"Orteku" në Greqi kap 16 vetë, sekuestrohen 145 kg kokainë


Anila Jolie

Emri:  74876.jpg

Shikime: 671

Madhësia:  30.3 KB
Autoritetet policore greke në bashkëpunim me antidrogën amerikane, zhvilluan një super-operacion për çmontimin e një karteli ndërkombëtar të trafikimit të sasive të mëdha të kokainës, nga Amerika Latine drejt Greqisë dhe pjesës tjetër të Evropës.

Policia greke dhe agjencia antidrogë amerikane, DEA e shtriu operacionin “Orteku” në Atikë, Selanik, Serres, Halkidiki dhe Hania, duke vënë në pranga 16 persona nga të cilët, 4 ishin drejtuesit e rrjetit kriminal.

Gjatë “Orteku”-t u sekuestruan 145 kilogramë kokainë, 10 makina luksoze, 2 pistoleta, fishekë dhe 852 000 euro.

120 kg kokainë u gjet dje në portin e Selanikut, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me banane, që ishte nisur nga Ekuadori për t’u futur në Europe, nëpërmjet Greqisë.

Personat e arrestuar janë grekë, shqiptarë, gjeorgjanë, spanjollë, ukrainas etj. Ndër të arrestuarit janë 4 shtetas shqiptarë të moshës 27, 35 , 44 dhe 61 vjeç si dhe 3 minoritarë grekë nga Shqipëria përkatësisht 31, 34 dhe 37 vjeç. Mbi të gjithë të arrestuarit rëndon akuza e krijimit të organizatës kriminale, pastrimi i parave, importi dhe shpërndarja e drogave.

Të gjithë të arrestuarit dërgohen sot në prokurorinë e Athinës, ndërkohë që hetimet janë në vazhdim për të hetuar plotësisht çështjen.

Autoritetet greke thonë se me zbulimin e këtij karteli kriminal, i kanë dhënë një goditje të madhe trafikantëve të drogës, që veprojnë në nivel ndërkombëtar dhe fitojnë shuma të mëdha parash të paligjshme.

(Balkanweb)