Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Diskutim: Si të rigjallërojme Teatrin Kombëtar?

    Konsultë për teatrin shqiptar: Duhet krijuar një model i ri i jetës artistike në Shqipëri

    -Teatri shqiptar ka “vdekur”, ta ngjallim atë

    -Flasin: ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Robert Ndrenika, Yllka Mujo, Mihallaq Luarasi, Kristaq Skrami, Zamira Kita, Spiro Duni dhe Stefan Çapaliku


    Albert ZHOLI

    Risi

    Sipas të gjithë pjesëmarrësve në konsultë-bisedën që zhvilloi ministrja Kumbaro dje me drejtues të teatrove shqiptare, me regjisorë, aktorë, kritikë arti, gazetarë, një gjë doli në pah: Është hera e parë që një ministër Kulture zhvillon një bisedë të hapur, një bisedë miqësore, një bisedë për të shfaqur vetëm problemet dhe për të nxjerrë në pah mangësitë kryesore, që teatri shqiptar të dalë nga kriza dhe të risi nivelin artistik, për të rritur modelin e jetës artistike në interes të spektatorit.

    Theksi i ministres Kumbaro

    Dje ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, organizoi një takim konsultë me drejtuesit e Teatrit Kombëtar, Teatrit të Komedisë, aktorë, regjisorë, skenaristë dhe përfaqësues të medias, për problemet, shqetësimet dhe detyrat që i dalin në të ardhmen Teatrit Kombëtar. Midis shumë pjesëmarrësve unë do të veçoja “Nderin e Kombit” aktorin Robert Ndrenika, regjisorin e talentuar’ Mjeshtër i Madh” Mihallaq Luarasi, Drejtorin e Teatrit Kombëtar, z. Kristaq Skrami, Drejtorin e Teatrit të Komedisë z.Kastriot Çipi, Drejtoren e Teatrit të Korçës, znj. Zamira Kita, regjisorin Spiro Duni, aktoren e talentuar Yllka Mujo, si dhe aktorët Araben Dehremi, Olta Dako, kritikun Stefan Çapaliku, etj.. Në fjalën e saj ministrja theksoi se, e organizova këtë takim në formë konsulte, me drejtuesit kryesorë të teatrove, aktorë, regjisorë, krijues të artit si dhe kritikë, për të parë gjendjen aktuale të teatrit shqiptar, problemet kryesore, defektet, ku çalojnë punët, propagandimin e anëve pozitive si dhe marrjen e masave për ta çuar teatrin shqiptar më përpara. Unë dua të dëgjoj mendimet tuaja, diskutimet tuaja, ato çka juve ju shqetësojnë, pasi duke qenë në krye të kësaj pune, duke qenë profesionistë dhe i keni ndjekur në vijimësi problemet e teatrit mund të arrijmë në konkluzione të përbashkëta për përmirësimin e gjendjes. Sipas ministres Kumbaro, aktualisht ne duhet të krijojmë një model të ri të jetës artistike në Shqipëri. Dhe në këtë jetë artistike, teatri zë vendin kryesor. Sot teatri ka nevojë për ndryshim, ku duhet një reformë e thellë. Pra reforma duhet të konsistojë në këtë ndryshim rrënjësor. Sipas ministres ndryshim nuk do të thotë heqjen apo zëvendësimin e një zëvendësministri, drejtori, të një aktori, apo të një regjisori. Jo! Ndryshim do të thotë ndryshim në mentalitet, ndryshim në themel të mënyrës së funksionimit të drejtimit dhe të punës në përditshmëri, ndryshim në interes të problemit, pra për të pasur një jetë artistike cilësore, për të kënaqur shijet artistike të popullit dhe për të rritur në një shkallë më të lartë nivelin e teatrit tonë. Teatri ka vlera edukimi, dhe si të tillë duhet ta shfrytëzojmë. Pra theksoi, Kumbaro, ne duhet të bëjmë reformë në cilësi, por deri më sot e kemi pasur të vështirë t’i afrohemi teatrit. Kjo për shumë arsye, pasi janë ngritur barriera artificiale, nuk është bashkërenduar puna midis Ministrisë dhe TK, por dhe se artistët shumë herë janë treguar indiferentë ndaj shumë problemeve. Ne duke qenë bashkë, duke diskutuar, bashkë, duke luftuar bashkë anët negative, mund të punojmë në favor të teatrit, por edhe në favor të spektatorit. Ne do t’i afrohemi teatrit pa paragjykime, me diskutime, konsultime, me ndryshime për të kënaqur shijet e spektatorit, pasi në fund të fundit është ai që na jep notën përfundimtare. Ky lloj menaxhimi, sqaroi Kumbaro nuk duhet të ekzistojë më. Bindja se TK është i paprekshëm nuk duhet të ekzistojë më, mendime dhe mentalitet të tilla, janë të papranueshme në një sistem demokratik. Pra ndryshimi duhet të jetë në mentalitet, në mënyrën e të punuarit, në mënyrën e të menaxhuarit, në mënyrën e bashkëpunimit, në mënyrën e funksionimit të të gjitha levave në TK dhe në teatrot shqiptare në përgjithësi. Pa këtë ndryshim, jeta artistike në vend do të jetë e vakët, shijet artistike të spektatorit nuk do të kënaqen dhe puna jonë do të shkoj pa lënë gjurmë,- përfundoi ajo.

    Buxheti

    Sipas ministres Kumbaro, buxheti i TK-së në Tiranë për vitin 2013 ka qenë 79 milionë e 825 mijë lekë, pra afërisht 80 milionë lekë të reja ( pra 800 milionë lekë të vjetra). Ndër to 78% e shumës ka shkuar vetëm për pagesa dhe sigurime shoqërore të aktorëve, 14 % e shumës për projekte dhe 8% të ndryshme. Në vitin 2013, TK është paraqitur me dy produksione. Aktualisht në TK janë punësuar, definitiv 32 aktorë, ku disa prej tyre kanë dy vjet apo më shumë pa asnjë rol dhe kanë marrë pagën e plotë. Të tjerë kanë vetëm me një rol në dy vjet, ku shumica figurantë.

    Diskutime

    Pas fjalës së ministres diskutimet ishin tepër interesante. Problematika e teatrit shqiptar, doli se është mjaft e madhe. Askush prej diskutantëve nuk foli për një teatër perfekt në cilësi, por edhe në sasi. Vendi ynë është një vend mesdhetar, ku jeta artistike në verë duhet të rritet, ku numri i shfaqjeve duhet të rritet po ashtu dhe numri i teatrove.

    Kiço Londo, regjisor

    Në këto 20 vjet tranzicion të Shqipërisë, shohim se teatri shqiptar për çdo ditë po bie poshtë e më poshtë si në cilësi edhe në sasi. Çdo qeveri që vjen, premton reformë, pro reforma nuk konsiston në cilësi, në mënyrën e funksionimit, por në zëvendësimin e drejtorëve sipas interesit të partisë në pushtet dhe në dëm të cilësisë së punës dhe cilësisë artistike që nuk e vlerëson spektatorin. Në gjithë këto vite janë hedhur në tregun mediatik katër ligje për teatrin, por asnjëri nuk është vënë në zbatim, në efiçencë. Kultura dhe krijimtaria e dramaturgjisë janë në kufijtë e vdekjes. Sot teatri shqiptar ka mediokritet, është pa vizion, pa hapësira për të talentuarit, pa hapësira për të rinjtë, pa programe të qarta dhe mënyra bashkëveprimi. Kjo është në tërësi por në teatrin Kombëtar në veçanti. Unë po sjell dy shembuj, Teatri Kombëtar dhe Teatri i Fierit. I pari që financohet nga shteti, i dyti nga Bashkia e qytetit Fier. P.sh në Fier në vitin 1998 jepeshin 120 shfaqje në vit, tashmë janë ulur ndjeshëm, pasi ka rënë dhe buxheti i Bashkisë për kulturën, por megjithatë ky teatër po mbijeton në sajë të vullnetit të kryetarit të Bashkisë, punës së tij të dashuruar me artin. Ndërsa në Teatrin Kombëtar ku ka një buxhet 800 milionë letë të vjetra, numri i premierave ka rënë ndjeshëm. Mund të jepen deri në dy premiera në vit. Po ashtu ka rënë numri i shfaqjeve. Për të shpëtuar TK dhe teatrin shqiptar në përgjithësi ndryshimi është jetik. Teatri nuk duhet të jetë i politizuar. Sot po shoh se nuk ka ardhur as përfaqësuesi i Teatrit të Metropolit, “Teatri i Tiranës”. Unë mendoj se duhet të ngrihet sistemi teatro shqiptar, ndryshim sistemi do të thotë ndryshim mënyrës së organizimit, mënyrës së punës, mënyrës së menaxhimit, etj.. Mendoj se ka ardhur koha që institucionet kulturore në qytete, të varen nga Ministria e Kulturës dhe jo nga pushteti vendor, ose të kenë varësi kryesore nga kjo ministri. Kurrsesi nuk duhet që drejtorët e teatrove të bashki të ndryshme të zgjidhen nga Kryetari i Bashkisë apo Këshilli Bashkiak. Institucionet e rëndësishme kulturore në çdo qytet duhet të varen nga Ministria e Kulturës. Është një detyrë e kohës për ngritjen e teatrove alternative të mbështetura nga kjo ministri, kjo do t’u japë më shumë hapësirë aktorëve, por do të rrisë dhe gamën e veprimtarive artistike. Ndërsa në fund të fjalës time dua të them që duhet patjetër të funksionojë sistemi i kontratave me aktorët. Kjo do të nxisë interesin për punë, përkushtimin, bën diferencimet në pagesë dhe nivel si dhe i jep një hov të ri jetës artistike në vend.

    Zamira Kita, Drejtore e teatrit “Andon Zako Çajupi, Korçë

    Kam shtatë vjet drejtore e Teatrit të Korçës dhe është hera e parë që një ministre na mbledh në këtë mënyrë. Ne si teatër një ndër detyrimet, sigurimin e 10% të të ardhurave nga biletat e kemi siguruar. Detyrë e jona si drejtues mbetet vënia në skenë e shfaqjeve komerciale, me nivel artistik, cilësore që të kënaqë shijet artistike të spektatorit. Edhe unë jam e mendimit kalimin në punë të aktorëve me kontrata. Edhe tek unë ka disa aktorë që për një vit nuk kanë luajtur një rol dhe kanë marrë pagesën e plotë. Pse do thoni ju nuk luajnë? Sepse nuk mi pëlqejnë regjisorët. Por ata janë definitiv, për shumë arsye unë s’mund t’i heq dot. Kështu teatri nuk mund të përparojë. Detyra kryesore është gjallërimi i jetës artistike të qytetit, format dhe mënyrat duhen gjetur.

    Kristaq Skrami, Drejtor i TK-së

    Znj. ministre, ju falënderoj për këtë tryezë. Them se ka shumë thashetheme për TK-në. Kur më pyetët që n.q.s s’do të ishit drejtor, por do konkurronit për këtë vend si do vepronit? E para unë them që nuk duhet të ketë një TK, por disa teatro të përafërta me të. Një drejtues duhet të paraqesë programin e punës. Në rend të ditës duhet të jetë kontrata e punës dhe jo emërime definitive. Në punën tonë kemi pasur rezultate dhe ato nuk mohohen. Kemi sjellë në TK, regjisorë të huaj nga më të afirmuarit. Kemi afruar shumë të rinj. Unë reformën nuk e shoh tek shkurtimet, pasi 32 aktorë nuk janë shumë, por tek mënyra e funksionimit, mënyra e aktivizimit. Ndoshta në këtë pikë nuk kemi funksionuar mirë. (Ndërhyn ministrja Kumbaro: Vetëm vitin e fundit emëruat dy aktorë, të cilët nuk u aktivizuan)

    Mihallaq Luarasi, regjisor

    Po dëgjoj shumë diskutime, por unë shtroj pyetje, a do flasim njëherë sinqerisht, apo do ngremë probleme duke qenë pjesë e fajit si njeri dhe tjetri, Bibla thotë: “shkaktarët e kaosit nuk na shpëtojnë dot nga kaosi”. Ndër ta janë dhe disa drejtues që folën, që kanë qenë drejtues. Sot teatri shqiptar është në krizë, për të mos thënë në pikën kritike të vdekjes. Ne duhet ta shpëtojmë atë, ndaj dhe jemi mbledhur sot. Dikur në atë regjim, që mos ardhtë kurrë jepnim më shumë se pesë premiera në vit dhe salla mbushej plot çdo ditë. Madje dhe pse jepnim shfaqje 6 ditë në javë. Sot ka dhe krizë frekuentimi, pasi sallat nuk mbushen dhe pse jepen 2 shfaqje në javë.. Problemet janë të shumta, organizative, bashkëpunimi, regjisoriale, autoriale, etj... Hajde të gjejmë rrugën e shpëtimit me frymë të re, me frymë idesh, modelesh, frymë përparimi dhe jo me miqësira, apo mërira.

    Spiro Duni-regjisor

    Për mua TK fillon tek oborri, tek ai roja në kabinë, tek lulishtja, tek ambientet pastaj shkojmë në sallë tek artistët. Para ca ditësh takova Reshat Arbanën “Nderi i Kombit” një artist i madh që ka qenë pjesë e TK-së. Kur po dilnim nga oborri, ai më tha:- “këtu nuk bie erë teatër”. Pra nuk ka respekt, për aktorin, për regjisorin, nuk ka mënyrë bashkëpunimi. Pra në këtë teatër nuk ka kulturë theksoi Arbana. Në një vend që përhap, propagandon kulturë nuk ka kulturë. Kjo fjalë më vrau, por është e vërtetë. Ai e kishte fjalën që tek ambienti, respekti, mënyra e komunikimit etj.. Për mua të 32 aktorët e teatrit duhet të jenë në funksion të teatrit. Ai që nuk ka rol, as figurant, të merret me shoqërimin e spektatorit, tek biletaria, tek regjistrimi i spektatorëve të rregullt, të merren adresat e tyre, tu dërgohen dhe biletat në shtëpi, apo ndonjëherë falas. Reformë do të thotë ligj, respektimi i ligjit, respektim i rregullave. Përmirësim, ecje para. Këto janë rregullat dhe normat e reformës. Ne duhet të punojmë për një bord të fuqishëm teatror, ku të piqet mendimi racional për një teatër bashkëkohor, për një teatër, të nivelit europian. Jam për një ndryshim të statusit të teatrove, për një status me bazë kontratën, për një teatër me program dhe me pagesë sipas punës, rolit, kontratës dhe aftësive.

    Robert Ndrenika, “Mjeshtër i Madh”

    Drejtori ka përgjegjësinë dhe rëndësinë e tij të padiskutueshme në Teatrin Kombëtar. Për të ecur punët mirë, ne s’kemi pse bëjmë ndonjë hata të madhe, mjafton të shikojmë eksperiencën e teatrove kombëtar të fqinjëve, qoftë të Beogradit, Zabgrebit, Maqedonisë apo dhe të Greqisë. Mendoj se, drejtori të mos zgjidhet nga Ministria por nga vetë komuniteti. Komuniteti ynë e di se ku janë hallet, ku janë shqetësimet, ku janë hallkat e dobëta, ku janë barrierat. Ne e dimë se ku pikon Teatri Kombëtar. Drejtori i TK-së nuk duhet të ketë të bëjë me asnjë parti politike qoftë PS qoftë PD. Arti nuk duhet të njohë politikë. Nuk ka artistë të PD-së apo të PS-së pavarësisht se, dikush mund të ketë preferenca në vetvete. Drejtori duhet të jetë një nikoqir i mirë. Ai duhet të dijë që kur jepen shfaqje, kur bëhen pagesa, kur ndahen role, kur bëhen turne, përcakton se sa i takon gjithkujt edhe në pagesë. TK duhet të japë shfaqje me peshë, pasi këtu spektatori është i kualifikuar dhe i njohur me botën. Mundësia është për çdo gjë, por me kontroll, me vizion, dhe ide. Mbi të gjitha duhet të ketë plan. Sa shfaqje premierë në vit. Sa shfaqje në tërë vitin?

    Ndërhyn ministrja: “Qëllimi është që si t’i menaxhojmë paratë sot, që të kërkojmë më shumë nesër”.

    Stefan Çapaliku

    Teatri është çështje nderi, dinjiteti. Por ky teatër po na turpëron. Nuk mund të quhet Teatër Kombëtar. Reformë nuk do të thotë shkurtime nga puna, por si të rivëmë në punë aktorët, si të vemi pjesë më të mira, si të organizojmë punën për nivel të lartë artistik. Ne sot nuk kemi nevojë të shpikim, pasi shpikjet i kanë bërë të tjerët më parë. Ne kemi nevojë të zbatojmë eksperiencat më të përparuara që kanë dhënë rezultat. Ka dy mënyra për funksionimin e teatrove, njëra është ajo angleze me kontrata një deri dy- vjeçare, tjetra është ajo gjermane me kompani permanente. T’i studiojmë këto dy lloj teatrosh, funksionimin e tyre dhe të zgjedhim më të mirën për vendin tonë.

    Yllka Mujo, aktore

    Unë do të futem në probleme konkrete. Zonja Ministre, po afron stina e dimrit dhe TK nuk ka ngrohje. Duhet të vijmë me batanije në teatër, edhe ne si aktorë edhe spektatorët. Teatër, ku nuk ka qendër zëri të bëjë lajmërimet për aktorët. Në monizëm këto ishin perfekte (mos të merret për nostalgji aspak). Në gjithë godinën i sheh muret me vrima, ku hyn dhe zhurma nga jashtë. Por është dhe një problem tjetër. Ne nuk kemi tapet në anekset sa del nga skena. Kjo bën që të dëgjohen takat tona deri tek spektatori. Kështu humb dëgjueshmëria. Teatri ka qenë dhe duhet të mbetet tempull i kulturës. Duhet të bëjmë hapa para, por jo në vend apo të kthehemi mbrapa, pasi spektatori vjen të marrë kulturë, shije artistike. Ndaj drejtori duhet të jetë apolitik. Një administrator i mirë, jo detyrimisht aktor. Sot nuk mund t’i flasësh askujt për detyrat që ka pasi futemi në skenë me skenën të papastër. Pra mungon kritika në hapësirat tona. Secili duhet të respektojë punën e vet, mirëmbajtësi skenës, të mbajë skenën, aktori të luajë mirë, ndriçimi të ruaj ndriçimin, etj... Ndërsa pagesa të bëhet sipas rolit, interpretimit, vlerave, jo të gjithë njëlloj. Nuk duhet të ketë kurrë aktorë që nuk dalin në skenë dhe të paguhen. Gjithashtu, t’u hapet dritë jeshile dhe të rinjve.

    Një shqetësim real

    Në këtë konsultë-bisedë u diskutuan shumë gjëra, por ajo që u la në heshtje ishte, drama shqiptare, komedia shqiptare. E ngrita jo pa të drejtë këtë shqetësim pasi pashë se, qoftë ministrja Kumbaro, qoftë drejtuesit tjerë qoftë regjisorët, as e vunë ujët në zjarr për këtë çështje kaq delikate. Në vitin 2013 në TK nuk u vu asnjë dramë shqipe, asnjë komedi e autorëve shqiptarë. Të dashur drejtues të TK-së apo të teatrove në qytete të tjera. E nderuar zonja ministre. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është drama shqipe, komedia shqipe, autorët shqiptarë. TK në radhë të parë duhet të flasë shqip. Ky teatër është Teatri Kombëtar, i kombit tonë, i gjuhës tonë, i kulturës sonë të mirëfilltë. Përparësi duhet të marrin vlerat tona, temat tona, krijimet tona, pastaj ato të huaja. Ose ndryshe mos e quani Teatër Kombëtar Shqiptar, por Teatri Ndërkombëtar i Tiranës. Kombi ka një gjuhë, ka një identitet, ka një kulturë të vetën dhe ato gjenden tek krijuesit tanë në gjuhën e bukur të Naimit. Nuk do të ketë kurrë Teatër Kombëtar pa dramat apo komeditë që shkruhen në gjuhën shqipe. Dramaturgët apo komedianët tanë duhet të nxiten, stimulohen, të mbahen afër si vlera. Ata e kanë mbajtur gjallë TK për vite të tëra dhe rezultate kanë qenë të pamendueshme. Mjafton të kujtojmë komedinë “Pallati 176”. Asnjë komedi e huaj nuk ka pasur këtë sukses.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Diskutim: Si të rigjallërojme Teatrin Kombëtar?

    Ja tre komponentët që i duhet të zgjidhë teatri: Numri i teatrove, gjuha universale dhe ana estetike

    Çfarë i mungon teatrit shqiptar?

    Ja problemet më shqetësuese të tij


    Albert Z. ZHOLI


    Teatri shqiptar në përgjithësi është në kërkim të rrugëve të reja, për thithjen e një spektatori të shumtë, për një cilësi në veprat skenike dhe reformim në mënyrën e komunikimit me spektatorin dhe me kërkesat që kërkon koha në këtë gjini artistike kaq të përhapur në Evropë. Sot koha kërkon një teatër profesional, bashkëkohor, që jo vetëm të plotësojë shijet e spektatorit por edhe të konkurrojë jashtë kufijve të vendit si artistikisht edhe estetikisht. Aktualisht Tirana, kryeqytetit ynë ka tre salla shfaqjesh teatrale që janë: Teatri Kombëtar, teatri eksperimental Spahivogli dhe “Teatri Metropolit” ( pa diskutuar për Teatrin për fëmijë”. Parë në problematikat aktuale dhe për ato çka kërkon teatri në përgjithësi lind pyetja; Cilat janë problemet e teatrit shqiptar sot?


    E para mungesa e sallave

    Para disa ditësh në një Konferencë për shtyp Drejtori i Teatrit Kombëtar, Ervin Çuli theksoi se në premierën e fundit të dramës “Udhëtim i gjatë drejt natës”, salla për çdo natë ishte mbushur plot dhe them se në tërësinë e saj në këtë dramë pati më shumë se 10 mijë spektatorë. Nuk mund të kundërshtoj, as mund të paragjykoj këtë thënie të tillë, pasi nuk i kam ndjekur të gjitha netët e shfaqjeje, por është e vërtetë se me këtë dramë me regjisor Spiro Duni, pamë një sallë të mbushur plot, spektator të dëshiruar për shfaqjen dhe që shoqëroheshin me diskutime të tjera. Në këtë Konferencë z. Çuli theksoi se Teatri Kombëtar si godinë është i amortizuar dhe ka ardhur koha për një Teatër të dytë. Këtë mendim ka pasur dhe Drejtori paraardhës, i cili në disa intervista të miat ka theksuar se është koha për një teatër të ri, më të modernizuar dhe me më shumë vende. Nisur si nga kërkesat e drejtuesve të TK, po ashtu dhe nga numri aktual i teatrove në Tiranë, me të vërtetë del evident fakti se ka ardhur koha për diçka të tillë. TK ndoshta është institucioni i artit që nuk është investuar fare në dy qeveritë Berisha. Ku mungon ngrohja, mungon ndriçimi bashkëkohor dhe pajisjet e tjera modernë me të cilat janë arreduar teatrot e vendeve perëndimore. TK është i vetmi institucion i rëndësishëm i artit që për më shumë se 40 vjet nuk është vënë dorë, madje ku nuk ka as ngrohje, diçka e papranueshme në kushtet e sotme. Por kryesorja është se me tre teatro nuk mund të përballohet fluksi i madh i spektatorëve kryeqytetas. Tirana sot është një metropol me 1 milionë njerëz, dhe as mund të konceptohet se mund të plotësohen nevojat dhe dëshirat e spektatorëve me 3 teatro me afërsisht 1000 vende. Në vendet fqinje si Greqia, teatrot janë shtrirë në të gjithë gjeografi shtrirjen e Athinës, ku mund të ketë rreth 35 teatro, ndërsa tek ne vetëm 3 të tilla. Pra nuk është sukses i madh ardhja e 10 mijë spektatorëve, pasi këtu bëhet fjalë për një metropol të madh që me numrin e teatrove ky numër spektatorësh është i papërfillshëm. Pra, pa diskutuar suksesin e dramës së vënë nga regjisori Spiro Duni, meritë tjetër e ardhjes së spektatorëve tashmë është dhe numri i pakët i teatrove si objekte. Për numrin e popullsisë që ka sot metropoli ynë, ky numër duhet të jetë më i madh se dhjetë, pasi vetëm kështu mund të plotësohen kërkesat e kryeqytetasve të cilët ë kane kthyer në kulturë shkuarjen në teatër. Është koha që dhe qeveria edhe bashkia, ta ketë prioritet këtë kërkesë për vetë faktin e rëndësinë që ka teatri në jetën e një kryeqyteti, si art i veçantë që ka si qëllim edukimin. Kjo është dhe mbetet deviza e teatrit që në lashtësi, edukim dhe vetëm edukim i njeriut.



    Së dyti gjuha universale e teatrit

    Teatri është art i drejtpërdrejtë, me personazhe që vijnë në skenë pa rikthime skenash dhe që mbartin problematikë. Detyrë themelore e teatrit shqiptar sot është që ai ti kalojë kufijtë e vendit, ti kalojë kufijtë e Kosovës. Matësi më i mirë i rezultatit të një teatri Kombëtar (apo i ndonjë tjetri) është se sa shfaqje jep ky teatër jashtë vendit. Në sa kompeticione apo festivale jashtë atdheut ftohet të marrë pjesë si konkurrim dhe sa mirëpritet ai në këto vende. Pra ne jemi një vend që jemi në hapat themelorë të aderimit në BE dhe arti është ai që përcjell më shumë mesazhe bashkimi, teatri është ai që na afron dhe i përshpejton hapat drejt BE-së. Në këtë perceptim duhet të ndërtohet dhe të ndërtohen politikat e teatrit shqiptar, pas këtij momenti. Teatri ka dhe flet me gjuhën e muzikës. Muzika është gjuha e përbotshme, universale, që flet me tinguj pa fjalë dhe që tingulli i saj pëlqehet kudo nëse është e bukur, pavarësisht se në cilin vend është krijuar. Matësi më i mirë i arritjeve të teatrit shqiptar duhet të jetë ajo, që të shihen se sa teatro të huaj trokasin dhe japin shfaqje në TK. Me këtë synim dhe me këtë objektiv duhet të ndërtohen politikat e teatrit shqiptar.

    Lind pyetja:

    Po si mund të kuptohet një dramë në gjuhën gjermane nga spektatori shqiptar (apo anasjelltas)? Këtu del në pah gjuha universale e teatrit, këtu del në pah përbotshëmria e tij. Dihet që në një teatër kuptimi i fjalës është primare, por jo më pak të rëndësishme në një dramë janë dhe elementët e tjerë si skenografia, ndriçimi, muzika, shikimi, gjestet, mimika, reagimi, mënyra e dialogut, plastika, etj.. Janë këto elementë që përbëjnë gjuhën universale të teatrit. Janë këto elementë përbërës që e bëjnë atë të kuptueshme në çdo vend tjetër të botës, përveç vendit ku ideohet një dramë. Aktualisht kudo në botë, dramat gjermane shkojnë në Francë apo Itali dhe anasjelltas. Por këto drama kuptohen nga spektatori për gjuhën e tyre universale ku futen këto elementë kaq të domosdoshëm. Në qoftë se arrihet që dramat apo komeditë e teatrove tona të ftohen kudo në Europë vetëm atëherë kemi të drejtë me plot gojën të themi se teatri shqiptar flet me gjuhën universale. Dhe e kundërta nis tek teatrot tona, vijnë teatro prestigjioze të Italisë, Greqisë, Francës, Gjermanisë, Serbisë të japin shfaqje. Kjo duhet të jetë parësore në politikat e teatrit tonë kombëtar, prioritet që duhet të zejë vendin e parë. Sot arritjet e një drame, komedie, nuk duhet të maten vetëm me numrin e spektatorëve ( që është shumë domethënës) por me arritjet jashtë kufijve shqiptar, në konkurrimet Europiane, në hapjen e dyerve të teatrove prestigjioze evropiane ndaj teatrit tonë dhe anasjelltas. Kjo është gjuha universale e teatrit, është gjuha e kohës, gjuha e veprimit për të qenë në avangardë të përshpejtimit të hyrjes së Shqipërisë në BE.


    E treta, ana estetike

    Ana estetike në performancën e një drame apo komedia sot përbën një nga elementët kryesorë të suksesit. Në kohën që jetojmë nga ana estetike lind pyetje; do të ngulmojmë në traditën e teatrit tonë, duke i qëndruar besnik asaj, apo do të evoluojmë duke ndërthurur traditën me zhvillimet botërore të teatrit për një teatër bashkëkohor, emancipues,? Aktualisht shikojmë se vende të ndryshme po bëjnë një teatër koherent, ku estetikisht tradicionalja ndërthuret dhe me elementë apo dhe eksperienca të vendeve të tjera. Ndoshta nuk jam plotësisht i saktë, për regjisorin por në një dramë të vënë në skenë nga teatri i Lituanisë regjisori në një pjesë vaji, kishte vënë nj këngë vaji çame. Ai kishte rrëmuar në internet dhe këtë këngë e kishte parë më të përshtatshme, më të kuptueshëm në të gjitha gjuhët. Shumë specialistë të teatrit kanë theksuar se gjuha shqipe është një gjuhë e kuptueshëm nga të gjitha gjuhët e tjera dhe ajo duket sikur flitet në gjuhën e vendit ku jep shfaqjen. Kjo është një përparësi e gjuhës sonë, që pak gjuhë të botës e kanë. Për bëjmë një veçanti pasi në gjuhën tonë mund të shqiptohen lehtë si në gjuhët e vendeve ku fliten emrat, vendet, diksioni i gjuhëve të tjera. Ana estetike e gjuhës lidhet me mënyrën e përcjelljes së veprës, që ajo të flasë me gjuhën universale, të kuptueshme kudo që kjo vepër të shfaqet. Mos vallë do zhduket tradita? Absolutisht jo, elementet e veçantë janë të domosdoshëm të futen në veprat e sotme përtej traditës, për vetë natyrën e artit. Arti evoluon, modernizohet dhe ndërhyrja është domosdoshmëri, por pa kaluar në nihilizëm të traditës. Vetëm kështu ne mund të bëjmë nj teatër që flet bukur, flet me gjuhën e bashkëpunimit, të arsyes, dhe të pranimit të ndërthurjes multikulturore. Në fund të fundit, teatri është gjinia e artit që flet drejtpërdrejtë, që përcjell shqetësimet, problematikat, kërkesat e kohës. Teatri thyen tabu dhe nuk pranon tabu. Është arti më i kritik, i drejtpërdrejtë ku njeriu civilizohet, njihet me të metat e kohës dhe i përshtatet zhvillimit të shoqërisë. Pa një art të tillë, shoqëria do kalojë kriza që nuk mund ti suportojë. Kjo është politikbërje sot në drejtim të teatrit, të këtij arti sa të lashtë po aq dhe modern, që bota e ngre në piedestal për cilësitë e patjetërsueshme.


    Kanë thënë për artin

    Arti është pasqyrë e jetës.
    Tolstoi

    Kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta.
    Niçe

    Arti është mënyra e njohjes së artistit me njerëzit.
    Çemisbevski

    Njeriu i përcjell njeriut mendimet me fjalë, kurse me art njerëzit u tregojnë njeri-tjetrit përjetimet e veta.
    Plehanovi


    Arti është krijuar që të përjetohet e jo të kuptohet. Andaj, çdo herë artet, kur dëshirojnë të jenë të kuptueshëm, çdoherë thonë budallallëqe.
    Drajzeri


    Në art, para së gjithash, duhet ta shikosh dhe ta kuptosh të bukurën.
    Stanisllavski


    Arti nuk mësohet, se në art nuk ka mësues.
    Tarkovski


    Arti i bukur është art i gjeniut. Gjenialiteti është talent që i jep artit rregulla.
    Kant


    Kryeveprat shkruhen duke mohuar gëzimet e jetës dhe veten.
    Mani


    Ka shumë raste kur krijimtaria artistike është mësuesja e vërtetë e popujve.
    Hegeli

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •