INTERVISTA/ Flet Natasha Bocaj, ish- punonjëse në Zyrën e Tregtisë së Jashtme në sistemin socialist
- Veprat e Enver Hoxhës shiteshin që të gjitha në Panairet jashtë vendit
-Adil Çarçani, daja im ka qenë shëmbëlltyrë e një njeriu korrekt, i thjeshtë
-Prodhimet tona kërkoheshin në tregun e jashtëm me qiri
-Shkolla jonë e gjuhëve të huaja ishte me nam, nxirrte studentë brilant
-Agim Fagun e kam pas shok kursi, një student korrekt dhe shumë i aftë
-Babai im ka qenë edhe sekretar i Shkodrës i Durrësit dhe Kryeredaktor i “Zërit të Popullit”
Albert ZHOLI
Një grua energjike që ka punuar në sektorë të vështirë në sistemin socialist. Babai i saj ka qenë në shumë poste drejtuese, si Sekretar në Shkodër, Durrës, apo Kryeredaktor i “Zëri Popullit”, por ajo asnjëherë nuk ka përfituar por çdo gjë e ka arritur me punë, dije, korrektësi, studim. Në shtëpinë e saj vinin për vizitë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, duke filluar që nga Enver Hoxha dhe deri tek Mehmet Shehu, për të cilët ajo flet për respektin që ata tregonin për babanë e saj. Ka mbaruar fakultetin për anglisht ka bërë për 2 vjet pasuniversitare specializim për tregtinë e jashtme dhe pastaj ka punuar për 10 vjet në Dhomën e Tregtisë së Jashtme. Më vonë ka punuar (nga 81-91) ka punuar në ndërmarrjen e përhapjes dhe të propogandimit të librit si kryetare e degës së propagandës. Kjo propagandë e librit ka qenë tek shtëpia botuese “Naim Frashëri”, e cila merrej me të gjithë botimet e librit, universitar, artistik, shkencor, shkollor dhe merrej me shpërndarjen e gjithë këtyre botimeve të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, madje dhe jashtë. Nga nëna është mbesë e ish -Kryeministrit Adil Çarçani, Kryeministrit më të papërfolur në Shqipëri, i cili dallohej për komunikim, qetësi dhe njeri me norma.
Diçka për origjinën tuaj?
Mamanë e kam nga Fushë-Bardha dhe babain e kam nga Lazarati, Sadik Bocaj. Unë jam mbesa e Adil Çarçanit, ish –Kryeministrit, në kohën e sistemit socialist. Pra nëna ime ishte motra e vetme e Adil Carçanit, me të cilin shkonim shumë mirë. Ishim si një familje. Unë kam mbaruar fakultetin për anglisht, kam bërë 2 vjet pasuniversitar specializim për tregtinë e jashtme dhe pastaj kam punuar për 10 vjet në Dhomën e Tregtisë së Jashtme. Më vonë kam punuar nga vitet ‘81-‘91 kam punuar në ndërmarrjen e përhapjes dhe të propagandimit të librit si kryetare e degës së propagandës. Kjo propagandë e librit ka qenë tek shtëpia botuese “Naim Frashëri”, e cila merrej me të gjithë botimet e librit, universitar, artistik, shkencor, shkollor, gjithashtu, merrej dhe me shpërndarjen e gjithë këtyre botimeve të ndryshme në të gjithë Shqipërinë.
Kjo Shtëpi Botuese ka qenë me famë në atë sistem?
Është plotësisht e vërtetë. Në atë shtëpi botuese nuk bëhej kurrë një gabim ortografik. Cilësia e botimeve ishte shumë e mirë. Në të punonin gjuhëtarë dhe specialistë nga më të mirët e fushave. Aty çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës. Nuk faleshin gabimet ortografike, pa folur pastaj për anën artistike dhe estetike. Librat atëherë ishin të shenjtë dhe jo kushdo mund të botonte. Kishte rregulla për botimet. Kishte disa standarde dhe disa shkallë derisa libri të botohej. As që mendohej se mund të botonte kushdo si sot. Ata që shkruanin kishin kaluar disa pengesa dhe filtra shumë të shtrenjtë. Nuk kishte atëherë që, po ke lekë mund të botosh. Kurrsesi. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme.
-Si ka qenë kërkesa në botimin e librave, a ka qenë një kërkesë profesionale? Po mënyra e menaxhimit të librit ka qenë ndryshe duke e krahasuar me të sotmen?
Ka qenë shumë më ndryshe se sa sot. Kjo pasi ka pasur një pikë qendrore, kishte një shtab që merrej me të gjithë organizimin që nga botimi, interesimi që lidhej me të gjithë shtypshkronjat që merreshin me botimin e librit, me kombinatin poligrafik, me shtypshkronjën “Mihal Duri”, me Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor. Pra kishte një lidhje të vazhdueshme me njëri –tjetrin, qoftë botimit të teksteve dhe jepnim mendime të ndryshme, qoftë pastaj shpërndarja e këtyre librave që bëhej nga ndërmarrja jonë në të gjithë Republikën. Bëheshin edhe organizime panairesh jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit, si po bëhen edhe sot, por jo kaq shumë sa sot, ato ishin më të rralla. Unë kam dalë disa herë jashtë shtetit me panaire, duke përfaqësuar Dhomën e Tregtisë dhe kam shkuar në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 1986. Në Zvicër kam shkuar në vitin 1989.
Si të janë dukur ato shtete duke pasur parasysh se vije nga një vend i varfër?
Po jam befasuar, nuk them. Kishte mallra pa fund dhe luks, por ne ishim mësuar me mënyrën tonë të jetesës dhe nuk e vrisnim shumë për luks. Vetëm udhëtimi me avion për atë kohë ishte një privilegj. Jo çdo kush mund të shkonte jashtë. Ishim të kujdesshëm në çdo hap, por dhe i përkushtoheshim punës për të cilën kishim vajtur. Vërtet shihnim gjëra që habiteshim, por nuk e bënim veten. Ishim shumë korrektë dhe e dinim pozicionin që kishim në kësi rastesh. Sigurisht, autostradat, aerodromet, dritat, reklamat, na befasonin herën e parë. Shikonim dhe habiteshim. Sigurisht edhe supermarketet na linin me gojë hapur, por ishim shumë të kujdesshëm dhe kur vinim këtu nuk bisedonim me askënd.
-Thuhej që në atë kohë në panairet jashtë i jepej përparësi veprave të Enver Hoxhës sidomos kur dilnit jashtë?
I jepej përparësi, por ishte nga shtëpi botuese e veçantë që quhej “8 Nëntori” . Ishte një sektor i veçantë atje që merrej me botimet e veprave të Enver Hoxhës. Tek shtëpia botuese “8 Nëntori” botoheshin kryesisht librat politiko-shoqëror. Ndërsa për botimet e shokut Enver kishte një redaksi të veçantë brenda “8 Nëntorit’. Unë isha në Drejtorinë e Përgjithshme të Shpërndarjes së Librave. Shtëpia botuese “Naim Frashëri” merrej kryesisht me botimet artistike. Por kur shkonim në panaire jashtë, sigurisht librat e Enver Hoxhës zinin vendin dominues. Vetë përgatitja apo botimi i tyre ishte special dhe nga specialistë shumë të aftë.
-Kur shkonit jashtë për panaire në çfarë gjuhe ishin librat e Enver Hoxhës?
Librat e Enver Hoxhës ishin përkthyer në gjuhë të ndryshme si në frëngjisht që i përkthente Isuf Vrioni, në italisht, por edhe në anglisht. Megjithatë, kishte edhe një sasi të madhe librash që ishin në shqip sepse në këto vende, ku ne kemi shkuar ka pasur shumë kosovarë. Pjesën më të madhe të librit e blinin kosovarët. Të gjithë librat që merrnim në panaire në masën 88% shiteshin. Këtë e them me sinqeritet. Ndoshta ishim stenda më e shitur në panair.
Të gjitha librat e Enver Hoxhës dhe një pjesë e botimeve artistike, botime politiko-shoqërore, shkencore që shiteshin 88% për të mos thënë 100%.Botimet e shokut Enver shiteshin komplet sidomos të përkthyerat, të përkthyerat nuk ishin në sasi të madhe dhe ata që ishin në shqip bliheshin nga kosovarët. Interesi për librat e Enverit ishte i jashtëzakonshëm, as vetë nuk e di përse. Vetë fakti që shiteshin njëlloj si ato në anglisht dhe frëngjisht, po ashtu dhe në shqip, tregon qartazi se i blinin shumë dhe të huajt veç kosovarëve.
-Ka pasur ndonjë ngjarje që të bënte përshtypje ku bliheshin këto vepra?
Vetëm se thoshin se i presim me padurim të merrni pjesë sa më shpesh në këto panaire dhe të na sillni sa më shumë vepra të tilla, që ne ti marrim sepse nuk kemi mundësi tjetër sigurimi. Dhe ne për çdo herë çonim më shumë dhe të gjitha po ashtu shiteshin. Ishte çudi, sot kur e kujtoj më duket se ishim në ëndërr. Kishte shumë kërkesa për ato vepra që sot ndonjë e sheh nëpër trotuare.
-Kush përgjigjej direkt për këto panaire nga udhëheqësit e asaj kohe?
Ka qenë Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Ndërmarrja e Përhapjes dhe e Propagandimit të Librit. Përgjegjës i panaireve ka qenë drejtori i ndërmarrjes. Ka pasur disa drejtorë si Gani Keçi, i cili ka qenë, kur unë kam shkuar në fillim, pastaj Estref Bega. Unë kam pasur fatin të jem për herë të fundit me Estref Begën, pasi kur erdhi demokracia -se për mua nuk ishte demokraci - erdhi një tjetër që nuk ia mbaj mend emrin dhe pastaj në vitin 1991 më hoqën nga puna se unë isha edhe kryetare dhe e specializuar, por më hoqën se isha vajza e Sadik Bocajt dhe mbesa e Adil Çarçanit. Pra ishte thjeshtë luftë klase.
-Kur ishe në Dhomën e Tregtisë, çfarë eksportonim ne, në atë kohë?
Ne eksportonim të gjithë llojet e mallrave, duke filluar që nga kabllot elektrike, bakri, prodhimet e ndryshme ushqimore, pijet e ndryshme që kemi marrë edhe disa lloj çmimesh për konjakun “Skënderbej” dhe për rakinë. Të gjitha prodhimet qoftë nga industria e rëndë apo nga ajo e lehta apo nga industria ushqimore eksportoheshin. Duke filluar nga specat, kavanozat, konservat etj.. Eksportohej kromi që zinte vendin e tretë në botë. Ju nuk mund ta besoni, por është një e vërtetë e pabesueshme. S’kishte prodhim tonin që të mos kushtohej vëmendje e madhe. Ne ndoshta ishim i vetmi pavijon që pasi largoheshim nuk kthenim asgjë mbrapa, pra të gjitha prodhimet tona shiteshin pa diskutim.
-Mallrat tona kishin Made in Albania në mallrat që eksportoheshin?
Patjetër që ishin Made in Albania sepse që në hyrje në panair ishte e shkruar stenda e Shqipërisë. Ne me tregti në atë kohë edhe eksportonim edhe importonim. Firma e tregtisë lidhej me firma të ndryshme të botës. Ne ata i kontaktonim me të gjithë përfaqësuesit e të gjithë firmave të mallrave që kishim në tregtinë e jashtme. Zyra jonë bënte një punë shumë të madhe në drejtim të propagandës së njohjes së mallrave tona. Shihnim se të gjithë firmat e huaja ishin të interesuara për prodhimet tona, bujqësore, blegtorale, artizanale, por edhe industriale. Ato prodhime që kishim, por i kishim shumë cilësore, bio pa asnjë hile, që bota i pëlqente jashtëzakonisht.
-Si kanë qenë pedagogët tanë dhe kërkesa e llogarisë e pedagogëve?
Pedagogët tanë kanë qenë të mrekullueshëm dhe unë mund të përmend disa prej tyre si: Met Kapllani, Refik Kadia,Vangjel Verri. Unë kam qenë me një grup me Agim Fagun që është basketbollist i famshëm. Kemi patur fatin se kemi pasur edhe pedagogë kinezë. Kinezi na jepte anglisht sepse ai kishte mbaruar në Angli dhe kishte ardhur në Shqipëri për të dhënë mësim sepse marrëdhëniet ishin të mira. Kishim edhe një profesor kinez që ishte shumë i zoti. Ai e dinte shqipen pak, por ai fliste anglisht se na jepte anglisht. Ajo shkollë ka pasur nivel të lartë. Studentë ka pasur edhe nga rrethet dhe në atë vit që ne kemi mbaruar fakultetin, të gjithë janë caktuar në vende shumë të mira pune. Miku im më i mirë ka qenë basketbollisti i shquar Agim Fagu.
Babai im ka qenë anëtar i Komitetit Qendror.
-Ju shkonit lirshëm në shtëpinë e Adil Çarçanit?
Siç shkonim vazhdimisht dhe ai vazhdimisht vinte. Në shtëpinë tonë ka ardhur disa herë edhe Enver Hoxha sa herë kishte ditëlindjen babai im, jo më Adil Çarçani. Enver Hoxha kur babai (Sadiku) ka qenë Sekretar i Parë i Shkodrës vinte shpesh herë. Flisnin për probleme pune. Enveri ishte shumë i interesuar të njihte se ç’bëhej në bazë. Babai im ka qenë edhe sekretar i Shkodrës dhe i Durrësit dhe Kryeredaktor i “Zërit të Popullit” ka punuar dhe 15 vjet shef në Komitetin Qendror të Partisë dhe 3 vitet e fundit ka qenë drejtor i fabrikës së këpucëve në Tiranë dhe doli në pension në vitin 1981. Babai ka pasur miqësi të ngushtë me Enverin dhe e ka dashur shumë. Në vitin 1962, babai u sëmur shumë keq nga koka se punonte në Durrës në atë kohë me urdhrin e Enver Hoxhës ka shkuar në Austri në Vjenë që është kuruar. Edhe Mehmet Shehu e ka dashur shumë se babai im ka qenë edhe partizan dhe një pjesë të kohës në Brigadën e Parë Sulmuese ka qenë me Mehmet Shehun dhe pastaj ka kaluar në Brigadën e 22 Sulmuese. Sadiku ka tre vjet që ka vdekur. Edhe kur shoku Enver shkonte shpesh në Valbonë e shoqëronte bashkë me Agron Çobanin. Një pjesë e madhe Tiranës e dinin sikur ishte nga Tropoja se shkonte vazhdimisht nga veriu me shërbime dhe me punë. Më vonë e kanë marrë vesh se Sadiku është nga Lazarati. Bozhigrad (që bie nga Korça)- Lazarat-Dukat ishin vendet që dominonin më shumë ballistët.
Si sillej me ty Adil Çarçani?
Me mua sillej si prind, si mësues. Një njeri i thjeshtë, i dashur, korrekt. Një njeri që kurrë për ‘të nuk u dëgjua një fjalë. Një njeri punëtor dhe i heshtur. Më thuaj që kush ka folur keq për të. Mënyra e komunikimit të tij ishte shumë e veçantë. Dinte të të mbushte mendjen dhe të përcillte mirësi. Asnjëherë nuk fliste pa u menduar. Zbatonte me përpikëri rregullat e punës dhe nuk abuzonte apo përfitonte nga posti që kishte. Nuk mund të krahasohet për ndershmëri me asnjë nga kryeministrat e sotëm, për të cilët çfarë nuk flitet.
Çfarë kujton nga ajo kohë?
Kujtoj shumë gjëra, pro mbi të gjitha që kishte rregull, disiplinë, korrektësi. Spitalet ishin spitale, ku të shërbehej në mënyrë korrekte, ku s’kishte këtë korrupsion galopant, ku shërbimi ishte shumë i mirë dhe kushtet ishin po ashtu të mira. Nuk kam nostalgji, por dua të them të vërtetën. Shkollat e asaj kohe ishin perfekte dhe me ato shkolla kanë dalë: inxhinierë, kimistë, arkeologë, fizikanë, projektues të zotë. Pedagogët ishin shumë të përgatitur dhe në atë kohë as mund të mendohej mitmarrja. Në shkolla kishte rregull dhe disiplinë, që sot as mund të mendohet. Në çdo kohë kishte dhe mënyra të tjera organizmi që shkollat të kishin ecuri të mirë. Pastaj mund të flas për elektrizimin që dhe sot asnjë hidrocentral nuk është bërë, pasi me atë energji elektrike jetojmë dhe furnizohemi edhe sot. Pra janë bërë shumë gjëra të mira që me ardhjen e demokracisë u shkatërruan të gjitha. Sot shikohen vetëm shkatërrime të fabrikave, uzinave, ndërmarrjeve bujqësore, të kanalizimeve, bonifikimeve. P.sh sa herë është përmbytur Shkodra? A është përmbysur në regjimin komunist? Ato që janë bërë duhen vlerësuar dhe jo të shkatërrojmë çdo gjë.
Krijoni Kontakt