Vihet në pranga një person i shumëkërkuar nga policia për një vrasje të ndodhur tre vite më parë. Burimet zyrtare të policisë së Bulqizës bëjnë të ditur se në sajë të operacionit policor të koduar “Kroni i Përgjakur” është prangosur Destan Gjeta, i kërkuar për një ngjarje të vitit 2011. Gjeta është ndaluar rreth orës 11:00 të ditës së sotme në Shkozë, të kryeqytetit.

“Destan Gjeta akuzohet për veprat penale “Vrasje në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim” , “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shkatërrim prone me dashje” dhe ka qenë i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”,- thuhet në njoftimin të policisë.

Ngjarja për të cilën akuzohet Gjeta ka ndodhur paraditen e datës 5 janar të vitit 2011 në mes të qytetit të Bulqizës, ku një person është qëlluar për vdekje me armë zjarri dhe dy të tjerë u plagosën, pas një sherri me armë mes dy grupeve rivale për kromin. Viktima ishte Femi Kurçami, 48 vjeç, i cili ishte një kalimtar i rastit. Policia njoftoi se ka pasur një shkëmbim armësh në mes të qytetit, pak metra larg Bashkisë, ku dy grupe personash në dy automjete kanë qëlluar më armë në drejtim të njëri-tjetrit teksa kalonin në rrugën kryesore. Si pasojë, Kurçami që ishte duke ecur në këmbë në rrugën e qytetit është goditur nga plumbat duke mbetur i vdekur në vend. Gjithashtu të plagosur kanë mbetur dhe Shpëtim Ndreka 25 vjeç dhe Leonard Ndreu, 27 vjeç. Sipas policisë Ilirian Jangulli, i arrestuar pak ditë më parë nga policia e kryeqytetit, dhe Destan Gjeta janë konfliktuar me Arben dhe Arjan Duriçin për një sasi të konsiderueshme kromi.
gazeta shqip