ISHP: Internetin e përdorin 55 për qind e shqiptarëve

Nga: OLA MITRE


ISHP: Internetin e përdorin 55 për qind e shqiptarëveTIRANE - Rreth 55 për qind e qytetarëve shqiptarë përdorin internetin apo kanë akses në botën virtuale. Shifra i përket studimit "Zhvillimi i fëmijëve dhe përdorimi i internetit", realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Ai hedh dritë mbi trendin e zhvillimit të botës online në vendin tonë për 13 vitet e fundit, ndërsa ajo që bie në sy nga grafiku është tendenca gjithmonë e në rritje e këtij treguesi. Kështu, në vitin 2000 vetëm 0.11 për qind e popullsisë përdornin internetin, ndërsa shifrat janë tejet të ulëta edhe në vitet 2001, 2002, 2003 apo 2004. Të dhënat më domethënëse fillojnë të regjistrohen pas vitit 2006, ndonëse mbeten sërish në nivele jo shumë të larta. Ndërkaq, në vitin 2008 treguesi i përdorimit të internetit në vendin tonë kap shifrën e rreth 23%, ndërkohë që në 2009-ën kemi menjëherë një dyfishim të tij. Viti 2010 dhe 2011 paraqesin shifra të larta, ndonëse ritmi i rritjes së tyre fillon të bjerë. Ndërkohë që, deri më tani 2012-ta ka shënuar edhe numrin më të lartë të përdoruesve shqiptarë, me rreth 55% të popullsisë. Edhe autorët e studimit vlerësojnë se shifrat e përdorimit të internetit kanë qenë pothuajse të papërfillshme para viteve 2000, ndërsa theksojnë se aktualisht aksesi i adoleshentëve në botën online ka trend të njëjtë me atë global. "Përdorimi i internetit në Shqipëri filloi në fund të viteve 1990. Megjithatë, në Shqipëri ai ka pasur shpërndarje masive vetëm pas vitit 1997. Në fakt, përdorimi i internetit në Shqipëri nga adoleshentët nuk ka dallim në krahasim me trendin global që tregon për një rritje të numrit të shfrytëzuesve", vlerësojnë autorët.

Sfidat
Duke qenë se studimi është i fokusuar te pasojat që sjell interneti te fëmijët dhe adoleshentët, autorët sjellin edhe një panoramë mbi sfidat me të cilat duhet të përballet shoqëria jonë. "Në dekadën e parë të shekullit XXI është rritur brezi i parë që ka pasur akses të gjerë në internet, duke sjellë pasoja dhe shqetë-sime në fusha të tilla si: intimiteti personal, identitetit apo kopjimi dhe shpërndarja e materialeve. Në këtë kuadër, vendet dixhitale përballen me një shumëllojshmëri sfidash që nuk kanë qenë të pranishme në mesin e gjeneratave të mëparshme", -theksojnë autorët e studimit.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)