“Patriot Act” edhe në Shqipëri. Siguria dhe rendi, Tahiri kopjon ligjin amerikan
Uashingtoni u kritikua për shkelje të të drejtave të njeriut
Për çështjet e rendit dhe sigurisë, Qeveria shqiptare po përgatit një “Patriot Act”, një ligj i ngjashëm me atë që George W. Bush miratoi në Shtetet e Bashkuara fill pas atentateve terroriste të 11 shtatorit. Pohimi ka ardhur nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili gjithsesi nuk ka sqaruar përse Shqipëria duhet të kopjojë ligjin më të kritikuar të Bush për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Saimir Tahiri si George W. Bush. I ndodhur mes presionit të kriminalitetit dhe premtimit për të rikthyer rendin, ministri i Brendshëm hedh vështrimin larg dhe frymëzimin e gjen te ish-presidenti amerikan. Një Patriot Act, ligji më i debatueshëm i teksanit të Shtëpisë së Bardhë.
Patriot Act cilësohet nga shumëkush si simboli negativ i presidencës së George Ë. Bush. I miratuar si ligj federal pas atentateve të 11 shtatorit 2001 në New York, thelbi i Patriot Act mund të përkufizohet në: më pak liri për më shumë siguri!
Pavarësisht kritikave të ashpra në të cilat ligji ka hasur gjatë të gjithë ekzistencës së tij, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara e mbrojti atë me forcë. Amerikës së trembur nga atentatet terroriste, i tha se ligji ishte i nevojshëm. Të gjithë duhet të bënin një akt patriotik, një sakrificë në emër të kombit!
Por organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar ligjin e republikanit Bush si një shkelje flagrante të tyre, duke filluar nga privatësia. Ndërsa të drejtat e qytetarit reduktohe, fuqia në duart e Shtetit rritet. FBI, CIA dhe NSA kanë dorë të lirë për të përgjuar këdo, pa marrë aprovimin e gjykatës.
Ekspertët pohojnë se frut i Patriot Act është edhe programi PRISM, falë të cilit NSA ka përgjuar komunikimet e miliona qytetarëve në botë, përfshi liderë ndërkombëtarë.
Si për ironi, Shqipëria do të kopjojë ligjin amerikan pikërisht tani që vetë presidenti Obama, përballë abuzimeve të publikuara në media, vendosi reduktimin e fuqisë së tij. Ministri Tahiri garantoi se ligji do të jetë brenda kuadrit penal shqiptar. Që do të respektojë edhe të drejtat e njeriut, ia sygjeroi gazetari.
Mister mbetet përse një qeveri e majtë kërkon të kopjojë ligjin më të kritikuar të një qeverie të djathtë, qoftë ajo amerikane!
ABC
Krijoni Kontakt