Shkodra nuk ka më "zonjë të hekurt". Jozefina Topalli në ceremoninë e 23-vjetorit të Partisë Demokratike në Shkodër u "thye" ndjeshëm në sytë e gjithë shkodranëve e shqiptarëve. Lideri i ri i PD, Lulzim Basha, ia arriti që kundërshtaren e tij të hershme brenda familjes se demokratëve ta rrëzojë edhe në shtëpinë e saj. E gjitha ishte një lojë perfekte nga të dy, por në fund e fituar nga Basha. E aq më tepër në një ditë si kjo, të themelimit të Partisë. 23-vjetori i PD-së, qartazi, më shumë se kurrë, nxori në pah rënien e Topallit, pas shkëlqimit të saj në 8-të vitet e fundit.
"Shefja" e Shkodrës në asnjë moment nuk mori as më të voglin entusiazëm nga bashkëqytetarët e saj demokratë, që deri dje e kishin të adhuruar figurën e saj. Që nga hapja me vajzën e Gjelucve e deri në mbyllje, që kulmoi me fjalimin e kryedemokratit Basha, Jozi u anashkalua nga të gjitha përshëndetjet e rastit. Emri i saj nuk u përmend në asnjë kujtesë 23-vjeçare, e në asnjë prej fjalimeve që u mbajtën. Topalli, si asnjëherë më pare, nuk ishte në rreshtin e pare, kur kreu i PD mbërriti në hyrjen e teatrit "Migjeni", as në sallë në momentin e ardhjes të Bashës. Ajo erdhi vetëm pak sekonda para se Basha të ulej në karriken e rezervuar. E ulur përkrah kundërshtarit të saj politik të deklaruar, u shfaq e ngrysur e në asnjë moment nuk kishte pamjen e qeshur e krenarinë, që gjithnjë ua ka servirur shkodranëve, që nga viti 1996, kur aderoi në PD. Gjatë shfaqjes së dokumentarit historik të "familjes" demokrate, salla brohoriti fuqishëm kur u citua përzgjedhja e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së. Në ato momente bota rrokullisej për Topallin, aq sa nuk denjoi të paktën një duartrokitje shkarazi në sytë e botës.
Jozi lakohej si një nga kandidaturat e mundshme për zëvendësimin e Sali Berishës, ndaj dhe reagimi ndaj Lulzim Bashës për të është i natyrshëm. Benjamini i Berishës, Basha ka ngjitur shkallët e kësaj partie, krejt në mënyrë të çuditshme, e madje edhe dyshuese, që rrallë ndodh në vendet perëndimore. Normalisht partia duhet të funksionojë si një institucion, ku ngjitja bëhet hap pas hapi në bazë të meritokracisë së vlerave profesionale, morale, politike etj. Edhe pse erdhi 8 vite më vonë se Topalli, Basha, nën petkun e fëmijëve të Berishës, bëri "boom-in" e madh, duke kapërcyer në krye të demokratëve.
Basha në fjalimin e tij tha se tek PD-ja në Shkoder nuk do të mbyllet asnjë gojë, çka nënkupton se deri tani mund të kenë qenë të mbyllura ose edhe mund të mbyllen, duke shigjetuar ndoshta pikërisht rivalen e tij, Jozefinën, që nuk mundi asnjëherë ta durojë. Kryedemokrati dha një sinjal të qartë kur deklaroi se tashmë në Shkodër është radha e të rinjve, e demokratëve të rinj për të marrë fatet e partisë në duar, gjë, e cila duhet të ketë hidhëruar Topallin e grupin e saj.
E gjithëpushtetshmja deri para zgjedhjeve të 23 qershorit, tashmë nuk ka kredencialet e mëparshme. Rrugëtimi i saj u këput në mes dhe, përsa kohë Basha të ketë PD-në në dorë, Jozefina do të jetë vetëm "Jozefinë".
Kryedemokrati në fund të takimit, kur trokiti gotat në kokteil, disa herë çoi kokën, duke kërkuar me shikimin e tij, por askund Jozefina nuk ishte, duke mos pranuar as një trokitje gotash. Si të mos mjaftonin këto, ende pa u bërë 24 orë nga ardhja e kryetarit të PD, dega e PD-së e Shkodrës vijonte të ishte e mbyllur. Në fakt, Basha bëri thirrje për ripërtëritje përmes hapjes së brezit të ri e një zgjimi që tha se nis nga Shkodra. Të nesërmen zyra e PD-së qëndronte e kyçyr, ndoshta nga frika e Topallit apo indiferetizmi për Bashën.
Zgjedhjet e PD në Shkodër priten me interes sepse, përtej përsëritjes disa herë në fjalën e tij për konfigurimin e brezit të ri nga Basha, kjo forcë politike në këtë qytet është e ndarë qartazi në dy klane: ai i Topallit dhe ai i Bashës. Kryedemokrati është në pedestal, ndërsa për Jozefinën duket se tani duhet thënë: "Lamtumirë, zonja e hekurt"!
- See more at: http://www.shqiptarja.com/analiza/27....HkUlsv9R.dpuf
Krijoni Kontakt