Terminali i Pasagjerëve, javën tjetër nisin procedurat e koncesionit


Bashkia e Tiranës dhe BERZH javën e ardhshme nisin procedurat koncesionare për ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve. Studimi i fizibilitetit për terminalin e ri të pasagjerëve në Tiranë u hartua nga kompania italiane “Ital – Ferr”, me një fond prej 500 mijë eurosh të akorduar nga BERZH, sipas një njoftimi nga Bashkia e Tiranës.

Në këtë terminal, i cili është i pari që do të ndërtohet në Shqipëri, me sipërfaqe 80.000m², do të vendoset stacioni i ri i trenit dhe stacioni i tramit, i cili do të bëjë transportin e udhëtarëve nga terminali multimodal përgjatë bulevardit të ri, deri në sheshin “Nënë Tereza”.Terminali është pjesë e një strategjie të gjerë të transportit urban, i cili do t’u japë zgjidhje nevojave urgjente për përmirësimin e trafikut në Tiranë nëpërmjet parkimit të të gjitha mjeteve të transportit të udhëtarëve nga i gjithë vendi dhe krijimin e kushteve optimale për transportin e tyre në Tiranë. Në terminal parashikohet që në katin përdhe të jetë stacioni i tramvajit dhe trenit, depoja e tramvajit si dhe qendra e pajisjeve hekurudhore, stacion për autobusët ndërkombëtarë, në pronësi të kompanive të transportit shqiptar, stacion për autobusë ndërqytetas, stacion për autobusët ndërkombëtarë, në pronësi nga kompanitë e huaja të transportit. Gjithashtu do të ketë zonë parkimi dhe një tarracë në formë katrore publike, në kufi në perëndim me terminalin e autobusëve urbanë. Në këtë pjesë do të jetë edhe parkimi i autobusëve, mikrobusëve dhe automjeteve të tjetra të transportit të pasagjerëve dhe një linjë për stacionimin e tramvajit, si zgjidhje alternative e transportit të pasagjerëve që do të hyjnë dhe do të dalin nga Tirana. Terminali do të ketë rrugët e brendshme të qarkullimit të automjeteve, tramit, etj., në territorin e terminalit; ambientet ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit; ambientet sociale dhe hoteleri për akomodimin e udhëtarëve. Në terminal është parashikuar dhe parkim nëntokësor, si një zgjidhje tepër eficiente dhe e përshtatshme për realizimin e plotë në funksionimin e këtij terminali, i cili do të funksionojë për parkim makinash private dhe autobusë.

Të dhënat

Vendet e parkimeve


- Autobusë të linjave ndërkombëtare – 34

- Autobusë të linjave ndërqytetëse – 57

- Autobusë të linjave urbane – 15

- Mikrobusë – 48

- Parkim autobusësh – 26

- Taksi – 20

- Parkim i automjeteve private – 100

Nga ky terminal parashikohet të nisen:

- automjete – 10 000

- mikrobusë – 3 700

- autobusë – 900

- autobusë ndërkombëtarë – 100

- autobusë urbanë – 180

Afatet

Në 5-vjeçarin e parë (2020) kapaciteti rritet 20%;

Në 5-vjeçarin e dytë (2025) kapaciteti rritet 25%;

Në 5-vjeçarin e katërt (2035), dyfishim.


MAPO