Totozani: Të legalizohen martesat gej
Avokati i Popullit Igli Totozani bëri thirrje sot që Shqipëria të diskutojë dhe të miratojë lejimin e martesave gej.
“Le të jemi vendi i parë në Ballkan që e bëjmë diçka të tillë,” tha sot Totozani.
Legjislacioni shqiptar njeh martesat si lidhje të një burri me një grua dhe martesat brenda një gjinie nuk njihen ligjërisht e nuk mund të regjistrohen. Tre vjet më parë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se “do të legalizojë martesaj gej”, por pavarësisht zhurmës së krijuar, ai nuk e mbajti fjalën.
Partia Socialiste para zgjedhjeve ka bërë të ditur se është dakord me hapjen e një debati në shoqërinë shqiptare për këtë çështje, por nuk ka mbajtur qëndim zyrtar. Shoqatat aktiviste të të drejtave të komunitetit LGBT kanë kërkuar deri më sot mosdiskriminimin e tyre nga shoqëria dhe autoritetet shtetërore, por nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për lejimin e martesave brenda seksit.
Martesa të tilla kanë filluar të lejohen vonë në legjislacionet e shumë vendeve. Hollanda qe nga të parat në vitin 2001, pasuar nga Belgjika, Spanja, Suedia, Afrika e Jugut e vende të tjera.
Shqip
Krijoni Kontakt