Vrau policin në postbllok në Kamëz, autori në gjyq për aksident


Tirane – Një person i akuzuar për vrasjen e një punonjësi të policisë së shtetit në një pikë kontrolli në Kamëz, do të përballet me drejtësinë vetëm për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit.
Edmir Koleci, 38 vjec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, dhe Shkëlzen Sylaj, 42 i akuzuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, do të përballen me gjyqin në lidhje me ngjarjen ku gjeti vdekjen viktima Selman Lena dhe mbeti i plagosur rëndë shtetasi Preng Lleshi.
Sipas prokurorisë, në datën 04.05.2013, rreth orës 22.20, në aksin rrugor Instituti i Kamzës-Kamëz është plagosur punonjësi i policisë Preng Lleshi dhe ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Selman Lena, të cilët kanë qenë pjesë e postbllokut të policisë të caktuar në këtë vend për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Në përbërje të patrullës kanë qenë edhe 4 punonjës të tjerë të policisë. Patrulla e ka marrë detyrën në orën 22.00 dhe ka qenë në zbatim të një plani masash të ndërmarra nga forcat e policisë për të kontrolluar automjetet pa targa dhe me xhama të errët. Në funksion të kontrollit ishin marrë edhe masat me sinjalistikën parandaluese dhe për përcaktimin e korsisë nga duhet të hynin automjetet për t’iu nënshtruar kontrollit. Rreth orës 22.20 në këtë pikë kontrolli ka qenë duke u kontrolluar një automjet nga punonjësi i policisë Selman Lena, ndërsa punonjësi tjetër Preng Lleshi ka qenë brenda konave që gjenden pas tabelës “Ndal Policia”. Në këtë moment, një makinë tip BMË X6 është futur në parakalim, duke kaluar në korsinë e lirë të lënë nga mjeti i ndaluar që po kontrollohej. Mjeti BMË ka kaluar me shpejtësi të madhe dhe ka përplasur punonjësin e policisë Preng Lleshi dhe më pas ka devijuar në korsinë e konave, destinuar për kontrollin e automjeteve, duke përplasur edhe punonjësin e policisë Selman Lena, i cili po afrohej në atë moment për të ushtruar në një tjetër mjet të ndaluar. Automjeti BMË ka përplasur ndërkohë edhe dy mjete të tjera, ndër të cilat njëra ishte automjet policie. Pas përplasjes, automjeti BMË x6 është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, në drejtim të Kamzës. Pas kësaj përplasje, forcat e policisë në vendngjarje kanë njoftuar sallën operative dhe ndërkohë kanë nisur me urgjencë të plagosurit drejt Spitalit Ushtarak, ku me gjithë ndihmën e dhënë, punonjësi Selman Lena ka gjetur vdekjen.
Ndërkohë, u morën masat për identifikimin e automjetit që shkaktoi përplasjen dhe drejtuesit të saj. Brenda një kohë të shpejtë, policia gjeti mjetin e parkuar në oborrin e shtëpisë së shtetasit Islam Koleci, në Kamëz. Nga kqyrja e jashtme e automjetit dalloheshin qartësisht gjurmë të dëmtimit-përplasjes. U pyet shtetasi Islam Koleci dhe u mësua se automjeti ishte i djalit të tij, Edmir Koleci. Shtetasi Edmir Koleci, pasi kishte lënë makinën BMË X6 në oborrin e shtëpisë së babait të tij është larguar dhe i ka kërkuar shtetasit Shkëlzen Sylaj që ta niste deri në Fier.
Nga organizimi i forcave policore, u arrit që në orën 03.00 të mëngjesit të datës 05.05.2013, në vendin e quajtur “Katër rrugët e Shijakut” është bërë e mundur kapja e autorit të dyshuar në automjetin e shtetasit Shkëlzen Sylaj.
Nga akt-ekspertimi i kryer për këtë hetim, ka rezultuar se aksidenti ka ardhur si shkak i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Nga tërësia e veprimeve hetimore, konkludohet se nga ana e të pandehurit Edmir Koleci janë konsumuar elementët e veprës penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i ngjarjes”. Ndërsa nga ana e të pandehurit Shkëlzen Sylaj janë konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprës penale të “përkrahje të autorit të krimit”.
://www.lajmifundit.al