Samaras pret Kodhelin në Athinë: Rishikim marrëveshjeve

Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli me homologun Avramopulos dje në Athinë

Ministrja e Mbrojtjes, vizitë dyditore të nivelit të lartë në Athinë.

“Të jesh ministre Mbrojtje femër, një mesazh shumë i fortë”


Ministrja e Mbro-jtjes, Mimi Kodheli, në vizitën e parë të saj zyrtare në Athinë u prit nga Kryeministri Samaras dhe homologu Avramopulos. Kryeministri grek i kërkoi Kodhelit rishikimin dhe forcimin e mëtejshëm të të gjitha marrëveshjeve mes dy vendeve, ndërsa ministrja shqiptare e Mbrojtjes kërkoi ndihmën e Greqisë për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda presidencës greke në qershor. Sipas njoftimit për shtyp nga Ministria e Mbrojtjes, Kryeministri Samaras vlerësoi rolin e një femre në krye të dikasterit të Mbrojtjes. “Të jesh ministre Mbrojtje femër, do të thotë shumë dhe ky është një mesazh shumë i fortë”, u shpreh Kryeministri grek. Në vijim të bisedës, kreu i qeverisë helene tha se “Shqipëria po kalon një tranzicion pushteti, por po strukturohet fuqishëm dhe ne na keni në krah që t’ju ndihmojmë, veçanërisht Ministrinë e Mbrojtjes. Ne dëshirojmë që të rishikojmë dhe të forcojmë më tej të gjitha marrëveshjet mes nesh”, iu drejtua Samaras ministres shqiptare të Mbrojtjes. Sipas Kryeministrit Samaras, gjërat kanë ndryshuar në favorin tonë të përbashkët. “Ne kaluam një periudhë të vështirë, por tashmë po rimëkëmbim ekonominë dhe jemi të sigurt në një të ardhme më të mirë”, tha Samaras. Nga ana e saj, Kodheli e uroi Kryeministrin grek edhe për presidencën e BE-së dhe u shpreh se “Shqipëria shpreson të marrë statusin e vendit kandidat në 6-mujorin e parë të 2014-s. Në këtë pikë ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj”, nënvizoi ajo. Kryeministri Samaras dha mbështetje të plotë për Shqipërinë në aspiratën e saj europiane. Ai u shpreh i bindur se nën drejtimin e Kryeministrit Rama, të cilin e cilësoi mik dhe një njeri solid, Shqipërinë e pret një perspektivë e qartë europiane. Ministrja Kodheli zhvilloi një takim dhe me homologun e saj Avramopulos, ku dolën dhe me një deklaratë para mediave. Sipas ministrit grek të Mbrojtjes, bashkëpunimi do të jetë shumë i vlefshëm për ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ku Greqia do të ofrojë të gjithë mbështetjen e saj. “Ky takim është një mesazh paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe me gjerë në funksion të fqinjësisë së mirë. Ne do ju mbështesim fuqishëm në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”, tha ministri grek i Mbrojtjes. Ndërsa ministrja Kodheli falënderoi homologun e saj në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen e padiskutueshme që i jep Shqipërisë drejt NATO-s.

Homazhe te “Ushtari i panjohur”
Në nder të ardhjes së saj në Athinë, ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, është nderuar me një ceremoni tejet të veçantë, e para e këtij lloji për një ministër shqiptar, në sheshin “Sindagma”, para Parlamentit grek, ku ajo vendosi një kurorë në monumentin e “Ushtarit të panjohur”.

Darkë me muzikë shqiptare
Ministri grek i Mbrojtjes, Dhimitris Avramopulos, shtroi një darkë për nder të homologes së tij nga Shqipëria, e vetmja femër nga ministrat e Mbrojtjes të NATO-s. Darka ka kaluar në klimë miqësore, por dhe të fqinjësisë së mirë. Të zotët e shtëpisë ua kanë bërë qejfin mysafirëve nga Shqipëria edhe me muzikën dhe vallet shqiptare.

ARISTIR LUMEZI

Panorama