Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,415
    Postimet në Bllog
    17

    Raporti, përkeqësohet klima e biznesit në Shqipëri

    Raporti, përkeqësohet klima e biznesit

    Mbrojtja e investitorëve është përmirësuar dhe po kështu edhe pjesa që lidhet me regjistrimin e pronave, por këta dy faktorë nuk kanë mundur të mbajnë në nivele të kënaqshme klimën e biznesit në Shqipëri. Raporti i Bankës Botërore mbi lehtësinë e të bërit biznes për vitin 2014 tregon në përkeqësim të përgjithshëm të treguesve në vendin tonë. Në renditjen e përgjithshme Shqipëria mes 189 vendeve është e 90-ta, ndërkohë që ky pozicion është përkeqësuar krahasuar me raportin “Doing Bussines 2013”, kur ishin të renditur në vendin e 85-të.

    Më keq
    Më keq se një vit më parë paraqitet renditja, nëse marrim parasysh lehtësinë e fillimit të një biznesi. Raporti i këtij viti e vendos Shqipërinë të 76-ën, ndërkohë që një vit më parë ishim të 62-ët. Lejet e ndërtimit nuk kanë shënuar asnjë përmirësim, përkundrazi, nga 185 që ishim më parë, jemi të 189-ët. Lehtësia e marrjes së energjisë elektrike është një tjetër faktor i përkeqësuar. Raporti i vjetshëm na rendiste në vendin 154, ndërkohë që ky i këtij viti në vendin 158. Dy faktorë të tjerë që kanë ndikuar në uljen e renditjes për Shqipërinë, janë edhe tregtia jashtë kufijve, pra lehtësia e tregtisë pa barriera, e cila në raportin “Doing Bussines 2014” rendit Shqipërinë në vendin e 85-të, kurse një vit më parë i njëjti raport e rendiste të 79-ën. Faktori i fundit në përkeqësim është ai i zbatimit të kontratave. Kjo lidhet direkt me kontratat që qeveria ka me kompanitë dhe duket se një impakt të konsiderueshëm në këtë vlerësim ka pasur largimi i çekëve të CEZ. Një vit më parë, raporti “Doing Bussines” e vendoste Shqipërinë në pjesën e zbatimit të kontratave të 85-ën, ndërkohë që tani renditemi të 124-t.

    Më mirë
    Janë një sërë aspektesh të tjera, që duket se kanë shënuar përmirësim të dukshëm krahasuar me një vit më parë sa i përket ndikimit në klimën e të bërit biznes. Të tillë janë regjistrimi i pronës, që një vit më parë na rendite të 121-ët, ndërkohë që tani jemi në vendin 119. Financimi me kredi ka shënuar përmirësim nga vendi 23 në të 13. Ky faktor vlerëson mundësitë që ka vendi për kreditim dhe jo gjendjen reale të kredisë. Mbrojtja e investitorëve nga pozicioni i 17-të që vendoste Shqipërinë një vit më parë, këtë vit e vendos në vendin e 14-të. Pagesa e taksave ka shënuar edhe ajo një përmirësim të dukshëm, duke e ulur pozicionimin e Shqipërisë me 14 vende krahasuar me një vit më parë.

    Renditja
    • Fillimi i një biznesi
    Vendi 76

    • Lejet e ndërtimit
    Vendi 189

    • Marrja e energjisë
    Vendi 158

    • Regjistrimi i pronës
    Vendi 119

    • Financimi me kredi
    Vendi 13

    • Mbrojta e investitorëve
    Vendi 14

    • Pagesa e taksave
    Vendi 146

    • Tregtia jashtë kufijve
    Vendi 85

    • Zbatimi i kontratave
    Vendi 124

    • Zgjidhja e paaftësisë paguese
    Vendi 62


    NERTILA MAHO

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,415
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Raporti, përkeqësohet klima e biznesit në Shqipëri

    Si ta lexojmë raportin “Doing Business 2014”?

    ADRIAN CIVICI

    U bënë 11 vite që Banka Botërore publikon raportin e saj “Doing Business”, në të cilin analizon në nivel global faktorët dhe elementet më esenciale të aktivitetit tregtar e ekonomik të bizneseve të vogla e të mesme të çdo vendi të botës, dhe po kaq vite, edhe në Shqipëri flitet e diskutohet për konkluzionet e rekomandimet e këtij raporti. Megjithëse “Doing Business” evidenton e analizon një set të gjerë indikatorësh sasiorë e cilësorë që në vetvete përbëjnë “radiografinë” apo “skanerin” nga më profesionalët për cilësinë e funksionimit të bizneseve, për politikat favorizuese apo penguese të tyre, për situatën ligjore e institucionale ku ato veprojnë etj., në fakt, në Shqipëri, në shumicën dërrmuese të rasteve, duket se na intereson vetëm “vendi në klasifikimin e përgjithshëm”. Detajet, ku normalisht “fshihet dhe djalli”, kalojnë në plan të dytë, përballë luftës politike e mediatike nëse “jemi rritur apo kemi zbritur në pozicionin tonë në krahasim me një vit më parë”, nëse “kemi lënë mbrapa vende të rëndësishme, apo jemi kaluar dhe nga disa vende afrikane problematike” etj.
    Duket sikur gjithçka që ka të bëjë me këtë tregues të rëndësishëm monopolizohet nga politika, qeveria në pozitë që kërkon dhe gjen vetëm anët e mira dhe vështirësitë objektive kur e interpreton këtë tregues, apo opozita që tradicionalisht e përdor atë për të dëshmuar dështimet e qeverisë. Këtë vit ndoshta është ndryshe. M.q.s. të dhënat e “Doing Business 2014” shkojnë deri në qershor 2013, do të jetë opozita që do përpiqet ta justifikojë dhe pozita që do ta kalojë në lupë. Një gjë është tashmë fakt: Shqipëria renditet e 90-ta në 189 vende të botës të marra në studim, pra 5 pozicione më poshtë se një vit më parë dhe 8 vende më poshtë se dy vite më parë. Jemi pothuajse të fundit në rajon duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën.
    Megjithatë, nuk është kjo çështja më thelbësore që duhet të na kënaqë apo mërzisë, pasi klasifikimi thjesht si renditje ndikohet dhe nga dy elemente “sasiore”: numri vendeve të reja që shtohen në analizë, dhe shpejtësia dhe cilësia e reformave që kanë vende të ndryshme që lëvizin ndjeshëm në klasifikim. Më shumë se kaq duhet të preokupohemi për avancimin dhe cilësinë e reformave tona, për shpejtësinë me të cilën po i realizojmë dhe, mbi të gjitha, për cilësinë dhe kapacitetin tonë vendimmarrës për përmirësimin e klimës së biznesit nga njëri vit në tjetrin. Pas çdo treguesi apo indikatori të analizuar në “Doing Business” fshihet apo qëndron një politikë specifike ekonomike, financiare apo ligjore e administrative, dhe përtej vendit në klasifikim duhet të shohim përmbajtjen e politikave dhe cilësinë e zbatimit të tyre në praktikë, duhen analizuar shkaqet dhe faktorët e suksesit apo dhe dështimeve të mjaft reformave në vende të tjera. Analiza krahasuese e reformave dhe politikave është më e rëndësishme se “lëvizjet e Shqipërisë në klasifikimin e përgjithshëm apo atë specifik për çdo tregues”. Kjo, pasi në raport theksohet në mënyrë specifike se “është shumë e rëndësishme të sigurohet një konvergjencë sa më e lartë e vendeve të ndryshme në praktikat e mira në fushën e klimës së biznesit”.
    Raporti vlerëson indikatorë të rëndësishëm që korrespondojnë me etapat dhe segmentet më të rëndësishme në jetën dhe aktivitetin e një biznesi: krijimi i ndërmarrjes, marrja e një lejeje ndërtimi, aksesi në elektricitet, prona dhe lehtësia apo vështirësia e transferimit të saj, marrja e kredisë, mbrojtja e investimeve, pagesa e tatimeve dhe taksave, tregtia kufitare, realizimi i kontratave, cilësia e menaxhimit financiar, procedurat e punësimit dhe largimit nga puna. Në disa prej tyre tashmë kemi bërë hapa të rëndësishëm që thjesht duhen konsoliduar, të tilla si “marrja e kredisë” apo “mbrojtja e investitorëve” për të cilat ndodhemi në vendet 13 dhe 14 në rankimin botëror; zgjidhja e problemeve të likuiditetit, ku renditemi në vendin e 62-të, procedurat e hapjes së një biznesi, ku jemi në vend të 72-të (por me përkeqësim prej 8 vendesh në krahasim me një vit më parë – dhe kjo kërkon një analizë të veçantë se çfarë ka ndodhur që në Shqipëri janë në sens përkeqësimi këto procedura). Duke e justifikuar si të “pranueshme” dhe renditjen në vend të 85-të për tregtinë me vendet kufitare, ku pak a shumë jemi në treguesit mesatarë edhe me vendet e zhvilluara, duket se problemet e vërteta shqetësuese për klimën dhe lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri fillojnë me treguesit e tjerë, tregues që më shumë se shifra, luajnë rolin e një lakmuesi që tregon aciditetin e mjedisit të biznesit te ne.
    Po e fillojmë nga indikatori më negativ, lehtësirat dhe procedurat e “dhënies së lejeve të ndërtimit për kompanitë e huaja”, ku zëmë, as më pak e as më shumë, vendin e 189-të, pra të fundit në botë, vend që duket se e kemi mbajtur edhe një vit më parë. Nëse duam investime të huaja, nëse duam prezencën e kompanive dhe firmave të mëdha ndërkombëtare, nëse synojmë tërheqjen e sa më shumë kapitaleve në Shqipëri, mjafton ky tregues që investitorët seriozë të tremben apo hezitojnë të investojnë në Shqipëri. Procedurat e komplikuara, çështjet e të drejtave të pronësisë, kohëzgjatja në ditë e procesit dhe kostot akoma mjaft të larta të tij janë një pengesë serioze në këtë drejtim, që kërkojnë analizë të detajuar dhe vendimmarrje të shpejtë për t’i përmirësuar. Jemi në vendin e 158-të përsa i përket aksesit dhe furnizimit me energji elektrike, ku spikat numri shumë i madh i ditëve për procedurat e lidhjes së energjisë, kontratat me sistemin shpërndarës e kontrollues apo punimet me të tretët, respektivisht 177 ditë në total me kosto që shkojnë nga 3400 deri në 16500 USD.
    Problematik mbetet indikatori i pagesës së taksave, për të cilin vlerësohemi në vendin e 146-të, ku duket se problemin më të madh e kemi me dy elemente: numri i taksave që paguhen nga biznesi (42 të tilla në vit, nga respektivisht 12 që paguhen në vendet e OECD dhe 26 në vendet e Europës lindore dhe Azisë Qendrore); dhe koha e harxhuar për pagimin e këtyre taksave (357 orë në vit harxhon një biznes shqiptar për procesin e pagimit të taksave dhe tatimeve, ndërkohë që në vendet e OECD harxhohet vetëm 175 orë). Të dyja këto shifra “bërtasin” vetë për reformat urgjente që duhen ndërmarrë në lidhje me reduktimin e numrit të taksave për biznesin dhe procedurat e pagimit të tyre. Flasim shumë për taksimin e sheshtë apo progresiv, për uljen e informalitetit në sistemin e taksave dhe tatimeve, për eficiencën e sistemit tonë tatimor, por nuk flasim sa duhet për një reformë të rëndësishme, siç është ajo e përqendrimit apo reduktimit të numrit të taksave. P.sh., Maqedonia e ka reduktuar në 29 numrin e taksave që paguan biznesi në një vit, Kosova në 33, Kroacia në 19 etj.
    Degradimin më të madh duket se e kemi pasur në indikatorin e realizimit të kontratave, ku renditemi në vendin e 124-rt, duke humbur jo pak, por 28 vende në krahasim me një vit më parë. Akoma kemi një numër të madh procedurash për përgatitjen e një kontrate, numër të lartë ditësh dhe kosto të konsiderueshme. E vështirë të imagjinohet klimë e qetë dhe e qëndrueshme e të bërit biznes nëse kolona vertebrale e tij në kushtet e ekonomisë së tregut, “kontrata”, paraqitet kaq problematike. Bizneset shqiptare vazhdojnë të ankohen dhe ta “pësojnë” jo pak nga kontratat problematike, nga procedurat e ngarkuara administrative e ligjore për respektimin e tyre, nga neglizhimi i kontratave të rregullta si pasojë e procedurave të zgjatura e të lodhshme etj. Kultura e respektimit të kontratave dhe të drejtave të pronësisë është akoma në nivele minimale, kur dihet nga të gjithë se esenca e funksionimit të tregut dhe një ekonomie tregu në tërësi qëndron te cilësia, transparenca, respektimi i kontratave dhe lehtësirat e procesit të falimentimit. Kjo është e vlefshme si për bizneset, ashtu dhe për shtetin apo institucionet publike. Jo më kot, një nga teoritë ekonomike më të përmendura dhe të analizuara është ajo e “kostos së transaksioneve”, që lidh eficiencën e një ekonomie apo grupe biznesesh me kostot dhe pengesat ligjore e institucionale të funksionimit të tyre.
    Më shumë se sa rendja pas shifrave, një raport i tillë si “Doing Business” duhet të shërbejë për të ndërtuar me shpejtësi një paketë reformash me objektiva e indikatorë të matshëm, të tipit: ulja e procedurave dhe kohëzgjatjen në ditë me 50% brenda dy viteve; përgjysmimi i numrit të taksave (jo i të ardhurave nga taksat që janë tjetër çështje) që paguan biznesi dhe procedurave të tyre në 2-3 vitet e ardhshme; zvogëlimi drastik i procedurave të hartimit të kontratave dhe procedurave administrativo-ligjore për zgjidhjen apo interpretimin e tyre; përmirësimi dhe natyrisht zvogëlimi i procedurave për aksesin në energjinë elektrike, reduktimi me 40-50% i informalitetit etj. Përgjigjja më e mirë që mund t’u jepet konkluzioneve të “Doing Busines 2014” është hartimi i një matrice politikash e masash konkrete për vitin dhe vitet në vazhdim.
    Jo më kot, në raportin e Bankës Botërore nënvizohet se “pushtetet publike fiksojnë rregullat e të drejtës së pronës, reduktojnë kostot e konflikteve kontraktore, lehtësojnë shpenzimet e transaksioneve ekonomike”. Kur këto rregulla e politika nuk janë në cilësinë e duhur, “sipërmarrësit krijojnë e menaxhojnë me vështirësi ndërmarrjet e vogla e të mesme, që janë burimi kryesor i rritjes ekonomike dhe punësimit”. Konkluzioni i raportit është se ekonomitë më të mira nuk janë ato ku rregullat janë minimale, por ato ku pushtetet publike kanë arritur të krijojnë një sistem rregullator që lehtëson funksionimin e tregut dhe mbron interesat kryesore publike, pa e kufizuar me rregulla të kota sektorin privat, një sistem rregullator që buron dhe administrohet nga institucione solide. Si rrallë ndonjëherë në gjuhën e Bankës Botërore, në “Doing Business 2014” njihet “roli fondamental që luan shteti në zhvillimin e sektorit privat”.

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,415
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Raporti, përkeqësohet klima e biznesit në Shqipëri

    Quo vadis Albania?

    EMIN BARÇI

    Bankës Botërore i rezulton e përkeqësuar me tetë vende pozicioni i Shqipërisë për mundësinë e sipërmarrjes. Sipas raportit të fundit, tashmë vendi ynë renditet i nëntëdhjeti mes 189 vendeve. Renditemi të fundit në botë lidhur me lehtësinë e marrjes së një lejeje ndërtimi. Renditemi në vendin e 158-të lidhur me çështjet e energjisë elektrike. Renditemi në vendin e 146-të për kompleksitetin e pagimit të taksave në vendin e 124-rt lidhur me respektimin e kontratave dhe në të 119-in për regjistrimin e një prone.
    “Doing business” është një dokument që shërben si orientues për tregjet e kapitaleve të huaja në kërkim të mundësive më të mira për investime fitimprurëse.
    Renditja e Shqipërisë e 90-ta për vitin 2014 është e papranueshme, veçanërisht kur sheh se cilët janë faktorët që kanë prishur “notën mesatare”. Për këtë renditje kanë përgjegjësi si opozita, edhe maxhoranca e sotme. Opozita sepse prej vitesh e ka njohur këtë problematikë dhe nuk e ka zgjidhur. Maxhoranca, modeli i ri ekonomik i së cilës ose nuk është, ose nuk është kuptuar. Ka shumë përkrahës të qeverisë që thonë: Prit se një muaj kemi në pushtet!!! Problematika dhe raportet kanë qenë publike edhe kur maxhoranca ishte për tetë vjet opozitë. Të njohësh problemet dhe të mos bësh dot projekte për zgjidhjen e tyre, minimalisht vë në dyshim aftësinë qeverisëse. Listim i problematikës, hartim projektesh për zgjidhje me resurset, afatet dhe përgjegjësit përkatës, implementim, monitorim, përmirësim – do ishte rendi i punëve që duhet të kishin nisur që në opozitë.
    Maxhoranca është angazhuar për një model të ri ekonomik, të orientuar nga prodhimi. Një nga sektorët që ka performuar më keq këto vite është industria e ndërtimit, e cila ka bërë që gjithë ekonomia kombëtare të punojë nën kapacitetet e instaluara. Ka një paqartësi rreth të ardhmes së kësaj industrie dhe sektorëve që lidhen me të, siç është shitja me pakicë e pajisjeve dhe orendive të shtëpive, deri te kreditimi. Meqë Toni Bler po këshillon qeverinë, në platformën e tij elektorale të vitit ’97 që mbajti laburistët 3 mandate në pushtet u angazhua për uljen e interesave të kredive për shtëpitë, duke ndihmuar si të pastrehët, edhe industritë e lidhura. Ku është projekti i Rilindjes për ndërtimin dhe strehimin? Më 9 nëntor 2013 bëhen 2 muaj në qeverisje.
    Përveç listës së problemeve, vendi ka nevojë edhe për njohjen e resurseve që ka në dispozicion për rritje. Modeli i ri ekonomik duhet t’u japë përgjigje pyetjeve: ku duhet dhe ku mund të investojë kapitali financiar vendas dhe i huaj? Pse prioritetet e modelit të ri ekonomik do jenë interesante për kapitalin vendas e të huaj, privat apo institucional? Si çdo vend, Shqipëria ka burime natyrore, njerëzore, logjistikë dhe kapitale. Çfarë cilësie i kemi resurset? Çfarë gjen kapitali vendas dhe i huaj tërheqës në resurset shqiptare që të investojë dhe të rikthejë ritmet e larta të rritjes ekonomike? Ne mund të kemi nevojë dhe dëshirë që p.sh. “Apple” të investojë në Shqipëri, por a sigurojmë dot 30 mijë inxhinierë, siç bëri Kina? Pa dyshim që sot jo. Dhe meqë jemi te “Apple”, sa ton domate duhet të eksportojmë që të importojmë një iPhone?
    Në vitin 2005 është bërë një tentativë shumë interesante nga qeveria socialiste për të evidentuar resurset kombëtare dhe cilësinë e tyre për të thithur kapitale vendase e të huaja dhe për të konkurruar në tregjet rajonale e globale. Ai studim resursesh i bërë nga një prej kompanive më prestigjioze në botë, evidentoi se Shqipëria mund të zhvillojë me shumë sukses dhe të thithë shumë kapitale vendase e të huaja duke u fokusuar në turizëm konkurrues, bujqësi organike dhe prodhim industrial sipas modeleve kineze. Kanë kaluar 8 vjet që atëherë dhe ndoshta sasia dhe cilësia e resurseve ka ndryshuar. Do ishte e udhës që kjo analizë e resurseve të ribëhet dhe mbi atë bazë të riformulohet modeli i ri ekonomik.
    Ekonomia shqiptare po punon nën kapacitet. Ajo ka nevojë të thithë kapital vendas e të huaj që të rritet. Mbi të gjitha ajo ka nevojë për një projekt të qartë bazuar në resurset që ka, që mund të angazhojë dhe në aftësinë tonë konkurruese në tregjet rajonale e globale.

    Panorama

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •