Në Kosovën e pasluftës patriotizmi ka qenë lëmi shumë fitimprurëse për një grup njerëzish, përkatësisht një pjesë të çlirimtarëve të cilët meqë kontribuan në çlirimin e vendit, i dhanë të drejt vetes që atdheun e të gjithëve ta marrin nën përkujdesje, dhe për ironi ta ruajnë atë pikërisht nga njerëzit e vendit, që është ne kundërshtim të plotë me logjikën. Kjo i bëri ata të dukeshin më patriotë se të tjerët, madje të rrinë qartazi në mes të patriotizmit dhe njerëzve, njëjtë sikurse rrinë klerikët në mes të njerëzve dhe zotit dhe përfitojnë nga ky ndërmjetësim.
Ndërmjetësuesit e një ideologjie me interes të përgjithshëm gjithmonë përfitojnë pasuri dhe pushtet nga tregtimi i ideologjisë. Këta njerëz përqafojnë çdo ideologji duke llogaritur përfitimin personal. Këta mund të bëhen patriotë, fetarë të devotshëm apo çkado tjetër për të cilën ka intersim të përgjithshëm e rrjedhimisht edhe fitim. Këtu nuk ka asgjë të keqe përderisa këta njerëz nuk marrin në ruajtje vlerat e përgjithshme. Nëse kjo lejohet të ndodh, atëherë shoqëria është në rrezik. Kjo gjendje qon pashangshëm në diktaturë e cila përveqse pengon zhvillimin e përgjithshëm është edhe një fyerje e vazhdueshme për popullin që e përjeton. Një popull që rron nën diktaturë është larg më i padenjë se një popull që rron nën pushtim, sepse përderisa për popullin e pushtuar mund të thuhet se është i pafuqishëm, për popullin që rron nën diktaturë mund të thuhet që është veqse i padijshëm. Diktatura është pushtim i brendshëm që mund të arrihet duke manipuluar me njerëzit, e ku vetëdija e popullit ka rol thelbësor.
Pas luftës edhe këtu tek ne pati një tendencë për instalimin e një diktature nga një pjesë e çlirimtarëve të cilët përvetësuan meritat e të gjithëve dhe morën atdheun në ruajtje, por kjo nuk qe e thënë të bëhej për shkak se prania ndërkombtare e mori pushtetin për vete, megjithatë nuk u zbeh pushteti paralel i kësaj pjese të çlirimtarëve dhe këmbngulja e tyre për shpagimin e mundit, i cili Kosovës i është llogaritur me fajde. Këta përvetësuan edhe dëshmorët me synim marrjen në pronësi të patriotizmit i cili në këtë rast përdoret si mjet për pasurim dhe për nënshtrimin e të tjerëve. Dëshmorët mund të konsiderohen si patriotët më të mëdhenjë meqë dhanë jetën për atdhe dhe pikërisht për këtë arsye, ata shpesh herë përdoren nga bashkëluftëtarët për të marrë nën përkujdesje atdheun, ku bashkëluftëtarët paraqiten si njerëz më kompetent për të quar në vend amanetin e dëshmorëve, dhe meqë nuk ka e as nuk mund të ketë kurrfarë amaneti sepse vendi nuk ishte as i dëshmorëve dhe ata nuk mund t'ia lënë amanet askujt, ky zotim solemn i të gjallëve është keqpërdorim me dëshmorët për interesa personale e grupore. Këtu tek ne çuditërisht edhe shkalla e patriotizmit u mat me njohjen apo pasjen shok të një dëshmori, ku ngritja e dëshmorit ngriste edhe shokët e tij të gjallë, të cilët përfitonin nga të gjithë dëshmorët e veçanërisht nga dëshmori që e njihnin dhe pikërisht këtë ishin të interesuar ta ngrisnin më lart.
Edhe lufta, nën ndikimin e kësaj pjese të çlirimtarëve u pa dhe ende shihet me syrin e tyre, që nëse e zbusim pak fjalën, do të thoshim se është subjektiv. Lufta pati shumë të meta në organizim megjithatë ato nuk u thanë asnjëherë. Lufta u shpall e shenjtë dhe u mor në mbrojtje nga ky grupim që është karakteristikë për çdo diktaturë, e cila megjithëse nuk mund të jetë me të gjitha vetitë, rron në kushtet tona dhe në sistemin demokratik. Si ndër vetitë kryesore të diktaturës është marrja në mbrojtje e disa gjërave të shenjta të cilat një grup njerëzish i ka shpallur si të tilla.
Pengimi që lufta të shihej në mënyrë shkencore i hapi rrugë shumë keqpërdorimeve, ku rol të rëndësishëm luajti dhe luan klasa intelektuale e vendit e cila me fjalë a me heshtje u vu në shërbim të këtij grupimi që tregoi sa e sa tregime heroike, të cilat po të mblidhen e t'i jepen dikujt që nuk di asgjë për ne do të mendonte se bëhet fjalë për ndonjë popull të cilit të afërmit e të largetit i bëjnë nderime me temena. Por realiteti ynë demanton shumëçka. Organizimi i luftës ka lënë shumë për të dëshiruar. Këtë e kam parë nga afër dhe për këtë mendoj që faji qëndron tek lufërat e mëparshme që ka bërë populli ynë, përkatësisht, mosparjen e luftërave a betejave me sy kritik, gjë që ka pamundësuar ndreqjen e gabimeve në luftën a betejën e ardhshme. Nga luftërat e mëparshme ne kemi trashiguar tregimet heroike që mund t'i hyjnë në punë një grupi të caktuar por neve assesi jo. Neve na duhet e vërteta, çfardo qoftë ajo. Tekefundit një kryengritje e organizuar keq, madje qoftë edhe e humbur nuk mund të jetë kurrë më turpëruese se durimi i pushtimit. Prandaj lufta nën organizimin e UÇK-së sido që të jetë meriton respekt, por edhe si çdo etapë tjetër meriton një studim objektiv. Ndërsa keqpërdorimet që bëhen në emër të kontributit të dhënë në luftë kurrësesi nuk duhet të tolerohen. Ky popull duhet të vetëdijsohet që këtu nuk mund të ketë pronar tjetër përveq tij, dhe shteti duhet t'i shërbej të gjithëve njësoj, përndryshe nëse shteti është në shërbim të vetëm një grupi aty kurrë nuk mund të ketë mirëqenje sepse grupimi që ka marrë peng shtetin është i interesuar që ta mbajë nën kontroll popullin, i cili më së miri kontrollohet me anë të varfërisë.
Në këtë keqmenagjim të vendit e të vetvetes, mendoj që pjesa më e madhe e fajit i takon një pjese të ish luftëtarëve të cilët në emër të luftës përvëtsuan pushtet e pasuri,bënë që shteti të mos funksionojë si duhet dhe që ne të mos jemi në shërbim të vetvetes. Dëmi u bë. Dhe sikur kjo të ishte e kaluar, atëherë thjeshtë do duhej lënë historisë, por kjo është edhe e tashme e siq po shihet edhe e ardhme, prandaj vetëdijësimi i njerëzve është i domosdoshëm, jo për tu liruar nga këta njërëz por për tu liruar nga kjo mendësi e manipuluar. Njerëzit duhet ta dijnë se sado që të ketë qenë kontributi i këtyre njerëzve, Kosova i ka paguar tashmë shumëfish. Duhet ta dijnë që ky popull ka një histori të gjatë rezistence dhe nuk ka ardhur deri këtu falë zhurmaxhinjëve të patriotizmit, paudhësitë e të cilëve assesi nuk mund të mbulohen duke u thirrur në kontributin e dhënë apo të deklaruar.
Por nëse kjo gjendje zgjat, ku shteti është në shërbim të një grupimi, atëherë është krejt e pritshme që shërbëtorët e së keqes do shkojnë duke u shtuar, madje si gjithëmonë, shumica nga ta do t'i shërbejnë të keqes duke qenë të bindur se po bëjnë gjëra të mira.

Habib Morina