LSI vë në provë qeverinë, propozon taksë 10% pë fasonët
Blerina Hoxha
Një propozim i LSI për të lënë tatimin mbi fitimin 10 për qind në ndërmarrjet fason (prodhuesit e LSI-PETRI-VASILIveshjeve dhe këpucëve) ka zënë në befasi qeverinë dhe përfaqësuesit e maxhorancës. Pasi ka gati dy javë që paketa fiskale ka shkuar në Kuvend madje ka marrë miratimin në parim edhe në Parlament, por vetëm dje LSI ka propozuar përjashtimin nga rritja tatimit mbi fitimin për fasonët.
Propozimet
LSI kërkon që tatim fitimi mbi fasonët të mbetët 10 % dhe jo 15 % siç është vendosur në paketën fiskale. Mbetet për të parë nëse LSI do të votojë këtë nen të paketës fiskale, nëse qeveria nuk merr në konsideratë kërkesën e saj. Një propozim të ngjashëm pati ndaj ministrisë së Financave edhe deputeti i PS kryetar i Komisionit të Ekonomisë Erion Brace, i cili kërkoi që tatim-fitimi në këto biznese të jetë zero, por më kushtin që të ri investohet brenda Shqipërisë. “Nëse ju nuk mund të merrni parasysh në këtë moment këtë kërkesë për shkak të diskutimit të brendshëm dhe me FMN-në, do të preferoja që më mirë të diskutonim për një moment të dytë për të marrë në konsideratë propozimin”, deklaroi Braçe. Por, zëvendësministri i Financave, Ervin Mete tha se, për momentin nuk mund ta mbështesin këtë propozim edhe për faktin se ka një efekt të konsiderueshëm në buxhet. Pas debateve, Dashamir Shehu ka propozuar një skemë ku kërkon që tatim-fitimi për fasonistët të shkojë në 7.5 %, njëlloj sa biznesi i vogël. Përfaqësuesit e qeverisë kanë pohuar se, do të shqyrtojnë këtë propozim ditën e nesërme për të dhëne një përgjigje të shtunën në mëngjes para se, paketa fiskale dhe projektbuxheti të miratohen nen për nen. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, tha se veç tatimit mbi fitimin për fasonët LSI kërkon që 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si fond shtesë në Ministrinë e Shëndetësisë. LSI propozoi që kontrollet mjekësore falas një herë në vit të zgjerohen deri në moshën 65-vjeçare.
Ndryshimet
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë gjatë diskutimit nen për nën të paktës fiskale ka bërë disa ndryshime. Komisioni vendosi të mbajë në të njëjtin nivel taksën e banesave para vitit 1993, pasi në paktën fiskale ishte parashikuar dyfishim i saj, për të cilin ka rënë dakord edhe maxhoranca. Ndryshime të tjera të kësaj pakete janë ngritja e fashës së akcizës për prodhuesit e birrës nga 200 mijë hektolitër në 310 mijë hektolitër, dhe fasha e dytë në 710 mijë hektolitër. Diferencimi i TVSH për hidrokarburet do të aplikohet vetëm për fazën e kërkimit dhe jo të zhvillimit të projekteve. Gjithashtu u vendos akciza me 50 lek për litër për pijet energjike. Edhe pse me debate mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, masa e kontributit të sigurimeve shëndetësore u vendos të jetë 3.4 % për të vete punësuarit, si në fshat edhe qytet, që sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, diferencimi do të behet në bazë të pagës minimale. Ndërsa në lidhje më TVSH për barnat në masën 10 %, zëvendësministre e Shëndetësisë, Milva ikonomi, tha se fondet e çliruara do të shkojnë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Por, ndryshimet që iu bënë paketës së ligjeve pritet të kenë një efekt në buxhetin e shtetit, çka sipas deputetes Albana Vokshi, duhet të ndryshojë përsëri buxheti i miratuar vetëm 2 ditë më parë nga Kuvendi. Komisioni diskutoi edhe për rritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, si dhe heqjen e tavanit prej 10 % të taksës së përkohshme që vendos pushteti vendor për biznesin e vogël. Paketa fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm ka një efekt financiar të parallogaritur në vlerën e rreth 20 miliardë lekëve. Komisioni i Ekonomisë do të miratojë të premten projektbuxhetin dhe paketën fiskale nen për nen për të kaluar të shtunën për miratim në seancë plenare.
Lehtësirat ndaj fasonit, në qendër të fushatës së LSI
Lehtësirat fiskale ndaj biznesit fason kanë qenë në themel të fushatës elektorale të LSI në zgjedhjet e qershorit. Duke qenë se, punësimi ishte qendra e programit të Lëvizjes Socialiste për integrim, takimet e kryetarit, ilir Meta me përfaqësues të këtyre bizneseve kanë qenë të shpeshta. Ai gjatë fushatës ka bërë takime në të gjithë vendin me bizneset e fasonit ku pat premtuar mbështetje me kredi të buta dhe grante. Në vijim të takimeve elektorale Meta pat theksuar se, është e rëndësishme të mbështetja ndaj biznesit fason. “Është tepër pozitiv fakti që 85% e biznesit fason në vendin tonë u takon kompanive shqiptare që do të thotë se, fitimet e këtij aktiviteti mbeten në Shqipëri dhe ri investohen këtu. Është në interesin tonë që të zgjerohet më tej aktiviteti i këtij biznesi dhe i çdo biznesi që hap vende të reja pune, në mënyrë të veçantë” është shprehur Meta në një fabrikë në qytetin e Beratit.
Fasonistët: Propozimi i LSI na mbron nga konkurrenca
Menjëherë pas propozimit të LSI ka reaguar Dhoma e Fasonistëve Shqiptarë. Gjergj Gjika kryetar i kësaj Dhome tha se, propozimi i LSI për lënien e Tatimit mbi Fitimin 10% mbështet nga industria fason.” Ky akt politik i LSI mbështetet fuqishëm nga tërë industria fason dhe përshëndetet si një nismë ligjore reale dhe plotësisht në përkrahje të biznesit më të prekur nga kriza evropianë e me konkurruesi në rajonin tonë” thuhet në deklaratën e fasonistëve. Sipas tyre biznesi fason, numëron rreth 500 ndërmarrje, të mesme e të vogla, me rreth 100.000 të punësuar, nga shtresat me vulnerable të shoqërisë është biznesi me riskun më të lartë të konkurrueshmërisë, sidomos në ditët e sotme që alternativat e parajsave fiskale kanë arritur edhe në vendet Ballkanike. Kompanitë fasoniste shqiptare mbetën konkuruese të forta në tregun Ballkanik, si konkurruesi direkt në Europë. “Ne si Dhome fasoniste, kemi qenë në dialog të vazhdueshëm e konstruktiv me maxhorancën aktuale e cila me veprimin e fundit tregoi se dëgjoi zerin e argumentuar të biznesit” thuhet në reagimin e Dhomës së Fasonistëve. Ata vlerësojnë se akti i grupit parlamentar të LSI është në vijim të premtimeve të mbajtura nga LSI dhe kryetari i saj ilir Meta.
MAPO
Krijoni Kontakt