Djemtë e pashëm / Delophine de Vigan



Një vajzë ëndërrimtare, që ka lexuar libra, por e do dashurinë t’i vijë si një ëndërr, që shpiket nga e para, sa herë që përjetohet. Me romanin “Djemtë e pashëm”, Dolphine de Vigan përmbys një realitet ndjesor duke krijuar një botë romantike jo klasike; “dashuria që ushqehet si thërrime, me psherëtima… dashuria që ushqehet nga çdo gjë, dhe rritet me iluzione”



tissot_cercleMarku nuk ishte tullac. Le të themi jo krejt tullac. Sigurisht që Marku e rruante kokën për të fshehur tullacërinë e tepruar për moshën e tij. Marku kishte një kokë të shogët dhe të lëmuar. Marku ishte i pashëm. Ndryshe nga meshkujt e tjerë që kam njohur, Marku nuk rrufiste hundët, nuk kollitej, Markun nuk e zinte kurrë papritur e pakujtuar ndonjë kruajtje a skërmitje, por, edhe sikur të ndodhte, ai s’linte të kuptohej asgjë. Markut nuk i hapej goja për gjumë, me gjithë udhëtimet e shpeshta dhe netët e gdhira, nuk i fërkonte sytë kurrë.

Marku nuk shfrynte ndonjëherë hundët, nuk shkonte në banjë, Marku s’kishte të sharë në praninë time.

Jo, Marku nuk thoshte as mirëdita, as mirupafshim. Thjesht, ai vinte dhe ikte. Marku s’më ka thënë kurrë faleminderit.

Pesëmbëdhjetë shtatorin e vitit të kaluar, e takova Markun për heër të parë. Pas njëzet majit nuk e takova më. Gjatë atyre muajve, Marku ishte boshti i jetës sime.Ose më saktë: Marku ishte jeta ime, jeta ime e thithur në atë vorbul lvetmitare dhe egërshane. Banaliteti i këtij mendimi nuk i zbeh meritat e takimit tonë. Do të doja ta quaja lidhje, por e di që s’është fjala e duhur. Po kërkoj një fjalë tjetër që do të nënkuptonte gjithçka njëherësh: pritjen, gazmimin, humbjen. Ajo fjalë nuk ekziston. Marku është kokë më vete, jashtë cdo kategorie; sapo flet, Marku të ngatërron, të dredhon, për më tepë, duhet t’ia shkruaj emrin “Marc” dhe jo “Mark”, por unë e njoh vetëm si Mark. Vetëm unë vazhdoj ta përmend ende sot dhe nga të gjithë njerëzit që e kanë njohur, unë e kam njohur më mirë se kushdo.

Marku do të mbetet i imi. Në kujtimet e mia. Në kujtimin e turbullt të atyre muajve të tretur në pritjen e takimeve tona.

Ishte një ditë e zymtë, ende pa filluar vjeshta. Izabela më kishte telefonuar rreth orës nënte për të më pyetur nëse mund ta ndihmoja me pazarin, pasi ajo ishte pa qejf. Sapo kisha mbetur pa punë dhe jeta ime ishte pothuajse aq e zbrazët, sa një shtëpi e nxjerrë në shitje.

Kur arrita, e gjeta derën hapur.

Pashë Izabelën, të mbështjellë me penjuarin e saj si cohë sfungjeri, të shtrirë në kanape, me një jastëk poshtë qafës. Televizori ishte ndezur.

Lashë qeset e pazarit në sallon. Marku ishte aty, i ulur në kolltuk. Buzëqeshte. Izabela kërceu në këmbë dhe u zhduk në kuzhinë. Madje, pa më prezantuar me të, ajo kishte rrokur qeset dhe më kërkonte t’i shkoja pas.

Kur u ktheva, e këqyra Markun për disa sekonda, s’ma do mendja se i buzëqesha.

Izabela rrinte ulur mbi një fron teksa rregulloja psonisjet nëpër vende. Asgjë nuk pipëtinte nga salloni. Ajo filloi të dërdëlliste për gripin, për punën dhe për Rafaelin që e kishte lënë dhe s’ishte kthyer më. Ajo e kishte pritur deri në mëngjes, e shtrirë në shtrat, me sytë e zgurdulluar. Pas disa javësh, ai kishte dërguar dikë për të marrë sendet e tij.

Edhe pas dy vjetësh, Izabelës s’i pushonte goja për atë brengë dhe për zhurmën e derës që ai e kishte përplasur me forcë, atë zhurmë që e përndjek ende sot. Mbylla frigoriferin, dollapet, u ula pranë saj, më ngjau aq e brishtë e mbështjellë me penjuar saqë pata dëshirë ta përqafoja.

Kur u kthyem në sallon, Marku kishte ikur.

Izabela zuri vendin e saj në kanape, me një batanije laramane mbi gjunjë; me krahët e kryqëzuar mbi gjoks, ajo m’u duk akoma më e zbehtë se në fillim.

I thashë: “Çlodhu tani” Ma bëri me shenjë të fikja televizorin.

S’mbaj mend nëse Izabela më falenderoi për psonisjen. Prej kohësh, ajo s’e vret mendjen për zakonet dhe sjelljet e mira. S’ia vlen të jem hatërmadhe me të. E di që vetmia ia ka bërë kokën dhallë.

Pa e kuptuar, Izabela më kishte bërë dhuratë Markun dhe kjo mjaftonte.

Nuk desha ta takoja sërish. Marku kishte lënë gjurmë tek unë, ashtu siç lë një dritë e fortë në retinën e syrit. Marku ishte ajo pika e shndritshme, ajo shkëndija e feksur që mbetet në sy, në mënyrën e tij, Marku ishte lidhur me mua, Marku më kishte ndjekur pas, edhe pse ne s’kishim thënë asnjë fjalë.

Marku kishte ardhur drejt meje, Marku më ishte afruar, mund ta pohoj si një fakt i kryer, edhe pse fakti që po i mëshoj kaq fort kësaj gjëje, me siguri ju bën të dyshoni te fjalët e mia. Megjithatë, jam e sigurt që Marku erdhi drejt meje. Një pasdite në orën pesë. Më keni kërkuar vazhdimisht t’jua rrëfej atë skenë, por gjithnjë më ngjan sikur ka diçka që mungon, diçka që përvidhet, i bishtnon çdo orvatjeje për ta treguar.

NË tetëmbëdhjetë shtator, tri ditë pas vizitës sime tek Izabela, Marku gjendej në shtëpinë time. Marku ishte tek unë dhe kishte veshur një këmishë të zezë. Paksa i sikletosur, ia nisi një monologu për misteret e njohjes dhe të lidhjes. Kështu përkthej unë, sepse Marku gjithnjë parapëlqente fuqinë ndjellëse të imazhit, në vend të saktësisë së fjalëve.



Më vonë, do të vija re që Marku vishte këmisha të errëta (të zeza, kafe, vishnje), shumë rrallë bluza, që ishte në gjendje të fliste për minuta të tëra rreth një ideje të vetme dhe relativisht të thjeshtë. Marku mund të thoshte pafundësisht të njëjtën gjë në forma të ndryshme. Marku zotëronte artin e retorikës si askush tjetër nga burrat që kam njohur, madje, edhe fjalët më të zakonshme fshihnin shpesh figura të gjalla stili.

Marku s’e prishte terezinë në bëhej i mërzitshëm apo qesharak. Për shembull, ( më pëlqen gjithnjë të marr shembuj, pasi ju më kërkoni vazhdimisht të vërtetoj atë që them- gjë që nuk më habit aspak, përderisa ju s’e njihni Markun), ai mund të thoshte:

“Gruaja që do të dijë të më dashurojë, duhet të më presë, pa pyetur kur, pa kërkuar asgjë, pa derdhur lot, ashtu si toka pret shiun”

Pas disa minutave:

“Ashtu si toka pret shiun, gruaja që do të dijë të më dashurojë, duhet të mësojë të më presë, sepse dashuria është e durueshme, s’ka nevojë për lot, as për kushte”

Përse qeshni? Po jua përsëris fjalë për fjalë, me saktësinë që meritojnë fjalët e tij. Nuk më gënjen mendja se ato fjalë më drejtoheshin mua.

Midis meje dhe Markut ishte krijuar një lidhje e atypëratyshme, e padukshme, përtej parimit të tërheqjes fizike dhe, pa asnjë dyshim, e ndërsjellë – kjo lidhje ushqehej dhe nga ca afërsi të tjera.

Fragment nga romani “Djemtë e pashëm”, botimet Pegi

http://www.forumishqiptar.com/newthr...ewthread&f=192