Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,425
    Postimet në Bllog
    17

    Basha: PD, shtëpia e lirisë së shqiptarëve, e hapur për të rinjtë

    Basha: PD, shtëpia e lirisë së shqiptarëve, e hapur për të rinjtë

    LULZIM BASHA

    Dalëngadalë muaji nëntor u mbyll, ka nisur…dhjetori, dhe skenat e paharrueshme të protestave të nëntorit, që përfunduan me festën e fitores në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, sikur po zënë vend në atë pikë të ndërgjegjes që quhet kujtesë.
    Jeta politike dhe shoqërore i është kthyer rutinës. Debate në Kuvend, debate në media, arratisje të burgosurish nga një burg i sigurisë së lartë, aksidente në rrugë, pingpongu “e ka kush e ka”, shpërblimi i militantizmit me poste shtetërore, jeta shqiptare duket se vazhdon të përsërisë vetveten në të keqe dhe në të mirë…
    Në një masë është e kuptueshme sepse rutina ka qenë, është dhe do të jetë bashkudhëtare e jetës sonë dhe jo vetëm në këtë shoqëri, por në çdo shoqëri.
    Por në bindjen time asgjë nuk është më si më parë në Shqipëri, asgjë nuk mund të jetë siç ka qenë. Sepse ka ndodhur Nëntori i protestave rinore e mbarëqytetare, fund e krye të reja në mënyrën si u organizuan, në përmasat që morën, në stilin si u zhvilluan, në dekorin dhe atmosferën që krijuan, në nivelin e ri të vetëdijes demokratike e qytetare për forcën e bashkimit pa dallime politike rreth së mirës publike.

    * * *

    Të rinj e të reja, studentët dhe gjimnazistët, prindërit e tyre, të rinj apo jo në moshë, burrat dhe gratë e çdo moshe thirrën njëri-tjetrin nëpërmjet rrjeteve sociale dhe formave të tjera të komunikimit bashkëkohor, por edhe të komunikimit të zakonshëm. Nuk u pa kush duke shpërndarë derë më derë ftesa, thirrje; nuk u panë dhe nuk u dëgjuan gjëkundi duke buçitur rrugë më rrugë e lagje më lagje altoparlantët e vjetër të politikës; nuk pati zarfe dhe as shpërblime në shkëmbim të daljes në protesta. Njerëzit zbritën në rrugë dhe në sheshe me kushtrimin e një shqetësimi të përbashkët, qytetar dhe atdhetar, që kishte të bënte me dinjitetin, me të drejtën e gjithsecilit prej tyre dhe e gjithsecilit prej nesh, për të vendosur jo vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend, por edhe drejtpërsëdrejti për çështje të mëdha të demokracisë, sigurisë dhe mirëqenies.
    Jo frika, por para së gjithash zemërimi ndaj shpërfilljes, zemërimi ndaj mungesës së transparencës dhe monopolizimit të vendimmarrjes në duart e një njeriu apo një grushti njerëzish rreth tij e përhapi këtë kushtrim me shpejtësinë e dritës në çdo shtëpi, në çdo familje, në çdo mendje dhe zemër. Kishte ardhur koha, kishte ardhur dita që rinia shqiptare, qytetarët shqiptarë të merrnin në dorë sovranitetin duke i deklaruar një “Jo” të madhe arbitraritetit politik, duke rivendosur hierarkinë e forcave si në një demokraci të pjekur e solide; sovrani i pari, qytetarët të parët, ligji mbi arbitraritetin.
    Dhe ndodhi ajo që lartëson prej shekujsh çdo popull të lirë e të arrirë; rinia shqiptare rivendikoi dhe fitoi në sheshet e protestës sovranitetin, atë që rëndom i atribuohet pa doganë në fjalime demagogjike, por që i zhurmohet dhe i mohohet në forma të ndryshme në realitet. E arriti këtë me bashkim, me zemër, me dashuri, me pastërti, pa bori shurdhuese, pa tellallë të paguar, pa banera të mëdhenj, pa spote të kushtueshme, pa reklama marramendëse, pa gjithë këtë dekor gjigantesk që në fakt jo rrallë është pasqyra e korrupsionit dhe arrogancës politike; një botë e vjetër që e pa veten të mundej nga “jo”-të e shkruara me laps në faqet dhe në shuplakat e vajzave dhe djemve të Shqipërisë.

    * * *

    Gjithë bota e ndoqi me pasion protestën e rinisë shqiptare, që nuk e kishte parë më parë, e rinisë sonë të bukur, të bashkuar, moderne, demokratike, modeste, paqësore, të çiltër, shqiptare, europiane dhe amerikane.
    Kemi arsye të gjithë të ndihemi shumë të entuziazmuar dhe të inkurajuar me këtë premtim të Shqipërisë së re.
    Unë jam kryetari i ri i Partisë Demokratike në opozitë, parti e cila, siç e dini, ka lindur nga një Lëvizje Studentore që e nxori Shqipërinë nga izolimi gjysmëshekullor dhe e ktheu atë me fytyrë nga Perëndimi.
    Por nuk e kam dashur e kërkuar këtë takim e ballafaqim, as e kam pranuar këtë ftesë për të bërë politikën e partisë që drejtoj, as për të kërkuar analogji të sforcuara mes Dhjetorit të lavdishëm të vitit 1990 dhe nëntorit jo më pak të lavdishëm të vitit 2013.
    E kam dëshiruar këtë takim, këtë bashkëbisedim, së pari për t’ju shprehur ju, kolegëve juaj në këtë universitet dhe në të gjithë botën studentore shqiptare, por edhe rinisë jostudentore gjimnaziste, admirimin tim të pakufishëm për atë që jeni, për atë që bëtë, për atë që shënuat si arritje dhe si vlerë të jashtëzakonshme për vendin, për kulturën e re demokratike, për të sotmen dhe të nesërmen.
    Së dyti, për të filluar së bashku, në partneritet dhe respekt të ndërsjellë, një bashkëbisedim të hapur dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm për një varg çështjesh madhore që lidhen me funksionimin dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri, me hapjen e një periudhe të re, të një demokracie të re në Shqipëri, që duhet të jetë e do të jetë ajo e Dinjitetit me “D” të madhe e çdo individi, si guri i themelit i një shoqërie të lirë.
    Lidhur me sa thashë pak më sipër, më lejoni të ndaj me ju se jam duke u përpjekur të lexoj në thellësi këtë zhvillim të madh historik në jetën e vendit dhe natyrisht të kuptoj më mirë detyrat e mia, detyrat e forcës politike që drejtoj, nevojën për një hapje të re, për një frymë të re, shumë më afër brezit të ri, shumë më afër mendimit të ri që karakterizon shoqërinë civile bashkëkohore, duke shtrirë e zgjeruar urat e komunikimit e bashkëpunimit të ngushtë me ta kudo ku ndodhen, ku mësoni, studioni, ëndërroni, punoni dhe krijoni.
    E di se çështja e armëve kimike që i hodhi njerëzit në protesta ishte një problem i madh. Por dua të abstragoj këtë moment që u zgjidh ashtu siç ishte vullneti juaj dhe i forcave të ndryshme që u rreshtuan në frontin e “Jo”-së.
    Dua të shoh në koncentratin që sollën në jetën shqiptare këto protesta, të cilat përhapën kudo një ndjeshmëri risie dhe shprese të madhe.
    Kthehem e rikthehem në bindjen se protestat e nëntorit janë nga ato ngjarjet që vënë një kufi të ri ndarës, para dhe pas tyre, domethënë para nëntorit 2013, kur qytetarët konsideroheshin pak ose aspak, dhe pas nëntorit 2013, kur qytetari nuk mund të mos pyetet, konsultohet e konsiderohet për të gjitha çështjet e mëdha dhe sidomos për vendime që nuk kanë qenë pjesë e programit elektoral të partisë në pushtet, pra nuk kanë marrë miratim me votë, pasi ka lindur përgjatë qeverisjes.
    Ngjan si një ëndërr e bukur, por e ardhmja e re gjithnjë e ka hapur rrugën përmes ëndrrave të mëdha. Të fitosh zgjedhjet nuk do të thotë të dalësh mbi popullin, të dalësh mbi ligjin, të jesh Zoti. Ky mesazh u dha, ky cak u vu, kjo kulturë fitoi. Një grumbull zakonesh e stereotipash të vjetër mbaruan kohën e tyre përballë frymës së re të brezit të ri.
    Protestat vendosën një stad të ri të pjekurisë së demokracisë, caktuan një drejtim të ri të zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri. Ka lindur dhe ekziston Shqipëria e re e demokracisë së re, më e avancuar se e djeshmja, pasi ka nxjerrë në qendër individin e lirë, njerëzit e lirë, të lidhur në vetëdijen e solidaritetit dhe forcës së bashkimit kundër çdo gjëje që është antidemokratike.

    * * *

    Kur Partia Demokratike vendosi të marrë anën e protestave, e dinim se dikush apo disa, pengje të kulturës së vjetër politike, do të nxitonin të na etiketonin si antiamerikanë, populistë, demagogë etj.
    Për shkak të historisë që kemi si forcë politike proamerikane, vendimi ynë do të proklamohej nga këta njerëz të paditur edhe si tradhti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi qenë të qetë e të kthjellët në vendimin që morëm, të bindur se vlerat për të cilat kishin nisur protestat, transparenca, konsultimi dhe llogaridhënia, janë vlera të një demokracie të rrënjosur e të përparuar, se nuk mund të ketë antiamerikanizëm me vlerat mbi të cilat është ngritur dhe ekziston ngrehina madhështore e demokracisë amerikane.
    Se të jesh sot proeuropian dhe proamerikan në Shqipëri do të thotë pikë së pari të luftosh për ato standarde që konsolidojnë demokracinë, për rrjedhim mirëqenien dhe dinjitetin e personit. Se nuk ka e nuk mund të ketë proamerikanë dhe proeuropianë më të spikatur se vetë qytetarët e lirë shqiptarë dhe në veçanti të rinjtë shqiptarë; atyre u duhet kjo, juve ju duhet kjo para politikanëve dhe më shumë se politikanëve.
    Po flasim këtu për konstituimin e një elementi, mund të themi mungues të demokracisë se re shqiptare përgjatë këtyre dy dekadave, që është pjesëmarrja politike, element bazë i mirëfunksionimit të shtetit demokratik. Qëllimi i pjesëmarrjes qytetare është të promovojë transparencën, të inkurajojë qeverisjen e mirë dhe të nxitë llogaridhënien. Kjo është një sfidë e madhe politike dhe kulturore që përcakton cilësinë e vërtetë të një demokracie.
    Duke shfaqur këtu mendimet e mia për thelbin e protestave dhe duke dashur të ndaj me ju dhe me gjithë përfaqësuesit e brezin e ri të Shqipërisë frymëzimet e reja të këtij zhvillimi të ri, jam i vetëdijshëm se kemi së bashku një detyrim; të mos lejojmë që kjo frymë e re, kjo valë e re jetëdhënëse e demokracisë sonë të molepset me frymën e vjetër, që nervi i saj të mpihet e të ngordhë në ingranazhet e kulturës dhe zakoneve të vjetra politike.
    Duhet ta ruajmë të pastër, të gjallë, të fuqishme si një vlerë të së ardhmes. Ta ruajmë jo si një relikte muzeu, as në shtatë kyçe si të Bukurën e Dheut, por duke e mbajtur në fushën e hapur të veprimtarisë së përditshme politike dhe shoqërore, duke e hedhur në betejat e tjera të mëdha, sekush nga pozitat e veta, opozita si opozitë, shoqëria civile si shoqëri civile, studentët si studentë, të gjithë për një qëllim, kundër arbitraritetit, që vazhdon të kërcënojë e do të vazhdojë të kërcënojë në forma të ndryshme demokracinë në Shqipëri.

    * * *

    Arbitrariteti politik, siç mund ta keni konstatuar edhe vetë, synon të zhbëjë e përmbysë disa prej standardeve nonsensuale në fushën e legjislacionit nëpërmjet krijimit të kuorumeve politike që nuk kanë dalë nga vota e lirë e juaja dhe e qytetarëve shqiptarë, por janë produkt i shitblerjes dhe pazareve në kulisa me mandate deputetësh.
    Shitblerja e votës dhe dhunimi i zgjedhjeve me paratë e pista të trafiqeve, korrupsionit dhe krimit të organizuar, legalizimi i dhunshëm i mediokritetit, paditurisë, injorancës, diplomave të blera dhe deri edhe i krimit në organet përfaqësuese dhe në drejtimin e shërbimeve publike; të gjitha këto janë gangrena që gërryejnë e kalbin themelet e çdo demokracie si dhe demokracisë në Shqipëri, janë burimi kryesor i së keqes në vendin tonë, janë thirrja e betejave të reja për ne të gjithë.

    * * *

    Mbyllja njëherë e përgjithmonë e kapitullit të zgjedhjeve të blera e të manipuluara, ngritja në këmbë njëherë e përgjithmonë e tempullit zgjedhjeve të lira e të ndershme sipas standardeve më të përparuara europiane, është kushti i kushteve për të bërë që të triumfojë vala e demokracisë së re që doli në pah e në sheshe në protestat e nëntorit.
    Personalisht kam qenë jo pak shpresëvrarë nga shitblerja e votës si fenomen, që u zbatua me sistem edhe në zgjedhjet e pjesshme lokale në Korçë disa ditë para se të shpërthenin protestat e nëntorit; jam ndier i lënduar si të gjithë ju besoj duke parë disa të rinj e të reja që paguheshin me 20 mijë lekë të vjetër për votën e hedhur. Por në këtë moment të zymtë për demokracinë, doli fuqishëm në skenë rinia ndryshe, rinia e së ardhmes, rinia e protestave të nëntorit, dhe historia ndryshoi. Shqipërisë i ndriti sërish fati pas 23 vitesh me rininë e saj të mrekullueshme.
    Sot jemi plot me shpresë e besim se bashkë më këtë rini, bashkë me ju do t’ia dalim të çlirojmë qeverisjen e çdo niveli nga arbitrariteti, të çlirojmë ligjin nga paligjshmëria, të çlirojmë zgjedhjet nga shitblerja e votës, të çlirojmë demokracinë nga tentakulat e mafies politike dhe ekonomike që synon ta marrë peng atë.

    * * *

    As krimi, as mafia, as paratë e pista, as dhuna, as korrupsioni politik asgjë nuk kanë të ardhme përballë forcës së rinisë, përballë dhe ëndrrës së njerëzve të lirë për një Shqipëri të lirë, të zhvilluar, demokratike, europiane.
    Nga ana ime dua t’ju garantoj ju dhe mbarë të rinjtë shqiptarë, se Partia Demokratike që drejtoj dhe opozita në tërësi do të jetë e përpiktë në detyrimet e saj në këto beteja të reja. Kush dëshiron të bëhet pjesë e Partisë Demokratike, e kësaj force politike në kuadrin e hapjes së fuqishme që do të nisim këto ditë, është i mirëpritur dhe shumë i respektuar prej nesh. Kush mendon t’i përmbushë si i pavarur apo në formacione të tjera politike këto angazhime qytetare, është gjithashtu shumë i respektuar prej nesh. E rëndësishme është të fitojmë të gjithë së bashku për Shqipërinë demokratike.

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,425
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Basha: PD, shtëpia e lirisë së shqiptarëve, e hapur për të rinjtë

    Skandali i armeve kimike, nuk ka hyre me vetem ne kujtesen e shqiptareve, ka hyre ne historine e popullit shqiptar. Protestat e veteorganizuara te shqiptareve ishin mbase rasti i pare ne keto 23 vjet pluralizem, kur shqiptaret si popull manifestuan hapur qytetarine e tyre. Dhe ishte mbase leksioni me i madh qe shqiptaret i dhane pushtetareve: kryeministrit te vendit qe kujtonte se mund te sillte helmet Siriane ne Shqiperi e ta mbante kete gje sekret e te fshehur nga shqiptaret, pa e diskutuar ne media, pa e diskutuar ne Kuvend, pa degjuar shqetesimet e qytetareve te vendit. Leksioni tjeter per kryeministrin e vendit: shqiptaret nuk jane aq "te rrenuar" e "analfabete" sa kujton ai, menyra se si ai iu drejtua shqiptareve gjate fushates zgjedhore. Ne ka nje njeri te rrenuar e analfabet, ai eshte kryeministri i vendit.

    Qendrimi i shoqerise shqiptare beri jehone edhe ne Washington. Per plot 20 vjet Washingtoni e ka perdorur Shqiperine si nje vend per te deportuar persona te padeshiruar qe nuk i strehon dot ne Amerike pasi opinioni publik amerikan nuk i toleron gjera te tilla. Rasti i ujgureve, rasti i muxhahedineve iraniane vijne ne mendje. Dhe Shqiperia pranoi qe ti strehoje pasi tek e fundit kishim te benim vetem me nje grup te vogel njerezish. Kerkesa per armet kimike ishte nje kerkese qe vuri ne medyshje sinqeritetin e miqesise se SHBA me Shqiperine. Ishte gabim i administrates amerikane qe te bente nje kerkese te tille Shqiperise dhe gabim i kryeministrit shqiptar qe te pranonte te behej pale e ketij projekti. Te dyja palet, anashkaluan shqetesimin e qytetareve te thjeshte shqiptare, dhe pane vetem interesat e tyre te ngushta politike.

    Ironia e fiaskos se armeve kimike ishte se:

    a) Edi Rama eshte kryeministri qe u premtoi shqiptareve qe vendimi i tij i pare si Kryeminister ishte prishja e vendimit te qeverise paraardhese per importimin dhe perpunimin e plehrave italiane! E beri kete gje, dhe 1 muaj me pas u solli shqiptareve helmet e armeve kimike siriane prej te cilave humben jeten qindra femije, burra e gra te pafajshem ne Siri!

    b) Ambasadori amerikan Arvizu, vetem pak jave me pare i dha nje cmim grupit ambientalist qe beri fushaten qytetare sensibilizuese per importin e plehrave. Motivacioni? Nje akt i larte qytetarie i shoqerise civile shqiptare! Dhe duke qene i vetedijshem per kete gje, duke e ditur sensibilitetin e shqiptareve ne lidhje me "plehrat italiane", Arvizu u be pale e pazareve e negociatave me qeverine shqiptare per sjelljen e tonelatave te armeve kimike ne Shqiperi.

    Basha me lart thote: PD do te jete ne krahun tuaj te dashur qytetare e te rinj ne mbrojtje te lirise dhe te drejtave tuaja!

    Ne aspektin politik, ajo qe fiaskoja e armeve kimike deshmoi hapur per ata qe kane sy e veshe, eshte ajo qe une kam thene ne kete forum muaj para se Rama te kurorezohej kryeminister. Nuk ka rendesi se sa mandate opozita ka ne Kuvend, nuk ka rendesi se sa e zonja opozita eshte qe t'i beje opozite pushtetit, edhe sikur opozita te mbylli gojen e te kthehet ne spektatore e Edi Rames, ky i fundit ka per ta veteshkaterruar mandatin e tij me injorancen e vete. Kemi te bejme me nje njeri qe nuk ka qeverisur ndonjehere nje familje ne jeten e tij, e jo me te qeverisi nje popull te tere. Nje njeri qe nuk ishte i zoti te krijonte konsensus e bashkepunim gjate 8 viteve qe ishte ne opozite, e jo me ta beje kete gje sot qe eshte ne pushtet. Dhe rasti i plehrave, u kujtoi edhe vete deputeteve te pozites, deputeteve socialiste, se sa kokegdhe e pandreqshem eshte njeriu qe ata i kane besuar qeverine. Kunder kryeministrit te vendit per armet kimike nuk u rebeluan vetem shqiptaret e thjeshte, jo vetem njerezit e opozites, por edhe deputetet socialiste e bashkepuntoret me te ngushte te Rames!

    Ne ka nje cilesi qe Rames nuk ia kalon njeri dhe qe e ka karakterizuar gjithe jeten e tij, eshte aftesia per te krijuar pakenaqesi e distance me njerezit ne jeten e tij, qe nga njerezit me te afert te familjes, e deri tek bashkepuntoret e tij politike. Dhe nje njeri qe nuk ka ndryshuar dot ne 50 vjetet qe mban mbi supe, nuk do te filloje te ndryshoje sot. Basha mjafton te vazhdoje te beje ate qe ka bere ne keto muaj, te denoncoje publikisht ne media dhe ne Gjykate te gjitha shkeljet e vendimeve te qeverise Rama. Dhe ky i fundit, ka per ta per ta diskretituar vete vetveten, si ne syte e shqiptareve te thjeshte, si ne syte e bashkepuntoreve te tij ne pozite, si ne syte e partnereve nderkombetare.

    Albo

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •