Në shtetin e Kosovës, gjithçka është kurdisur për t'i shkuar për shtati një grupi njerëzish, të cilët u bënë pronarë të gjithçkaje duke marrë forcërisht në pronësi patriotizmin, pastaj meritat për çlirimin e vendit, dëshmorët dhe rrugën e tyre që u dashka vazhduar. Por që vlerat e përgjithshme të konvertoheshin në pushtet dhe para për këtë grupim, ishte i nevojshëm krijimi i disa barazpeshave ku vendi u trajtua si shoqëri aksionare dhe ku grupet u dakorduan lidhur me hapsirat e veprimit apo edhe përqindjet në gëzimin e të mirave që ofron ky vend. Ky grupim me disa nëngrupe ku struktura të caktuara të partive, sidomos të atyre të dala nga lufta, por edhe të tjerave, megjithëse me ndikim më periferik, janë shteti vetë, ndërsa shteti ligjor është vegël në duar të tyre, ku ata rekrutojnë njerëz për qëllime personale a klanore, ku i rekrutuari nga një grup punon për të gjitha grupet, të cilët pavarësisht kundërshtive në mes vete, i bashkon përfitimi i paligj dhe borgji që ata i kanë kësaj shoqërie, dhe të rekrutuarit nga secili grup bëhen garda e tyre në vazhdimin e kësaj rruge dhe garanca e tyre që ky borgj nuk do të kërkohet asnjëherë . Në këtë pikpamje, në këtë shtet të kontrolluar nga grupe të caktuara, punësimi e sidomos avancimi në detyrë bëhet me lidhje ose duke dhënë ryshfet. Në të dyja rastet bëhet duke shkelur ligjin, gjë që paraqet një nisje të pëlqyeshme nga këto grupe, të cilat nga kjo perfitojnë materialisht dhe moralisht. Zyrtarët e avancuar në këtë mënyrë janë garancë që nuk do të punohet në bazë të ligjit por në bazë të porosive, ose më saktë janë garancë që ligji nuk do të vlej për të gjithë njësoj. Për ta, është poashtu e rëndësishme që në administratën shtetrore të mos avancohen profesionistët e njëmendtë të cilët kontrollohen më vështirë, por njerëzit e padijshëm, me apo pa diplomë të cilët janë hallka lidhëse në mes të pushtetit dhe profesionistëve, të cilët megjithatë duhen. Avancohen militantët, sidomos ata që patriotizmin e kanë kuptuar si dashuri për partinë. Në këtë shtet këta janë më të vlefshmit, e me këta ne do të shkojmë aq përpara sa do të bëhemi argatë të të tjerëve edhe në vendin tonë .Për secilin grupim është e pamundur të merret peng shteti pa kontrolluar gjykatat, të cilave këtu iu është dhënë detyra të mos funksionojnë, detyrë të cilën ata edhe e kryejnë. Pastaj prokuroria dhe policia janë organe të rëndësishme dhe nëse punojnë sipas ligjeve iu prishin shumë punë klaneve. Prokuroria të shumtën e herave furnizohet me material nga policia dhe atë material e paraqet në gjykatë. Pra policia është e para që ndeshet me veprat penale dhe mënyra se si ajo i trajton këto vepra dhe kryesit e tyre eshtë e një rëndësie të madhe, dhe klanet e forta janë shumë të interesuara për këtë. Dhe përderisa gjykatësit dhe prokurorët kryesisht shpërblehen për punën me porosi apo mospunën e tyre, ose lejohen të vetpasurohen dhe kësisoj mbahen nën kontroll, policët i mban nën kontroll joprofesionalizmi i tyre që është i ushqyer nga këto klane. Polici joprofesionist nuk mund ta faktoj si duhet veprën penale, dhe varësia e tij ndaj të tjerëve është më e madhe se që duhet kryesisht për shkak të njohurive të mangëta. Ky defekt që pamundëson punën e pavarur të policit është i mirëseardhur për klanet të cilat edhe e sponsorizojnë joprofesionalizmin për të shmangur konfrontimin dhe rreziqet. Ata poashtu e kontrollojnë policinë përmes gradimeve,ku gradimi i njerëzve të besueshëm, të përshtatshëm dhe joprofesionist është i vazhdueshëm dhe i pandalshëm. Këtu njerëzit lejohen që të shtyhen për pozita, të gjejnë njerëz, sepse kështu hyjnë në borgj dhe bëhen shërbëtorë të dikujt, që pavarësisht cilit klan i përket, shërbëtorët janë të njëjt dhe qojnë ujë në të njëjtin mulli. Duhet thënë që ka edhe avancime me meritë, por përqindja e tyre është e vogël dhe ndikimi i tyre edhe më i vogël dhe se qenja e tyre në ato pozita është kryesisht për shkaqe dekorative.Avancimet në policinë e Kosovës bëhen kryesisht me lidhje, ku në kohën e gradimeve policët vrapojnë sa andej këndej për të gjetur njerëz dhe nuk përqëndrohen në fitimin e njohurive dhe në përkushtim ndaj punës që është edhe kusht ligjor për avancim. Gradimi kësisoj e dëmton rëndë policinë dhe sigurinë e përgjithshmë të vendit. Kësisoj policia përveq se bëhet shërbëtore e klaneve që shtetin e kanë vegël, bëhet edhe e paaftë për të kryer detyrat e saj, e kjo është një ndihmesë e madhe për kriminalitetin. Polici i graduar në këtë mënyrë, e i cili nuk ka as minimumin e njohurive nga lëmia policore dhe ligjet në fuqi, edhe po të dojë ta luftojë kriminalitetin, nuk mundet sepse këto mangësi nuk e lejojnë. Dhe nuk është këtu e keqja më e madhe, e keqja është se ai bëhet pengesë për të gjithë ata policë që i ka nën mbikqyrje. Ai nuk pranon as këshilla sepse vuan nga sindromi i të paditurve, që ai i di të gjitha. Ndërsa tjetri që ka gradë më të lart e që duhet ta qes në rrugë është pothuajse i njëjtë me të, në mos edhe më keq. Tani këta policë që janë graduar me grada të larta, duke marrë gradë pas grade nuk janë rrekur fare të mësojnë ligjet, procedurat, teknikat policore, ata janë graduar duke mos ditur këto gjëra, ndërkohë që pozita e tyre kërkon që ata t'i dijnë .Kjo është e shkruar, por sa prej tyre njohin ligjet e këtij vendi (ato që kanë të bëjnë me policinë, ligjin penal, procedurën penale, ligjin e policisë, udhëzimet administrative që prekin punët policore etj). Nëse do të bëhej një testim i mirëfillt i këtyre me grada të larta atëherë do të shihej niveli i tyre dhe sa ata profesionalisht i përmbushin kushtet për të qenë në ato pozita. Faktikisht testimet janë bërë por janë bërë vetëm për të legalizuar listën e të përzgjedhurve paraprakisht.Që janë avancuar njerëzit joprofesionist që paguhen nga populli por që s'i shërbejnë atij, do të shohim rajonin policor të Prizrenit, duke besuar se edhe rajonet e tjera dhe qendra qëndrojnë po njësoj. Udhëheqësit e këtij rajoni policor kanë qenë të gjithë me shkolla të mesme, njëjtë edhe komandantët e stacioneve nëpër komuna, ndërkohë që në këtë rajon kishte shumë policë që kishin të kryer fakultetin por që në hierarki ishin lënë të fundit. Tani, udhëheqësit e përmendur të rajonit të Prizrenit të gjithë kanë përfunduar fakultetin, bile edhe më shumë, njëjt edhe komandantët e stacioneve dhe shumë policë të tjerë e banorë të këtij vendi që po shfrytëzojnë pajisjen me diploma nga univerzitetet e krijuara apo të lejuara nga klanet që shtetin e kanë vegël, për tu pajisur me diploma njerëzit e tyre, sepse vendi i punës kërkon përgaditje të përshtatshme profesionale, ose saktësisht thënë, një diplomë që do të vendoset në dosje. Tani të gjithë ata që ishin vetëm me shkollë të mesme apo edhe pa të, sot janë magjistra të lëmive të ndryshme dhe kanë përmbushur e tejkaluar kushtet e kërkuara për pozitën e tyre. Kjo ka sjellë vendin në një gjendje qesharake ku njerëzit e padijshëm janë më të kualifikuarit. Tanimë s'dihet kush është i kualifikuar për lëminë përkatëse.Së fundmi, policia, me udhëzime administrative ka paraparë kritere shtesë për gradim, ku nga grada kapiten e lartë kërkohet shkollimi superior, gjegjësisht fakulteti. Kjo ka mundur të përcaktohej që në fillim, dhe se policia e Kosovës ka pasur punonjës të mjaftueshëm që do të përmbushnin këtë kusht, dhe të mbulonin këto grada, por kjo nuk u bë. U prit derisa njerëzit e besueshëm e të përshtatshëm të merrnin diplomë fakulteti në univerzitetet e krijuara për të shpërndarë diploma.Ky udhëzim administrativ do të duhej të kishte fuqi prapavepruese dhe të bënte rishikimin e gradave, sepse shumica e të graduarve me grada të larta janë graduar në kundërshtim me këtë udhëzim administrativ, duke qenë vetëm me shkolla të mesme, paçka se tani janë bërë me fakultet dhe kanë përmbushur kushtin. Por kjo qeveri nuk mund ta bëjë këtë ,sepse është pjesëmarrëse në krijimin e kësaj gjendje dhe skajshmërisht e papërshtatshme për zgjidhjen e saj.Kjo gjendje në policinë e Kosovës dëmton rëndë funksionimin e shtetit dhe rrezikon sigurinë e secilit, sidomos të atyre që janë kundër kësaj kaste që ka marrë peng shtetin dhe e përdor atë si të dojë vet. Kjo gjendje e bënë këtë vend të vështirë për të jetuar, e edhe më të vështirë për të investuar. Këtu asgjë nuk është e sigurtë. Këtu kur duan klanet, të gjitha ligjet bien në ujë dhe nuk ekzistojnë.Kjo duhet të jetë e papranueshme për secilin. Ky popull duhet t'ia tregoj vendin secilit, edhe ndonjë komandanti që në paqe ka dhjetëfishuar trimërinë, dhe të lirohet nga mendimi i rremë se lirinë ia paska borgj dikujt. Kur ta bëjë këtë do të çlirohet nga vet çlirimtarët që është edhe faza përfundimtare e çlirimit. Një popull është i çliruar plotësisht kur çlirohet nga vet çlirimtarët. Vetëm atëherë, kur populli ta kthej pronësinë mbi vendin mund të mendohet për një shtet që është miku më i mirë i secilit, e ku njerëzit do të gëzoheshin që kanë shtet e që jetojnë këtu, në të kundërt, aty ku shteti është pronë e një grupimi që në emër të popullit e për interes të vet, vendos për gjithcka, aty ka vetëm mjerim dhe prapambetje.

Habib Morina
Pjestar i policise se Kosoves