Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Bulevardi i ri i Tiranës, qeveria miraton vendimin për shpronësimet. 38.642 m² troje,

    Bulevardi i ri i Tiranës, qeveria miraton vendimin për shpronësimet. 38.642 m² troje, 204 objekte

    TIRANE- Qeveria ka miratuar vendimin per shpronesimin e trojeve dhe siperfaqes zene nga ndertesat ne zonen ku do te ndertohet bulevardi i ri i Tiranes dhe rehabilitimi i lumit te kryeqytetit.

    Qeveria vleresoi se zbatimi i këtij projekti paraqitet i një rëndësie vitale për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së kryeqytetit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies dhe të zhvillimit të vrullshëm ekonomik të Bashkisë Tiranë.

    “Për këtë qëllim, në përmbushje të plotë të realizimit të projekteve dhe investimeve kombëtare ose vendore, të përcaktuar në nenin 8 pika 2 të ligjit nr. 8561 datë 22.12.1999, “Për shpronësimin dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, Bashkia e Tiranës paraqiti pranë Ministrisë së Brendshme kërkesën për shpronësim për interes publik të pasurive të paluajtshme që preken nga ky ndërtim”- thuhet ne vendim.

    Për vënien në zbatim të projektit “Bulevardi Verior dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, faza e I-rë, në Bashkinë e Tiranës, pas analizës teknike të kryer nga grupet teknike të punës të ngritura pranë Bashkisë së Tiranës, është konstatuar nevoja për shpronësimin e pasurive troje në pronësi private me sipërfaqe totale prej 38.642 m² dhe 204 objekteve të ndërtuara, në pronësi apo posedim privat.

    Vendimi

    Referuar informacionit zyrtar dhe verifikimeve në terren të kryera nga grupet e punës të ngritura nga Bashkia e Tiranës me qëllim kontrollin, evidentimin dhe vlerësimin e masës së shpërblimit për objektet e banimit, objektet industriale dhe bujqësore, janë identifikuar si pasuri private të domosdoshme për t’iu nënshtruar procedurave te shpronësimit për interes publik, pasuri troje pronë private gjithsej 58 me sipërfaqe 38.642 m², të ndodhura në Zonat Kadastrale 8340 dhe 8330.

    Referuar informacioni zyrtar dhe bashkëpunimit institucional midis Bashkisë së Tiranës dhe ALUIZNI, është konstatuar se nga zbatimi i projektit “Bulevardi Verior dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, faza I-rë, preken 204 objekte ekzistuese, të cilat janë në pronësi apo posedim privat. Ndërsa llogaritjet e sipërfaqeve të ndërtimit në objektet e identifikuara si objekte që do t’i nënshtrohen shpronësimit, janë kryer nga grupet e punës bazuar në matjet metrike në terren, si dhe përllogaritjet matematikore dhe grafike. Pas shqyrtimit të dokumentacionit u arrit në konkluzionin se:

    - Për sipërfaqen prej 38.642 m² truall, vlerësuar me çmimin 26.137 lek/m² të ZK 8330, si dhe 23.217 lek/m² të ZK 8340, me vlerë totale 912.622.642 (nëntëqind e dymbëdhjetë milion e gjashtëqind e njëzet e dy mijë e gjashtëqind e dyzet e dy) lekë.

    - Ndërsa për 204 objekte, sipas matjeve në terren nga grupet e punës, si më lart dhe bazuar në çmimet e Entit Kombëtar të Banesave, vlera totale është 844.853.879 (tetëqind e dyzet e katër milion e tetëqind e pesëdhjetë e tre mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë.

    Në kushtet kur zbatimi i projektit shtrihet në një zonë urbane kryesisht informale, pjesa më e madhe e objekteve që do t’i nënshtrohen procesit të shpronësimit kanë statusin “objekte të ndërtuara pa leje”.

    Fondi për kompensimin e pronarëve që do të shpronësohen do të përballohet nga Bashkia e Tiranës.

    Panorama

  2. #2
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154

    Fillon puna për bulevardin e ri të Tiranës, gati në 18 muaj

    Kanë nisur punimet për ndërtimin e bulevardit të ri në Tiranë, që nis nga Stacioni i Trenit. Me një fond prej 26 milionë euro, Bulevardi i ri pritet të jetë gati pas 18 muajsh.

    Kryetari i Bashkise Lulim Basha e ka konsideruar fillimin e punimeve si një ditë historike. "Po hapim një korridor të ri zhvillimi për Tiranën, një korridor punësimi, nxitje të sipërmarrjes, si dhe një hapësirë të re të gjelbërimit dhe argëtimit", tha Basha.

    Por ndonëse sheshi ishte rrethuar nga forca te shumta të Policise Bashkiake dhe RENEA-s, kryetari i bashkise eshte pritur me protesta nga banoret shtepite e te cileve do shemben pasi preken nga gjurma e bulevardit te ri.Ata thone se prona e tyre eshte vleresuar me 26 mije leke për metër katror dhe disa here më pak se sa u takon. "Ne biseduam gjatë me të dhe çmimet e vlerësuara iu dukën qesharake. Ne presim një përgjigje të zezë mbi të bardhë nga kryetari i bashkisë", thotë një banor.

    Por Basha u ka premtuar banorëve se do të korrigjojnë vlerësimin e bërë për shtëpitë që do të shemben. "Siguroj sot banorët që preken nga ndërtimi i bulevardit se do të korrigjojmë çdo shpronësim në parametra të pamerituar, në mënyrë që çdo banor i bulevardit të ri të ndihet bashkëaksionar në këtë projekt madhor të qytetit tonë", premtoi Basha. Kryetari Basha falenderoi, Emirin e Kuvajtit, Qeverine e Abu Dabit dhe Emirin e Katarit per kontributin ne realizimin e ketij projekti.

    topchannel/

    Ky shtet është ky që është sepse qytetarët tanë janë këta që janë !

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Fillon puna për bulevardin e ri të Tiranës, gati në 18 muaj

    Basha: Nisja e bulevardit, ditë historike

    Ashtu siç u paralajmërua, nisën dje punimet për bulevardin e ri të Tiranës.
    Me një investim prej 26 milionë eurosh, ai pritet të jetë gati pas 18 muajsh. Firma që do të ndërtojë bulevardin e ri është Copri – Construction Enterprises LLW. Fadromat filluan pastrimin e zonës pikërisht tek stacioni i Trenit, ndërkohë që kryebashkiaku Basha e cilësoi ditën e djeshme një ditë historike për Tiranën. Pavarësisht forcave të shumta të Policisë, kryebashkiaku u prit me protesta nga banorët e zonës gjatë ceremonisë së hapjes së punimeve. Ata kanë kundërshtuar prej dy ditësh çmimin e vendosur nga qeveria për kompensimin e objekteve, ndërkohë që morën premtimin e kryebashkiakut Basha për rishikim e korrigjim të çdo shpronësimi të bërë në parametra të pamerituar. “Sikundër sigurova dje përfaqësuesit e banorëve që preken nga shpronësimet për ndërtimin e bulevardit, i siguroj edhe sot se Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht do të dëgjojmë një për një çdo pretendim dhe do të korrigjojmë çdo shpronësim të bërë në parametra të pamerituar, në mënyrë që çdo familjar dhe çdo banor i bulevardit të ri të ndihet bashkaksioner i këtij projekti madhor të qytetit tonë”, tha Basha. Nga ana tjetër, ai i dha garanci se ata që përdorin dhe keqpërdorin bashkëqytetarët, për të avancuar axhendën e tyre të bllokimit, nuk do ia dalin. “Ky është vullneti i qytetarëve të Tiranës, i Tiranës moderne dhe europiane dhe ne do të ecim përpara!”, u shpreh kryebashkiaku. Ai theksoi se bulevardi i ri i Tiranës do të krijojë mijëra vende të reja pune, do të sjellë risi të pangjashme në rajon nga ana arkitekturore, do t’i shtojë gjelbërimit të qytetit një kurorë të çmuar me pemë të reja. “Bulevardi i ri do të nxjerrë nga varfëria këtë pjesë të Tiranës, që ka qenë e margjinalizuar”, tha Basha. Kryebashkiaku Basha e konsideroi nisjen e punimeve si përgjigjen më të mirë ndaj atyre që nuk e besuan këtë premtim të bërë dy vjet më parë. Zoti Basha theksoi se: “Me vepra po dëshmojmë çdo ditë se jemi në shërbim të qytetarëve dhe nuk bëjmë premtime boshe”. Bulevardi i ri lidh Tiranën me Paskuqanin, ka një gjerësi rreth 70 m dhe, si një korridor i vërtetë ekologjik, lidh Liqenin Artificial me liqenin e Paskuqanit. Ai është vazhdim i bulevardit ekzistues të ndërtuar 80 vite më parë, sipas idesë së arkitektit gjenial Brasini dhe projektit të një grupi arkitektësh të udhëhequr nga Florestano di Fausto. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë dhe institucione të tjera publike kulturore dhe artistike, qendra biznesi etj. Ndërtimi i bulevardit të ri do të shtojë mbi 150 mijë metra katrorë gjelbërim, përgjatë aksit të tij, ose afërsisht 5 herë më shumë se parku “Rinia”.

    Banorët: Basha na tha se çmimet për kompensimin janë qesharake
    Banorët e zonës tek stacioni i trenit, të cilët do të shpronësohen për objektet që kanë në pronësi, kanë protestuar sërish dje për çmimin e ulët që u është vlerësuar toka. Në këtë mënyrë ata kanë pritur edhe kryebashkiakun Lulzim Basha, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve. Dy ditë më parë, një përfaqësi e banorëve është takuar me kryebashkiakun, ku ka marrë garanci se do të rishikohen vlerat. “Ne biseduam gjatë me të dhe çmimet e vlerësuara iu dukën qesharake. Ne presim një përgjigje të zezë mbi të bardhë nga kryetari i Bashkisë. Nuk u besojmë premtimeve dhe nuk do të lejojmë të kryen punimet nëse nuk na vlerësohet toka me çmimin real”, tha një prej banorëve. Dhjetëra të tjerë kanë shoqëruar me pasthirrma kryebashkiakun gjatë fjalës së tij. Vetëm pasi Basha deklaroi publikisht se do të dëgjohet zëri i çdo qytetari, thirrjet kundër tij u kthyen në brohorima e duartrokitje. Vetëm pak ditë më parë, qeveria vendosi se rreth 38.642 m2 troje dhe 204 objekte private do të preken nga projekti për ndërtimin e bulevardit verior dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Ajo mori vendimin për shpronësimin publik të këtyre trojeve. “Për sipërfaqen prej 38.642 m² truall, vlerësuar me çmimin 26.137 lek/m² të ZK 8330, si dhe 23.217 lek/m² të ZK 8340, me vlerë totale 912.622.642 lekë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Ndërsa për 204 objekte, sipas matjeve në terren nga grupet e punës, vlera totale është 844.853.879 lekë. Sipas tij, në kushtet kur zbatimi i projektit shtrihet në një zonë urbane kryesisht informale, pjesa më e madhe e objekteve që do t’i nënshtrohen procesit të shpronësimit kanë statusin “objekte të ndërtuara pa leje”.

    ZIRINA LLAMBRO
    Panorama

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •