Një raport i ri arrin në përfundimin se perspektiva e ekonomive të Evropës, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara ka gjasa të përmirësohet muajt e ardhshëm, ndërsa në Kinë mund të ngadalësohet.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tha sot se treguesit e saj kryesorë ekonomikë lënë të kuptohet se rritja nuk do të ndjekë të njëjtin ritëm në gjithë botën. Ekonomitë kryesore do të kenë “përmirësime të moderuara”, por ekonomitë në zhvillim do të kenë të njëjtin ritëm ose ngadalësim.

Organizata me 34 anëtarë thotë se rritja ekonomike po konsolidohet në Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe Britani dhe se shanset janë të mira për 17 vendet e Eurozonës, që është zhytur në recesion që prej një viti e gjysmë.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tha se vendi më i zhvilluar në Evropë, Gjermania po fuqizohet edhe më tej, ndërsa Italia po shënon përmirësim dhe Franca po stabilizohet.

Por sipas raportit, Kina, Brazili dhe Rusia kanë gjasa të pësojnë ngadalësim, ndërsa India po jep vetëm shenja të lehta përparimi.

http://www.koha.net/?page=1,3,155009