‘Unë, vajza e Marcello Mastroianni-t dhe Catherine Deneuve’

2 tweet
Flash, Kuriozitete, Une Gruaja e Dielë, 13 Tetor, 2013 | 13:38 pm

Chiara Mastroianni me të atin, Chiara Mastroianni Marcello Matroianni-n dhe të
ëmën, Catherine Deneuve
Me ne fund ndodhi intervista. Chiara Mastroianni qesh, teksa tregon se fëmijët i thonë se i ngjan Marge-it, gruas së Homer Simpson, personazhit të njohur vizatimor. “Jo për shkak të flokëve, por sepse u dukem një mama e mirë, por plot ankth. Unë sforcojmë t’i zhdramatizoj situatat, në një kohë që shoh që për ta nuk ishin fare dramatike”. Ata janë Milo e Anna, 16 e 10 vjeç: i pari me skulptorin Pierre Torreton, dhe e dyta nga martesa, tashmë e marrë fund, me këngëtarin Benjamin Biolay. “Kësaj vere Milo më fshehu notat e provimeve: Nuk do flije gjumë gjithë natën”. Më e pabesueshmja është se janë ata që përpiqen të më mbrojnë mua”. Ajo mbyll sytë e pas një çasti thotë “Shoh se koha ikën shpejt. Kam shumë mall”.

KOHA
Ky është dimensioni që gjithmonë e vë në krizë Mastroiannin. I ati, Marcello, aktori mit i kinemasë italiane, kishte tmerr nga koha e lirë, nga mos të diturit se ç’të bënte, nga pasiviteti i zgjatur. Chiara, ende fëmijë, shkonte ta takonte në Romë për pushime, ndërsa jetonte në Paris me të ëmën. Aktoren simbol të kinemasë franceze, Catherine Deneuve. Ai i kalonte ditët duke menduar se ç’do hante apo në dremitje të gjata. “Ndihej mirë vetëm kur punonte, në sheshxhirim ndodhej mes njerëzve, bëhej euforik dhe i gjallë. Atëherë po që ishte i lumtur”, tregon Chiara, duke u kthyer pas në kohë dhe duke ndier keqardhje për atë kohë të humbur: 10 ditët që ndanë vdekjen e të atit nga ardhja në jetë e të birit në vitin 1996. Për të ndryshuar argument, ajo e çon bisedën tek “rr-ja” e saj, “ajo për të cilën kushërirat romane për vite kanë qeshur me mua”. Ndodh gjithnjë kështu, italianët vënë në dukje theksin francez dhe gjithë bota gjestikulacionet tipike italiane. “Im atë më thërriste ‘francezka’, kur mërzitej me mua. Kurse ime më, kur binim ndesh për diçka, më thoshte: është e qartë, është italiane. Po s’pati diell, po nuk pati dritë, vuan”.

FEMME FATALE
Sapo ka kaluar të 40-at dhe po jeton një stinë të panjohur: atë të gruas “sexy”. “E mendoni, pas shumë vitesh në kinema, kaluar duke interpretuar gra të brishta, të torturuara apo në krizë”? “I kam sytë melankolikë”, thotë shpesh, “me këtë shikim është e qartë që do më ofrojnë rolin e viktimës”. “Perfekte si fqinja simpatike, grua e divorcuar, atë që e braktisin apo pak të shkarë. Dhe tani ja ku jam”, thotë ajo, duke ironizuar me veten në fushatën publicitare për parfumin Fendi L’Acquarossa, ku ajo “josh” një statujë romake. Por më së shumti duke treguar rolin në filmin “Les Salauds”, filmin mbi seksin dhe pushtetin, që ka bërë për vete Kanën. “Do të jesh një femme fatale, më tha Claire Denis, regjisorja e ‘Les Salauds’. Dhe unë që pyeta veten: Kujt po i thotë?, madje u ktheva të shihja se mos kishte ndonjë tjetër në sallë”. E më pas si shkoi? “Ishte si të bëje një film fantastiko-shkencor, por është bukur të eksplorosh zona të errëta dhe të panjohura. Raphaelle, personazhi im, nuk është simpatike: kishte një djalë me një burrë shumë të pasur e shumë më të madh në moshë se ajo, me të cilin nuk jeton më. Ishte një grua e dobët, por në këtë lidhje ka gjetur forcën, agresivitetin. Tashmë e vetmja gjë që i intereson është të rrisë fëmijën e saj, në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mbyllur sytë para gjithçkaje. U bë pjesë e një loje ku paratë, seksi dhe pushteti përbëjnë një ingranazh të vetëm. “Jam një besimtare”, tha Denis teksa prezantonte filmin, “besoj në dashurinë dhe urrejtjen”. Është film i rëndëm i dhunshëm, por në art dhe në kinema më pëlqejnë gjërat që shqetësojnë: nga mirësia dhe veprat e mira mund të vdesësh”.

DASHURIA
Por të dëgjosh atë nga të thënët në të bërë është një botë e tërë. Përfshirë dhe emocionin. “Pas çakut më dhemb stomaku, në tapetin e kuq vazhdoj të shoh këmbët. Por vetëm kur aktroj, zhvishem nga pengesat e mia”. Është çliruese, e thotë në frëngjisht. “Në jetën e përditshme jam shumë e ndrojtur. Nuk dua që realiteti të përzihet me virtualen. Kështu, vetëm kur aktroj, mund të largohem nga vetja. Është si një pushim…” Nuk flasim për atë me të cilin bashkëjeton, ndërsa të vjen në mendje e ëma, Deneuve, e cila në lidhje me dashuritë i thotë një gazetari “Ju siguroj që edhe unë kam një jetë”. Megjithatë, po të kërkosh në internet, del se bëhet fjalë për Vincent Lindon (partneri i saj në “Les Salauds”) dhe, veç baballarëve të fëmijëve të saj, del edhe flirti i gjatë me Benicio del Toro. “Më pëlqen e bukura kur është instiktive, jo e sofistikuar. Dhe nuk flas vetëm për burrat. Është i bukur një film i vjetër, dritat mbi Marlene Dietrich, personaliteti i Magnani-t. Më shumë se fiziku, më pëlqen jeta që shoh në një fytyrë, kush ia del që të transformojë rrudhat dhe rrathët e syve në forcë”. Edhe parfumet e tërheqin dhe e shtyjnë. “Aromat mund të jenë përkëdhelje ose makthe. I lidh me një person që ke dashur, një situatë që ke jetuar. Duhani do të më kujtojë gjithnjë tim atë. Si sapuni: kur kthehej nga një sheshxhirim fuste kokën në lavaman. Aroma e lëkurës së pastër është një gjë që e adhuroj. Ime më, ndërkohë, ka pasur parfume shumë të mira. Duke qenë shpesh nëpër udhëtime për punë, i merrja dhe hidhja ndonjë pikë, për ta ndier pranë”.

FAMILJA
Është e qartë: Chiara është mësuar aq shumë ta pyesin për prindërit, saqë nis vetë dhe tregon për këtë familje speciale. “E vërteta është se e spostoj bisedën tek ata, që të mos flas gjithë kohës për vete”, thotë ajo. Marcello ishte gati 50 vjeç kur ajo lindi. E ëma ishte martuar me David Baley dhe kishte një fëmijë me Roger Vadim. “Tim atë e donin se nuk sillej si star. Ishte simpatik dhe i thjeshtë në madhështinë e tij. Me të jetova poezinë e Cinecitta, drita, zdrukthëtarë e piktorë, drekat, bisedat mes figurantëve të veshur si centurionë romakë apo astronautë, një cirk i çmendur”. Për të çdo arsye ishte e mirë për të bërë festë: “Është dita jote e parë në Romë, duhet të dalim”. “Është nata jote e fundit: duhet ta festojmë”. Ime më është esenca e kinemasë dhe e stilit. Shumë e konsiderojnë të ftohtë dhe të largët, por ka bërë një punë të rëndë me mua: shkolla, edukimi. Kur vendosa të bëhem aktore, nuk ishte dakord: “Është një zanat që të bën të brishtë. Nuk duhet të më shohësh mua dhe tët atë, jeta e aktorëve nuk është për të gjithë kështu”. Ka një personalitet të fortë, e vërtetë, por është edhe një grua që pëlqen të gatuajë, të punojë në kopsht, të luajë me letra. Ka shumë humor. Është një grua fantastike”. (Marrë nga D-La Repubblica)

http://www.panorama.com.al/2013/10/1...erine-deneuve/