Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Flet Natasha Bocaj, mbesa e Adil Çarçanit, mbi kohën e komunizmit

    INTERVISTA/ Flet Natasha Bocaj, ish- punonjëse në Zyrën e Tregtisë së Jashtme në sistemin socialist



    - Veprat e Enver Hoxhës shiteshin që të gjitha në Panairet jashtë vendit

    -Adil Çarçani, daja im ka qenë shëmbëlltyrë e një njeriu korrekt, i thjeshtë

    -Prodhimet tona kërkoheshin në tregun e jashtëm me qiri

    -Shkolla jonë e gjuhëve të huaja ishte me nam, nxirrte studentë brilant

    -Agim Fagun e kam pas shok kursi, një student korrekt dhe shumë i aftë



    -Babai im ka qenë edhe sekretar i Shkodrës i Durrësit dhe Kryeredaktor i “Zërit të Popullit”



    Albert ZHOLI



    Një grua energjike që ka punuar në sektorë të vështirë në sistemin socialist. Babai i saj ka qenë në shumë poste drejtuese, si Sekretar në Shkodër, Durrës, apo Kryeredaktor i “Zëri Popullit”, por ajo asnjëherë nuk ka përfituar por çdo gjë e ka arritur me punë, dije, korrektësi, studim. Në shtëpinë e saj vinin për vizitë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, duke filluar që nga Enver Hoxha dhe deri tek Mehmet Shehu, për të cilët ajo flet për respektin që ata tregonin për babanë e saj. Ka mbaruar fakultetin për anglisht ka bërë për 2 vjet pasuniversitare specializim për tregtinë e jashtme dhe pastaj ka punuar për 10 vjet në Dhomën e Tregtisë së Jashtme. Më vonë ka punuar (nga 81-91) ka punuar në ndërmarrjen e përhapjes dhe të propogandimit të librit si kryetare e degës së propagandës. Kjo propagandë e librit ka qenë tek shtëpia botuese “Naim Frashëri”, e cila merrej me të gjithë botimet e librit, universitar, artistik, shkencor, shkollor dhe merrej me shpërndarjen e gjithë këtyre botimeve të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, madje dhe jashtë. Nga nëna është mbesë e ish -Kryeministrit Adil Çarçani, Kryeministrit më të papërfolur në Shqipëri, i cili dallohej për komunikim, qetësi dhe njeri me norma.



    Diçka për origjinën tuaj?

    Mamanë e kam nga Fushë-Bardha dhe babain e kam nga Lazarati, Sadik Bocaj. Unë jam mbesa e Adil Çarçanit, ish –Kryeministrit, në kohën e sistemit socialist. Pra nëna ime ishte motra e vetme e Adil Carçanit, me të cilin shkonim shumë mirë. Ishim si një familje. Unë kam mbaruar fakultetin për anglisht, kam bërë 2 vjet pasuniversitar specializim për tregtinë e jashtme dhe pastaj kam punuar për 10 vjet në Dhomën e Tregtisë së Jashtme. Më vonë kam punuar nga vitet ‘81-‘91 kam punuar në ndërmarrjen e përhapjes dhe të propagandimit të librit si kryetare e degës së propagandës. Kjo propagandë e librit ka qenë tek shtëpia botuese “Naim Frashëri”, e cila merrej me të gjithë botimet e librit, universitar, artistik, shkencor, shkollor, gjithashtu, merrej dhe me shpërndarjen e gjithë këtyre botimeve të ndryshme në të gjithë Shqipërinë.



    Kjo Shtëpi Botuese ka qenë me famë në atë sistem?

    Është plotësisht e vërtetë. Në atë shtëpi botuese nuk bëhej kurrë një gabim ortografik. Cilësia e botimeve ishte shumë e mirë. Në të punonin gjuhëtarë dhe specialistë nga më të mirët e fushave. Aty çdo gjë kalonte në vrimë të gjilpërës. Nuk faleshin gabimet ortografike, pa folur pastaj për anën artistike dhe estetike. Librat atëherë ishin të shenjtë dhe jo kushdo mund të botonte. Kishte rregulla për botimet. Kishte disa standarde dhe disa shkallë derisa libri të botohej. As që mendohej se mund të botonte kushdo si sot. Ata që shkruanin kishin kaluar disa pengesa dhe filtra shumë të shtrenjtë. Nuk kishte atëherë që, po ke lekë mund të botosh. Kurrsesi. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme.



    -Si ka qenë kërkesa në botimin e librave, a ka qenë një kërkesë profesionale? Po mënyra e menaxhimit të librit ka qenë ndryshe duke e krahasuar me të sotmen?

    Ka qenë shumë më ndryshe se sa sot. Kjo pasi ka pasur një pikë qendrore, kishte një shtab që merrej me të gjithë organizimin që nga botimi, interesimi që lidhej me të gjithë shtypshkronjat që merreshin me botimin e librit, me kombinatin poligrafik, me shtypshkronjën “Mihal Duri”, me Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor. Pra kishte një lidhje të vazhdueshme me njëri –tjetrin, qoftë botimit të teksteve dhe jepnim mendime të ndryshme, qoftë pastaj shpërndarja e këtyre librave që bëhej nga ndërmarrja jonë në të gjithë Republikën. Bëheshin edhe organizime panairesh jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit, si po bëhen edhe sot, por jo kaq shumë sa sot, ato ishin më të rralla. Unë kam dalë disa herë jashtë shtetit me panaire, duke përfaqësuar Dhomën e Tregtisë dhe kam shkuar në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 1986. Në Zvicër kam shkuar në vitin 1989.





    Si të janë dukur ato shtete duke pasur parasysh se vije nga një vend i varfër?

    Po jam befasuar, nuk them. Kishte mallra pa fund dhe luks, por ne ishim mësuar me mënyrën tonë të jetesës dhe nuk e vrisnim shumë për luks. Vetëm udhëtimi me avion për atë kohë ishte një privilegj. Jo çdo kush mund të shkonte jashtë. Ishim të kujdesshëm në çdo hap, por dhe i përkushtoheshim punës për të cilën kishim vajtur. Vërtet shihnim gjëra që habiteshim, por nuk e bënim veten. Ishim shumë korrektë dhe e dinim pozicionin që kishim në kësi rastesh. Sigurisht, autostradat, aerodromet, dritat, reklamat, na befasonin herën e parë. Shikonim dhe habiteshim. Sigurisht edhe supermarketet na linin me gojë hapur, por ishim shumë të kujdesshëm dhe kur vinim këtu nuk bisedonim me askënd.



    -Thuhej që në atë kohë në panairet jashtë i jepej përparësi veprave të Enver Hoxhës sidomos kur dilnit jashtë?

    I jepej përparësi, por ishte nga shtëpi botuese e veçantë që quhej “8 Nëntori” . Ishte një sektor i veçantë atje që merrej me botimet e veprave të Enver Hoxhës. Tek shtëpia botuese “8 Nëntori” botoheshin kryesisht librat politiko-shoqëror. Ndërsa për botimet e shokut Enver kishte një redaksi të veçantë brenda “8 Nëntorit’. Unë isha në Drejtorinë e Përgjithshme të Shpërndarjes së Librave. Shtëpia botuese “Naim Frashëri” merrej kryesisht me botimet artistike. Por kur shkonim në panaire jashtë, sigurisht librat e Enver Hoxhës zinin vendin dominues. Vetë përgatitja apo botimi i tyre ishte special dhe nga specialistë shumë të aftë.

    -Kur shkonit jashtë për panaire në çfarë gjuhe ishin librat e Enver Hoxhës?

    Librat e Enver Hoxhës ishin përkthyer në gjuhë të ndryshme si në frëngjisht që i përkthente Isuf Vrioni, në italisht, por edhe në anglisht. Megjithatë, kishte edhe një sasi të madhe librash që ishin në shqip sepse në këto vende, ku ne kemi shkuar ka pasur shumë kosovarë. Pjesën më të madhe të librit e blinin kosovarët. Të gjithë librat që merrnim në panaire në masën 88% shiteshin. Këtë e them me sinqeritet. Ndoshta ishim stenda më e shitur në panair.

    Të gjitha librat e Enver Hoxhës dhe një pjesë e botimeve artistike, botime politiko-shoqërore, shkencore që shiteshin 88% për të mos thënë 100%.Botimet e shokut Enver shiteshin komplet sidomos të përkthyerat, të përkthyerat nuk ishin në sasi të madhe dhe ata që ishin në shqip bliheshin nga kosovarët. Interesi për librat e Enverit ishte i jashtëzakonshëm, as vetë nuk e di përse. Vetë fakti që shiteshin njëlloj si ato në anglisht dhe frëngjisht, po ashtu dhe në shqip, tregon qartazi se i blinin shumë dhe të huajt veç kosovarëve.

    -Ka pasur ndonjë ngjarje që të bënte përshtypje ku bliheshin këto vepra?

    Vetëm se thoshin se i presim me padurim të merrni pjesë sa më shpesh në këto panaire dhe të na sillni sa më shumë vepra të tilla, që ne ti marrim sepse nuk kemi mundësi tjetër sigurimi. Dhe ne për çdo herë çonim më shumë dhe të gjitha po ashtu shiteshin. Ishte çudi, sot kur e kujtoj më duket se ishim në ëndërr. Kishte shumë kërkesa për ato vepra që sot ndonjë e sheh nëpër trotuare.

    -Kush përgjigjej direkt për këto panaire nga udhëheqësit e asaj kohe?

    Ka qenë Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Ndërmarrja e Përhapjes dhe e Propagandimit të Librit. Përgjegjës i panaireve ka qenë drejtori i ndërmarrjes. Ka pasur disa drejtorë si Gani Keçi, i cili ka qenë, kur unë kam shkuar në fillim, pastaj Estref Bega. Unë kam pasur fatin të jem për herë të fundit me Estref Begën, pasi kur erdhi demokracia -se për mua nuk ishte demokraci - erdhi një tjetër që nuk ia mbaj mend emrin dhe pastaj në vitin 1991 më hoqën nga puna se unë isha edhe kryetare dhe e specializuar, por më hoqën se isha vajza e Sadik Bocajt dhe mbesa e Adil Çarçanit. Pra ishte thjeshtë luftë klase.

    -Kur ishe në Dhomën e Tregtisë, çfarë eksportonim ne, në atë kohë?

    Ne eksportonim të gjithë llojet e mallrave, duke filluar që nga kabllot elektrike, bakri, prodhimet e ndryshme ushqimore, pijet e ndryshme që kemi marrë edhe disa lloj çmimesh për konjakun “Skënderbej” dhe për rakinë. Të gjitha prodhimet qoftë nga industria e rëndë apo nga ajo e lehta apo nga industria ushqimore eksportoheshin. Duke filluar nga specat, kavanozat, konservat etj.. Eksportohej kromi që zinte vendin e tretë në botë. Ju nuk mund ta besoni, por është një e vërtetë e pabesueshme. S’kishte prodhim tonin që të mos kushtohej vëmendje e madhe. Ne ndoshta ishim i vetmi pavijon që pasi largoheshim nuk kthenim asgjë mbrapa, pra të gjitha prodhimet tona shiteshin pa diskutim.

    -Mallrat tona kishin Made in Albania në mallrat që eksportoheshin?

    Patjetër që ishin Made in Albania sepse që në hyrje në panair ishte e shkruar stenda e Shqipërisë. Ne me tregti në atë kohë edhe eksportonim edhe importonim. Firma e tregtisë lidhej me firma të ndryshme të botës. Ne ata i kontaktonim me të gjithë përfaqësuesit e të gjithë firmave të mallrave që kishim në tregtinë e jashtme. Zyra jonë bënte një punë shumë të madhe në drejtim të propagandës së njohjes së mallrave tona. Shihnim se të gjithë firmat e huaja ishin të interesuara për prodhimet tona, bujqësore, blegtorale, artizanale, por edhe industriale. Ato prodhime që kishim, por i kishim shumë cilësore, bio pa asnjë hile, që bota i pëlqente jashtëzakonisht.



    -Si kanë qenë pedagogët tanë dhe kërkesa e llogarisë e pedagogëve?

    Pedagogët tanë kanë qenë të mrekullueshëm dhe unë mund të përmend disa prej tyre si: Met Kapllani, Refik Kadia,Vangjel Verri. Unë kam qenë me një grup me Agim Fagun që është basketbollist i famshëm. Kemi patur fatin se kemi pasur edhe pedagogë kinezë. Kinezi na jepte anglisht sepse ai kishte mbaruar në Angli dhe kishte ardhur në Shqipëri për të dhënë mësim sepse marrëdhëniet ishin të mira. Kishim edhe një profesor kinez që ishte shumë i zoti. Ai e dinte shqipen pak, por ai fliste anglisht se na jepte anglisht. Ajo shkollë ka pasur nivel të lartë. Studentë ka pasur edhe nga rrethet dhe në atë vit që ne kemi mbaruar fakultetin, të gjithë janë caktuar në vende shumë të mira pune. Miku im më i mirë ka qenë basketbollisti i shquar Agim Fagu.



    Babai im ka qenë anëtar i Komitetit Qendror.
    -Ju shkonit lirshëm në shtëpinë e Adil Çarçanit?

    Siç shkonim vazhdimisht dhe ai vazhdimisht vinte. Në shtëpinë tonë ka ardhur disa herë edhe Enver Hoxha sa herë kishte ditëlindjen babai im, jo më Adil Çarçani. Enver Hoxha kur babai (Sadiku) ka qenë Sekretar i Parë i Shkodrës vinte shpesh herë. Flisnin për probleme pune. Enveri ishte shumë i interesuar të njihte se ç’bëhej në bazë. Babai im ka qenë edhe sekretar i Shkodrës dhe i Durrësit dhe Kryeredaktor i “Zërit të Popullit” ka punuar dhe 15 vjet shef në Komitetin Qendror të Partisë dhe 3 vitet e fundit ka qenë drejtor i fabrikës së këpucëve në Tiranë dhe doli në pension në vitin 1981. Babai ka pasur miqësi të ngushtë me Enverin dhe e ka dashur shumë. Në vitin 1962, babai u sëmur shumë keq nga koka se punonte në Durrës në atë kohë me urdhrin e Enver Hoxhës ka shkuar në Austri në Vjenë që është kuruar. Edhe Mehmet Shehu e ka dashur shumë se babai im ka qenë edhe partizan dhe një pjesë të kohës në Brigadën e Parë Sulmuese ka qenë me Mehmet Shehun dhe pastaj ka kaluar në Brigadën e 22 Sulmuese. Sadiku ka tre vjet që ka vdekur. Edhe kur shoku Enver shkonte shpesh në Valbonë e shoqëronte bashkë me Agron Çobanin. Një pjesë e madhe Tiranës e dinin sikur ishte nga Tropoja se shkonte vazhdimisht nga veriu me shërbime dhe me punë. Më vonë e kanë marrë vesh se Sadiku është nga Lazarati. Bozhigrad (që bie nga Korça)- Lazarat-Dukat ishin vendet që dominonin më shumë ballistët.



    Si sillej me ty Adil Çarçani?

    Me mua sillej si prind, si mësues. Një njeri i thjeshtë, i dashur, korrekt. Një njeri që kurrë për ‘të nuk u dëgjua një fjalë. Një njeri punëtor dhe i heshtur. Më thuaj që kush ka folur keq për të. Mënyra e komunikimit të tij ishte shumë e veçantë. Dinte të të mbushte mendjen dhe të përcillte mirësi. Asnjëherë nuk fliste pa u menduar. Zbatonte me përpikëri rregullat e punës dhe nuk abuzonte apo përfitonte nga posti që kishte. Nuk mund të krahasohet për ndershmëri me asnjë nga kryeministrat e sotëm, për të cilët çfarë nuk flitet.



    Çfarë kujton nga ajo kohë?

    Kujtoj shumë gjëra, pro mbi të gjitha që kishte rregull, disiplinë, korrektësi. Spitalet ishin spitale, ku të shërbehej në mënyrë korrekte, ku s’kishte këtë korrupsion galopant, ku shërbimi ishte shumë i mirë dhe kushtet ishin po ashtu të mira. Nuk kam nostalgji, por dua të them të vërtetën. Shkollat e asaj kohe ishin perfekte dhe me ato shkolla kanë dalë: inxhinierë, kimistë, arkeologë, fizikanë, projektues të zotë. Pedagogët ishin shumë të përgatitur dhe në atë kohë as mund të mendohej mitmarrja. Në shkolla kishte rregull dhe disiplinë, që sot as mund të mendohet. Në çdo kohë kishte dhe mënyra të tjera organizmi që shkollat të kishin ecuri të mirë. Pastaj mund të flas për elektrizimin që dhe sot asnjë hidrocentral nuk është bërë, pasi me atë energji elektrike jetojmë dhe furnizohemi edhe sot. Pra janë bërë shumë gjëra të mira që me ardhjen e demokracisë u shkatërruan të gjitha. Sot shikohen vetëm shkatërrime të fabrikave, uzinave, ndërmarrjeve bujqësore, të kanalizimeve, bonifikimeve. P.sh sa herë është përmbytur Shkodra? A është përmbysur në regjimin komunist? Ato që janë bërë duhen vlerësuar dhe jo të shkatërrojmë çdo gjë.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Flet Natasha Bocaj, mbesa e Adil Çarçanit, mbi kohën e komunizmit

    Mbesa e Adil Çarçanit: Si punonte dega e Propagandës

    Emri:  Foto-suplementi-300x272.jpg

Shikime: 602

Madhësia:  21.3 KB

    Natasha Bocaj. Foto: Vlasov Sulaj

    Ish-kryetarja e Degës së Propagandës pranë Ndërmarrjes së Librit flet për punën nën regjimin komunist. Panairet e organizuara jashtë vendit, ku stenda me botimet e veprave të Enver Hoxhës rezultonte më e shitura, interesi i të huajve për to dhe shpërndarja e tyre në çdo qytet të Shqipërisë. Njëherësh, ajo ndan kujtimet nga jeta në afërsi të ish-Bllokut, si mbesa e ish-kryeministrit Adil Çarçani, nga emërimi i këtij të fundit në këtë post deri tek mundësia e eliminimit të paraardhësit të tij, Mehmet Shehu.

    Sot, ato kanë përfunduar trotuareve të ish-Bllokut, pikërisht aty, ku një herë e një kohë, udhëheqja e lartë shëtiste. E kemi fjalën për veprat e pluhurosura të Enver Hoxhës, me atë kopertinën e pagabueshme në ngjyrë të kuqe apo vishnje, dhe germat në ngjyrë ari, të cilat pasi janë spastruar nga biblioteka e ndonjë shtëpie, së cilës nuk kishte shanse t’i mungonin sidomos gjatë viteve të regjimit komunist në vendin tonë, kanë zënë vend cepave të kryeqytetit, duke u shitur me çmimin e tregut të ditëve tona. Mirëpo, në ato vite, rruga deri te botimi i një vepre të tillë nuk ishte e thjeshtë, edhe pse ishte një ndërmarrje e tërë e prodhimit e propagandimit të librave të rinj, e kryesisht atyre që mbanin firmën e diktatorit, e shpurës tjetër që ndiqte vizionin e tij të udhëheqjes. Në cilësinë e kryetares së Degës së Propagandës pranë Ndërmarrjes së Librit, Natasha Bocaj, mbesa e ish-kryeministrit të vendit Adil Çarçani kishte rolin parësor të “injeksionit” ideologjik, përmes botimeve të veprave të Hoxhës, por edhe të udhëheqësve të tjerë. Puna më serioze, bëhej sidomos në panairet e ndryshme ndërkombëtare që organizoheshin, ku të ekspozuar në krye të stendës ishin patjetër posterat dhe botimet e veprave të Enverit, ndërsa të tjerët e ndiqnin pas. Sipas Natashës, interesi i të huajve për veprat e diktatorit, të përkthyera në gjuhë të huaja, ishte i jashtëzakonshëm, aq sa nuk kishte kopje të mbetur që kthehej pas në Shqipëri, e në fund të ditëve të panairit të librit stenda shqiptare rezultonte një nga më të suksesshmet për numrin e kopjeve të shitura. Natasha, tregon sot jo vetëm se si funksiononte sektori që drejtonte, por edhe për marrëdhënien e veçantë me dajën, Adil Çarçanin, sidomos pas emërimit të tij si Kryeministër, menjëherë pas ngjarjes së bujshme të dhjetorit 1981, “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut. Si vajza e Sadik Bocajt, shefit të Statutit pranë aparatit të Komitetit Qendror pranë PPSH-së, me rolin e tij të përzgjedhjes dhe përjashtimit nga radhët e Partisë, të individëve që klasifikoheshin fillimisht me fjalën e Enver Hoxhës…

    Flasim për marrëdhënien me dajën tuaj, ish-kryeministrin e vendit Adil Çarçani. Si ka qenë lidhja juaj me të?
    Ka qenë një raport i shkëlqyer, jo vetëm për faktin se daja im ishte njeri i urtë, kokulur, e punëtor, por mbi të gjitha individ bujar e me zemër të madhe. Unë jam vajza e motrës së Adil Çarçanit, dhe të ishe mbesa e Kryeministrit në ato vite nuk ishte diçka e paktë. Megjithëse nuk gëzonim privilegje të mëdha. Ne kemi jetuar në një shtëpi në afërsi të Bllokut, aty ku ishin pozicionuar vilat e udhëheqjes, pra me dajën ishim shumë afër, ndërsa një privilegj që e mbaj mend edhe sot ishte ai i të shijuarit të tre muajve të verës në shtëpitë e pushimit të pushtetarëve, kryesisht në Vlorë, ku qëndronim familjarisht. E, për shumë vite me radhë kishim edhe guvernante, një grua që na gatuante dhe pastronte shtëpinë, kjo jo për faktin se isha mbesë e tij, por sepse edhe im atë ishte njeri me pozitë politike. Kur Adili u emërua në këtë post, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur me eprorin e tij, pra “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut, unë isha afro 40 vjeçe. Për dajën tim qarkullonte opinion tejet pozitiv, jo vetëm në popull, por edhe në kategorinë e udhëheqësve me të cilët e lidhte puna e përditshme, aq sa shpesh dëgjoja të shprehnin se si ishte e mundur që punonin bashkë “ujku” (Mehmet Shehu) dhe “qengji”(Adil Çarçani). Pra, një njeri aq i vrazhdë sa Mehmeti, të merrej vesh me një person të butë si daja ishte një arritje e madhe, çka bëri që ata të dy ta vlerësonin shumë njëri-tjetrin edhe në ditët e vështira.

    Si u prit në familjen tuaj, dhe mandej në atë të Adilit, vetëvrasja e Mehmet Shehut?
    Gjithçka ishte kaq e papritur. Duke dëgjuar nga daja, por natyrisht e kisha njohur vetë Mehmetin, për shkak të vizitave të shumta që na bënte në shtëpi, shpesh edhe me Enver Hoxhën, e dija që ai ishte burrë i hekurt. Dhe ishte e paimagjinueshme që ai t’i drejtonte pistoletën vetes, për të kryer vetëvrasje. Tezat e ndryshme që qarkulluan, nxorën në pah mundësinë e eliminimit të tij, madje jo nga agjentura të huaja, por nga ato brenda klanit të udhëheqjes, çka sajoi më pas të gjithë historinë e kësaj ngjarjeje të pazakontë. Dikush që donte t’i zinte vendin, me sigur. Emra konkretë nuk mund të përmend…

    Natasha, edhe babai juaj ka qenë me pozitë në radhët e Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Komitetit Qendror, apo jo?
    Unë jam e bija e Sadik Bocajt, i cili ka qenë anëtar i Komitetit Qendror pranë PPSH-së, më saktë shef i Statutit të Partisë. Fillimet e tij kanë qenë ato luftarake, pranë Brigadës së Parë Sulmuese me Mehmet Shehun, e më pas kaloi në Divizionin e Ushtrisë. Im atë u emërua pranë Komitetit Qendror në vitin 1953, dhe detyra e tij ishte e një rëndësie të veçantë. Vetëm me firmën e tij mund të pranoheshin në Parti kandidaturat e mundshme për delegatë, për anëtarë të Partisë Komuniste e udhëheqës të tjerë të lartë. Roli i tij ishte më shumë se selektiv, sepse natyrisht që kandidaturat ishin përcaktuar më parë nga vetë Enver Hoxha. Por, nëse ndodhte që kishte kleçka në biografi ose përfshirje në ndonjë ngjarje që cenonte “idealin e partisë”, im atë ishte personi i parë që bënte përjashtimin nga radhët e Partisë, pasi gjërat faktoheshin para diktatorit Hoxha më parë, kuptohet.

    Në cilët prej këtyre vendimeve të udhëheqjes babai juaj ka qenë palë?
    Për shkak të angazhimit, natyrisht që ka qenë i pranishëm në të gjitha mbledhjet që organizoheshin nga diskutantët, pra anëtarët e Byrosë Politike, të cilët njëzëri merrnin vendime për të përjashtuar nga Partia ose eliminuar një funksionar të caktuar… Një i tillë ka qenë Beqir Balluku, i cili u dënua me grupin puçist në vitin 1974. Në atë mbledhje të Plenumit të Partisë, kuptohet që të gjithë binin dakord me atë çka thoshte Enveri, pajtoheshin pa diskutim, madje motoja e tyre ishte: i prerë me armikun, besnik me Partinë. Im atë, përplasjet më të mëdha i ka pasur me Hysni Kapon, e me porosi të këtij të fundit, pas ndonjë kontradikte të mundshme, për eliminimet në radhët e Partisë për të cilat bihej dakord nga të gjithë byroistët. Por, im atë ishte njeri i drejtë, nuk i pranonte lehtë dredhitë, dhe për këtë arsye, pas shumë vite punë pranë Komitetit Qendror, atë e çuan sekretar Partie në Shkodër, e më pas në Durrës. Përvoja e fundit do të ishte pranë gazetës “Zëri i Popullit”, si kryeredaktor, ndërsa pikërisht për përplasjet me Hysni Kapon, babai përfundoi drejtor në një fabrikë këpucësh në Tiranë, derisa mbushi moshën e pensionit. Dhe më shumë ndikim në përplasjet e babait pati edhe një ngjarje që kish të bënte me mua…

    Çfarë konkretisht?
    Në vitin 1974 kur u godit grupi i gjeneralëve, unë ndodhesha në një panair në Greqi. Aty më afrohet një grup sigurimi shqiptarësh, duke më pyetur direkt se çfarë informacioni të mundshëm kisha për këtë ngjarje nga im atë. Mirëpo, kur përfundoi aktiviteti, një grua greke disa ditë më pas, në shenjë mirënjohjeje për librat që i sugjerova dhe komunikimin që ndërtuam gjatë ditëve të panairit, më dërgon një letër në shenjë falënderimi. Kjo i bie në dorë Hysni Kapos, i cili më akuzoi mua për lidhje me agjenturat greke, dhe këtë mendim ai ia përcolli direkt babait. Kjo më pas u bë shkak që përplasjet mes Kapos dhe Sadikut, babait pra, të bëheshin të vazhdueshme derisa ai përfundoi në një fabrikë këpucësh.

    Krahasuar me të tjerët, nuk mund të thuhet se nuk keni qenë e privilegjuar, apo jo?
    Që në ato vite përfundova dy fakultete, dhe puna ime e parë në vitin 1970 ka qenë ajo pranë Dhomës së Tregtisë me Jashtë. Ishte një punë e bukur dhe me përgjegjësi, për faktin se ne ishim lidhja kryesore me portën e huaj, domethënë me tregtinë me jashtë, ku na duhej çdo ditë të importonim dhe eksportonim mallra të ndryshëm. Për shembull, kromi shqiptar zinte vendin e tretë në botë për cilësinë dhe sasinë që eksportonim. Ishte detyra jonë si dhomë e tregtisë që të bënim ndërmjetësin për të bërë të njohura tek të huajt produktet tona shqiptare, duke nisur me ato ushqimore dhe artizanale, si qilima të ndërmarrjeve artistike tonat etj. Pra, gjithçka “Made in Albania”.

    Ç’mallra importoheshin në masë, për çfarë kishte më tepër nevojë vendi ynë?
    Ishin kryesisht vegla pune, makineri, e pajisje të ndryshme elektronike që nevojiteshin për procese pune në uzina e fabrika.

    Është e vërtetë që kishte një sektor të veçantë për Bllokun e udhëheqjes në drejtorinë tuaj?
    Ishte Drejtoria e Pritjes për udhëheqjen, e cila ishte e vendosur pranë Dhomës së Tregtisë me Jashtë, e aty vinin kryesisht nga importi veshje me porosi të veçantë për byroistët. Këtu përfshiheshin metrazhe cilësore e të shtrenjta, si edhe kostume të veçanta. Edhe pse ishte sektori specifik në NPV-në e Tiranës, ku qepeshin veshje për byroistët, apo edhe pse zonjat e para të vendit, sa herë dilnin në udhëtime jashtë shtetit, kishin mundësi të blinin gjërat që u pëlqenin, sërish kishte mallra të caktuara, të cilat vinin me porosi specifike për udhëheqjen.

    Si kaluat më pas në Sektorin e Propagandës pranë Ndërmarrjes së Librit?
    Pasi punova për disa vite në Dhomën e Tregtisë me Jashtë, u angazhova si inspektore e Propagandës pranë Ndërmarrjes së Librit, derisa arrita postin e kryetares së Degës së Propagandës në Ndërmarrjen e Librit, vend ku punova deri në fillim të vitit 1991, sapo u ndien ditët e para të rënies së regjimit socialist. Kuptohet që çdo botim dhe libër kalonte në sitë, çdo fjali e çdo foto që shoqëronte faqet e brendshme të botimeve. Ishte punë me përgjegjësi të madhe, të them të drejtën.

    Cili ishte funksioni i sektorit që ju drejtonit?
    Ndërmarrja kishte si detyrë të veçantë të merrte të gjitha botimet nga dy shtëpitë botuese kryesore “8 Nëntori” dhe “Naim Frashëri”, e para merrej me librin politiko-shoqëror, tekniko-shkencor dhe përkthime, ndërsa e dyta merrej me redaktim të botimeve të ndryshme të letërsisë artistike, romane, tregime, poema, letërsia për fëmijë etj. Ne kishim një ofiçinë transporti, në të cilën merrnim të gjitha këto botime dhe i kalonim në sitë një për një. Më pas, përgatisnim fletëpalosje dhe i shpërndanim gjithandej që njerëzit të merrnim vesh se çfarë botimesh të reja ishin botuar.

    Cilave botime u mëshonit më tepër?
    Kuptohet atyre që kishin përmbajtje më të fortë politike, sidomos për t’i parë nga ana drejtshkrimore, por edhe ajo grafike. Gabimet ishin të patolerueshme. Madje, nëse gjatë kohës së botimit ndodhte ndonjë eliminim i udhëheqësve, emri i tij fshihej nga vendet ku ishte përmendur, e krahas kësaj edhe fotoja së cilës i bëhej montazh duke fshirë personin në fjalë. Ishte tepër e lodhshme që çdo fjali të kalonte në redaktim të thellë, sepse më pas këto botime i shpërndaheshin popullit, dhe më pas propaganda e puna jonë ishte që ta përcillnim atë në vendet e Lindjes e ato të Europës përmes panaireve të ndryshme që organizonim. Unë shkoja dy herë në javë te Radio Tirana, pra një formë propagandistike për të folur rreth librave të rinj dhe atyre më të kërkuar. Nuk i kam shpëtuar rolit tim parësor, atij që i mëshonte vlerësimit të veprave të diktatorit. Puna jonë më pas kalohej në filtra të tjerë të drejtorëve të sektorit të propagandës, që ishin fillimisht Gani Keçi, e më pas Estref Bega, e Fisnik Sina.

    Duke qenë punë e një rëndësie të veçantë, a kishit shpesh vizita të byroistëve?
    Jo të tyre direkt, sa të të deleguarve. Në ndërmarrje na vinte shpesh Sevo Tarifa, i cili ishte përgjegjës për sektorin e librit në Komitetin Qendror, ai vinte tek ne dhe merrte vepra, sidomos të Enver Hoxhës, apo edhe të udhëheqësve të tjerë. Gjithashtu, vinte Ylli Popa, i cili ishte në drejtorinë me jashtë, e interesi i tij ishte kryesisht për librat e udhëheqjes në gjuhë të huaj.

    Ju thatë që veprat e udhëheqjes kryesisht prezantoheshin edhe nëpër panaire ndërkombëtare. Ku synohej më së shumti?
    Ne organizonim panaire në vend si edhe në Europë. Ishte kërkesë e jona që panairet në këto shtete të organizoheshin në ato vende, ku kishte më shumë emigrantë shqiptarë e kosovarë, sepse botimet në shqip ishin më të mëdha, ndërsa botimet e tjera, në gjuhën frënge dhe angleze ishin më të reduktuara në numër, të cilat përktheheshin nga emrat e njohur Jusuf Vrioni dhe Robert Shvarc.

    Cili ishte interesi i të huajve për veprat e Enver Hoxhës?
    Absolut! Ne nuk kthenim mbrapsht në Shqipëri asnjë libër të shkruar nga Hoxha. Shiteshin të gjitha botimet, e madje në fund na rezultonte që stenda jonë, pra ajo nga Shqipëria, të ishte më e suksesshmja dhe me më shumë kopje të shitura se ato tjerat. Interesi ishte i jashtëzakonshëm për veprat e Enver Hoxhës, dhe kjo kuptohet sepse jetonim në periudhë komuniste dhe nevoja për të përhapur propagandën e Partisë së Punës së Shqipërisë… Çmimet ishin pak më të shtrenjta se realja, por kjo ishte e pranueshme. Blerësit më të mëdhenj ishin të huajt, të cilët i kërkonin veprat e diktatorit në gjuhë të huaj.

    Po përhapja propagandistike në Shqipëri si funksiononte?
    Thashë që, përveç rolit tim me daljet radiofonike, ne në ndërmarrje kishim një linjë pune shumë të kopsitur sa i takon shpërndarjes së librave të udhëheqjes, dhe atyre të zhanreve të tjera. Kishim ofiçinën e shpërndarjes për 26 rrethe të Republikës së Shqipërisë, dhe nëpërmjet kamionëve ne i çonim dërgesat tona te kryetarët e degëve të librit sipas rretheve. Natyrisht, që i mëshonim më tepër librave me natyrë politike, veprave të Hoxhës, por pa lënë mënjanë edhe interesin e lexuesve për librat artistikë e jo vetëm. Ishte tepër e vështirë atëherë që të siguroje një libër të caktuar, madje neve në ndërmarrje na futeshin njerëz miq për të siguruar një libër të Enverit, apo të tjerë.

    Sot, kohërat kanë ndërruar shumë sa i përket lirisë së librit, apo jo? Mendoj se çdo sistem politik ka të metat dhe meritat e veta. Për kohën në të cilën kam punuar, çështja e trajtimit të propagandës përmes librash, ajo me karakter të vërtetë ideologjik, ishte interesi parësor i udhëheqjes, e cila synonte të mbërrinte te populli, te lexuesi i thjeshtë përmes faqe librash. Dhe kjo nuk ishte një gjë e rastësishme, i kishte takuar të gjithë sistemeve simotra të Europës Lindore, kudo ku sistemi socialist zaptoi shoqëritë. Detyra jonë ishte e përcaktuar qartë, roli ynë qe që me punën tonë selektive të shkonim si duhej në mendjen dhe zemrat e popullit të thjeshtë. Kuptohet që botimet ishin të kufizuara në numër, procesi ishte i ngadaltë, por në thelb ishte puna ajo që duhej bërë si duhet. Sot, librat janë me bollëk, mund të gjesh çdo titull që dëshiron, e nuk ka asnjë mundësi që dikush tjetër të futet mik për të siguruar një vëllim të caktuar.

    ERMIRA ISUFAJ

    Panorama

  3. #3
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154

    Për: Flet Natasha Bocaj, mbesa e Adil Çarçanit, mbi kohën e komunizmit

    Sali Berisha do ngelë në hitori vetëm për këto arsye :

    Bëri të gjithë Komunistët dhe propaganduesit e atijë sistemi të përndjekur politik !

    Shkatërrimin e pronës private dhe tjetërsimin e sajë !

    Lejimin e firmave piramidale ( Kolapsin total ekonomik )

    Hapjen e depove të armëve ( Krijimin e mundësisë që njerzit të vriten orë e minut )

    Si dhe borxhin e lartë që i la vëndit !

    Nuk arrijë të gjej diferencën mes tijë dhe Enverit !?
    Ky shtet është ky që është sepse qytetarët tanë janë këta që janë !

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •