Konflikti për hotelin tek Uji i Ftohtë, vritet 32-vjeçari tri ditë pas “sqarimit” në polici
Në kërkim djali i pronarit të “Delfin”. Policia i shoqëroi 3 ditë më parë.
Konflikti i hershëm për godinën tek Uji i Ftohtë, 2 të tjerë plagosen.
Konflikti për prishjen e kontratës së qirasë së një hoteli në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë përfundoi me një të vrarë dhe dy të plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:40 para hotel e lokal “Delfini”. Sipas Policisë, viktima është 32-vjeçari Merdar Binjakaj, ndërsa dy të plagosurit janë kushërinjtë e tij, Klodian Binjakaj, 28 vjeç dhe Reshat Muskaj, 43 vjeç. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se janë duke mbledhur të dhënat, por paraprakisht kanë ndërtuar dinamikën dhe shkakun e ngjarjes, bazuar në dëshmitë e të shoqëruarve, disa prej të cilëve protagonistë të ngjarjes. Siç mësohet, i plagosuri Klodian Binjakaj kishte pasur për disa vite me qira hotelin “Delfini”, si dhe lokalin që ndodhej në katin e parë të godinës. Dyshohet se para dy vitesh pronari M. Nazëraj e ka prishur kontratën në mënyrë të njëanshme me Klodian Binjakaj, duke mos respektuar pikat e nënshkruara nga të dy palët. Sipas të dhënave nga të afërm të viktimave, në kontratë parashikohej dëmshpërblim në një shumë të caktuar, në rast të prishjes së saj. Në këto kushte, pala e dëmtuar i ka kërkuar pronarit të hotelit dëmshpërblimin për prishje të njëanshme të kontratës. Por Nazëraj nuk ka pranuar të paguante e, për pasojë, ata kanë pasur takime e debate të herëpashershme. Madje sipas burimeve, tri ditë më parë ata janë konfliktuar në ambientet e “Delfin”. Policia është sinjalizuar dhe, pasi mbërriti në vendin e ngjarjes, ka shoqëruar palët. Por pasi janë sqaruar, ata janë lënë të lirë pas disa orësh. Ditën e djeshme, Klodian Binjakaj bashkë me kushërinjtë e tij ka shkuar sërish në lokal për të kërkuar dëmshpërblimin. Por pronari i “Delfinit” nuk ka pranuar. Pas disa minutash debat mes palëve brenda lokalit, ku ka pasur sharje dhe fyerje, sherri është spostuar jashtë. Njëri prej të afërmve të pronarit ka qëlluar me levë hekuri në kokë e trup shtetasin Reshat Muskaj, duke e lënë atë të shtrirë në shesh pa ndjenja. Në këtë moment, viktima Merdar Binjakaj është futur për t’i ndarë. Kur situata ishte mjaft e tensionuar për shkak edhe të përgjakjes së të plagosurit me levë, 30-vjeçari Kreshnik Nazëraj, i cili është djali i pronarit, ka hyrë brenda dhe ka marrë një armë automatike. Ai ka qëlluar me breshëri në drejtim të dy kushërinjve Binjakaj, duke i plagosur rëndë. Viktima ka marrë disa plumba në trup, por edhe në kokë. Ngjarja shkaktoi panik për shkak se ndodhi në aksin kryesor që lidh Vlorën me Sarandën. Persona që janë ndodhur në vend, morën menjëherë tre të plagosurit dhe i dërguan në spital. Por, me gjithë ndihmën e mjekëve, 32-vjeçari Merdar Binjakaj nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Situata ka qenë mjaft e tensionuar nga të afërmit e viktimave, të cilët mbërritën në spital, ndërsa policia shoqëroi disa prej tyre, të cilët dyshoheshin se kishin armë dhe mund të hakmerreshin. Policia është vënë në kërkim të autorit të krimit, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Blutë shoqëruan 12 persona në polici, mes të cilëve edhe pronarin e hotel “Delfin”. Ky i fundit, por edhe të afërm të viktimës e të të plagosurve mësohet se kanë deklaruar se shkak i konflikteve mes tyre, që kishin nisur dy vite më parë, ishte bërë kontrata e prishur për qiranë e kësaj ndërtese që ndodhet në zonën e bregdetit.
te dhena
Viktima
Merdar Binjakaj,
32 vjeç
Të plagosur
Klodian Binjakaj,
28 vjeç
Reshat Muskaj,
43 vjeç
Në kërkim
Kreshnik Nazëraj,
30 vjeç
TË AFERMIT
Policia ka shoqëruar 12 persona në cilësinë e dëshmitarit okular dhe të personave të përfshirë në ngjarje. Dje, situata në spital ka qenë mjaft e tensionuar pas reagimeve të të afërmve të viktimës dhe të të plagosurve. Blutë shoqëruan disa prej tyre, të cilët dyshohej se mund të zotëronin armë dhe kishin plan hakmarrjen
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Panorama
Krijoni Kontakt