Rama: Administrata në punë ditën e shtunë

Urdhri i Kryeministrit: “E shtuna do jetë punë nga ora 8:00 deri 14:00”.

Punonjësit do zëvendësojnë pushimin e datës 3 janar.

Punonjësit e administratës që kanë bërë planet e tyre për të kaluar fundjavën, duhet t’i anulojnë, pasi do të dalin në punë ditën e shtunë. Kryeministri Edi Rama ka vendosur që data 25 janar të mos jetë pushim si zakonisht për administratën, por ditë pune.

Nëpërmjet një urdhri, kreu i qeverisë ka vendosur që e shtuna e kësaj jave të jetë ditë pune për të zëvendësuar datën 3 janar, që punonjësve të administratës iu la pushim në kuadrin e festave të fundvitit.

Në urdhrin e Kryeministrit për zëvendësimin e ditës së pushimit të datës 3 janar 2014, thuhet: “Dita e shtunë, datë 25 janar 2014, për nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të administratës shtetërore, nga ora 8:00 deri 14:00, të jetë ditë pune për zëvendësimin e ditës së pushimit, të dhënë në kuadrin e festave të fundvitit, datë 3 janar 2014”.

Në shkresë sqarohet se urdhri është marrë në mbështetje të pikës 3 të nenit 102 të Kushtetutës, të pikës 1 të nenit 4 të ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” dhe të pikës 4 të vendimit nr. 511, datë 24.10.2002 të Këshillit të Ministrave “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore”, të ndryshuar. Sipas vendimit nr. 511, të firmosur nga ishkryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, në raste të veçanta dhe për arsye objektive, orari ditor i punës mund të ndryshohet me urdhër të Kryeministrit, por jo për një periudhë më të gjatë se 3 muaj. Bazuar në këtë vendim, ditët e shtuna dhe të diela janë ditë pushimi javor për administratën, ndërsa orari ditor i punës fillon nga ora 8:00 deri në orën 13:00 dhe nga ora 14:30 deri në orën 18:00. Në vitin 2010, ish-kryeministri Sali Berisha vendosi që ditët e festave zyrtare të jenë pushim dhe punonjësit të paguheshin edhe në këto ditë. “Kur festa zyrtare bie në ditët e punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive është vendosur të punohet, puna e kryer ditën e festës zyrtare kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e ditës së punës së kryer plus një pushim shtesë, jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj. Kur festa zyrtare bie në ditët e pushimit javor, dita e hënë është ditë pune dhe puna e kryer kompensohet me një shtesë page prej 25 për qind”, përcaktohet në vendimin e ish-kreut të qeverisë.

Panorama