PRISHTINE - Sipas gazetës së njohur amerikane, "New York Times", Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk mund të vlerësohet me çmimin "Nobel". Ai cilësohet si një ish-guerrilas i pamëshirshëm, që urdhëronte arrestime e vrasje. Prestigjiozja amerikane ka botuar një shkrim pesë muaj më parë, në të cilin paralajmërohej kandidimi i mundshëm i Thaçit dhe i Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, për çmimin "Nobel". Lajmi shoqërohej edhe me një profil të kryeministrit kosovar me titull "Thaçi aspiron të bëhet burrë shteti, por e përndjek e kaluara e tij si guerilas".

Në artikullin e "New York Times" shkruhet se ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe diplomatët perëndimore thonë se ai ka qenë një udhëheqës i pamëshirshëm i UÇK-së, që urdhëronte arrestime, vrasje dhe përndiqte rivalët e mundshëm të tij. "Luftëtarët e tjerë e quanin "gjarpër", shënohet në fillim të artikullit. Sipas gazetës, këto janë arsye që e bëjnë të pamundur për Thaçin, vlerësimin me çmimin e paqes. Po ashtu edhe Daçiç, nuk shikohet si një 'nobelist' i mundshëm. Gazeta liston një sërë titujsh që tregojnë situatën e vështirë në Kosovë e Serbi, duke e konsideruar të pamundur vlerësimin e krerëve të këtyre dy shteteve. "Serbia shteti më i korruptuar dhe kriminalizuar në Evropë", "Kosova, shteti më i korruptuar", "Zbulohen varreza masive në Serbi". "Nënat kosovare kërkojnë eshtrat e mbi 1700 bijve të tyre në Serbi, "Në Kosovë papunësia më e madhe në Evrope", "Interpol: Serbia dhe Kosova, rajone të trafikut të drogës dhe prostitucionit", janë këta tituj që kemi hasur në shtypin vendor dhe perëndimor, por edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare qoftë në OKB, OSBE, BE apo nga Interpol", shkruan "NYT".

Tri ditë më parë një grup ligjëvenësish amerikanë emëruan Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, si dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton si kandidatë për çmimin 'Nobel' të Paqes për vitin 2014. Në njoftimin e përbashkët të ligjëvenësve thuhej se tre zyrtarët duhen nderuar me çmimin 'Nobel' për rolin e tyre kritik për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

REAGIMI
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar shumë faktin që është nominuar për çmim 'Nobel' për Paqe nga Kongresi Amerikan. Megjithatë, ai është shprehur se ky çmim nuk i takon vetëm atij, por të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilët i quan heronj të vërtetë të heshtur dhe heronj të Nobelit të lirisë. "Pavarësisht ç'ka ndodh më tutje, 'Nobel'-in për Paqe, heroizëm, qëndresë e pjekuri, më shumë se kushdo tjetër e meritoni ju, qytetarë të Kosovës. Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai në momente të caktuara, e kam marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim. Një shpresë e rilindur, një mundësi më e mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë ka qenë dhe mbetet motivi im i vetëm jetësor dhe politik", është shprehur Thaçi në rrjetin social "Facebook".

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)