Kandidatët për Gjykatën e Lartë

21/10/2013

Ora 13:00 e së hënës ishte afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave në Presidencë për dy vëndet vakante në Gjykatën e Lartë. Një burim në Presidencë i tha Top-Channel se deri në këtë afat të datës 21 tetor, kandidaturat e paraqitura nuk duket se janë të shumta, siç ka ndodhur herët e tjera.

Këto burime, në kushtet e anonimatit, deklarojnë se bie në sy të kenë paraqitur dosjet më pak se 10 kandidatë, ndër të cilët figurojnë:

Igli Toska, ish-ministër i Rendit deri në vitin 2005, por edhe anëtar i KQZ, apo edhe gjyqtar më parë. Prej vitit 2005 zoti Toska nuk është i përfshirë në politikë por ka punuar si avokat. Gjatë 8 viteve të fundit ai është specializuar në SHBA për luftën ndaj krimit të organizuar dhe në qendrën Marshall në Gjermani për çështje të sigurisë dhe terrorizmit.

Çlirim Gjata, ish-kryetar i KQZ-së dhe gjyqtar më parë, sot doktor i shkencave dhe dekan i Departamentit të Drejtësisë në një universitet privat, është një tjetër kandidaturë.

Gjithashtu, kandidaturën për anëtar të Gjykatës së Lartë e ka paraqitur Sinan Tafaj, president i Shoqatës së të Verbërve, me profesion jurist, i vetmi që deri më tani e ka deklaruar publikisht ambicjen për të qenë pjesë e këtij institucioni.

Një prej kushteve për të plotësuar kriterin e anëtarit të këtij institucioni është mospërfshirja në veprimtari politike apo antarësi në forumet drejtuese të partive politike 7 vitet e fundit. Ky kusht plotësohet prej tre aplikantëve të mësuar deri më tani.

Presidenca e kontaktuar nga Top-Channel nuk ka preferuar t’i bëjë publikë emrat e të gjithë të interesuarve që kanë aplikuar. Pavarësisht se institucioni i Presidencës nuk e ka detyrim ligjor bërjen publike të emrave të aplikantëve, njoftimi publikut me emrat e tyre do të ishte një element në shërbim të transparencës nga ky insititucion.

Gjithësesi i mbetet presidentit të dekretojë dhe Parlamentit t’i aprovojë. Çështja qëndron në faktin se, a do të kthehet kjo në një provë force mes Parlamentit dhe presidentit, siç ndodhi në legjislaturën e kaluar me presidentin Bamir Topi dhe maxhorancën e djathtë?

Kjo mbetet ta shohim. Por përse janë krijuar dy vende vakante në Gjykatën e Lartë? Më datë 1 tetor hyri në fuqi ligji për disa ndryshime në Gjykatën e Lartë, i cili parashikon edhe hapjen e dy vendeve të reja për anëtarë të kësaj gjykate.

Pra, nga 17 anëtarë kjo gjykate nga data 1 tetor 2013 bëhet me 19 anëtarë. Për këtë zyra e presidentit të Republikës prej datës 10 tetor shpalli nisjen e proçedurës për plotësimin e dy vëndeve vakante. Kriteret mbeten ato që kanë qenë për anëtarët e Gjykatës së Lartë pa u ndryshuar.

Top Channel