The Bellifortis text and early Albanian.
    në: Zeitschrift für Balkanologie, Berlin, 22.2 (1986), f. 158-162.
    [= Elsie 1986a]
    - Dictionary of Albanian Literature.
    (Greenwood, Uestport, Nju Jork & Londër 1986) 171 f.
    [= Elsie 1986b]
    - Albania in the 'Anonymi Descriptio Europae Orientalis' (1308 A.D.).
    në: Zeitschrift für Balkanologie, Berlin, 26. 1 (1990), f. 24-28.
    - The earliest references to the existence of the Albanian language.
    në: Zeitschrift für Balkanologie, Berlin, 27.2 (1991), f. 101-105.
    [= Elsie 1991a]
    - Two Irish travellers in Albania in 1322 .
    në: Albanien in Vergangenheit und Gegenwart. Südosteuropa- Studien 48. Hrsg. Klaus-Detlev Grothusen (Südosteuropa-Gesellschaft, Mynih 1991), f. 24-27.
    [= Elsie 1991b]
    - History of Albanian literature. A survey of creative writing in Albanian from the beginning to the present day, including a selective bibliography. 2 vëllime.
    (East European Monographs. Distributed by Columbia University Press, Nju Jork 1995) 1,057 f.
    ESPOSITO, Mario (ed.)
    Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam. Scriptores Latini Hiberniae, vëll. 4.
    (Dublin Institute for Advanced Studies, Dublin 1960)
    GORKA, Olgierd (ed.)
    Anonymi descriptio Europae orientalis. Imperium Constantinopolitanum, Albania, Serbia, Bulgaria, Ruthenia, Ungaria, Polonia, Bohemia. Anno MCCCVIII exarata.
    (Sumptibus Academiae Litterarum, Krakuv 1916) 70 f.
    HOADE, Eugene (ed.)
    Western Pilgrims. The itineraries of Fr. Simon Fitzsimons, O.F.M. 1322-23, a certain Englishman 1344-45, Thomas Brygge 1392 and notes on other authors and pilgrims. First impression 1952, reprinted 1970. Publication of the Studium Biblicum Franciscanum. No. 18.
    (Franciscan Printing Press, Jerusalem 1952, 1970)
    JIRECEK, Konstantin
    Die Romanen in den Städten Dalmatiens während des Mittelalters 1-3. Denkschriften der Kaiserlichen Akademie der Wiss. Phil.-hist. Kl.
    (Vienë 1901, 1904)

    NASMITH, James
    Itinerarium Symonis Simeonis et Hugonis Illuminatoris ad Terram Sanctam
    (Kembrixh 1778)
    - Recueil des Historiens des Croisades. Documents arméniens. Tome second. Documents latins et français relatifs à l'Arménie.
    (Paris 1906)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Shën Albani : 08-04-2003 më 12:39

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-04-2003
    Postime
    197
    robert shwarc !!!!!

  7. #7

    Një përmendore të dijetarit të madh në Tiranë

    • Nga Prof. Dr. Agron Fico
    Kam pasur fatin ta njoh nga afër. Të ndjek mbledhjet e sektorit të Gramatikës dhe Sintaksës të Gjuhës Shqipe, diskutimin për veprën e tij madhore – Buzuku transliterim dhe transkriptim, në mbledhjet e redaksisë së revistës autoritare “Studime filologjike”, etj. Sa herë që fliste, nxirrte mençurira

    Akademik Eqrem Çabej, gjithë jetën e vet shkencore ia kushtoi monumentit më të rëndësishëm e vezullues të kombit shqiptar, gjuhës shqipe. Ai ishte edhe u bë me një punë krijuese shkencore mbi gjysmë shekulli, ikonë e shqipes moderne. Arritjet e tij shkencore ishin madhore dhe të pamasa. Dijetari i talentuar, Eqrem Çabej është një shkencëtar poliedrik. Në çdo lëmë që punoi, ai vuri gurë themeli.
    Kam pasur fatin ta njoh nga afër. Të ndjek mbledhjet e sektorit të Gramatikës dhe Sintaksës të Gjuhës Shqipe, diskutimin për veprën e tij madhore – Buzuku transliterim dhe transkriptim, në mbledhjet e redaksisë së revistës autoritare “Studime filologjike”, etj. Sa herë që fliste, nxirrte mençurira.
    Ruaj si gjë të rrallë një separate të studimeve etimologjike të dhuruar, në të cilën me dorën e vet shkruan: “Shokut Profesor Agron Fico, me urimet më të mira në detyrën e re. E. Çabej 9.I.1962”. Fjala është për caktimin tim si profesor i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (Kinë).
    Te personaliteti i tij akademik janë ngjizur në një të vetme, shkenca dhe dimensioni njerëzor. Mbledhësi i folklorit, Fatos Mero Rrapaj, i përndjekur dhe i nënçmuar nga institutet shkencore të kohës, kishte grumbulluar thesare të folklorit çam në ekspedita vetjake, duke përdorur ditët e pushimit. Ia bëra të njohura Profesor Çabejt dhe ai ia hapi derën e shtëpisë këtij mbledhësi të pasionuar të folklorit. Profesor Çabej dëgjonte me kujdes vëzhgimet e sjella nga fusha e kërkimeve të Fatos M. Rrapajt dhe i jepte, me shumë dashamirësi udhëzime për kujdesin ndaj fjalës së pastër shqipe.
    Kisha pak kohë që kisha filluar si punonjës i ri shkencor në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, në sektorin e Folklorit. Këshilli shkencor kishte shtruar si detyrë botimin e korpusit të folklorit shqiptar sipas gjinive dhe llojeve. Si gjithmonë, debatet për kriteret e botimit, për vlerën shkencore dhe kulturore ishin të nxehta. Profesor Çabej ishte një njohës i thellë i etnokulturës kombëtare dhe gjithmonë interesohej për botimet dhe materialet e reja që vinin nga ekspeditat kërkimore në terren, nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Profesori e miratoi programin për botimin tërësor të folklorit shqiptar, atë që u quajt “Korpusi i folklorit shqiptar”, që u botua, sipas gjinive dhe llojeve, në disa dhjetëra vëllime. Ai shtroi një ide tepër origjinale. Përmendi punën e madhe të kujdesshme të botuesve të “Visareve të kombit” (1937), dhe nënvizoi nevojën e njohjes dhe përvetësimit të asaj tradite të mirë, si bazë edhe për botimet e ardhshme.
    “Kam mendimin, - tha Profesori, - se përpara botimit të materialeve mbledhur dhe grumbulluar nga ekspeditat dhe bashkëpunëtorët, duhet të botohet gjithë trashëgimia folklorike nga 1635, me Fjalorin e Frang Bardhit dhe deri tek Pavarësia e Shqipërisë (më 1912)”. Kjo ide e profesorit u mishërua me botimin e tre vëllimeve me titullin, “Mbledhës të hershëm të Folklorit shqiptar (1635-1912). Po është për të ardhur keq, se mjaft mbledhës dhe studiues të shquar të folklorit në ato vite mbetën jashtë kësaj serie. Kjo ishte pasojë e qëndrimeve dhe politikës së egër të diktaturës komuniste ndaj intelektualëve, veçanërisht atyre katolikë.
    Interesi i Akademik Eqrem Çabejt për etnokulturën është pjesë përbërëse e sistemit të tij shkencor dhe lidhet ngushtë me metodën e tij të studimit dhe të kërkimit.
    Vetë dijetari kishte bindjen se gjuhësia dhe folklori “janë dy fusha shkencore që duhet të ecin krah për krah dhe rezultatet e njërës dije i hyjnë në punë edhe tjetrës”. (E.Ç. f. 141)
    Madje jo vetëm në studime të mirëfillta për fenomenet etnokulture, por edhe në studimet etimologjike gjejmë shembuj dhe shpjegime për figurat mitologjike dhe folklorike shqiptare. Edhe tek një nga botimet e fundit, “Enciklopedia e Iso-polifonisë popullore shqiptare” (Tiranë, 2007), shpjegimi i mjaft termave dhe emërtimi i disa veglave popullore janë vjelë nga studimet etimologjike të Çabejt. Të tilla janë: avaz, bakllama, bicule, bilbil, bipe, bori (buri), canganë, cicëron, cingare, cingron, citër, çallgi, çengi, çomange, flojere, jehonë etj.
    Një veçori e metodës së Çabejt në studimet folklorike është zbatimi i parimit diakronik. Kështu, në Esenë shkencore për baladën e njohur “Kostandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut”, ai krahas analizës së thelluar të motivit kryesor dhe përqasjeve me simotrat ballkanike, trajton edhe etimologjinë e emrit të personazhit kryesor, shtresimet kulturore. Variantet arbëreshe janë më të hershme, ndërsa tek emri Ymer Ago (ose Imer Ago) shikon një ndikim islamik. Dijetari Eqrem Çabej, në referencë të një studiuesi hungarez, Karl Kerenji, na thotë se “prehistoriani i dëgjuar gjerman, Karl Shuhard shikon tek Odiseu “ilirin e vërtetë’, sepse ky mbretëron mbi ishuj që janë të sferës ilire dhe dallohet me urtësinë e me gjakun e ftohtë të tij prej heronjve të Iliadës”. (Vep. cit., f.208)
    Kontributi i Prof. Eqrem Çabejt në fushën e Etnokulturës është i veçantë, origjinal dhe shkencor.
    Ai ka trajtuar një rreth të gjerë problemesh të kulturës folklorike shqiptare nga një këndvështrimi kritik dhe ka dhënë teza dhe mendime që i kanë qëndruar kohës. Po përmendim studimet e tij si: “Kënga e Leonorës në poezinë popullore shqiptare”, “Kostandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut”, “Djana dhe zana”, “Vatra dhe Bota në poezinë e De Radës”, “Themelet kulturore-historike: Populli dhe poezia e tij”, etj.
    Kur flet për një nga pasuritë kulturore më të gjera dhe më të çmuara të kombit tonë, këngëve të kreshnikeve ose “çifti vëllazëror, Muji e Halili”, gjen aty jo vetëm ndikime të islamizmit, por edhe gjurmë të kohës bizantine, madje shkon edhe më tej, gjen gjurmë tepër të lashta, gjurmë ilire. Ai shkruan se “Mua te Muji e Halili më pëlqen të shoh analogjinë shqiptare të lashtë e ndofta ilire të atij çifti vëllezërish trima që ndeshim te grekët (Dioksurët), keltët, gjermanët dhe indët (Açvins) si dhe në epopenë heroike armene: Sanazar dhe Aslimetik, të bijtë e mbretit Senekerin”. (Sh.Demiraj, f.40-41). Duke kuptuar kompleksitetin e origjinës dhe përhapjen e këtyre këngëve jo vetëm në Ballkan, por edhe në vende të tjera të Europës dhe më tej, Çabej i madh thotë: “Ka shenja edhe për rolin dhënës të poezisë popullore shqiptare brenda këtij qerthulli epik”. (Po aty, f.41). Këtu sjell si argument ndërtim tri-pjesësh të emrave të heronjve të këtij cikli si: Gjergj Elez Alia, Destar Osman Aga, Sokol Hali Aga etj, etj; që barazohen me emrat e tyre tri-pjesësh me emra shqiptarë të Veriut si Ded Gjo Luli, Prek Bib Doda, Prelë Memë Ujka, (ky në Kosovë) me emra labe Metat Gjonligu, Isa Gjonzeneli, etj. Emra tri-pjesësh të personave ka pasur në Shqipëri edhe në kohën e mesme, si Gjin Bue Shpata, Tanush Muzak Topia, etj. Emra tri-pjesësh të personave, që i kanë së bashku, si Veriu dhe Jugu i Shqipërisë, janë gjurmë të lashta të njësisë së dikurshme shqiptare. (Vep. e cit., f.41)
    Dijetari i talentuar nënvizon edhe një fakt tjetër se Gjergj Elez Alia, heroi popullor aq i kënduar ndër shqiptarë, boshnjakët muhamedanë e bullgarë, rron te këta dy popuj sllavë me emrin e parë shqiptar, Gjergj, Gerg.
    Studiuesit e këtij cikli kanë vënë re se figura dhe motive karakteristike për poezinë popullore jugosllave mungojnë në poezinë e sllavëve të tjerë. Çabej mendon se “rrjedhin prej nënshtrese ilire, të cilët sllavët jugorë e ndeshën kur pushtuan këto vise.” Këto analiza të mprehta krahasuese e kanë shpënë dijetarin Çabej në përfundimin madhor se “procesi sllavo-shqiptar i huamarrjes do të ketë qenë këtu i dyfishtë… Sllavët, në simbiozën që bënë me shqiptarët e moçëm, do të kenë marrë lëndën e këngëve të këtyre dhe do t’ua kenë kthyer pastaj rishtas në një trajtë disi të sllavizuar”. (Vep. cit., f.41-42)
    Ky është një kontribut i pamasë origjinal, në diskutimin rreth origjinës e huazimeve të këtij cikli me simotrat ballkanike.
    Ky qëndrim është një shembull konkret i ndritur i kodit moral-atdhetar i këtij gjeniu të kulturës shqiptare - Të jemi objektivë, por jo indiferentë.
    “Universi i eposit heroik shqiptar ka zanafillën e vet, ose ka lindur si bërthamë artistike në periudhën mitologjike dhe, i zmadhuar si rrathët e një vale oqeanike, mori formën e plotë në mesjetën e hershme. Eposi i madh i kreshnikëve ka lindur dhe ka marrë formën e plotë në truallin iliro-shqiptar. (A.Fico- “Dituria”, nr.7, f.60)
    Ky vështrim shkencor është krejt i ndryshëm nga ata studiues shqiptarë që, tek cikli i kreshnikëve, tek luftërat e tyre me kundërshtarët sllavë shihnin “luftën për kullota,” (Epika legjendare, vëllimi i parë, 1966, f.140), madje ndonjë studiues tjetër shkon edhe më larg kur thotë: “Të gjitha konkluzionet… të çojnë në përfundimin që cikli shqiptar i Mujit dhe Halilit është me origjinë boshnjake.” (Stavro Skëndo: poezia epike gojore e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut, Tiranë, f.277). Madje. Prof. Skëndo habitet shumë që një studiues me kaq autoritet si Maksimilian Lamberci, nuk paska ndjekur zotin Stavri Skëndo për t’ua falur të huajve, boshnjakëve, ketë epos madhështor me origjinë shqiptare.
    Albanologu i madh gjerman, M. Lamberci, shkruan me bindje dhe argumente shkencore se “Nga burimi ato - (këngët e ciklit rreth figurës së Gjeto Basho Mujit - A.Fico) - janë me prejardhje shqiptare: në krahinat ku kanë lindur dhe ku ato ende sot këndohen në të dyja gjuhët”. (S. Skëndo, vep. cit., f. 277, shënimi)
    Në studimet e veta rreth etnokulturës shqiptare, Çabej i ka kushtuar vëmendje të veçantë poezisë popullore - të cilën thotë ai, “tani është puna ta trajtojmë një herë së brendshmi, por sidomos historinë shqiptare, duke studiuar nga gjendja e sotme në të shkuarën. Pra, siç kemi theksuar, ai përdori metodën sinkronike dhe diakronike edhe në studimet e etnokulturës. Shkencëtari zbulon tiparet e poezisë popullore shqiptare, si krijim organik në zhvillim dhe ndryshim të vazhdueshëm, si pasqyrë e jetesës dhe historisë së popullit, si bartësi e tipareve të kombit shqiptar, “që shkon pas frymës së kohës dhe ndërron bashkë me të”. Poezia popullore shqiptare ka ashtu simotrat ballkanike dy tipare: anën nacionale dhe anën ballkanike. Ai shtjellon sintetikisht llojet e ndryshme të poezisë popullore shqiptare nga format e thjeshta dhe më të hershme si këngët rituale, këngët për stinët e motit, gjëzat, proverbat, përrallat dhe motivet e tyre, disa figura përrallash shqiptare; gojëdhënat. Dallon qartë poezinë popullore nga kënga popullore. Kjo e fundit ka llojet e saj lirike e epike. Këtu hyjnë këngët epike historike, baladat, këngët e kaçakëve, këngët e dasmës dhe ligjet, këngët e dashurisë, të mërgimit, etj. Eqrem Çabej thekson, krahas ndryshimeve krahinore, të përbashkëtën, “njësinë shqiptare”.
    Me interes të veçantë janë mendimet e Çabejt për meloditë e lashta ruajtur në këngët e malësorëve të Shqipërisë Veriore, që quhen “kangë tërthorçe”, ose “kangë maje krahit”. “Kjo këngë solo e fortë, - shkruan ai, - është shprehja e qëmoçme e malësorit të lirë, gjurma tingëllore e fundit e shtresës primere e kulturës shqiptare”. (Vep. cit., f.46)
    Befasohet studiuesi nga mendimet e Prof. Çabejt për këngët polifonike, këngët korale në Jug të Shqipërisë. Ai jep vlerësime dhe mendime të një specialisti të mirëfilltë, analizon dy ndarjet e mëdha: këngët labe dhe ato toske. Flet për ndërtimin rimiko-muzikor dhe bën hamendje të guximshme për origjinën e këngës polifonike labe. “Nuk besoj se gabojmë po të themi se ky popull barinjsh e ka krijuar këngën e vet duke u mbështetur, pa e ditur, në zërin e dashur e të zakonshëm të këmborëve. Këtë duhet ta vërtetojë edhe gjuha, meqë për një këngë që u këndua mirë, thuhet se “vate si kumborë.” (Vep. cit., f. 50)
    Dijetari, në pajtim me kriteret e veta shkencore, vë në dukje krahas anës nacionale të poezisë dhe këngës popullore edhe anën ballkanike. Në rastin konkret, ai shpreh mendimin se mund të themi me plot gojën se meloditë e Shqipërisë së Jugut kanë ndikuar në disa fise aromune dhe tek grekët e Epirit, të cilët këndojnë me melodi labe disi të ndryshuar.
    Në universin shkencor të Eqrem Çabejt gjen mjaft teza dhe mendime edhe për fenomenet etnografike shqiptare, për njësinë shqiptare të tyre. Ai shkruan se “trajtat e moçme në mënyrën e jetesës dhe në kulturën materiale shpirtërore… nuk janë ruajtur aq besnikërisht te asnjë nga popujt e sotëm indogjermanë sa ndër shqiptarët”. (Vep. cit., f. 21) Dijetari i talentuar flet gjerë për organizimin fisnor të shqiptarëve në të kaluarën, si në Shqipërinë e Veriut ashtu edhe në jug, flet për shtegtime fisesh. Kryesore pohon ai, është njësia. Është njësi etnike e kulturo-historike, e rrjedhur nga njësia gjeografike.
    Çabej nënvizon faktin se për natyrën individualiste të shqiptarit, ai banon në një shtëpi të vetëm mjaft të izoluar. Veçoria e këtyre banesave është karakteri mbrojtës që merr formën e shtëpisë së fortifikuar siç është kulla.
    Tipar i jetës sociale të shqiptarit është familja e madhe. Me të lidhet gjithë jeta e tij si në fshat edhe në qytet. Kudo që jeton dhe punon, shqiptari përpiqet për nderin dhe mirësinë e njerëzve të vet. Këtej buron edhe malli i tokës, i vendlindjes. “Dëshira për shtegtim dhe malli i tokës bashkohen tek karakteri i shqiptarit në mënyrë të çuditshme”, - shkruan Çabej.
    Të larmishme dhe të ndryshme nga pamja dhe ngjyrat paraqiten kostumet në Shqipëri në krahina të veçuara. Faktorët historiko-socialë-tregtarë, pekuniarë, faktorë të modës, kanë luajtur rol në këto ndryshime. Megjithatë mund të thuhet se e bardha është ngjyra kombëtare e veshjes shqiptare.
    Dukja e jashtme tregon se shqiptarët i përkasin racës dinarike. Kryesore kanë trajtat e brendshme, që duke rrjedhur prej të parëve, lidhen me jetën shpirtërore e janë të përbashkëta për të gjitha pjesët e popullit… Duke iu referuar edhe autorëve të huaj që kanë shkruar për tiparet dhe karakteristikat e shqiptarit, Çabej përmend se shqiptari ka shpirt luftarak, është i durueshme, me vullnet të fortë, me mendje të shkathët, bujar dhe mikpritës. Nuk lë pa përmendur studiuesi i talentuar edhe ndonjë cen të racës shqiptare.
    Dihet se në Shqipëri ekzistojnë fe të ndryshme, por ato janë në harmoni me njëra tjetrën dhe kjo përbën një tipar të rëndësishëm për kombin shqiptar. Çabej vëren gjithashtu se “ndërgjegjja e fisit dhe ndjenja nacionale kanë qenë gjithnjë më të forta.”
    Çabej për gjysmë shekulli ka punuar me një përkushtim si rrallëkush dhe ka arritur përfundime të mëdha në fushat e albanologjisë dhe ballkanologjisë. Ai është një dijetar i përmasave europiane. Studimet, artikujt shkencore dhe kumtesat e tij janë botuar në mjaft vende të Europës: Austri, Francë, Greqi, Gjermani, Itali, Rumani, Poloni, ish-Jugosllavi, Turqi etj.
    Studimet e shumta dhe në lëmenjtë më të ndryshëm të gjuhësisë, e veçanërisht në fushën e studimit diakronik të gjuhës shqipe, horizontet e reja që ai hapi në fushën e studimeve albanologjike, që sollën krijimin e shkollës gjuhësore shqiptare, janë kontribute të pamasa të këtij dijetari të talentuar.
    Në përfundim mund të themi:
    Së pari: Dijetari i shquar ka elaboruar në mënyrë shkencore tiparet e etnokulturës shqiptare që janë: lashtësia iliro-indoeuropiane, njësia e përbashkët dhe vijueshmëria e pandashme.
    Së dyti: Metoda shkencore e shqyrtimeve diakronike dhe atyre sinkronike i ka dhënë mundësi për të bërë zbulime origjinale dhe që të hapë horizonte të reja edhe në lëmin e etnokulturës shqiptare.
    Së treti: Studimet e tij edhe në lëmin e etnokulturës, ashtu si arritjet e pamasa në fushën e gjuhësisë shqiptare, mbështesin idenë e tij themelore, se “Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi”.
    Emri dhe vepra e këtij gjeniu të shqipes moderne do të rrojnë ndër shekuj. Ka ardhur koha që përmendorja e këtij gjeniu të vendoset para ndërtesës së Akademisë së Shkencave në Tiranë, si mishërim dhe simboli më i lartë i shkencës shqiptare.

    Nju Jork, 3 qershor
    (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

Tema të Ngjashme

  1. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  2. Rreth emrit shqiptar?
    Nga Xhemis në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 24-10-2004, 06:24
  3. Kombi shqiptar ne prag te mijevjeçarit te trete - shkruar nga Ismail Kadare
    Nga Kallmeti në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 18-12-2002, 09:26

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •