Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri tha se beteja e ashpër e ndërmarrë nga mazhoranca kundër korrupsionit në tërësi dhe vecanërisht kundër korrupsionit të shtrirë tëk ish-zyrtarët e lartë, ka vënë në alarm Berishën.
“Unë e kuptoj, janë shumë të shqetësuar nga rimëkëmbja e Policisë së Shtetit, sepse sot askush nuk është i gatshëm të njohë asnjë lloj imuniteti dhe mbase rreziku që ndiejnë është aq i madh sa i detyron këtu të vijnë të shfaqen, të dalin ditë për ditë në media, sepse shembja e murit të pandëshkueshmërisë i tremb aq shumë sa janë të gatshëm të thurin çdo lloj skenari kriminal në kurriz të qytetarëve, sepse rimëkëmbja e Policisë së Shtetit dhe drejtësia në këtë vend barazia para ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe veçanërisht kundër korrupsionit elitar tremb këta më të parët, ish-kryeministrin më të parin, familjarët e tij, sekserët që ka pasur deri dje dhe që sot i mbron me çdo çmim e me çdo kosto”, tha ministri Tahiri.
Ai u shpreh se situata kriminale e ditëve të fundit është e stimuluar nga ata që ai i cilësoi si “kriminelët kanë dalë nga pushteti në 23 qershor, kanë dalë nga Policia pas 23 qershorit, tani janë derdhur rrugëve për t’iu bindur këtij banditi për këtë që po ndodh”.
Kreu i ministrisë së Punëve të Brendshme akuzoi ish-kryeministri Berisha se e përdorte Policinë e Shtetit mendësisë komuniste.
“Mbaje formalisht Policinë, por nuk të duhet sepse ndërkohë ke djalin, ke vajzën, ke sekserët e pushtetit, të cilët bënin pazare nga më të ndyrat në kurriz të popullit”, theksoi ministri në seancën parlamentare duke iu përgjigjur akuzave të opozitës së vendi po sundohet nga mafia e lidhur me pushtetin.
“Por që një ish-kryeministër të dalë këtu në parlament dhe me mendësi kriminale t’i drejtohet qeverisë, mazhorancës dhe t’i flasë publikut për gjëra që mbase, do uroja mos t’i ketë bërë kurrë, por për gjëra që mbase i ka bërë vetë në të shkuarën dhe tani akuzon duke ngritur gishtin… Kjo është e pafalshme! Mbase mund të shpëtojë cilido përkohësisht nga përgjegjësia para ligjit, para popullit, para drejtësisë për atë që ka bërë. Por ky është një nga ata që nuk do të shpëtojë dot kurrë. Edhe kur t’i shpëtojë drejtësisë, nuk do t’i shpëtojë dot mallkimit të popullit”, deklaroi Tahiri.
gazetaexpress.net
Krijoni Kontakt