Kryeministri Edi Rama pranoi dje se ka marrë një letër nga Presidentit i SHBA-ve, Barak Obama, pas refuzimit të qeverisë shqiptare për të qenë pjesë e operacionit ndërkombëtar për shkatërrimin e armëve kimike siriane.
I ftuar në emisionin “Opinion”, me gazetarin Blendi Fevziu në TV Klan, Rama tha se qeveria është duke përgatitur disa reforma, siç është ajo e pensioneve.
Kreu i qeverisë i cilësoi miqësore marrëdhëniet e tij me Ben Blushin, ndërsa u shpreh i hapur të bashkëpunojë me PDIU-në e Shpëtim Idrizit.
A keni dështuar ju dhe a keni krijuar një problem me SHBA për armët kimike siriane?
Jo.
Përse nuk vutë në dijeni asnjë nga institucionet e rëndësishme të vendit, Presidentin, kryetarin e Kuvendit dhe të tjerë?
E kam vënë në dijeni kryetarin e Kuvendit, që në momentet e para të negociatave për këtë çështje.
Si shpjegohet që kryetari i Parlamentit doli kundër në ato momente?
Kryetari i Parlamentit nuk ka dalë kundër, por ka shprehur qëndrimin tim, që unë shprehja në bisedime me palën tjetër.
Vetë kryetari i Kuvendit ka thënë që nuk kishte detaje rreth bisedimeve?
Kryetari i Kuvendit ka qenë i informuar dhe kur flasim për detajet teknike, ishin pjesë e diskutimeve teknike.
Ishte një refuzim që erdhi nga protesta e qytetarëve apo një dështim në rakordimin me SHBA-të?
Nuk ka pasur asnjë ekuivok në atë që kam thënë. Vetmia e Shqipërisë në këtë operacion e bënte të pamundur Shqipërinë që të mbante këtë barrë. Dhe kjo ishte pika ku ne ishim në sintoni me protestuesit. Në pika të tjera ne nuk ishim në sintoni me protestuesit. Nëse kjo pikë do të ishte kapërcyer, vendimi do të ishte ndryshe.
Pavarësisht protestave?!
Sepse do të kishim tjetër rrugë dhe të tjera argumente për të shpjeguar dhe pa asnjë dyshim njerëzit do të kishin dy pamje dhe jo një pamje dhe do kishin kuptuar se nuk bëhej fjalë për një sulm të Asadit në Shqipëri.
A është e vërtetë që në sirtarët e tavolinës suaj gjendet e papublikuar një letër e Presidentit Barak Obama?
Unë nuk publikoj letra dhe foto për të bërë propagandë. Unë kam marrë një letër nga Presidenti i SHBA dhe nuk e kam parë të arsyeshme ta publikoj në ato momente kur letra do të lexohej si një përpjekje për t’i dhënë publikut një mesazh që publiku nuk e dëshironte.
Ku konsiston letra?
Letra është shumë normale, por unë nuk doja që në atë tollovi antiamerikanizmi, që u shfaq me forcën brutale të një opozite tërësisht të çakërdisur, të përfshihej letra e Presidentit të SHBA-ve.
Është rasti i parë kur KE propozon statusin dhe nuk e marrim atë. Ku i shihni problemet tuaja në këtë histori?
Qeveria ka vlerësimet më të larta dhe fakti që shtyrja nuk u bë nga dhjetori në dhjetor i takon punës së qeverisë.
Si ka mundësi që Kryeministri i një vendi si ju poston në Facebook fotot e homazheve në Varrezat e Dëshmorëve me portretin e Enver Hoxhës. Mendoni ndryshe sot për Enver Hoxhën?
Jemi ndryshe, sepse një pjese i ka mbetur në mendje Enver Hoxha dhe është pajtuar me enverizmin. Enverizmi nuk është fotoja e Enver Hoxhës, por enverizmi është mes nesh në anën tjetër, jo në anën tonë. Merruni me Enverin e gjallë, se ai tjetri ka vdekur. Fotoja e Enver Hoxhës nuk është vënë nga ne si dekor. Homazhet në Varrezat e Dëshmorëve janë të lira dhe nuk bëhen me polici që pengonte të hynin komunistët në varreza. Ne Partinë Komuniste e kemi parti legale dhe jo ilegale. Nëse dikush, me të cilin unë nuk ndaj të njëjtën pikëpamje, ngre foton e diktatorit, nuk është faji im.
Por ju e publikuat në Facebook?!
Po ju përsëris se ne nuk largojmë me polici njerëzit që duan të bëjnë homazhe. Në albumin e homazheve janë botuar të gjitha fotot.
Ka një ide që me rastin e 70-vjetorit të çlirimit mund të ngrihet busti i Enver Hoxhës?
Ngritja e busteve dhe shtatoreve si kërpudha në qytetet tona ka marrë fund në këtë vend pas 23 qershorit. Një komision për cilësinë e këtyre busteve do të ishte mirë të bëhej. Ne, 70-vjetorin e çlirimit do ta festojmë pa buste dhe do të jetë një festim krejt ndryshe nga ato që kemi parë deri tani.
Ju keni ngritur një sistem për blerjen e votave siç ishin zgjedhjet e Korçës, nuk duhet të kishit kërkuar ndjesë publike?
Ne i kemi fituar ato zgjedhje me një shumicë si asnjëherë më parë. Për këtë çështje, qoftë unë, qoftë kryetari i Kuvendit dhe të tjerët kemi kërkuar hetim. Ne besojmë plotësisht te qëndrimi që kanë shprehur ata që janë para Prokurorisë, një grup të rinjsh që kishin marrë përsipër të sillnin studentët nga jashtë Korçës dhe nuk është blerje vote, por rimbursim i biletës së udhëtimit të tyre, pjesë e një donacioni tërësisht transparent.
Në marrëveshjen që keni bërë me FMN, a parashikohet të rritet mosha e pensioneve vit pas viti, që do të thotë se në fund të mandatit tuaj katërvjeçar burrat do dalin në pension në moshën 67-vjeçare dhe gratë 65 vjeçe?
Nuk ka asgjë të tillë. Të gjitha çfarë thuhen janë spekulime. Ne kemi një situatë me pensionet që është tërësisht e papranueshme. E akumuluar vit pas viti nga qeveri dhe qeveritarë që s’kanë dashur të dinë se çfarë vinte pas tyre. Ndërkohë që ne nuk kemi ardhur në qeveri që të përsërisim këtë zakon. Sot sistemi ynë i pensioneve është i papërballueshëm. Në Europë raporti i kontribuuesve dhe përfituesve është 6-8 kontribuues me 1 përfitues. Në Shqipëri ky raport është 1.1 kontribuues me 1 përfitues. Janë 640 mijë të punësuar që kanë mbajtur me pensione 561 mijë pensionistë në 2013-n. Kjo nuk shkon dot më tutje. Dificiti i kësaj skeme shkon në 40 për qind.
Si rregullohet kjo?
Ne do të ndryshojmë raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve. Rritja e moshës së pensioneve është njëri opsion dhe nuk është opsioni i preferuar nga ne. Opsioni tjetër është heqja e tavanit, garantimi i një pensioni bazë mbi nivelin e varfërisë, ku të mos ketë pensionistë të varfër për bukën e gojës në fshat dhe në qytet. Dhe tjetra është liberalizimi i pensioneve, që do të thotë që ju që keni një rrogë goxha të arsyeshme mund të kontribuoni më shumë për pensionin dhe në fund të keni një pension më të lartë se të tjerët. E fundit që dua të them është se reforma e pensioneve, në çfarëdo forme që të jetë, do të afektojë ata që janë sot 40 vjeç e poshtë dhe jo ata që janë sot 60 vjeç e më shumë. Në të dyja opsionet, reforma do të shtrihet në kohë dhe do të jetë reformë për të shpëtuar vendin e gjeneratave të ardhshme.
Keni folur për reformë administrative, kjo reformë do të bëhet në Parlament apo e iniciuar nga qeveria? A do t’i njihni të drejtën e vetos të opozitës?
Kjo reformë do të bëhet patjetër, është vonuar pafundësisht ndër vite dhe i ka shkaktuar vendit një kosto shumë të larë. Shqipëria sot ka nivelin më të ulët dhe tërësisht të papranueshëm të administrimit të të ardhurave të veta dhe të cilësisë së shërbimit në të dy nivelet. Në nivelin vendor Shqipëria ka një numër të papranueshëm të njësive vendore, ku 100 prej tyre nuk prodhojnë asnjë të ardhur. Kjo shumicë e cilësuar për të cilën shqiptarët e votuan që të mos lënë dhe hapësira për alibi për të thënë nesër se këtë nuk e bëmë se nuk i kishim votat, ka detyrimin karshi popullit dhe gjeneratave të ardhshme për ta bërë këtë reformë. Dëshira jonë është për ta bërë këtë reformë bashkë me opozitën. Për këtë arsye qeveria është e përgatitur për këtë reformë, por qeveria nuk do të marrë flamurin e kësaj reforme. Parlamenti ka këtë detyrim, shumica parlamentare do ta marrë këtë detyrim dhe do të ftojnë opozitën në një komision bipartizan dhe me të drejtën e vetos, por e drejta e vetos nuk do të jetë një arsye për të mos e kryer këtë reformë.
Dua t’ju kujtoj se jeni me mandat të paligjshëm në krye të PS. Mandati juaj ka mbaruar në tetor 2013…
Në partitë politike që bazohen në parimin “Një anëtar, një votë”, kur kryetari i partisë bëhet Kryeministër, kur fitohen zgjedhjet, nuk ka më zgjedhje për kryetarin e partisë pas mbarimit të mandatit, por ka konfirmim të mandatit të tij.
Automatikisht?
Konfirmim përmes një metode që shkon përmes Kongresit, apo forumeve të tjera.
Cila do të jetë perspektiva në PS për një përfshirje në qeverisje të figurave të tilla si Blushi apo Majko?
S’ka nevojë për pyetje të tilla. Partia Socialiste e ka qeverinë e vet. 100 ditët kanë provuar se Partia Socialiste e ka qeverinë e vet të suksesshme dhe sinqerisht dhe realisht ajo që shihet në media është një pjesë shumë e vogël e punës së qeverisë. Pjesa më e madhe e punës sonë është e padukshme mediatikisht, sepse janë kantiere dhe reforma që do të hapen njëri pas tjetrit. Ne kemi gati kantierin e reformës për arsimin, atë në shëndetësi, territor, për legalizimet ku do të ndërhyjmë me ligj në Parlament. Këto kantiere do të prodhojnë ligje dhe projekte.
Si janë marrëdhëniet tuaja me Ben Blushin?
Nuk besoj se ka ndonjë gjë specifike, marrëdhëniet e mia janë më se normale, jemi miq.
A është kjo një qeveri Rama-Meta? Ka një vendimmarrje që merret në konsultim mes jush?
Ky është një koalicion, që ka një forcë dhe dy parti. Unë nuk ndiej asnjë lloj problemi, përkundrazi, kur thuhet se ky është një koalicion me dy bashkëkryetarë, por janë dy liderë të këtij koalicioni. Ka një konsultim paraprak. Qeveria është një skuadër ku të gjithë ministrat koordinohen shumë mirë me mua, me Parlamentin. Kjo është kombëtarja e qendrës së majtë. Ndeshjen e 23 qershorit e fituam me rezultat të thellë.
A i keni premtuar zotit Meta postin e Presidentit?
Nuk funksionon kështu koalicioni ynë.
A do të ftohet PDIU t’i bashkohet koalicioni qeverisës në 2014?
A ka bisedime për këtë?
Ne jemi të hapur që të bashkohen me ne në Parlament dhe të votojnë reformat tona jo vetëm partitë e vogla, por dhe Partia Demokratike. Ne e mirëpresim bashkëpunimin e të gjitha forcave.
Ftesë në qeverisje pyeta, jo thjesht votim të ligjeve në Parlament?
Ky nuk është plani ynë, por ne jemi të hapur.
Panorama
Krijoni Kontakt