Shkëmbim zjarri me policinë, pranga grupit prej 10 trafikantësh

Dashamir Biçaku

Policia është gjendur nën breshërinë e armëve të një grupi trafikantësh, por operacioni ka përfunduar policia-aksioni_108_0me 10 të arrestuar. Grupi i trafikantëve nga Kavaja akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe shitje armësh, por policia tha se mes tyre ka edhe të dyshuar për krime të tjera. Personat shkëmbyen zjarr me policinë në momentin kur këta të fundit mbërritën në një banesë në fshatin Hajdaraj të Kavajës. Forcat e rendit janë pritur me breshëri plumbash, ndërsa brenda disa orësh kanë përfunduar në pranga të gjithë të dyshuarit. Më pas, ata janë kthyer sërish në vendin e krimit për t’u vënë prangat 10 të akuzuarve për krime të rënda. Policia kishte marrë informacione se në një banesë në fshatin Hajdaraj zhvillohej një aktivitet që kishte qëllim trafikimin e armëve dhe drogës. Bëhej fjalë për shtëpinë e Arbes Kotorrit, vend ky i rrethuar mbrëmjen e 16 dhjetorit. “Policia gjeti lëndë narkotike në këtë shtëpi, por asnjë person. Në momentin që efektivët kanë dalë në oborrin e shtëpisë, u është zënë pritë nga disa persona, me të cilët ka pasur shkëmbim zjarri. Menjëherë pas kësaj situate është njoftuar komisariati i policisë së Kavajës, ndërsa në drejtim të adresës së dyshuar janë dërguar edhe efektivë nga Tirana si dhe nga Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë. Pas ndërhyrjes së forcave të policisë të ardhura edhe nga kryeqyteti, blutë mundën të arrestonin dy nga personat e dyshuar që ndodheshin aty, Skerdilajd Gjonin dhe Taulant Hasën. Ndërkaq nisi hetimi duke verifikuar informacionet dhe të dhënat mbi personat e mundshëm të përfshirë në këtë situatë. Në vendin ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit, policia kreu këqyrjen, duke administruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja të qitura nga armë që besohet se mbaheshin nga agresorët si dhe nga efektivët e policisë. Dy ditë pas hetimit të ngjarjes policia identifikoi edhe tetë persona të përfshirë në këtë situatë, duke marrë nga prokuroria edhe urdhër-arrestet për ta. “Nga Komisariati i Policisë Kavajë, në kuadër të operacionit policor ‘Nata’ u bë e mundur kapja dhe më pas arrestimi i 8 shtetasve të dyshuar për konsumim të veprave penale të ‘prodhim dhe mbajtje pa leje të municioneve’, ‘kanosjes për shkak të detyrës’, ‘kultivim të lëndëve narkotike’, dhe ‘përkrahje të autorit të krimit”, – tha policia në një deklaratë zyrtare të saj, ndërsa renditi emrat e të arrestuarve nga policia lokale. Policia tha se kishte identifikuar si autor të shkëmbimit të zjarrit me efektivët e policisë Arbes Kotorrin, i cili ishte edhe personi që posedonte banesën që po kontrollonin efektivat blu. Gjatë kontrollit të banesës së Orion Peqinit, gjithashtu i arrestuar, janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi municionesh luftarake dhe një sasi lënde narkotike.

Të arrestuar

Elton Kaziu, 23 vjeç, banues në Kavajë, i dënuar më parë për vjedhje.

Shpëtim Habili, 21 vjeç, banues në Kavajë, i padënuar më parë,

Andris Habili, 25 vjeç, banues në Kavajë

Gerald Pezaku, i dënuar më parë për posedim lëndësh narkotike,

Nexhip Arapi, 27 vjeç, banues në Kavajë.

Pleurat Mustafa, i dënuar më parë për falsifikim të vlerave monetare.

Nazif Hallulli, 26 vjeç, banues në Kavajë,

Orion Mehmeti, 23 vjeç, i dënuar për kanosje

Skerdilaid Gjoni

Taulant Hasa


MAPO