Kreu i qeverisë shqiptare, vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe.

“Rruga për në BE kërkon investim në burime njerëzore”


Emri:  Rama-me-Camerun.jpg

Shikime: 612

Madhësia:  68.6 KB
Edi Rama, në takimin e parë si Kryeministër i Shqipërisë me Kryeministrin britanik, David Kameron, kërkoi forcim të marrëdhënieve me Britaninë e Madhe. Kreu i qeverisë shqiptare, në rrjetin social “Facebook” është shprehur i emocionuar nga takimi në qeverinë e Britanisë së Madhe. “Një bashkëbisedim i sinqertë për sfidat e Shqipërisë. Në tryezën emocionuese të qeverisë ku është shkruar për disa qindra vjet historia e Britanisë së Madhe, u fol për integrimin europian të Shqipërisë dhe arritjet e qeverisë së re kundër krimit e korrupsionit, forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve si dhe mënyrën e funksionimit të brendshëm të skuadrës së 10 Downing Street”, shkruan Rama në Facebook. Në një tjetër postim, ku komenton një foto me Kryeministrin britanik, Rama shpreh dëshirën për të forcuar marrëdhëniet me këtë vend. “Në 10 Downing Street për t’i komunikuar shefit të qeverisë britanike shprehjen e vullnetit të plotë të qeverisë së Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet me Britaninë e Madhe”, shkruan Rama. Në takimin me Kryeministrin britanik në zyrën e qeverisë, Rama shoqërohej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

Konferenca
Gjatë qëndrimit të Londër, Kryeministri Rama mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku u publikua Raporti mbi Tranzicionin 2013. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri shqiptar tha se “ekziston një situatë paradoksale, pasi e gjitha kjo po ndodh në një moment në të cilin Bashkimi Europian nuk është ekzaktësisht ai që ne kishim në mendje kur nisëm të luftonim për të. Dhe, sa më shumë i afrohemi, aq më shumë përballemi me një gjë ndryshe nga ajo që kishim ëndërruar”. “Sa më shumë përpiqemi të kuptojmë pse gjermanët janë kaq më të mirë se ne, aq më shumë e kuptojmë se kjo ka të bëjë me dijen. Nëse shikoni vendet që u bashkuan njëra pas tjetrës dhe na shikoni ne që jemi ende në të njëjtin vend, mendoj se është e lidhur së pari e mbi të gjitha me dijen. Edhe të dhënat mbi kapacitetin thithës të çdo vendi janë gjithashtu të lidhura me dijen. Kështu, të investosh për dijen është një gjë shumë e rëndësishme për t’u bërë, por në të njëjtën kohë është shumë më shumë e vështirë për vende që kanë shumë e më shumë probleme. Duket se neve na duhet të përballemi me një dilemë kontradiktore, sepse kur investon mbi dijen nuk rizgjidhesh, pasi merr shumë kohë. Në anën tjetër, kur nuk investon mbi dijen, mund të rizgjidhesh, por do të duhet të përballesh me shumë telashe”, është shprehur Rama. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se investimi në kapitalin njerëzor është domosdoshmëri për të ecur përpara. “Ne na nevojitet e duhet të investojmë më shumë mbi kapitalin njerëzor, në të gjitha fushat. Ne na nevojitet e duhet të gjejmë një mënyrë për të bashkuar forcat dhe këtë paqe ta vendosim në themel të zhvillimit ekonomik, nëpërmjet bashkëpunimit rajonal”, tha Rama.

Xhorxh Soros
Pjesë e panelit të Konferencës së BERZH-it, ku Edi Rama mbajti një fjalim, ishte dhe filantropisti Xhorxh Soros, ish-presidentja e Kirgistanit, Roza Otunbajeva, anëtari i bordit të drejtorëve të Bankës Qendrore të Libisë, Tarik Jusef. Panelistët ishin të ftuar të jepnin mendimet e tyre si mund të dilet nga tranzicioni dhe çfarë duhet bërë për të promovuar reformat e nevojshme që çojnë drejt rritjes ekonomike.

Vizita në Itali
Më 12 dhjetor Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Itali. Ambasadori italian, Gaiani, ka dhënë detaje të kësaj vizite. Vizita e Ramës do të nisë nga Pulia, ku do të takohet me sipërmarrës që janë të interesuar të investojnë në Shqipëri, për të vijuar me vizitat zyrtare në Romë e më pas në Milano. Kryeministri Rama do ta nisë vizitën e tij në rajonin e Pulias në Bari, me ftesë të guvernatorit Vendola.

ARISTIR LUMEZI

Panorama