Rama-deputetëve: Emërimet në dogana, tatime dhe arsim, me konkurs

Emërimet në pozicionet shtetërore, qofshin këto pjesë e administratës publike apo jo, janë bërë dje pjesë e debateve në Grupin parlamentar socialist. Megjithëse i cunguar në numër (gati 30 deputetë të pranishëm), Grupi parlamentar i PS-së ka prekur dje dhe një nga temat më të nxehta të këtyre ditëve, siç janë punësimet në administratë. Deputetët kanë shfrytëzuar praninë e Kryeministrit dhe të disa prej ministrave për të ngritur shqetësimet e tyre mbi kriteret që po ndiqen për emërimet në të gjitha shkallët e administratës shtetërore, duke filluar nga pozicionet e larta në administratën qendrore deri tek ato të ulëtat në nivel lokal. Por siç mësohet nga burime te Grupi, vetë kryeministri Edi Rama i ka prerë rrugën çdolloj pretendimi të ndonjë deputeti, duke u treguar atyre edhe një herë se sa i përket sektorëve kyç, emërimet do të bëhen duke ndjekur kriterin profesional. Rama mësohet se ka veçuar tre sektorë, doganat, tatimet dhe arsimin, në të cilat ai ka theksuar se nuk ka vend për emërime mbi baza të përkatësisë politike. Siç bëhet e ditur, Rama ka siguruar edhe një herë se në këto tri fusha do të ndiqet kriteri profesional dhe se për to emërimet do të bëhen vetëm mbi bazën e konkurseve. Kështu, mësohet se ai ka theksuar se është i panevojshëm angazhimi i strukturave partiake në zgjidhjen e këtyre problemeve.

MAPO