Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Bashkim Pitarka: Amerikanët në Shqipëri pas 45 vjetësh

    Amerikanët në Shqipëri pas 45 vjetësh

    Nga kujtimet e Bashkim Pitarkës, ish-ambasadori shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara
    Nga uzina “Enver” në selinë e OKB-së. Stazhi me punë fizike që diplomatët të njihnin jetën Tirana zyrtare emëron një kryenegociator për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës


    Leonard Veizi

    Emri:  AtArturLiolin.jpg

Shikime: 835

Madhësia:  69.7 KB
    Ai mbetet një arkiv pak i eksploruar gjithsesi. Ka bërë të ditur vetëm pakëz gjë aty-këtu, nga përvoja e tij 40-vjeçare në diplomaci.

    Për fat ka qenë “lojtar” i rëndësishëm, atje... “në epiqendër e çarjes, ku ndihej gjithë lëkundja e globit, ku toka shembej, hapeshin humbella e papritur dilnin gazra sulfurik”. Ishte koha kur gjithçka vinte e koduar, si një konspiracion fjalësh, emrash, veprimesh teknike.

    Urdhrat vazhdimisht rrëzonin urdhrat dhe asgjë nuk ishte në rrjedhën normale të deriatëhershme. Korrespodenca me vija të kuqe që lidhte “shifrën” në mijëra kilometra largësi ishte nxehur krejt. Aty vlonin lajmet.

    Kjo ishte pak a shumë situata në vitin ’90-të në rezidencën shqiptare të Nju Jorkut pranë OKB-së. Ndërsa shefi i selisë, Bashkim Pitarka, Ambasadori i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë, si në një teh thike, ku i duhej të mbante ekuilibrin perfekt, vazhdonte ta zinte kohën me bisedime të vështira diplomatike. Amerika ishte futur në lojë...

    Kur do të fillonte karriera juaj në diplomaci?

    Emri:  RamizAliaAnthonyAthanas.jpg

Shikime: 784

Madhësia:  66.8 KB
    Në vitin 1968 u largova nga Radio-Tirana, dhe u dërgova të punoj si mësues në shkollat 7-vjeçare të fshatrave në kufi me Peqinin dhe më vone si mësues në shkollat 8-vjeçare të Tiranës e në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve. Në vitin 1972 më transferuan me një kërkesë të MPJ si kandidat për kursin 2-vjeçar të diplomacisë.

    Çfarë synonte ky kurs?

    Kërkoheshin diplomatë të rinj dhe Ministria e Jashtme organizonte këtë kurs nga ku do të dilnin diplomatët e parë të kualifikuar.

    Ata që ishin përzgjedhur si kandidatë ishin ndarë në dy kurse, ku përveç lëndëve përkatëse të diplomacisë dhe punës praktike nëpër sektorë të Ministrisë së Jashtme, do të mësonin edhe nga një gjuhë të huaj, anglisht ose frëngjisht. Mirëpo unë isha diplomuar për gjuhë dhe letërsi angleze, kështu që nga ky drejtim isha në rregull.

    Përveç anglishtes kisha mësuar frëngjisht, rusisht dhe pak italisht. Në atë kohë, Nesti Nase që ishte dhe ministër i Jashtëm, bëri intervista me të gjithë kandidatët. Gjatë takimit me të, kur u njoh me jetëshkrimin dhe punën time të mëparshme më tha:

    “Ti anglishten e njohke mirë se paske përkthyer edhe në kongrese partie e ato të organizatave të masave si dhe në takimet e anëtarëve të Byrosë Politike me delegacionet e huaja, gazetar ke punuar në sektorin e jashtëm, nga mikrofoni dhe panelet ku duhet të flasësh nuk ke frikë, atëherë për çfarë të duhet kursi ty? Ti je i gatshëm të fillosh punë menjëherë”.

    Dhe filluat menjëherë punë?

    Po. Më emëruan si anëtar të grupit të punës të ministrit ku ishin dhe Abdi Baleta, Anastas Shuke, Llazar Muço e Dervish Dumi, kuadro të lartë të asaj ministrie. Më pas më emëruan si zv/ drejtor të Drejtorisë së Dytë ndërkohë që dërgohesha çdo vit si Anëtar i Delegacionit të Shqipërisë në sesionet e OKB-së.

    Në këtë delegacion ishin 5 anëtarë dhe 3 alternatë, të cilët zëvendësonin anëtarët në Komisionet e Asamblesë së Përgjithshme të këtyre sesioneve të zakonshme ose speciale te OKB-së. Nga viti 1974 fillova të mbaj fjalime në sesionet e OKB-së.

    Po atë vit më kujtohet që erdhi me ne si alternat delegat edhe Edmond Tupe (në atë kohe ishte pedagog i gjuhës frënge në Fakultetin Histori -Filologji) Kur mbajti fjalimin në frëngjisht në pikën për të drejtat e grave dhe rinisë të gjithë kthyen kokën duke thënë se përse përfaqësuesi i Francës kishte ndërruar vend. Por u kuptua se ai ishte përfaqësuesi shqiptar me një frëngjishte të kulluar.

    Emri:  ShqiptaretAmerikes.jpg

Shikime: 760

Madhësia:  75.8 KB
    Aq pastër e bukur e fliste këtë gjuhë Edmond Tupe sa që pas fjalimit përfaqësuesi i delegacionit francez si dhe të disa vendeve të tjera të Afrikës, shkuan edhe i shtrënguan dorën. Me pas, ai u bë pjesëtar aktiv i delegacionit dhe ndiqte punimet në disa komisione të sesionit.

    Për sa kohë do të ishit anëtar i Delegacionit?

    Fillimisht shkoja çdo vit në të gjitha sesionet dhe qëndroja 3 javë me ministrin e Jashtëm dhe deri në tre muaj me pjesën tjetër të delegacionit. Shënoj se në ato kohë ndihmoja ministrin për të zhvilluar takimet me ministra të jashtëm të vendeve anëtare ose personalitete të lata të OKB-së.

    Por ndërkohë isha emëruar edhe Drejtor i Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Jashtme, drejtori, e cila mbulonte Evropën Perëndimore (pa Italinë sepse quhej vend fqinj) Amerikën Veriore dhe Jugore vendet e Lindjes së Mesme si dhe Afrikën. Kisha dhe detyrën e analistit politik në Ministrinë e Jashtme. Por, në vitin 1981 karriera ime diplomatike u ndërpre për tre vjet?

    Cili ishte shkaku?

    Deri në atë kohë unë nuk isha anëtar i Partisë së Punës. Atë vit unë u pranova kandidat dhe u dërgova të filloja stazhin si kandidat parti direkt në prodhim. Më caktuan si punëtor të thjeshtë në uzinën “Enver”.

    Vazhdova deri në vitin 1984. Pastaj u riktheva sërish në Ministrinë e Jashtme. Veç këtë herë jo më si drejtor por si zv/drejtor dhe shef i sektorit që mbulonte Italinë.

    Kur do të emëronin ambasador në OKB?

    Në gusht të vitit 1986 më emëruan Përfaqësues të Përhershëm dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Shqipërisë pranë Kombeve te Bashkuara.

    Cila ishte situata në Shqipëri, parë nga Nju Jorku?

    Ishte koha kur kishte filluar të lëvizte diçka. Në atë kohë unë isha caktuar si kryenegociator për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Amerikën. Ishte marsi i vitin 1990.

    Dy vite më parë, në vitin 1988 unë kisha paraqitur letrat kredenciale edhe në Kanada. Ndërsa në fillim të muajit maj u thirra nga Tirana zyrtare për të pritur dhe shoqëruar shefin e OKB-së, Perez de Kuelar, i cili mbërriti në Rinas në 2 maj 1990.

    Cilat do të ishin lëvizjet e radhës që do të linin shijen e ndryshimeve?

    Vizita e Nënë Terezës. Ajo ishte shumë kuptimplotë në ato çaste. Madje, mesa morra vesh më vonë edhe në takimin që patën kokë më kokë, Ramiz Alia - De Kuelar, ky i fundit e kishte ngritur problemin e Nënë Terezës. Në atë kohë ajo kishte një emër të madh si humaniste, ndërsa shprehej kudo që shkonte se ishte shqiptare.

    Stazhi i partisë, 3 vjet në uzinën “Enver”

    Për 3 vjet me radhë, nën sloganin, se duhet të mësoja në gjirin e klasës punëtore, m’u privua e drejta të kontaktoja me Ministrinë e Jashtme e për pasojë humba informacionin e koduar telegrafik nga ambasadat tona, kontaktet me shtypin e huaj, lajmet e përditshme, zhvillimet politike ndërkombëtare.

    Këto mundohesha t’i kompensoja sado pak jashtë kohës së punës në uzinë me ndjekjen e shtypit shqiptar dhe kanaleve të huaja radiofonike (ende nuk kisha një aparat televiziv në shtëpi).

    Si rrjedhim ndjeja edhe ulje të aftësive të mija profesionale. Vetë punëtorët e uzinës, njerëz shumë të mirë e të dashur, me qëndronin pranë, më donin e më respektonin dhe po aq më ndihmonin.

    Unë bëja çmos të mos isha parazit mbi punën e tyre të normuar. Punoja si shokët e brigadës mekanike me norma pune dhe sigurisht me një kategori të ulët në profesion.

    Realizoja të ardhura mjaft të ulëta financiare për të mbajtur një familje relativisht të varfër e të madhe. Punën e stazhit 3-vjeçar e mora me shpatulla që të siguroja karrierën time si ambasador, ndryshe kurrë nuk do te kisha mundur të bëhesha titullar i një ambasade jashtë vendit.

    Edhe vetë punëtoret e uzinës nuk e kuptonin dot përse duhej bërë një stazh i tillë nga unë, sidomos kur me kalimin e kohës tregova se jam punëtor, i ndershëm dhe mjaft i lidhur me popullin dhe hallet e tij. Disa prej tyre shprehnin hapur dhe me habi pyetjen;

    “Çfarë fitonte shteti dhe populli nga një praktike e tillë kur humbej një diplomat i kualifikuar dhe “fitohej” një punëtor i pakualifikuar?!” Po ju tregoj një ngjarje lidhur me punëtorët e thjeshtë të ish-uzinës “Enver”.

    Atë ditë “të nxehtë” të vitit ’91, të protestave masive, kur pjesëmarrësit po drejtoheshin nga sheshi për përmbysjen e monumentit të Enver Hoxhës, një grup demonstruesish u turr drejt meje kur unë po kapërceja bulevardin aty ku ishin shtatoret e Leninit dhe Stalinit, me thirrjet “ambasadori i Enver Hoxhës!”,

    “Këlyshi i Nexhmije Hoxhës!”, “Shërbëtori i Ramiz Alisë” (duhet përmendur këtu se unë para pak kohësh isha parë në publik dhe në lajmet televizive duke përcjellë vizitën e ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Perez de Kuelar në Tiranë dhe takimet e tij me ish presidentin Alia).

    Një djalosh i gjatë e i bëshëm nga ata punëtorët e uzinës u doli përpara dhe i ndaloi duke thirrur: “Lëreni more djema atë, ai është zotni burrë, garip, ka bërë normën me ne në uzinë për gjithë ato vjet! Lëreni se nuk kemi punë me të se jemi nis për atë punën e madhe!” (E kishte fjalën për rrëzimin e përmendores së Enverit). Kuptova se me ishte dashur vërtete ai stazhi në prodhim me ata njerëz të dashur e miqësorë!

    Kundërshtia e grekëve dhe serbëve

    Bashkim Pitarka thotë se edhe pse e mirëpritur nga shqiptarët, vizita e shefit të OKB-së shihej negativisht nga fqinjët: “Nga qeveritë e Athinës dhe Beogradit, si dhe e lobeve serbe e greke, në SHBA u zhvillua një veprimtari e gjerë diplomatike e propagandistike për të siluruar vizitën e De Kuelarit në Shqipëri.

    Për ta ishte e papranueshme që t’i hiqej izolimi ndërkombëtar Shqipërisë, ndonëse Shqipëria me të drejtë akuzohej edhe për vetëizolim, gjë që në fakt për atë periudhë ishte e vërtetë.

    Nga ana e misioneve të lartpërmendura dhe të lobit serb në mënyrë të veçantë por dhe në bashkëpunim me atë grek, i bëhej shpesh herë thirrje sekretariatit të Kombeve të Bashkuara dhe direkt Sekretarit të Përgjithshëm z. Perez De Kuelar, për të shmangur bërjen e një hapi të tillë miqësor ndaj Shqipërisë, për sa kohë që: “ky vend do të mbetet vendi më antifetar dhe vendi ku shkeleshin më së tepërmi të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha të minoritetit grek, serb, maqedonas, etj, që jetonin në Shqipëri”.

    Uilliam Dreiper III, amerikani i parë në Tiranë

    Shqiptarët u habitën kur panë një fytyrë amerikani në Televizionin Shqiptar. Që nga viti 1946 kur u prenë marrëdhëniet diplomatike, ata ishin harruar krejt.

    “Dy ditë para ardhjes së De Kuelarit në Shqipëri, Ministria e Punëve të Jashtme pati në vizitë dhe bisedime në vendin tonë Administratorin i PNUD-it, amerikanin Uilliam Dreiper III, i cili zhvilloi bisedime për forcimin e bashkëpunimit të PNUD (Organizata e OKB-se për Zhvillim) me vendit tonë, firmosjen e marrëveshjes për ndihmat dhe fondin e PNUD-it për Shqipërinë dhe inaugurimin e selisë së PNUD-it në Tiranë.

    Theksoj se zoti Uililam Dreiper III ishte zyrtari i parë me shtetësi amerikane që vizitonte Shqipërinë pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike”, thotë ambasadori Pitarka.

    Ftesa për vizitë

    “Duhet të kujtojmë se z. Perez de Kuelar, si një mik i mirë dhe i vjetër i vendit tonë, kurdoherë mbante marrëdhënie personale me të gjithë ambasadorët shqiptarë pranë Kombeve të Bashkuara, duke më përfshirë dhe mua.

    Ai priste shumë ngrohte në takime çdo kryetar të delegacionit qeveritar shqiptar që merrte pjesë në punimet e sesioneve të AP-së të OKB-së. Ai nxiste qeverinë tonë për rritjen e bashkëpunimit të Shqipërisë me OKBnë për përfitime financiare e teknologjike dhe ato në fushat e arsimit e kulturës si dhe të bujqësisë.

    Kështu në një nga takimet që pata me të në vitin 1989 unë i përcolla atij ftesën e Presidentit të Shqipërisë z. Ramiz Alia dhe të ministrit të Punëve të Jashtme z. Reiz Malile për të bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai e pranoi me shumë kënaqësi këtë ide, më falënderoi dhe më tha se në rastin më të parë do të planifikonte një vizitë në Shqipëri vitin e ardhshëm. Pra më 1990”.

    PD më hodhi në rrugë, Kofi Anan më futi në punë

    U jam mirënjohës ishministrave Nesti Nases dhe Reiz Maliles, të cilët më inkurajuan në punën time. Duke qenë se unë nuk u diplomova për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, madje nuk vazhdova as kursin e Diplomacisë, por vetëm dhashë provimet e fundit, puna u bë dhe shkolla ime e vërtetë.

    Ne të MPJ nuk na u lejua të punojmë e mbrojmë diploma për titujt pas universitar, sepse sipas drejtuesve të asaj ministrie duhet t’ia kushtonim gjithë kohës punëve të rëndësishme në ministri.

    Shumë studime dhe tema që përgatitnim për kurset e diplomacisë apo të kërkuara nga udhëheqja, mbeteshin në arshivë dhe nuk e gjenin rrugën e botimit apo vlerësimit si punime shkencore.

    Por, në fakt shkolla ime më e madhe e diplomacisë do të ishte pjesëmarrja me delegacionet qeveritare dhe në fund detyra si Ambasadori Shqiptar pranë OKB-së.

    Aty do të grumbulloja dhe përvojën e duhur për të qenë një diplomat i përgatitur karriere. Biblioteka madhështore “Dag Harmaskjold” në selinë e OKB-së ishte thesari që m’u hap për t’u ngritur nga niveli kulturor dhe profesional.

    Me vonë, në vitin 1992 kur unë dhe shumë kolegë të mi, kuadro të vjetër e të rinj të diplomacisë qeveria e re e Partisë Demokratike na hodhi në rrugë të madhe për gjoja “reformën” që do të behej në sistemin e diplomacisë.

    Unë mbeta i papunë dhe e papërdorur mbeti edhe gjithë përvoja, eksperienca dhe gjithë ato kontakte e lidhje që kisha vendosur me ish ambasadorë të vendeve të mëdha anëtare të OKB-se apo me funksionare të lartë të sekretariatit të OKB-së dhe organizatave të ndryshme përbërëse të OKB-së. Në qershor të vitit 1993, ish- zv/ Sekretari i Përgjithshëm i OKBsë.

    Kofi Anan, me ofroi një post të lartë pune në sekretariat e me vonë si i dërguar në misionet e ruajtjes së paqes në Kroacinë Lindore dhe Saharanë Perëndimore, ku punova për afro 11 vjet. Një gjendje e rëndë shëndetësore më çoi në sallat e operacioneve në një spital në Florida e që aty në statusin e një pensioni të parakohshëm nga OKB-ja, i cili nuk më siguronte një pension të mjaftueshëm, por simbolik.

    Shekulli

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Bashkim Pitarka: Amerikanët në Shqipëri pas 45 vjetësh

    Hebrenjtë mbrojtën shqiptarët nga lobet serbo-greke

    Hebrenjtë marrin në mbrojtje shqiptarët nga lobet serbe dhe greke në Amerikë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së vjen në Shqipëri, Ramiz Alia i kthen vizitën në Nju Jork
    Ambasadori Bashkim Pitarka, kujton ditët kur organizoi vizitat e hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore


    Leonard Veizi

    (vijon nga dje)

    Fillimisht administratori i PNUDit, Uiliam Dreiper, më pas Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Peres De Kuelar e më pas Nënë Tereza... Kaq u desh që mbas 30 vjetësh ngujim, Ramiz Alia të merrte avionin për të mbërritur në Nju Jork.Ish- Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, ambasadori Bashkim Pitarka, tregon:

    Në çfarë kushtesh do të zhvillohej vizita e De Kuelarit në Shqipëri?

    Kur punoja drejtor në Ministrinë e Jashtme në kolegjium të ministrisë, nëpër konsulta shpesh herë ishte ngritur çështja e një ftese, që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuar të vizitonte Shqipërinë. Në listën e programit të vizitave të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në shtetet anëtare, Shqipëria fillonte me shifrën “zero”.

    Siç ishte dhe ajo e përfaqësimit të shtetasve shqiptarë në personelin e sekretariatit të OKB-së, ku deri në vitin 1991 Shqipëria nuk përfaqësohej me asnjë funksionar të sekretariateve të sistemit të OKB-së në Nju Jork, Gjenevë apo shtete të tjera.

    Më kujtohet se ambasadori Abdi Baleta, që ishte përfaqësues i Shqipërisë në OKB gjatë viteve ‘70, kishte bërë shpesh herë objekt diskutimi bërjen e një ftese për Sekretarin e Përgjithshëm, për vizitë zyrtare në Shqipëri. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi deri në vitin 1989, kur kjo çështje u hodh në rend të ditës në Ministrinë e Jashtme.

    Unë si Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB e përsërita këtë kërkesë duke e paraqitur edhe si dëshirë të vetë Sekretarit të Përgjithshëm të asaj kohe, shkëlqesisë së tij Peres De Kuelar.

    Ju kujtoj se ai kish qenë Ambasadori i Perusë pranë OKB-së dhe bashke me zotin R. Malile, në atë kohë edhe ai ambasador pranë OKB-së, që të dy kishin zhvilluar bisedime e kishin vendosur marrëdhëniet diplomatike Peru-Shqipëri. Që nga ajo kohë ata mbetën dy miq shumë të afërt dhe zoti De Kuealar ishte bërë mik i vërtetë i Shqipërisë.

    Unë vetë e përdora këtë fakt si mbështetje të idesë për dërgimin e një ftese zyrtare për vizitën e tij në Shqipëri, që do të ishte e para vizitë e një Sekretari të Përgjithshëm të OKB-së në Shqipëri.

    Unë në veten time e mendoja ndryshe rëndësinë e kësaj vizite të këtij të dërguari të lartë të OKB-së dhe botës demokratike perëndimore që mund të influenconte pozitivisht në ndryshimet e mirëpritura demokratike në Shqipëri.

    Dhe ashtu ndodhi vërtet dhe u vërtetua me ngjarjet që rrodhën pas asaj vizite.

    Cili ishte roli juaj në këtë vizitë?

    Sigurisht mua dhe kolegëve të tjerë të misionit tonë pranë OKB-së na dilte një detyrë e madhe për përgatitjen e kësaj vizite. Ishte kënaqësi dhe një angazhim diplomatik tepër i rëndësishëm. Asnjë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së nuk e kish vizituar Shqipërinë, që nga viti 1955 vit kur ishim bërë anëtarë të saj.

    Më duhet t’u them se ishte vërtete një detyrë e vështirë. Pavarësisht nga predispozita miqësore dhe tepër pozitive e shkëlqesisë së tij z. Peres De Kuelar, për realizimin e kësaj vizite historike ne u ndeshëm në një bllok të fortë kundërshtar nga ana e misioneve të Jugosllavisë dhe Greqisë pranë OKB-së, si dhe në Komisionin e Gjenevës për të drejtat e njeriut. Për argument përdoreshin rastet e mosdhënies së vizës nobelistes së shquar Nënë Terezës.

    Për këtë çështje sidomos kur u shpall zyrtarisht koha e vizitës që do të bënte në Shqipëri, z. Peres De Kuelar, ishte ajo më intensivja për punën tonë, për të luftuar këtë veprimtari armiqësore, që siluronte këtë vizitë.

    Unë dhe kolegët e mi të misionit me takimet e shumta, me funksionarët e lartë të sekretariatit të OKB-së dhe me titullarë të misioneve të vendeve të mëdha perëndimore pranë OKB-së, me kronikat tona të shtypit që shpërndaheshin pranë OKBsë, u përpoqëm t’i kundërviheshim përpjekjeve siluruese për anulimin e kësaj vizite dhe të jepnim një tablo tjetër në ndryshim të gjendjes në Shqipëri.

    Sa u ndikua Sekretari i Përgjithshëm nga këto dy lobe?

    Më kujtohet se në dy takime të mia me zotin De Kuelar në fillim të vitit 1990, kur unë i ngrita këto çështje ai më siguroi se OKB-ja dhe sekretariati i saj është i të gjithë anëtarëve, pra edhe i Shqipërisë, por kërkoi nga ne që të përgatiteshim edhe për diskutime mbi çështjet e të drejtave të njeriut e të fesë, të cilat të zhvilluara me një mik i Shqipërisë siç ishte ai do te kishin një konotacion e predispozite tepër miqësore e pozitive.

    Por, e vërteta është se arma më e fortë për ta luftuar këtë veprimtari antishqiptare doli puna e jonë me lobin jaudit në Nju Jork dhe gjetkë në Shtetet e Bashkuara, si dhe e patriotëve shqiptarë të organizatës “Shqipëria e Lirë” me në krye të paharrueshmin, patriotin e madh nolist, të ndjerin Antoni Athanas, sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Patriotike “Shqipëria e Lirë”, të ndjerin zotin Dhimitër Trebicka dhe kryetarin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare me qendër në Boston, At Arthur Liolin, të cilët bashke me disa miq e kontakte tona nga komuniteti jaudito-amerikan në Nju Jork bënë një punë të palodhur me anëtarë të Kongresit amerikan, të departamentit të Shtetit të SHBA-së me lobin çifut etj, për të krijuar një frymë të re të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe theksonin se ardhja e De Kuelarit në Shqipëri do të nxiste e inkurajonte më tej ndryshime të reja demokratike në atdheun e tyre.

    Shënoj se këta patriotë të nderuar shqiptarë m’u ndodhën në krah, jo vetëm për këtë çështje, por edhe për veprimtarinë më të rëndësishme që më ishte ngarkuar, negocimi i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Departamentin e Shtetit të SHBA- së.

    Dhe në fakt, fillimi i kontakteve e bisedimeve zyrtare të delegacionit shqiptar të kryesuar nga unë dhe me pjesëmarrjen e këshilltarit të misionit shqiptar pranë OKB-së z. Genc Mlloja, ishte faktori më i rëndësishëm që bëri të mundur përfundimisht vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Shqipëri.

    Ju me siguri si gazetar i shtypit shqiptar jeni në dijeni dhe i keni ndjekur me interes shkrimet dhe reagimet e shtypit ndërkombëtar lidhur me këto veprimtari politiko-diplomatike të Shqipërisë, sidomos të ardhjes së De Kuelar në vendin tonë dhe negociatave shqiptaro-amerikane për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe jeni edhe më nga afër në dijeni me reagimet e shtypit botëror për atë vizitë.

    Si konkluzion dua të theksoj se nuk ishte puna jonë e misionit apo diplomacisë shqiptare në përgjithësi që determinonte, por ishte ai zhvillim politiko- diplomatik, i cili u bë dora që i hoqi gurin e fundit murit që po ngrinin armiqtë e Shqipërisë, jo vetëm për silurimin e vizitës së zotit De Kuelar, por dhe hapjen nga izolimi ndërkombëtar të vendit tonë.

    De Kuelari çfarë i tha Ramiz Alisë

    “Në maj të 1990 si përfaqësues i përhershëm pranë OKB-së m’u desh të gjendesha në Tiranë për të pritur vizitorin tepër të nderuar dhe “boss”-in tim të OKB-së Sekretarin e Përgjithshëm të saj zotin Peres De Kuelar.

    Kjo vizitë e rëndësishme ndërpreu (me mirëkuptimin e plotë të Departamentit të Shtetit Amerikan) negociatat me Departamentin për t’i dhënë dorën e fundit marrëveshjes dypalëshe së mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, e cila ishte sigluar në Uashington nga unë dhe ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, zotit Kramer.

    Me ambasadorin Kramer, i cili ishte kryenegociator i palës amerikane, si dhe me përfaqësuesin e tyre të përhershëm pranë OKB-së ambasadorin Pikering, ramë dakord që mbas një jave të qëndrimit tim në Tiranë për vizitën e De Kuelarit, të takoheshim për përfundimin e nënshkrimin e marrëveshjes.

    S’dua të hyj në detaje për programin e vizitës në Tiranë, por zoti Peres de Kuelar u prit me nderime në vendin tonë dhe zhvilloi bisedime të rëndësishme me Presidentin e atëkohshëm zotin Ramiz Alia, sigurisht, me mikun e tij të ngushtë ministrin Reiz Malile dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit tonë.

    Dua të theksoj se në takimet e rëndësishme të zotit De Kuelar me presidentin Alia dhe ministrin e Punëve të Jashtme, R. Malile, ai bisedoi hapur dhe çiltër për shumë probleme të rëndësishme ndërkombëtare duke u ndalur në mënyrë të veçantë për proceset demokratike dhe liritë themelore të njeriut, për bashkëpunimin e Shqipërisë me OKB-në në planet e zhvillimit ekonomik, social-arsimor e kulturor, për të drejtat e gruas dhe të fëmijëve etj.

    Ndër të tjera ai e këshilloi presidentin Ramiz Alia që në çeljen dhe hapat e Shqipërisë drejt vendosjes së një demokracie të vërtetë të një shteti shumëpartiak, të bëhej kujdes dhe të mos nxitohej, sepse siç tha ai Shqipëria është si vendet e ulëta, të cilat duke qenë nën nivelin e detit u duhej më parë të ngrinin digat që të mos përmbyteshin.

    Dhe demokracia është një det i madh, që po nuk more masa të mësosh not dhe të ngresh digat, që janë institucionet demokratike, - theksoi ai, - të përmbytin dhe do të ishte e vështirë të ruhej rendi, qetësia, liria dhe demokracia.

    Ramiz Alia si me të qeshur i tha: “Më përmendët që keni shumë nipër e mbesa, unë kam vetëm një dhe sapo ka filluar të hedhë hapat e parë se është motake, por askush nuk e nxit dhe nuk e shtyn të eci me vrap, se po të rrëzohet një herë do të ketë frikë të eci me hapat e veta. Kështu është dhe çështja e ndryshimeve demokratike në Shqipëri ”.

    Ramiz Alia zbret në Nju Jork

    “Çështja e një vizite të Ramiz Alisë në Nju Jork për të marrë pjesë në një sesion të AP të OKBsë ishte diskutuar pak kohë më parë edhe në Byronë Politike, por nuk ishte vendosur përfundimisht.

    Kjo shtrohej si një hap politikodiplomatik i vendit tonë për hapjen dhe zbutjen e izolimit ndërkombëtar si dhe për të përfunduar çështjen e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike edhe me SHBA, sepse ndër kohë ato me BS ishin rivendosur.

    Ramiz Alia më ngarkoi mua personalisht dhe misionin tonë pranë Kombeve të Bashkuara, të merreshim seriozisht gjatë gjithë verës me përgatitjen e pjesëmarrjes së tij, në këtë samit, të takimeve të tij me sa më shumë presidentë e kryetarë shtetesh dhe në mënyrë të veçantë të kërkoja një takim qoftë edhe të shkurtër me presidentin e atëhershëm zotin Xhorxh Bush, plakun”.

    Amerika mban inat me Shqipërinë

    “Përgatitja e vizitës, sigurisht, bashkë me negociatat me Departamentin e Shtetit ishin një nga detyrat e mia më të rëndësishme të aktivitetit tim diplomatik.

    Kjo do të ishte e para herë që një president shqiptar të merrte pjesë në një sesion të jashtëzakonshëm, apo qoftë dhe të zakonshëm të OKB-së.

    Unë, kolegu im, këshilltari i misionit tonë, Genc Mlloja dhe anëtarët e tjerë të misionit i hymë një veprimtarie e pune të palodhshme për suksesin e kësaj vizite në OKB dhe gjithashtu pranë komuniteteve patriotike shqiptare në rajonin e Nju Jork- Nju Xhersi dhe Konektikat, si dhe në mënyrë të veçantë pranë komunitetit të vjetër patriot të Bostonit.

    Po ashtu, imagjinoni se sa punë duhej të organizonim takimet e tij me sa më shumë kryetarë shtetesh dhe sa takime m’u deshën të marr me përfaqësues të përhershëm të shteteve anëtare në një liste të gjatë, presidentët dhe kryeministrat e të cilëve, zoti Alia donte t’i takonte.

    Por, natyrisht më e madhja e të mëdhave dhe më e vështira do të ishte ajo, takimi me Presidentin amerikan, Xhorxh Bush. Amerikaneve s’u kishte ikur “inati” që pala jonë e shtyu procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes dypalëshe të Mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe”.

    Byroja nguron të hapet me Perëndimin

    “Është fakt se kishte qenë vërtetë pala jonë që e kish shtyre datën e nënshkrimit, e cila ishte rënë dakord të ishte aty nga mesi i muajit maj 1990, menjëherë pas kthimit tim në Nju Jork mbas përfundimit të vizitës se De Kuelarit në vendin tonë.

    Me pas pala jonë ndërmori veprime për ta rifilluar e përfunduar atë proces, por pala amerikane nuk ishte më dakord dhe zyrtarët e Departamentit më thoshin: “Ka kohë e s’kemi pse të nxitohemi”.

    Ky ishte një qëndrim zyrtar i DSHA si kundërpërgjigje e vonesës sonë, që brenda qarqeve drejtuese të Byrosë së KQ shpjegohej me gjoja nevojën e ruajtjes së një ekuidistance me dy superfuqitë e rivendosja e marrëdhënieve të bëhej e njëkohshme me të dy këto shtete. Sigurisht pala amerikane kishte mbajtur shënim me pakënaqësi për këtë të ashtuquajtur “ekuidistancë”.

    Më vonë, në një takim të rastit, Ambasadori i SHBA pranë OKB-së. Pikering, kur unë i ngrita nevojën e caktimit të një date për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse si me të qeshur më tha:

    “Unë e kuptoj zoti Ambasador se kjo është dëshira juaj e ligjshme, por le të presim, na pret puna. Kur pritem 47 vjet për këto marrëdhënie le të kalojnë edhe 47 javë të tjera!”

    Kuptohej ideja e kësaj shprehje: ata prisnin ndryshimet, rënien e qeverisë komuniste dhe vendosjen e marrëdhënieve t’ia linin një qeverie të re demokratike shqiptare, siç ndodhi në të vërtetë më vonë, me 15 Mars 1991”.

    Shekulli

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •