Masakra e Indisë për të cilën nuk u fol kurrë

26 Shtator 2013 | : Ndryshe | Autor: Gazeta Shqip

Shteti i ri indian u përball me refuzimin e një princi për të njohur sundimin e Dehlit mbi principatën e tij. Mposhtja e këtij refuzimi u pasua me një masakër, për të cilën qeveria e Indisë vijon të heshtë edhe sot

Hiderabad 1948

Mike Thomson, BBC




Kur India u nda më 1947-n, rreth 500 mijë vetë u vranë në përleshjet ndërfetare, përgjithësisht përgjatë kufirit me Pakistanin. Por një vit më vonë, një masakër tjetër ndodhi në Indinë qendrore, ngjarje për të cilën nuk është folur kurrë. Në shtator dhe tetor 1948, shpejt pas pavarësisë nga Perandoria Britanike, dhjetëra mijë njerëz u masakruan në mënyrë brutale në Indinë qendrore. Disa u vunë pas murit dhe u ekzekutuan nga ushtarët e ushtrisë së Indisë. Megjithatë, një raport i komisionuar nga qeveria për të zbuluar se çfarë ndodhi, nuk u publikua kurrë dhe shumë pak njerëz në Indi sot e dinë që kjo ngjarje ka ndodhur. Kritikët akuzojnë qeveritë e njëpasnjëshme të Indisë për fshehje të së vërtetës.

Hinderabad ne Indi (3)Masakra ndodhi një vit pas dhunës së ndarjes në atë që ishte shteti Hiderabad, në zemër të Indisë. Ai ishte një nga 500 shtetet princërore që patën gëzuar autonomi nën sundimin kolonial të Britanisë. Kur mbërriti pavarësia më 1947-n, pothuajse të gjitha këto shtete ranë dakord të bëhen pjesë të Indisë.

Nizami mysliman i Hiderabadit, apo princi, këmbënguli që të mbetet i pavarur. Kjo zemëroi udhëheqësit e shtetit të ri, të cilët në shumicë qenë Hindu. Pas një përballjeje mes Dehlit dhe Hiderabadid, qeveria në fund humbi durimin. Për më tepër, dëshira për të ndaluar një shtet të pavarur nën udhëheqjen e myslimanëve në zemër të Indisë hindu, ishte shumë e madhe.

Anëtarët e milicisë së fuqishme Razakar, dega e armatosur e partisë më të fuqishme myslimane të Hiderabadit, po terrorizonin shumë fshatarë hindu. Kjo i dha Kryeministrit Jauaharlal Nehru pretekstin që dëshironte. Në shtator 1948, ushtria e Indisë pushtoi Hiderabadin. Në atë që gabimisht u njoh si një “aksion policor”, forcat e Nizam u mposhtën pas pak ditësh lufte pa asnjë humbje të madhe në jetët e civilëve. Por në Dehli mbërritën fjalë se grabitjet, zjarrvëniet dhe vrasjet masive të myslimanëve pasuan pushtimin. I vendosur për të zbuluar se çfarë ndodhi, Nehru i alarmuar urdhëroi krijimin e një skuadre ndërfetare për të vizituar Hiderabadin dhe për të hetuar. Komisioni u udhëhoq nga kongresmeni hindu Pandit Sunderlal. Por raporti i prodhuar që mban emrin e tij nuk u publikua kurrë.

Skuadra e Sunderlal vizitoi dhjetëra fshatra në të gjithë shtetin. Në secilin prej tyre u mbajtën shënim të dhënat e treguara nga myslimanët e mbijetuar. Ato flisnin për dhunë rrëqethëse: “Ne kemi prova të pamohueshme se kishte shumë raste kur burra që i përkisnin ushtrisë së Indisë dhe policisë vendase morën pjesë në vjedhje, madje edhe në krime të tjera. Gjatë udhëtimit tonë ne mblodhëm në jo pak vende, informacion që tregonte se ushtarët nxitën dhe detyruan turma hindush të vidhnin dyqanet dhe shtëpitë e myslimanëve.”

Skuadra hetimore raportoi se ndërsa fshatarët myslimanë qenë çarmatosur nga ushtria e Indisë, hindutë qenë lejuar të mbanin armët. Në disa raste, thotë ai, vetë ushtarët e Indisë morën një rol aktiv në kasaphanë: “Në një numër vendesh, forcat e armatosura morën myslimanët meshkuj të rritur nga fshatrat dhe qytetet e i masakruan me gjakftohtësi.”

Skuadra hetuese raportoi gjithashtu se kishte edhe raste kur ushtria u soll mirë dhe mbrojti myslimanët.

Masakrat u tha se qenë përgjigje për shumë vite frikësim dhe dhunë kundër hinduve nga milicia Razakars. Në shënime konfidenciale të shtuara te raporti Sunderlal, autorët detajuan natyrën barbare të hakmarrjes së hinduve: “Në shumë vende ne na treguan puse që qenë ende përplot me trupat që po kalbeshin. Në një të tillë ne numëruam 11 trupa, mes të cilave ishte edhe trupi i një gruaje me një fëmijë në krahët e vet.”

Dhe pastaj vijonte: “Ne pamë mbetjet e trupave që qenë hedhur nëpër pellgje. Në shumë vende mund të shihnim kockat dhe kafkat e karbonizuara.”

Raporti vlerësoi se mes 27 mijë dhe 40 mijë njerëz qenë vrarë. Nuk është dhënë ndonjë shpjegim zyrtar për mospublikimin e raportit nga Nehru, megjithëse ka gjasa që në ato vite të dhunshme pas pavarësisë, një lajm i tillë mund të kishte shkaktuar edhe më shumë përleshje e viktima.

Mbetet gjithashtu e paqartë se pse, shumë dekada më vonë, nuk ka ende asnjë të dhënë mbi ngjarjen nëpër librat e historisë. Edhe sot, shumë pak indianë e dinë se çfarë ndodhi.

Raporti Sunderlal, megjithëse i panjohur për shumicën e indianëve, tashmë është i hapur në Muzeun Përkujtimor të Nehru në Nju Dehli. Ka pasur thirrje në median e Indisë që ai të publikohet për t’u lexuar nga më shumë njerëz. Disa argumentojnë se ai mund të shkaktojë përleshje të reja mes myslimanëve dhe hinduve.

“Duke jetuar në këtë vend me të gjitha konfliktet dhe problemet, unë nuk do të ankohesha shumë (për mospublikimin)”, thotë Burgula Narasingh Rao, një hindu 80 vjeç që jeton në Hiderabad.

“Mund të ketë reagime dhe kundërreagime e gjëra të pakëndshme, por në nivelin akademik e studimor, në nivelin e publikimit, këto gjëra duhet të bëhen publike. Unë nuk kam problem me këtë.”

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/0...k-u-fol-kurre/