TIRANE- E pranishme në takimin e gjashtë të komitetit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, që u zhvillua në Tiranë, eurodeputetja Doris Pack kritikoi qeverinë e re shqiptare për shkarkimet në administratë, duke i cilësuar ato si të padrejta.

“Dëgjova që drejtori i Entit Rregullator të Medias do të hiqet, kjo nuk varet nga qeveria, ky person varet nga parlamenti deri në vitin 2016, atëherë i mbaron mandati. Personi që ka zbuluar çështjen e Kurumit ishte një person i ri, i cili e kishte fituar këtë vend pune me konkurs, në 9 shtator. Sot në mëngjes zoti Rama na e shpjegoi arsyen, ai ishte shkarkuar sepse kishte informuar shtypin për çështjen Kurum. Por është dhe çështja e drejtorit të policisë. Ka shumë pozicione të cilat kanë nevojë për personel të mirëtrajnuar të cilët duhen gjetur dhe kjo mund të realizohet nëse ju nuk do të shikoni vetëm tek personat e afërt të partisë tuaj.”- deklaroi Pack.

Duke e cilësuar si të fryrë kabinetin qeveritar, eurodeputetja Pack tha se ministri për marrëdhëniet me parlamentin është i panevojshëm.

“Ministri i parlamentit, unë besoj që ka shumë ministra, 2-4 më tepër. Nuk besoj që keni nevojë për një ministër për marrëdhëniet me parlamentin.”- u shpreh Pack.

(er.nu/BalkanWeb)