Postuar më parë nga
DYDRINAS
Skandal në Vlorë, sekuestro pallatit me leje e hipotekë
» Dërguar më: 04/11/2013 - 15:27
Enrik Mehmeti
Një pallat pesëkatësh në zonën e "Ujit të Ftohtë" në Vlorë, është sekuestruar dhe rrezikon të shembet, edhe pse është ndërtuar mbi bazën e një lejeje të rregullt ndërtimi, si dhe duke iu përmbajtur të gjitha parashikimeve ligjore. Dje, policia e Vlorës në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, rrethuan pallatin dhe kërkuan nga banorët t'u vënë në dispozicion të gjitha dokumentet që disponojnë, me qëllim për t'i shqyrtuar dhe vendosur për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen. Pallati është rrethuar me shiritin "Mos kalo" dhe përgjatë gjithë ditës, forcat e policisë nuk kanë lejuar asnjë banor të hyjë apo dalë prej tij. Duke iu referuar dokumenteve që disponon "GSH", leja e ndërtimit për pallatin tashmë të vënë nën sekuestro, është miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë Vlorë, me vendimin nr.5/6, datë 17.08.2010. Subjektit ndërtues Shoqëria "G.B-A Konstruksion" i është dhënë e drejta e ndërtimit të një godine shërbimi dhe banimi, ku i janë përcaktuar dhe detyrat që do të kryente përgjatë zbatimit të projektit. Subjekti ndërtues, është paralajmëruar se do t'i pezulloheshin punimet nëse do të shkelte ndonjë nga kushtet e lejes. Më 28.09.2010, leja e ndërtimit është firmosur nga kreu i KRRT-së, Shpëtim Gjika. Në leje, është përcaktuar gjithashtu dhe afati kohor i saj, konkretisht data 30.03.2013, afat të cilin subjekti ndërtues "G.B-A Konstruksion" e ka zbatuar, duke mos kryer asnjë shkelje ligjore.
Avokati i banorëve
Avokati Maksim Haxhia, i cili mbron interesat e banorëve, e konsideroi rrethimin e pallatit, si një veprim arbitrar me metoda anti-ligjore, anti-humane duke cilësuar se forcat e policisë dhe INUK po shkelin Kushtetutën, Aktet Ndërkombëtare, Kodin tonë Civil, dhe çdo normë, duke mos lejuar qytetarët e vendit të gëzojnë të drejtën e tyre themelore, të drejtën e gëzimit të pronës. Mbrojtësi ligjor, tha se personat që kanë rrethuar pallatin nuk kanë paraqitur asnjë dokument përmes të cilit të përligjin veprimin e tyre, ndaj paralajmëroi kallëzim penal ndaj tyre. "Sot (dje) në drekë, disa qytetarë të shqetësuar, banorë bashkëpronarë të objektit "Kompleksi Jon" në Vlorë, dhe pronarët e truallit, më kontaktuan dhe më kërkuan ndihmë juridike, pasi papritur u gjenden të rrethuar në banesat e tyre nga forca të policisë dhe të INUK. Forcat e Policisë dhe të INUK kanë bërë fillimisht matje të objektit, pastaj e kanë rrethuar atë, dhe banorët janë mbajtur forcërisht jashtë shtëpisë së tyre, pa asnjë shpjegim, pa asnjë arsye ligjore, pa asnjë akt", thotë avokati i njohur Maksim Haxhia duke theksuar se më parë u njoh me të gjithë dokumentacionin ligjor që disponojnë banorët. Sipas tij, pallati është ndërtuar me leje dhe hipotekuar, e në bazë të dokumenteve janë bërë edhe shitjet e apartamenteve. "Veprimi në fjalë është arbitrar, pasi nuk është shoqëruar me asnjë lloj dokumenti që të përligjë rrethimin e pallatit. "Pallati është ndërtuar mbi bazën e një lejeje, me bazën e të gjitha kërkesave të plota ligjore për dhënien e një lejeje, dhe është hipotekuar. Në përfundim janë realizuar dhe shitjet e 20 apartamenteve", - theksoi ai. Avokati Haxhia, paralajmëroi se do të ndjekë rrugën ligjore, deri në kallëzimin penal ndaj atyre që kanë bërë këtë rrethim arbitrar. "Ngjarja e djeshme e Vlorës është një lajm i keq për cdo qytetar të vendit, cënon sigurinë juridike dhe sigurinë e pronës për secilin shqiptar, krijon një precedent të rrezikshëm për shtetin ligjor dhe për të drejtat e njeriut. Për këtë arsye, ky aksion duhet ndalur menjëherë, ndaj kam vendosur të përfaqësoj në gjykatë bashkëpronarët dhe banorët e këtij objekti. Nesër në mëngjes, do t'i drejtohem gjykatës së Vlorës, i sigurtë se në këtë vend ka ende garanci që do të pengojnë arbitratitetin dhe anti-ligjin", vijon avokati. Sipas avokatit, ngjarja e djeshme e Vlorës është një lajm i keq për cdo qytetar të vendit, që cënon sigurinë juridike dhe sigurinë e pronës për secilin shqiptar, krijon një precedent të rrezikshëm për shtetin ligjor dhe për të drejtat e njeriut.
gazeta shqiptare
Krijoni Kontakt