Lumi i Tiranës, nga një vendgrumbullimi mbeturinash siç është sot, do të shndërrohet në një zonë çlodhëse për qytetarët. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka bërë të ditur se autoritetet financuese të projektit strategjik për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës kanë miratuar nisjen e punimeve për rehabilitimin e këtij lumi. Projekti i Bashkisë parashikon kthimin e tij në zonë rekreative dhe eliminimin e rrezikshmërisë që paraqet për jetën e banorëve, ndotja prej shumë vitesh me inerte, ujëra të zeza etj. Lajmi u bë i ditur dje nga kryebashkiaku Lulzim Basha, pas takimit me vullnetarët e “Green Line Albania”. “Këtë javë, autoritetet financuese të projektit strategjik të Bashkisë së Tiranës, zgjatimi i bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, miratuan nisjen e punimeve për lumin e Tiranës. Këto punime do të eliminojnë me qindra-mijëra metra kub ndotje, inerte të hedhura në lum prej afro tri dekadash dhe do të mundësojnë nëpërmjet investimeve në kolektorë, në dy anët e lumit, që të mos derdhet më asnjë pikë e ujërave të zeza në këtë lum. Në përfundim të projektit, i cili ka një kohëzgjatje prej afro 2 vitesh, lumi i Tiranës do të rikthehet ashtu siç ka qenë dikur, një arterie blu e qytetit të Tiranës, me gjelbërim në të dy brigjet e tij dhe me akses për fëmijët, për të moshuarit, të gjithë qytetarët, me zona zbavitëse”, deklaroi Basha. Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës do t’i bashkohet iniciativës për të pastruar Shqipërinë më 22 nëntor. Ai bëri të ditur se Bashkia e kryeqytetit do të japë kontributin e saj me të gjitha kapacitetet, për ndërgjegjësimin e qytetarëve që 22 nëntorin t’ia kushtojnë pastrimit.

Prerja e 175 pemëve te Liqeni, Bozdo: Policia s’po reagon

Brenda një jave, në Parkun e Liqenit Artificial janë prerë 175 pemë në mënyrë të paligjshme. Bashkia e Tiranës ka denoncuar këtë akt, duke u kërkuar forcave të rendit që të ndërhyjnë për të ndaluar prerjen e pemëve. “Përpara një jave janë prerë 140 pemë të tipit frashër, vidh, akacie dhe me të gjithë denoncimin që ne kemi bërë pranë organeve kompetente, asnjë masë nuk është marrë. Sot në të gdhirë janë prerë edhe 35 pemë të tjera. U kërkojmë forcave të rendit që të marrin parasysh denoncimin, që të mos lejojnë më që ky park të masakrohet në këtë mënyrë”, deklaroi nënkryetari i Bashkisë.

Panorama