Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Requiem shërbimit mjekësor

    Requiem shërbimit mjekësor

    18 July, 2013 | Filed under: Opinion | Posted by: T.O

    Nga Edlira Gjoni

    edlira gjoni“Po prisni pra. Prisni dhe pak. Akoma nuk kanë ardhur ilaçet” – thotë gjithë seriozitet farmacistja e spitalit, pa i ngritur sytë drejt turmës së madhe të fytyrave të lodhura që struken pas derës gjysëm të hapur në fund të korridorit. “Ore mos i bërtit asaj, se i ke pisk punët me mua, more vesh? S’guxon njeriu të iki për të pirë një shishe ujë, se të zënë radhën. Ishim para teje këtu. Na duhet grafia sot. S-o-o-o-t!” – i bërtiste në fytyrë një burrë dukshëm i acaruar një meso-gruaje që shtyhej në radhën pas derës po të mbyllur të ekografive. 20 cm më tutje, në shkallët që e ndanin repartin nga farmacia, njerëzit e ulur në çimento, shihnin të çmeritur skenën. Po shkonte mesdita. Shumë prej pacientëve dhe familjarëve endeshin në këto pak metra katrorë të spitalit për t’i dhënë udhë problemit të tyre.

    “Erdhën gjë ilaçet? Akoma jo? Po këta s’janë njerëz. Si tallen me ne kështu? Po sikur ta provojnë në kurrizin e tyre sëmundjen? Tek fëmijët e vet? Sikur t’ua sillte një herë fati ta shihnin. A do bënin kështu, si perandorë me ne” – dëneste mes lotësh një vajzë e re. Në dorë i varej një kartelë e plotësuar disa herë, me mbishkrimin “Gramsh”. Bashkë me lotët, i dridhej edhe dora nga inati, teksa i binte një numri në celular: “Alo, daja, do vish të na marrësh dot sot në 6 pasdite sikur të mbarojmë? Po ja pra, akoma nuk kemi filluar. As sot nuk ka ilaçe. Po s’kthehemi sot sikur ta di se ngelemi rrugëve. E plotësova më në fund kartelën e duhet bërë patjetër terapia sot. Akoma s’i kemi marrë ilaçet. Na kanë lënë pas dere këtu. Po, po s’na i dhanë, do shtrihem këtu tek hyrja, deri sa t’i marr” – dhe fshinte lotët e inatit me kartelën që mbante në dorë. “Pas orës 6 s’ka më furgona. Ku të shkojmë ne?”

    E mbylli telefonin me dëshpërim dhe fliste më shumë me veten sesa me familjarët e tjerë që rrinin po aq të deporsonalizuar ulur shkallëve: “Po pse na e punoni kështu mor ç’t’iu them? Doni lekë ju? Po s’kena lekë pra. Po t’kishim, i çojshim tek privati ene na rrinin ke koka, e madje dhe pastër, jo kështu si këtu, gropë e hapur plehnash”. Për një moment, edhe sherri tek dera e repartit të ekografisë ndali, për të parë “shfaqjen” e lotëve dhe inatit që ziente brenda vajzës.
    E mundur tërësisht nga shpërfillja me apo pa klas që i bëhej, i nguli sytë në tavan: “Po ku na gjeti neve moj nënë? Asi lekë s’kena. Gjithë punët i lamë pas pa bërë në shtëpi. E kush do kujdeset për ne”? Këmbët i kishte të thara nga dielli e gishtat të zhuritur nga puna. Duart të ashpra e flokët të mbledhur pa shumë kujdes. “Është dita e tretë që na sorollasni moj. Hapeni këtë derë, se boll na morët në qafë. Na presin punët e familjet”.

    Monologu i saj ra në vesh të shurdhët (po të mos marrim në konsideratë këta të mitë, që ishin hapur po aq sa sytë në këtë skenë mizore të trajtimit njerëzor në mes të vapës e të sëmundjes).
    “Nuk ka ilaçe. Hajdeni një herë edhe nesër. Jo, nuk të ndihmoj dot. More vesh? Epo ja, kështu vajti puna. NUK të ndihmoj DOT. Ndihmova ca të tjerë. Pse, 100 copa do bëhem unë? Jo. Nuk bëhem dot. Hajde nesër!” urdhëron një bluzëbardhë me tonin më të lartë se të 54 njerëzit që janë në radhën e dy dyerve 20 cm larg njëra-tjetrës. Sa kthen krahët, gati përplaset me një bluzëbardhë tjetër, që vjen duke mëshuar me gjithë fuqinë mbi takat 15 centimetërshe, e me një grumbull letrash mjekësore në dorë: “Uaaaa, sa e mirë qenke bërë sot mi dreq. Të reja këto syzet? Kur i more? Po manikyri? Shih, shih njëra. Ua, ua, ua. Po vëthët? Do të të shkonin më shumë me atë fustanin pana që kishe pardje dhe me ato sandalet që solle nga Sllovenia. Ua, ua, ua….” Doktoreshë, më fal që të ndërpres, doza e dytë e vëllait do fillojë sot, apo nesër paradite”?….”Po prit ore pak të mbaroj. Sa interesant. Nuk e sheh që jam e zënë? Ua, sa njerëz të ngjitur”….” Hë mi, që po të thoja, edhe atë fustanin e ke yll. Ika, ika”. Pacientit i ngeli pas vetëm trokitja e rëndë e takave dhe tundja që nga themeli që doktoresha i bënte trupit teksa shtynte veten mes njerëzve. Për të dalë nga turma.
    “Na merri këto ilaçet. Bëjnë 200 mijë të vjetra?! Po mirë, ç’më duhet mua se s’ke lekë me vete? Gjeji dhe kthehu. S’ka terapi pa ilaç. Le të ketë kaluar data. S’do zgjidh problemet tuaja financiare unë. Mbylle moj derën. S’e shikon që jam e zënë? Hajde, vazhdo edhe ti. Shko zgjidhe problemin, dhe kthehu, bashkë me ilaçet”.

    Mbi kokën e zonjës bluzëbardhë, në mur, një shënim promocional i Ministrisë së Shëndetësisë, që kush e di në ç’projekt figuron i stisur, thotë: “Pacientë. Ju meritoni një shërbim mjekësor cilësor. Për çdo pakënaqësi në komunikim dhe mjekim, telefononin në numrin tonë falas”. A ka rënë ndonjëherë ky numër? Ç’masa mund të jenë marrë nëse dikush është ankuar. Të paftuarit largohen nga zyra me kokën poshtë. “Hajde zemër. Ja, i gjejmë bashkë. Prit, të kalojmë nga ky mjeku tjetër, se ai aty është mizerje fare. Ngeli gjithë ditën në punë. Na kontrollon deri në sekondën e dokumentin e fundit. Sikur do e rregullojë ai Shqipërinë. Idioti”. Hmm. Kush punon, përçmohet. Korridoreve takat nuk pushojnë së kërcituri. As zëri i lartë. As lajkat mes bluzëbardhave. As pritja e fytyrë-çmeriturve ulur nëpër shkallë. Tualetet të shkaktojnë krizë besimi në atë që sheh. Farmacia vijon të jetë pa ilaçe.

    Mjeku të takon shkallëve, të thotë diçka me lidhje, pa lidhje, i përgjigjet telefonit, shtyn një derë, kërkon dhe një vulë. Ti e ndjek nga pas. Pas tej, edhe një turmë tjetër, si ti. Të gjithë hapin veshët. “S’e paska me mua. I imi nuk ka këtë sëmundje”. Pritet fatura, merret kartela, takohet bluzëbardha një, dy, tre, njëqind e tre. Roja s’ta hap derën deri sa t’i drejtosh dorën nga xhepi.

    Ves i përhapur tek gjithkush që ndesh nëpër papastërtinë jo vetëm fizike që quhet “spital”. Përse paguhen gjithë këta njerëz, profesionistë, administratorë e mirëmbajtës në këto godina? Duken si rrënoja të Spaçit. “Po pse s’ka ilaçe moj? Ku i keni çuar paratë që s’i keni sjellë? Se tenderat janë bërë të gjitha. Po me shëndetin tonë do vdisni të pasur ju? U ju marrtë më shpejt se neve që na ka zënë ishalla” – këtë herë, tek dera e farmacisë, monologun e bën një burrë i veshur më mirë se të tjerët. Më i mbajtur dhe më i qetë. “Po ç’Evropë zeza duam ne? Ju të vdisni nga mendtë, e jo nga sëmundja. Eeee. As politika nuk e ka më fajin. Media e ka. Edhe ajo, që s’na lë rehat duke na bërë moral të mos i denigrojmë bluzat e bardha. Po ju t’i vishni të zeza ore, me këto që na bëni. Të mjerët ne” – vijon të flasë me askënd në veçanti zotëria.
    “Alo? Po. I mora. Mbaruam. Më në fund. Po, është vonë. Jo, pacientja nuk e përballoi shumë mirë. Faleminderit që edhe në distancë, na ndihmove. Unë këtu. Vijoj të vëzhgoj tragjikomedinë korridoreve” Përtej telefonit, mjekja psherëtin, e lehtësuar që mundi të bëjë diçka, edhe në mungesë.

    Largoj nga dera enën me ujë që shërbente si mbajtëse për të mos hapur derën që shtyhej edhe vetë, pa ndihmën as të erës. Më rëndon koka nga shfaqja e sotme. E përditshme në korridoret e spitaleve publike. Shkallët mbushur akoma me pacientë që presin t’iu thonë kur do shtrohen. Ku? Me kë doktor? Si pacientët, ashtu edhe familjarët, me duken si personazhe të marrë nga libri “Këneta”. Të zhytur deri në fyt nga balta e jetës e sot, edhe të sëmurë e të nëpërkëmbur po aq. Asnjë jo-I varfër nuk sëmuret? Ku shkojnë ata? Se këta të mjerë, nuk kanë mundësi të mundësojnë përditë ndryshimin e syzeve të shtrenjta të diellit për stafet.
    “E filluat terapinë” – pyes vajzën e monologjeve tek farmacia. “Po, më në fund. S’e di sa prej ilaçeve na kanë dhënë. Po s’di as si do ikim sot, se mbarojmë vonë. E treta ditë që vijmë” – e lotët nuk i janë tharë akoma.

    Jashtë, dielli përvëlon, mbi godinën dhe kokën e gjithë të mjerëve që fati i shtyn pa i pyetur drejt spitaleve publike në Shqipëri.

    http://www.tiranaobserver.al/2013/07...imit-mjekesor/
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Për: Requiem shërbimit mjekësor

    Të sëmurët: Ne s’jemi kavie, në vend të mjekëve na vijnë praktikantët

    Bluzat e bardha ua besojnë jetën e pacientëve praktikantëve

    Erta Bode

    Praktikantët kanë marrë përgjegjësitë e një mjeku profesionistë. Kjo po ndodh me mjekësinë shqiptare, ku profesioni i bluzave të bardha ka kaluar në duart e amatorëve. Faktikisht janë mjekët dhe infermierët profesionistë ata që me dëshirë u japin të gjitha kompetencat praktikantëve të këtyre degëve, duke e braktisur profesionin e tyre në duart e fillestarëve. Më të shqetësuar për këtë fakt janë pacientët, të cilët nuk kanë besim kur mbeten në duar amatore, që dridhen për të bërë qoftë edhe një injeksion në damar. Faktikisht kjo situatë është shumë kritike në spitalet e rretheve dhe nëpër qendrat e urgjencave nëpër lagje të caktuara të kryeqytetit ose të rretheve. Për sa u përket qendrave të mëdha ky fenomen është më i paktë, jo për shkak të mungesës së dëshirës së mjekëve, apo seriozitetit për punën e tyre, po për shkak të fluksit të madh të pacientëve, që është i papërballueshëm nga praktikantët. Ndërkohë këta të fundit shprehen se janë të vlerësuar për këtë “besim” që u japin mjekët, mirëpo disa prej tyre pranojnë se ndiejnë një përgjegjësi që u krijon ankth.

    Situata

    Sistemi i lartë universitar u lejon studentëve të vendit tonë që të bëjnë praktikë, madje disa prej tyre edhe ta ushtrojnë profesionin në formën e praktikës për një vit pasi mbarojnë universitetin. Kjo mënyrë ndiqet pak a shumë me studentët që mbarojnë për çdo degë që ka lidhje me mësuesinë si dhe me studentët e mjekësisë dhe të infermierisë. Pasi studentët mbarojnë vitet e detyruara të universitet, të gjithë futen nëpër qendrat spitalore, ku duhet të ushtrojnë në mënyrë praktike profesionin e tyre, veprim që ndikon me notë në kualifikimin e tyre përfundimtar. Kur ata paraqiten në spitale dhe qendra spitalore, mjekët duket se janë më të pavarur, duke ua ngarkuar gjithë punën intensive atyre dhe duke mbajtur vetë pikat më thelbësore dhe çështjet më problematikë. Ndërkohë praktikantët për infermieri duket se marrin gjithë situatën në dorë, pasi mjeku dhe infermieri profesionistë urdhërojnë këta praktikantë për të bërë çdo gjë që duhet ta bëjë një infermier apo mjek. Mirëpo kjo situatë që rëndon nëpër spitalet shqiptare për më shumë se një vit duket se është kthyer në problemin e pashmangshëm që kanë pacientët. Ata ankohen se nuk kanë siguri në duart e të rinjve, pa i ofenduar ata. “Vetëm sikleti e ka bërë një vajzë të ma shpojë damarin mbi 5 herë, sepse nuk ma gjente”, – sqaron një grua, e cila priste të bënte një serum dhe për këtë ishte shpuar disa herë. “Unë nuk jam e detyruar të duroj emocionet dhe faktin e mungesës së përvojës së këtyre të rinjve. Jeta ime nuk është eksperiment për praktikantë”, – vazhdon e indinjuar ajo. Mirëpo kjo nuk është pacientja e vetme që ankohet. Tani të sëmurëve shqiptarë u është bërë obsesion për të pyetur mjekun që u paraqitet nëse është praktikantë apo jo, duke u dridhur kur dëgjojnë miratimin se janë praktikantë. Sipas pacientëve, kjo lloj praktike është në të mirë të profesionit të tyre në vazhdimësi, por jo të vizitojnë pacientët pa praninë e mjekut specialist. “Unë kam mbetur i zhgënjyer kur një djalë 22-vjeçar më vizitoi për më shumë se 30 minuta, duke i shpjeguar edhe shqetësimet që kisha dhe pasi doli në konkluzionin e tij mjeku profesionist e kundërshtoi dhe filloi të më vizitonte nga e para. U ndjeva si një kavie eksperimentale”, – shprehet një burrë. Pacientët kërkojnë që mjekët profesionistë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të mos neglizhojnë nën justifikimet për praktikantët. Ata u kërkojnë mjekëve të kryejnë nga fillimi në fund punën e tyre dhe nëse arsimi i lartë shqiptar kërkon praktikën e studentëve ata vetëm të vëzhgojnë, por jo “të mësojnë duart” mbi jetët e tyre.

    http://www.gazetametropol.com/te-sem...-praktikantet/
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    Perjashtuar Maska e didii
    Anëtarësuar
    14-04-2012
    Postime
    504

    Për: Requiem shërbimit mjekësor

    e lexova pjesen e pare, e mjerueshme....

  4. #4
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154

    Për: Requiem shërbimit mjekësor

    Realiteti i hidhur që ndeshet në të gjitha spitalet . Shteti hesht !!!
    Ky shtet është ky që është sepse qytetarët tanë janë këta që janë !

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-01-2011
    Postime
    2,425

    Për: Requiem shërbimit mjekësor

    gjithandej keshtu eshte. ne evrope bejne eksperimente me emigrantet, ne spitalet e amerikes te shkosh ne urgjence te duhet te presesh 6 ore, ndonjehere te harrojne edhe gersheret brenda kur te operojne. flas kur banon ne lagje te varfera. eshte me mire te jesh m.ut sesa i varfer. ai qe eshte puntor ne shqiperi, ka para dhe shkon ne spital privat.

  6. #6
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    09-09-2012
    Vendndodhja
    Ne Kine
    Postime
    1,830

    Për: Requiem shërbimit mjekësor

    Me duket shkrim komplet i gabuar edhe me nje kendveshtrim shume negativ ndaj bluzave te bardha. QSUT eshte qender universitare ku studentat e mjekesis mesojne edhe bejne praktik klinike.
    Prandaj doktori pergjegjes ne fund vjen edhe e shikon pacientin pasi studenti ja prezanton. Kshu eshte kudo qofte Shqiperi, Europe apo Amerike..
    Eksperimente njeri nuk ben sepse ne fund te fundit jeta e njeriut vleresohet. nqs deshiron te marresh pjese ne procedura/ilace qe akoma sjane aprovuar mund ta besh me vullnet te lire e jo se te detyron njeri. FDA ka rregulla shume strikte mbi keto gjera.
    Ne Amerik te gjitha emergjencat kane nje waiting time edhe behet triazhi. Ne baze te situates qe paraqitesh te fusin ne rradhe. Kete e bejne infermiere me eksperience qe dine te dallojne djathin nga sapuni.
    Eshte e vertete qe kane ndodhur qe jane harruar fasho gjate operacionit prandaj jane futur protokolle qe ti parandalojne...
    Sdq njerzia qe ankohet me shume jane ata qe i marrin keto sherbime falas. nga shteti.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Toffee : 23-07-2013 më 19:38

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •