Qeveria, ligj për mbylljen si biznes të lojërave të fatit

Fejzi Braushi

Operacioni i Policisë së Shtetit “Fundi marrëzisë” ndaj kazinove dhe salloneve të basteve dhe vendimi për ndalimin e KAZINO-Ebasteve online, përbëjnë vetëm disa nga masat e para të qeverisë së majtë kundër lojërave të kumarit . Qeveria “Rama” ka një plan më afatgjatë për të luftuar këtë fenomen të përhapur gjerësisht në Shqipëri. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili duke folur para komisionit të Sigurisë për aksionet e deritanishme të policisë për mbylljen apo pezullimin e një pjese të lojërave të fatit, ka bërë të ditur se shumë shpejt ky aktivitet do të mbyllet në të gjithë Shqipërinë, qofshin këto me licenca apo pa licenca. Madje ai ka bërë të ditur se për këtë qëllim ekzekutivi është duke përgatitur projektligjin përkatës, i cili do t’i vijë për miratim Kuvendit. “Dijeni për përhapjen në paligjshmëri të lojërave të fatit ka patur Presidenti Nishani, Hysni Burgaj, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe Flamur Noka si ministër i Brendshëm. Paligjshmëria me lojërat e fatit të përplasej në fytyrë në çdo rrugë. Kam propozuar dhe do propozoj, dhe jemi në fazën e hartimit të ligjit, që të mbyllen tërësisht si biznes në Republikën e Shqipërisë”, – tha ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Burime nga ekzekutivi kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një nismë konkrete ligjore, e cila si fillim do të synojë të realizojë një moratorium për lojërat e fatit të të gjitha llojeve, duke filluar që nga kazinotë, sallonet e basteve sportive apo edhe lotaritë e tjera. Nuk dihet ende sesa do të jetë afati i këtij moratoriumi (ndalimi), por mësohet se deri më tani janë diskutuar opsione që e shtrijnë atë nga 6 muaj minimumi deri në 2 vjet maksimumi. Natyrisht qëllimi i këtij moratoriumi do të jetë së pari frenimi i fenomenit të basteve apo lotarive tek shqiptarët dhe së dyti, disiplinimi i funksionimit të tyre në bazë të rregullave të forta dhe ligjore. Sa i përket qëllimi të dytë, mësohet se qeveria po diskuton me ekspertë se si mund të jetë modeli i funksionimit të këtyre aktiviteteve, duke rritur në radhë të marrë sigurinë për lojtarët, duke garantuar lojë të ndershme, dhe së dyti duke rritur vlerat e licencave që do të jepen por edhe taksat që do të përfitojë shteti. Gjithsesi duhet theksuar se kohëzgjatja e këtij moratoriumi varet shumë edhe nga interesat buxhetore të vetë qeverisë, pasi siç dihet, lojërat e fatit në vend janë një nga të ardhurat më të mëdha buxhetore. Por paraardhësi i Tahirit në detyrën e ministrit të Brendshëm, demokrati Flamur Noka, duke përshëndetur aksionin ndaj lojërave të fatit, ka hedhur dyshime se këto veprime po bëhen për të favorizuar disa biznese afër qeverisë, që veprojnë në fushën e lojërave të fatit. “Sa i përket shkrirjes së sektorit të krimit ekonomik, është një ndëshkim kolektiv dhe ky është tipar i sistemeve diktatoriale”, – tha Noka. Lidhur me këtë aksion dhe furtunën që shkaktoi ai deri në shkrirjen e sektorit të policisë së krimit ekonomik, Tahiri ka sqaruar se ky ishte një hap i domosdoshëm, pasi bizneset e paligjshme të lojërave të fatit vepronin nën mbrojtjen e funksionarëve të shtetit edhe në polici.

MAPO