Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Shkatërrohet vila romake “rustika” në Glinë

    Shkatërrohet vila romake “rustika” në Glinë

    Gjirokastër - “Arkeologët” klandestinë, në kërkim të thesareve të floririt dhe antikuarëve për tregun e zi shkatërrojnë me ekskavatorë monumentet e trashëgimisë antike

    Engjëll Serjani

    Emri:  Vila-romake-Rustika-ne-Gline-1.jpg

Shikime: 674

Madhësia:  80.3 KB

    “Arkeologët” klandestinë vazhdojnë në mënyrë të ethshme e të patrazuar “ekspeditat” dhe gërmimet e tyre me ekskavatorë dhe me çdolloj forme e mënyre tjetër të dhunshme dhe duke u vënë në kërkim të thesareve, floririt e antikuarëve, ata lënë pas gjurmët e shkatërrimit të vlerave unikale të thesareve të kulturës dhe trashëgimisë sonë antike. “Ethet e thesarit” i kanë mbërthyer keqas këta shkatërrues të trashëgimisë kulturore të lashtësisë, aq sa në çdo rast, kur gjejnë gjurmë apo shenjë të antikitetit, menjëherë nisin gërmimin me ekskavator, duke përmbysur e shkatërruar gjithçka gjejnë përpara.

    Masakra mbi vilën rustika

    Rasti më i fundit i kësaj masakre është konstatuar disa ditë më parë në një sit arkeologjik romak ende të pastudiuar në zonën e Rëzës së Zezë, pranë fshatit Glinë dhe 4-5 km larg zonës së njohur dhe të pasur arkeologjike të Melanit në luginën e Drinos në Gjirokastër. Gjatë një inspektimi të drejtorit prof, dr. Përzhita, së bashku me arkeologun që studion dhe ndjek gërmimet në rajonin jugor prof. dr. Dhimitër Çondi, të kryer ditët e fundit në zonat arkeologjike të Luginës së Drinos për të parë gjendjen dhe problemet në zonën historike të Gjirokastrës, në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, Hadrianopolit dhe Melanit, në Palokastër, Kardhiq, Labovë e Kryqit, Libohovë etj., ekipi inspektues i arkeologjisë gjeti gjurmët e freskëta të një gërmimi klandestin në një objekt arkeologjik që ai e cilësoi si “vila rustika romake”. “Duke kaluar për të inspektuar gjendjen e Kishës Bizantine të Peshkëpisë, në kuadrin e një turi për të parë gjendjen dhe problematikën e siteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore në Luginën e Drinos, jam befasuar dhe trishtuar nga ndërhyrja brutale me mjete të rënda mbi një objekt antik që ndodhet në të djathtë të rrugës që të çon në Melan. Të ashtuquajturit “kërkues të thesareve”, duke përdorur mjete të rënda, kanë gërmuar dhe shkatërruar plotësisht gjurmët e një objekti antik, që nga një vështrim i mbetjeve të gurëve, tullave, tjegullave dhe qeramikës midis dheut të gërmuar nga ekskavatori, të lënë të kuptosh se objekti i përket një vile romake të llojit rustika që ndërtoheshin në zona jashtë dhe larg qyteteve”, thotë për gazetën “Shqip” drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita. Gjatë kësaj ekspedite inspektuese, grupi i arkeologëve ka konstatuar gërmime edhe në brendësi të kështjellë së Kardhiqit. Sipas arkeologut, prof. dr. Dh. Çondi, objektet e tipit “vilë romake” i përkasin fillimit të periudhës imperiale, pra të kohës midis shekullit të parë dhe shekullit të dytë të erës së re. Sipas shkrimtarit romak, Plin Plaku, fjala vilë kishte kuptimin e një ferme të shtresave të larta shoqërore, e cila ishte dy llojesh: vilë fshatare “rustika” dhe vilë qytetare apo urbane. Përgjithësisht vilat romake “rustika” ishin organizuar në formën e fermave të rrethuara me kopshte, ullishta dhe vreshta dhe në to përgjithësisht jetonin dhe punonin skllevërit, ndërsa pronarët jetonin në qytete dhe vetëm rrallë venin e vinin në këto vila.

    Emri:  Vila-romake-Rustika-ne-Gline-6.jpg

Shikime: 871

Madhësia:  62.2 KB


    Pjesë e hartës arkeologjike


    I pyetur rreth historisë së zbulimit të këtij objekti, arkeologu Çondi tha për gazetën “Shqip” se këto rrënoja kanë qenë të njohura dhe evidentuara nga ekspertët e arkeologjisë, por ato nuk janë gërmuar dhe studiuar, ndonëse janë përfshirë në hartën arkeologjike të Luginës së Drinos rreth 35-40 vjet më parë në një studim të arkeologut prof. dr. Dhimosten Budina. Lidhur me historinë e kësaj rrënoje të dëmtuar nga gërmimet e pakontrolluara të klandestinëve, arkeologu vendas, Vladimir Qirjaqi, thotë se për herë të parë, rrënojat kanë dalë në dritë gjatë punimeve për ndërtimin e kompleksit të industrializimit të ujit mineral të Glinës, por prej asaj kohe, zona nuk është studiuar nga ekspertët dhe për këtë arsye ajo nuk është e përfshirë në listën e Monumenteve të Kulturës, të shpallur dhe mbrojtur nga shteti shqiptar. “Pjesa e rrënojave të zbuluara gjatë punimeve për ndërtimin e fabrikës së ujit të Glinës nuk të krijonte ndonjë ide të qartë për periudhën historike të shtresës kulturore, apo për funksionet e këtij objekti, por gjithsesi kjo zonë është parë dhe përfshirë në hartën arkeologjike të Luginës së Drinos, që është duke përfunduar së përgatituri nga ekspertët e misioni arkeologjik shqiptaro-italian i Universitetit të Manceratës, që vazhdon projektin e gërmimeve dhe valorizimit në qytetin romak të Hadrianopolit. Deri tani kjo zonë dhe gjurmët e rrugës antike që kalon shumë pranë saj nuk kanë qenë e studiuar dhe pikërisht për këtë arsye nuk janë miratuar e shpallur sipas ligjit ‘Për Trashëgiminë Kulturore’ si pjesë e listës së Monumenteve të Kulturës të mbrojtur nga shteti”, sqaron zoti Qirjaqi.

    Kur do t’i thuhet “Ndal!”

    Gërmimet klandestine në zonat arkeologjike dhe grabitja e ikonostaseve të kishave kohët e fundit kanë marrë përmasa shumë të mëdha. Gjatë këtyre muajve të fundit, klandestinët janë bërë më të guximshëm dhe u janë afruar objekteve qendrave të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike. Këta aventurierë përgjithësisht janë të interesuar për objektet metalike, mirëpo në tumë, në kishë, në shpellë, në rrënojë nuk ka vetëm objekte të tilla, por aty ka qeramikë, ka objekte të përdorimit të përditshëm, eshtra, skelete, objekte zbukurimi me vlerë të jashtëzakonshme studimore dhe shkencore, duke filluar që nga periudha prehistorike, në periudhën antike urbane, helenistike, romake, bizantine, mesjetare, që përbëjnë një pasuri kolosale, për Shqipërinë, Ballkanin, Europën, Mesdheun dhe njerëzimin në përgjithësi. Tregu i objekteve arkeologjike dhe antikuarëve që ka ekzistuar prej dekadash në botë, sikurse konstatohet po e shtrin rrjetin e bashkëpunëtorëve edhe në Shqipëri. Nuk është vetëm detyrë e institucioneve të studimit dhe menaxhimit të pasurive arkeologjike, por u takon instancave të tjera të specializuara që të zbulojnë grupet e inkriminuara në këtë fushë. Në grabitjen dhe qarkullimin e këtyre vlerave tashmë janë përfshirë jo vetëm kërkuesit shqiptarë, të cilët përgjithësisht janë të paarsimuar, por sponsor dhe trafikantë me eksperiencë, grekë, italianë, anglezë, francezë, të cilët pasi i vënë në dorë antikuarët e zbuluar me ekskavator, i vënë ato në qarkullim në tregun ndërkombëtar të antikuarëve. Me gjithë denoncimet e bëra deri tani për të gjithë grabitjet e vlerave të rralla të trashëgimisë kulturore, deri tani nuk ka asnjë vlerë të zbuluar dhe asnjë grabitës të dënuar. Pyetja që mbetet pa përgjigje është: Kush dhe kur do t’i thotë “Ndal!” gërmimeve klandestine dhe grabitjes së kësaj pasurie të rrallë dhe unikale?. Reagimi është i pamjaftueshëm, jo vetëm nga strukturat dhe institucionet e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, por edhe nga pushteti lokal në komunat dhe bashkitë ku ndodhin gërmimet, apo nga policia dhe shërbimet e tjera të specializuara për të zbuluar grupet e kërkuesve klandestinë, të cilët veprojnë të pashqetësuar nga askush.


    Precedentët

    Raste të ngjashme të shkatërrimit të antikeve

    Sikurse është njoftuar nga gazeta “Shqip”, në javën e parë të muajit korrik të këtij viti është konstatuar shkatërrimi i pjesës së mbetur të një tume antike në afërsi të fshatit Valare të Komunës Lunxhëri të Gjirokastrës. Katër varre antike që ndodheshin aty janë shkatërruar përfundimisht me ekskavator nga persona ende të panjohur. Varret, që i përkasin periudhës historike të shekullit IV-III para Krishtit, ishin dëmtuar fillimisht në vitet e komunizmit gjatë aksioneve “për hapjen e tokave të reja”, janë rizbuluar në mars të vitit 2008 nga një ekspeditë arkeologësh dhe u shkatërruan nga klandestinët brenda pak minutash gërmim me skrap. Burime zyrtare të policisë lokale thanë në atë kohë se ata ishin njoftuar për ngjarjen, por pas interesimit të tyre pranë ekspertëve të trashëgimisë dhe kur kanë mësuar se ky objekt nuk përfshihet në listën e monumenteve të kulturës të miratuar nga MTKRS, nuk kanë nisur hetimet për ngjarjen dhe autorët e kryerjes së saj. Gjithashtu, disa muaj më parë, ekskavatori ka gërmuar dhe rrafshuar krejtësisht, pa as më të voglin shqetësim një monument antik pranë rrugës që kalon nga fshati Bajkaj të krahinës së Rrëzomës në rrethin e Delvinës. Skandali u bë publik nga eksperti i trashëgimisë Auron Tare, sipas të cilit ekskavatori ka çarë kodrën gati mbi 7 metra thellë. “Askush nuk i ndaloi këta barbarë modernë që t’i vinin jo kazmën, po ekskavatorin një tjetër monumenti të Trashëgimisë së këtyre anëve, i cili i kishte rezistuar gati 2500 vjetëve të hordhive barbare që kanë kaluar këtej pari”, shkruante Tare. Gërmime klandestine janë raportuar nga mediat edhe në kalanë ilire të Limarit në Përmet, kalanë e Kardhiqit, kishën e Bënjës, në qytetin e Foinikes etj.

    Shqip

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Shkatërrohet vila romake “rustika” në Glinë

    Arkitekti komenton gjendjen edhe për kishat bizantine të Labovës së Kryqit dhe Peshkëpisë

    Eksperti Reshat Gega: Situatë shumë trishtuese në vilën romake

    Në vizitën rutinë të drejtorit e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, z. Luan Përzhita, ishte i pranishëm edhe Reshat Gega, ekspert në fushën e monumenteve, për të parë nga afër disa nga monumentet e Luginës se Drinosit, si qytetin antik i Antigonesë, teatrin dhe forumin romak të Hadrianopolit, kishën e Labovës së Kryqit, kalanë e Libohovës dhe Kishë e Bizantine të Peshkëpisë, krahas krijimit të një ideje në lidhje me gjendjen fizike në të cilën ndodhen këto monumente dhe çfarë mundet të bëhet nga ekspertët për të përmirësuar. Por, Gega shprehet se fatkeqësisht u konstatuan disa probleme shqetësuese që e bëjnë situatën alarmante. Në këtë kuadër, ai ndau disa mendime me ne për situatën trishtuese në vilën romake të Glinës.

    Çfarë mund të na thoni për situatën me këtë objekt antik?

    Me shumë shqetësim them se situata më trishtuese ishte ajo e një objekti antik të shkatërruar nga përdorimi i mjeteve të rënda të gërmimit. Rrënojat, ndoshta të një vile romake, që gjendet pikërisht në rrugën që të çon për në Kisha e Peshkëpisë ishin të shpërfytyruara tërësisht nga ndërhyrja e dhunshme mbi to. Objekti gjendet jo më shumë se 80 apo 100 metra nga degëzimi i rrugës për në fshatin e Peshkëpisë, rrugës që të çon për në Stabilimentin e Prodhimit të ujit të Glinës. Me keqardhje të madhe, aty vumë re se shumë elemente arkitektonike ishin të shpërndarë në anët e rrugës, si edhe pak më thellë për nga jugu. Gjetëm blloqe kuadratikë të dimensioneve që lidhen me periudhën antike, si edhe elementë të tjerë të shtresës kulturore si, qeramikë, tulla, gryka pitosi etj.

    Po si mendoni, çfarë ka ndodhur?

    Dallohej qartë se bëhej fjalë për dy ndërhyrje të dhunshme. Njëra gjatë punimeve që janë bërë për të zgjeruar rrugën, ku ndërtuesit kanë bërë prerjen e monumentit, që me sa duket të periudhës romake. Ndërsa ndërhyrja e dytë ishte më e freskët, ndoshta para disa ditëve para ardhjes tonë këtu dhe me siguri, u përkiste kërkuesve të antikuareve dhe florinjve që kohët e fundit kanë shkatërruar një seri monumentesh antike me ekskavator. Pozicioni dhe terreni ku shtrihen këto gjurmë sugjerojnë shumë për një vilë romake. Për këtë periudhë flet edhe teknika e mureve, që rruga i ka prerë tërthorazi. Dallohen brezat e tullave me llaç të bollshëm, të cilat pasohen si lart edhe poshtë me breza mur guri. Kjo është teknikë e njohur si e përzier, (opus mixtum). Aty ku rruga ka prerë objektin dallohen muret, si dhe horizonti i dyshemesë që ka pasur ambienti i brendisë. Dyshemeja është me llaç gëlqereje, përzier me grimca tulle e granili të imët. Nga pamja e këtij brumi llaçi, të krijohet ideja se ndofta ka pasur edhe mozaik. Për këtë sugjeron si trashësia e shtresës, e cila shkon deri në 8 cm, por e dhëna historike në lidhje me mënyrën se si dekoroheshin dyshemetë e vilave të latifondeve në këtë periudhë. Ndoshta nuk është vilë romake. Mbase kemi një monument të periudhës hershme bizantine. Këtë do e tregonte saktë gërmimi arkeologjik, që do të duhej të bëhej sa më shpejt për të shpëtuar çfarë është e mundur, por edhe për të pasuruar historinë e zonës.

    Ju vizituat dy kishat bizantine të Labovës së Kryqit dhe Peshkëpisë. Çfarë mendoni për to?

    Në Kishën e Shën Mërisë të Labovës së Kryqit, unë, me shqetësim, vura re se problemet që lidhen me statikën e këtij monumenti të mrekullueshëm vazhdojnë të jenë prezentë. Strukturat e horizontit të mesëm, i cili përkon me bazën e tamburit, kanë dhëne shenja të cedimeve. Janë të vogla në dukje, por shumë të rrezikshme për atë që cilësohet si më jetikja e këtij monumenti, për humbjen e vertikalitetit dhe të ekzistencës së arkitekturës së saj. Duke i njohur mirë sjelljet e trupit të kishave, kur ato japin disa nga shenjat kryesore, nëpërmjet të cilave demonstrohet qartë fenomeni i degradimit dhe çuarja drejt shembjes, për mua kambanat e alarmit janë duke rënë shumë fort, por e rëndësishme dhe drithëruese mbetet kur tingullin e saj nuk po e dëgjon kush. Me të njëjtin problem u ndeshëm edhe në Kishën e Shën Mërisë të Peshkëpisë. Aty situata është akoma më e dukshme, më dinamike dhe shumë më e avancuar. Nisur nga fakti që kemi të bëjmë me një monument, i cili me mundësinë më të madhe i takon shek. XI, çka e bën atë një monument të rrallë dhe shumë të rëndësishëm për fontin e arkitekturës bizantine në Shqipëri, edhe në këtë rast tingujt e kambanës bien në vesh të shurdhër. Është për të ardhur shumë keq që ndaj problemeve që ka ky monument dhe që po e çojnë atë në prag të shembjes, pasi nuk ka pasur asnjë preokupim deri më sot, personalisht mund të them me bindje të plotë se kjo kishë e vyer i ka ditët të numëruara. Objekti, aktualisht është në gjendje të braktisur plotësisht, si nga institucionet e shtetit ashtu edhe nga institucionet e përkatësisë fetare.

    Shqip

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •