Tapitë, 8200 të vrarë nga konfliktet për pronësinë

Ekonomi, Flash, Lajmi i Fundit e Dielë, 24 Nëntor, 2013 | 11:16 am

Kaosi me dokumentacionet dhe hartat e pronave ka çuar në vrasjen e 8200 personave gjatë 20 viteve të fundit.

Lajmi u bë i ditur dje, gjatë konferencës me temë “Pronësia, e shkuara, e tashmja, e ardhmja” organizuar nga Shoqata e Gjeodetëve. “Numërohen mbi 6000 procese gjyqësore për çështjet e pronës, rreth 8200 persona kanë humbur jetën po për këtë kauzë”, theksoi gjatë prezantimit të tij Bledi Stefa, kryetari i Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë. Sipas zv.ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Gjon Radovani, pa zgjidhur problemin e pronave nuk mund të zgjidhet asnjë problem tjetër, që ka të bejë me menaxhimin e territorit. “Është detyrë e shtetit të ketë një inventar të saktë të çdo prone për të ruajtur jetën e popullsisë. Ju siguroj edhe në emër të ministres se do të rregullojmë paketën legjislative, që ka të bëjë me dokumentimin e imobilarëve, me menaxhimin e territorit dhe, për të shkuar deri në fund, me një paketë të normativave të ndërtimit dhe të zhvillimit, të cilat i mungojnë këtij vendi”, theksoi Radovani. Kriza me pronat dhe sfida 23-vjeçare e saj është cilësuar e tillë edhe nga nënkryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Gjatë fjalës së tij, Toro vuri në dukje procesin e legalizimeve, nga zyra e të cilave ende nuk ka një hartë të dhënash. “Jemi një vend që pronën e zotëron ai që e zapton. Ky ka qenë lajtmotivi i historisë së pronave gjatë këtyre 20 viteve. Janë gati 500 mijë ndërtime pa leje, të cilëve u falet shkelja e ligjit, u falet prona dhe ku jemi me legalizimet, asgjëkundi. U bë 8 vjet që legalizimi ka bazën e vet ligjore, por përfundimi i këtij procesi akoma nuk duket”, tha Toro. Aktualisht Agjencia e Legalizimeve dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme procedojnë me harta të ndryshme. Kjo mospërputhje nuk çon në zgjidhje, por i përplas qytetarët nëpër dyert e gjykatave. Pasojat e kësaj gangrene rëndojnë edhe në ekonominë e vendit. “Çështja e pronësisë lidhet jo vetëm me zhvillimin ekonomik të familjeve, por edhe të vendit. Në qoftë se ne kemi një titull të sigurt pronësie, kjo bën që investimet e huaja të vijnë të sigurta në vendin tonë, gjë e cila po të dëgjojmë bankën amerikane, thotë që investitori nuk ka siguri sa i përket titullit të pronësisë në Shqipëri, çka bën që investimet të stopohen”, u shpreh drejtoresha juridike e ZRPP, Merita Qato. Përballë kësaj situate u theksua domosdoshmëria e rishikimit dhe ndryshimit të kuadrit ligjor. Inventarizimi i pronave, krijimi i një database dhe vënia në dispozicion e tij për të gjitha institucionet, si edhe hartimi i një plani për përdorimin apo kategorizimin e tokës janë nismat e parashtruara, që duhet të ndërmerren për t’i ardhur në ndihmë çështjes së pronësisë.

SHOQATA E ARKITEKTËVE
Arben Biçoku: “Ligji i legalizimeve mund të cilësohet reformë
e dytë për ata që kishin zaptuar tokën. Problemi i pronësisë,
ende i pazgjidhur”

SHOQATA E INXHINIERËVE KONSULENTË
Lida Miraj: “Kemi vërejtje për ligjin e trashëgimisë kulturore.
Nuk tregohet kujdes për institucionet e shpallura monument
kulure”.

SHOQATA E GJEODETËVE
Bledi Stefa: “Nuk dimë ku i kemi kufijtë. Në botë përdoren
markat. Harta jonë e pronave është e pasaktë, është problem
cilësia e saj”.

SHOQATA E GJEOTEKNIKËVE
Luljeta Bozo: “Ka një katrahurë në problemet e pronësisë.
Kemi një mori ligjesh të panevojshme. Të vilet taksa e shtëpisë”.

SHOQATA E VLERËSUESVE
TË PASURISË SË PALUAJTSHME
Elfrida Alliu: “Hartimi i hartave të vlerës së tokës është
bërë pa praninë e ekspertëve, ka mospërputhje me vlerën
reale të tregut”.

SHOQATA PRONËSI ME DREJTËSI
Myrshit Vorpsi: “Kompensim financiar, strategji e gabuar.


ADA HAZIZOLLI